Kosova

Një libër në mes të gazetarisë dhe eseistikës që synon shkrimin e historisë

Është promovuar në Cyrih libri në tre vëllime i Emin Azemit:, “Helena e epikës sonë tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” dhe “A kurohet mendësia”

Emin Azemi është një publicist dhe krijues i njohur nga Shkupi, i cili ka bërë emër edhe si botues dhe studiues i letërsisë  dhe i fenomeneve kulturore. Në të gjitha këto cilësi ai ishte të shtunën mysafir i publikut shqiptar të Zvicrës, në ambientet e bibliotekës Pestalozzi, në Hardau, Cyrih. Promovimi i veprës së  tij eseistike-publicistike të përmbledhur në tre vëllime ishte shkasi që mblodhi një publik të interesuar për letërsinë po edhe për zhvillimet aktuale në shoqërinë shqiptare, që janë në fokus të interesimit të autorit, Emin Azemi.

Drejtoresha e bibliotekës, zonja Suela Jorgaqi në rolin e nikoqires së aktivitetit ka hapur takimin dhe ka përshëndetur mysafirin nga Shkupi si dhe organizatorët e promovimit. Ajo ka shfaqur gatishmërinë që hapësirat e kësaj biblioteke t`i vejë në dispozicion të aktiviteteve kulturore të komunitetit në Zvicër, gatishmëri kjo që është dëshmuar tashmë sa herë.

Për biografinë dhe bibliografinë e Emin Azemit ka folur në mënyrë të përmbledhur poeti dhe veprimtari kulturor nga Cyrihu, Bujar Salihu. “Kolana e librave me shkrime eseistike-publicistike, “Helena e epikës sonë tragjikomike”, “Në mes të kauzës dhe mbijetesës” e që përmbyllet me vëllimin “A kurohet mendësia” vjen natyrshëm pasi  rrumbullakëson një cikël shkrimesh të filluara këtu e dy dekada më parë, duke u sublimuar si një projekt kapital e shumë voluminoz në formë idesh të përdegëzuara brenda kopertinave të këtij libri. Aty në të vërtetë përshkruhet në mënyrë maestrale jeta jonë me lëvizje anakronike dhe me paradokse të përcjella me zhurmat e një pale dhe heshtjen e palës tjetër, me krekosjen e disave dhe përuljen e të tjerëve. Krahas mugëtirës që e mbulon këtë kohë të përshkruar, librin e përshkon edhe një rreze e theksuar drite”, ka thënë veç tjerash z. Salihu, duke përvijuar veprën e promovuar në Cyrih, të Emin Azemit.

Ndërsa Gani Bytyçi, krijues letrar dhe piktor është fokusuar kryesisht në përshkrimin e profilit të gjerë krijues e studiues të Azemit, duke bërë ndalesa në disa nga segmentet ku ai ka shënuar arritje më të shquara. Bytyçi, duke ju referuar titullit “A kurohet mendësia” të vëllimit numër tre të veprës së promovuar, është përqendruar në dilemën e njohur “murin (mes vendeve) e rrëzuam por a e kalojmë dot murin brenda mendësisë sonë”, dilemë kjo që është ngritur edhe në veprën e Emin Azemit.

Bytyçi po ashtu ka vënë në spikamë profilin letrar krahas atij publicistik të Azemit, duke shprehur pritjen se ai megjithatë do t`i kthehej letërsisë, me të cilën kishte filluar veprimtarinë e tij publike, para më se 40 vitesh.

Në vazhdim është zhvilluar një bashkëbisedim në mes të autorit Azemi dhe të pranishmëve në sallë, ku janë ngritur mjaft çështje të lidhura me veprën që promovohej po edhe me aktualitetin shoqëror e politik në shtetet ki jetojnë shqiptarët.

I pyetur nga drejtuesi i takimit nëse për veprën e promovuar mund të flitet si për një projekt unik ose jo, Emin Azemi u shpreh se “rezultati final, kjo që shihet si vepër në tre vëllime, mund të quhet projekt por autori kur shkruan artikujt e përveçëm, si në këtë rast, nuk mendon për projektin, ai vjen më vonë”. “Kur shkruajmë sot, është gazetari por kur e lexojmë më vonë, kjo është histori”, e ka përkufizuar Azemi natyrën e gazetarisë ose publicistikës të cilën e krijon edhe ai.

Po ashtu, ka shtuar ai, gazetari është një gjurmë në kohë, duke e ilustruar këtë me publicistikën e botuar në kohën e Rilindjes sonë kombëtare, e cila ka mbetur si një kronikë e vetme që dokumenton azhvillimet e asaj kohe ndüer ne. Pastaj Emin Azemi ka nënvizuar rëndësinë e përmbledhjes dhe sistemimit në libra të veçantë të artikujve ose edhe eseve dhe studimeve të botuar ndër vite në organe të ndryshme të shtypit. Kjo u jep atyre një sistem dhe i bën më të qasshme për publikun dhe studiuesin e tashëm e të ardhshëm, i cili nuk mund të ketë qasje në artikujt e botuar dhe të shpërndarë gjithandej.

Azemi ka folur edhe për ndërdyshjen në mes të formimit letrar dhe shkrimit gazetaresk, publicistik të autorit, në këtë rast, të tij. Ai në këtë pikë ka thënë se formimi i tij letrar mbase është “fajtor” se tekstet e tij kanë më shumë një frymë eseistike sesa gazetareske ose publicistike të pastër. Dhe kjo është sigurisht një punë më e vështirë për tu bërë, ka thënë autori i librit të promovuar.

Në vazhdim ai u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me aktualitetin politik e shoqëror në vendet ku jetojnë shqiptarët, dhe më konkretisht për ngurrimin e intelektualëve (dhe të tij) që të bëhen pjesë e skenës politike. Përgjigja e tij ishte se nëse do të hynte në politikën aktive, ai nuk do të ishte më vetvetja dhe rrjedhimisht, nuk do të ishin as këto dhe librat tjerë që ai ka publikuar. Megjithatë, ka theksuar ai, nëse ne nuk merremi me politikë, politika merret me ne kështu që, deshëm ose s`deshëm, të gjithë jemi pjesë e politikës. Azemi ka shprehur me këtë rast zhgënjimin me (pothuaj) të gjithë “krahët” e politikës në shtetet ku jetojnë shqiptarët, për shkakun se, siç ka theksuar ai, mjerisht kemi një politikë të zhveshur nga parimet dhe nga morali kështu që intelektualët irritohen, prandaj dhe distancohen nga ajo.

Azemi ka folur edhe për diasporën, për të cilën ka një njohje të konsiderueshme, gjegjësisht rëndësinë që ajo ka për atdheun. Ai është ndalur në nevojën e ngritjes së politikave komplementare në mes të diasporës dhe vendeve të prejardhjes, në mënyrë që përfitimi nga ekspertiza e diasporës sonë, tashmë të avancuar, të jetë më i madh dhe që diaspora të mos kufizohet në rolin që e njohim, të “bankomatit” rezervë për familjet në atdhe.

Në këtë pikë të debatit janë inkuadruar edhe  pjesëmarrës tjerë në debat, si mjeku e veprimtari dr. Agron Abrashi, poeti Brahim Avdyli, veprimtari i njohur politik Shaip Latifi, etj. Ata kanë shprehur shqetësimet e tyre me zhvillimet jo të kënaqshme në skenën politike shqiptare dhe, rrjedhimisht, edhe në atë të diasporës.

Promovimi është përmbyllur me një koktej rasti dhe të pranishmit kanë pasur rastin të marrin librin në te vëllime, me autografin e autorit, Emin Azemi.

Një faleënderim i posaçëm për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kulturor shkon edhe për kompaninë ABEDINI TRANSPORT, e afaristit dhe intelekualit Abedin Mahmuti, nga Kumanova, e cila është kujdesur për transportin e librave.

(Fotot: Labinot Sulejmani)