Integrimi

Përmes prezantimeve, promovimeve dhe debateve, Kuvendi afirmon kulturën shqiptare në Lozanë

Platforma mediale albinfo.ch online&print ishte sponzor medial i këtij eventi Fundjavës Kulturore Shqiptare, të cilën e ka mbështetur edhe qyteti i Lozanës

Përgjatë tri ditëve është zhvilluar edicioni i kulturës shqiptare, me vendtakim në Lozanë, i organizuar nga Kuvendi i Shqiptarëve në Zvicër. Gjatë kësaj fundjave u prezantuan arti e letërsia dhe arsimimi, me një fokus të veçantë në çështjet politike që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me rëndësinë e diasporës në këtë drejtim.

Zyrtarisht hapja e këtij manifestimi u bë të premten, më 11 nëntor, me ekspozitën dhe librin “ARBËRESHËT-fotosintezë e shpirtit tim”, të Rexhep Rifatit, i cili përmes kësaj përjetësoi ruajtjen e kulturës dhe traditës arbëreshe ndër vite.

Në mbrëmjen e ditës pasuese organizatorët kishin ftuar në panal Hilmi Gashin, si ekspert i çështjeve të migracionit dhe sindikalist, Bashkim Isenin, doktor i shkencave politike si dhe drejtor i zyrës për imigracion në qytetin e Lozanës, Musa Kamenicën, politolog dhe Alisa Buzhalën, gazetare në platformën mediale albinfo.ch, në një debat ku si tematikë ishte “Pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike në vendet e prejardhjes”.

Kjo çështje u pa me interes edhe nga publiku i pranishëm, duke i vënë në diskutim pyetjet se a duhet diaspora të votojë në zgjedhjet për formimin e qeverive në vendlindje, cili është roli i saj dhe a do të ndikonte pozitivisht përfshirja në interesat e komunitetit shqiptar, a po shihet mërgata si një faktor real në zhvillim apo vetëm si objektiv për fitimin e votave të tyre.

Po ashtu u fol edhe se si të gjenden struktura që ndihmojnë në formësimin e një përfaqësimi të denjë të shqiptarëve, përmes kandidatëve politikë, shoqatave dhe profesionistëve të fushave të ndryshme.

“Ne që jemi të anagazhuar në politikë në vendet ku jetojmë e veprojmë na bjen barra për të punuar në drejtim të unitetit, prandaj është shumë e rëndësishme të mos ketë përçarje mes kandidatëve e shoqatave që të mund të punojmë së bashku drejt mundësisë për vendimmarrje”, u shpreh Musa Kamenica, asamblist komunal në Lozanë.

Ndërsa, ndër të tjera, Bashkim Iseni theksoi se integrimi dhe angazhimi politik i shqiptarëve në vendet pritëse do të ndikonte rrjedhimisht në të qenët efikas dhe do të shihej si potencial në vendet e origjinës. Ndërkaq Hilmi Gashi e shprehu si nevojë profesionalizimin e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.

Gjatë bashkëbisedimit doli në pah dëshira, lidhja shpirtërore me atdhe, e cila motivon mërgimtarët që ende të kontribojnë si në zhvillimin social e ekonomik, ashtu edhe politik.

Për të relaksuar atmosferën e mbrëmjes këngëtarja Fatjeta Barbullushi, nën shoqërinë e kitares së Fejzullah Zumberit, kishin përgatitur një program muzikor të mirëfilltë me këngë popullore të vjetra shqiptare, duke rikthyer kështu tingujt artistikë dhe vlerat e muzikës shqipe.

Në pasditen e së dielës së 13 nëntorit u mbajt një konferencë nga LAPSH-i për të ndarë informacione rreth shkollës në gjuhën shqipe. Kjo shkollë punon vazhdimisht në arsimimin dhe edukimin e nxënësve shqiptarë, duke i ofruar metoda të reja të mësimit dhe duke ndarë përvoja nga interesimi dhe vlera e të pasurit shkolla shqipe në Zvicër.

Orhan Spahiu, kryetar i KSHZ foli për bashkëpunimin e Kuvendit të shqiptarëve me këto shkolla, ndërsa Liburn Mehmetaj prezantoi disa projekte të reja, ndër to projektin “tutor#shqip” për mësimin plotësues, i cili është konstatuar i nevojshëm për fëmijët që flasin gjuhën amë, po njëkohësisht marrin mësimet në shkollat e rregullta zvicerane. Aty u cilësua si pozitiv edhe fakti që ekziston një bashkëpunim i mirë mes Republikës së Kosovës me shkolla shqipe, në veçanti furnizimi me libra.

Mehmetaj gjithashtu pranoi që digjitalizimi e ka ndihmuar shumë procesin e punës në shkolla dhe si rrjedhojë, të interesuarit e kanë më të lehtë qasjen dhe menagjimin e kësaj strukture.

Dhe mësuesja Blerta Kadriu, e cila është pjesë e projektit dhe njëherësh edhe mësuese e klasës se hapur në Spreitenbach, ka treguar për mbarëvajtjen e projektit “tutor#shqip”, i cili ka filluar para 3 javësh në komunën e Spreitenbach.

Në këtë organizim nuk kishte se si të mungonte letërsia, si një ndër faktorët më të rëndesishëm të ruajtjes së gjuhës . “101 poezi zvicrane” të përkthyera dhe përshtatura nga Kujtim Shabani, u prezantuan para publikut përmes leximit të disave prej tyre. Përkthimin nga gjuha gjermane në atë shqipe publiku e përjetonte sigurisht me një lidhje të fortë emocionale.

Aktiviteti i fundit i fundjavës së kulturës shqiptare iu dedikua prezantimit të dy librave të autorëve shqiptarë: Ilir Xheladini dhe Shemsi Makolli. Xheladini u paraqit me veprën “Le carrefour des destins” (në shqip; Udhëkryqi i fateve), që flet për dy personazhe kryesore, dy vajza nga dy vende te ndryshme, të cilat janë në kërkim të dashurisë së vërtetë, kështu duke besuar që fati ndeshet në një udhëkryq të jetës.

Ndërsa “Perëndeshat e përdhosura” (e rikrijuar edhe në frëngjisht; “Les Déesses profanes”), shkruar nga Shemsi Makolli, shtjellon një tematikë sociale, për të mbijetuarat e dhunës në luftën e fundit në Kosovë. Autori përmes poezisë provon të ndikojë që të thyhet heshtja kolektive ndaj kësaj tematike, heshtje kjo e shkaktuar nga shoqëria patriarkale.

Pos përmbledhjes së përmbajtjeve të këtyre veprave letrare, aty u fol edhe për rëndësinë e letërsisë si një rrugë drejt ngritjes në sipërfaqe të çështjeve sociale si dhe formë e duhur për formimin e historisë si popull.

Me gjithë këto aktivitete u përmbyll organizimi i udhëhequr nga Kuvendi shqiptar në Zvicër, duke ndikuar në krijimin e një imazhi të ri të komunitetit shqiptar përmes arsimimit, integrimit dhe ruajtjes së vlerave kulturore.

Autore e artikullit: Alisa Buzhala