Sport

„Pehlivani“ shqiptar që ua mori zanatin zviceranëve

Naim Fejzaj ishte jo vetëm mundësi i vetëm shqiptar por edhe i vetmi me prejardhje të huaj, në mesin e afro 160 garuesve zviceranë

Të dielën, më 3 korrik, në fshatin Heiden u zhvilluan garat kantonale të Appenzellit në sportin tradicional të mundjes ose “Schwingen” siç njihet në Zvicër. I gjithë manifestimi, që merr dhe tiparet e një feste popullore, quhet „Schwingertag“.

Me pak fjalë mund të thuhet se në Appenzellerland- vend ky i njohur me tepër për djathin „Appenzellerkäse“ e me natyrë kodrinore, me shtëpi e fshatra të ngjitura maleve, jeton edhe një numër bukur i madh i shqiptarëve. Një komunitet i heshtur. Me përjashtim të pelivanit shqiptar, Naim Fejzaj, i cili me sjelljet e tij shembullore ka depërtuar në zemrat e publikut zviceran.

Naimi është i angazhuar në klubin e mundjes të Wolfhaldenit dhe sivjet për herë të parë garon në kategorinë e të rriturve.

Ndonëse akoma adoleshent, sapo i ka mbushur të 16-tat, në mesin e 160 garuesve zviceranë si i vetmi i huaj (jo-zviceran) përballë kolosëve me përvojë të këtij sporti tradicional zviceran, të përfaqësuar nga tetë klube të Zvicrës lindore, Naimi tregon që në start se nuk i trembet konkurrencës. Meçin e parë ai e fiton shumë shpejtë, duke e përplasur kundërshtarin e tij ende pa kaluar minuta e parë.

Ballafaqimi tjetër ishte pas një ore, dhe në këtë ndërmjetëz, babai i tij, Murtezi na rrëfen për jetën e Naimit, shkollimin e tij në një fshat të vogël të Appenzellit, në Wolfhalden. Aty ka lindur dhe është rritur, thotë babai i tij Murtezi, mirëpo gjithnjë ka në mendje Kosovën, rrënjët në Radac të Pejës edhe pse nënën e ka kroate, tregon ai.

Tani ka filluar zanatin si polimekanik. Ndërsa luan e dallohet edhe në hendboll. Ky djalë i ri, vetëm 16 vjeç, peshon njëqind kilogramë dhe është i gjatë 1.82 cm. Si një prind që vetë është marrë me sportin e karatesë, thotë Murtezi, ai e kupton më së miri natyrën e sporteve luftarake, prandaj edhe është gjithnjë pranë tij.

© albinfo.ch: Naimi gjatë garimit

Naimi, me shumë adhurues zviceranë

Për Naimin flitet shumë në fshat, na thotë një vendës, edhe mediet e vendit e shikojne atë me simpati për guximin që ka pasur ti rreket një sporti që thuajse kryekëput ushtrohet nga zviceranët.

Por, si e gjen Naimi vetën në një sport në të cilin ishte jo vetëm i vetmi shqiptar pjesëmarrës në garë por mbase edhe i vetmi i huaj në këtë eveniment e më gjerë?

Trajneri i tij, Stefan Matter, na thotë se Naimi është i integruar si “njëri nga ne”. “Ai kurrë nuk provokohet apo ngacmohet nga ndokush. Naimi ka mjaftë adhurues zviceranë, është simpatik, shumë mirë i integruar i paverëjtshëm në mesin tonë”, tregon ai. „Me përjashtim në fillim që kishim vështirësi për t’ia thënë emrin“. Mirëpo me kohë kjo është tejkaluar dhe tani, falë sjelljeve shembullore dhe shumë miqësore, ai është futur në zemrat tona si i pandashëm. Kështu që tërë kjo paraqitje pozitive, normalisht që kthehet pozitivisht duke e përkrahur këtu, pa shikuar origjinën apo prejardhjen e tij.

Trajneri i tij Stefan Matter, thotë ndër të tjera se për t’u bërë mundës “Schwinger” i suksesshëm duhet pasur vetëbesim të madh. Shumë vullnet e disiplinë, por mbi gjitha duhet të jesh i madh dhe i fortë me trup të ngjeshur e të kalitur për këtë sport. Sa është i fortë Naimi, i shtrojmë pyetjen trajnerit. „Për moshën që ka, ai është mjaft i fortë”, përgjigjet ai.

© albinfo.ch: Naimi gjatë garimit

“Schwingerin” shqiptar e pret një ardhmëri e madhe

Matter është trajner i Naimit prej mbi katër vitesh dhe ai mendon se nëse nxënësi i tij shqiptar vazhdon kështu, do të këtë një ardhmëri shumë të mirë. „Nëse ai tash krahas zanatit, arrin të ushtrojë pa shkëputje, do të këtë një ardhmëri të shkëlqyer“ Naimin edhe më shumë e vlerëson Eugen Schläpfer, përfaqësues i departamentit apo shoqatës së mundësve të kantonit Appenzell dhe si ish-mundës i njohur i kësaj ane flet me admirim për cilësinë e djaloshit shqiptar. „Për Naimin“, thotë ai, „ka ardhmëri të madhe sepse së pari ka një përkushtim të madh, dhe së dyti ka talent shumë të mirë, është shumë i ri dhe nëse rritet edhe pak do të tregojë rezultate të mëdha“.

Eugen Schläpfer  është një mbështetës i madh i Naimit dhe thotë me bindje se Naimi pasi t`i kalojë të njëzetat do të ngjitet në maje të këtij sporti si njëri ndër më të mirët e kantonit të Appenzellit. Të hutuar nga bisedimet e duke dëgjuar vlerësimet për Naimin, meçin e dytë të Naimit arrijmë të shohim vetëm në fund – një humbje zhgënjyese për të. Por që mund ta përmirësonte me fitimin e meçit të tretë, thotë babai i tij.

Naimi vetë nuk është mësuar të humbë, mirëpo duhet të mësohet sepse tani ka për kundërshtarë mundës shumë më më përvojë e më të moshuar se ai, na thotë aty pranë njëri nga shikuesit. Sido që të jetë, për ne më shumë se rezultati, rëndësi kishte pjesëmarrja e një të huaji në një sport që identifikon zviceranët. Diçka e pazakontë jo vetëm për zviceranët por edhe per ne shqiptarët! Andaj edhe vazhdojmë e flasim më të ëmën e Naimit, kroaten Evica.

Naimi një ditë para meçeve nis të përqendrohet duke iu shmangur ushqimeve të rënda, siç është mishi. Asaj nuk i pengon që djali i saj Naimi, edhe pse kalon nëpërmjet Kroacisë, pushimet shumë më më qejf i kalon në Kosovë- më rëndësi që kënaqet, thotë ajo.

Naimi në këtë turnir synonte kurorën Kranzer, po nuk arriti të kualifikohej mëtutje ngase humbja e meçit të dytë e la mbrapa me pikë krahas kundershtarëve të grupit të tij. Sidoqoftë, ai fitoi një përvojë të mirë në këtë garë të vështirë përballë kundërshtarëve më të moshuar e më më përvojë se ai.

Naimi vetë duket fjalëpak, i urtë e i tërhequr. “Schwingle – thotë ai, me pëlqen shumë, jashtëzakonisht shumë. Për herë të parë për këtë sport, tregon ai, ka dëgjuar nga një shok i klasës, dikund në moshën 10 vjeçare. “Um ka thonë hajde njëherë me kqyr, edhe jom shku. S’dita që oshtë sport i mirë -nuk dita as çka është bile”, flet ai me një shqipe të mirë. Dhe kështu që nga ajo ditë ai më nuk iu ka ndarë stërvitjeve, duke u bërë gjithnjë e më i dalluar, gjer sa arrin në moshën e juniorëve si njëri ndër më të mirët, i pakonkurencë. Më i madhi ndër ta, më i fuqishmi e më i dashuri i publikut. “I kam provuar të gjitha sportet, karatenë, futbollin, hendboll luajë ende, por ky më ka pëlqyer e më pëlqen më së shumti”.

© albinfo.ch: Atmosferë feste në garat e mundësve