Lajme

Në Veri u njollos procesi zgjedhor

Pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje nuk e ka kaluar 15 përqindëshin, gjë që e bën të kontestueshëm legjitimitetin e strukturave atje. Serbët kërkojnë rivotime

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit sado që janë konsideruar demokratike nga lidershipi në Prishtinë, nuk kanë dhënë efektin e duhur edhe në komunat e veriore të Kosovës. Pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje nuk e ka kaluar 15 përqindëshin, gjë që e konteston legjitimitetin e strukturave atje.

 

Sipas rezultateve preliminare që ka dhënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por edhe rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në veprim” në Zveçan kanë marrë pjesë vetëm 7.39 për qind, në Leposaviq 12.5 për qind, në Zubin-Potok, 12.38 për qind kurse në Mitrovicën e veriut 7.9 për qind. 

 

Kjo pjesëmarrje e vogël e serbëve në zgjedhje ka ndodhur për shkak të thirrjes për bojkot. Madje në një vendvotim në Mitrovicë, disa ekstremistë serbe, me maska dhe shkopinj bejsbolli, kanë hyrë dhunshëm në vendvotime dhe kanë shkatërruar kutitë e votimit.

 

Ky gjest dhe aktet tjera të dhunës për t’i trembur votuesit, është kundërshtuar nga gjithë spektri politik në Kosovës, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka investuar në mbarëvajtjen e këtij procesi. Serbët kërkojnë rivotim, ndërsa kancelaritë ndërkombëtare duan hetime për ngjarjet atje.

 

 

OSBE: Ekstremistët njollosën votimin

 

 

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier e ka dënuar fuqishëm dhunën në Mitrovicën e veriut, e cila, sipas tij, ka njollosur votimin e djeshëm. 

 

“Sulmet e dhunshme të kryera gjatë kohës kur po votohej janë të dënueshme. Ato janë sulme jo vetëm kundër dinjitetit personal, por edhe kundër të drejtës së qytetarëve për të realizuar zgjedhjen e tyre të lirë demokratike. Ne presim që do të bëhet çdo gjë e mundur për t’i sjellë autorët e këtyre veprave para drejtësisë”, ka thënë ai.

 

Këto incidente, sipas tij, janë edhe më shumë të dëmshme meqë ndodhën gjatë një procesi zgjedhor me të cilin do të shënohej një hap para në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

 

“Dëshirojmë të falënderojmë stafin e OSBE-së në terren, të cilët punuan të palëkundur pavarësisht rrethanave sfiduese. OSBE-ja po i lehtësonte zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës në pajtim me marrëveshjen e 19 prillit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

 

Reagimi i Zannier ka ardhur pasi ekstremistët serbë kanë bllokuar zyrtarët e OSBE-së për të mbikëqyrur procesin e votimit. Madje disa kuti, me vota, i kanë marrë me vete huliganët, të cilët i kanë hedhur jashtë shkollës “Sveti Sava” në Mitrovicë.  

 

 

Të përsëritën zgjedhjet

 

 

Kandidati për prefekt të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq thotë se incidentet që shënuan zgjedhjet në veri janë dhunë politike dhe vandalizëm. Ivanoviq konsideron se zgjidhja me e mirë do të ishte përsëritja e zgjedhjeve brenda një kohe të shkurtët.

 

Ai ka thënë për mediet serbe se pret që zgjedhjet të anulohen jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në Leposaviq, Zubin Potok e Graçanicë, pasi që vëzhguesit kanë braktisur vendet zgjedhore.

 

“Pres se ky do të jetë epilogu edhe pse me keqardhje mund të konstatoj se ne i kemi humbur këto zgjedhje”, ka thënë Ivanoviq.

 

Edhe zyrtarët serbë në Beograd konsideron se pas incidentit të ndodhur dje në pjesën veriore të Mitrovicës, nuk ka rrugëdalje tjetër pos përsëritjes së gjithë procesit zgjedhor në këtë pjesë.

 

Shefi i Zyrës qeveritare për marrëdhënie me medie i Serbisë, Milivoje Mihajlloviq, i ka thënë agjencisë B92, se “nuk sheh njeriun që do të merrte guximin të pranojë rezultatet në rrethana kur i gjithë procesi gjatë ditës ka kaluar me parregullsi”.

 

Sipas tij, Prishtina dëshiron “të vazhdojë agonia në pjesën veriore të Kosovës”, prandaj Beogradi shpreson zgjidhje nga Brukseli.

 

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ndërkaq e ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor me 3 nëntor, duke thënë se në këtë mënyrë Kosova e ka kaluar testin evropian. Ndërsa incidentet në veri, sipas tij, janë të izoluara.

 

Kryeministri tha se pjesëmarrja e qytetarëve në veri në zgjedhje e ka legjitimuar marrëveshjen e këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë.

 

“Këto janë incidente të izoluara që nuk kanë peshë vendimtare në procesin e zgjedhjeve. Po ashtu i thërras institucionet e pavarura që t’i trajtojnë këto raste me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, sipas të cilit, ka qenë shumë e rëndësishme pjesëmarrja në qendrat e votimit në veri të vendit.

 

Lidhur me dhunën në veri janë deklaruar edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës. Ligjvënësit kosovarë e konsiderojnë të papranueshme dhunën e ekstremistëve ndaj sovranit.

 

 

Dështuan zgjedhjet në veri

 

 

“Është e pakuptimtë mënyra se sit re njerëz të maskuar i qesin jashtë lojës edhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili procesin e djeshëm zgjedhor e ka konsideruar të suksesshëm.

 

“Përveç pjesës veriore, procesi ka qenë i rregullt, madje ka qenë një nga proceset më të rregullta që janë zhvilluar në dy tri pale zgjedhjet e fundit:, tha kryeparlamentari kosovar.

 

Ndërsa Adem Grabovci, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvend, tha se  procesi në veri, ka qenë përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare. “Në veri ka ndodhur diçka jo  shumë e papritur dhe për sigurinë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve i ka pas bashkësia ndërkombëtare”, tha ai.

 

Ndërsa shefi i Gripit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini tha se zgjedhjet në veri janë të dështuara.

 

“S’ka fjalor tjerë përveç se ato kanë qenë të dështuara dhe në veri është cenuar demokracia dhe kemi të bëjmë me një situatë që grupet radikale po provojnë që mos lejojnë demokracinë. Është dhunuar mundësia që njerëzit të shprehen lirshëm atje”, deklaroi Gjini.

 

Lidhur me zgjedhjet e djeshme dhe prishjen e rendit në veri, reagoi edhe Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.  “Ambasada dënon veprimet e dhunës dhe frikësimit që njollosën zgjedhjet e djeshme komunale në Mitrovicën e Veriut dhe presim hetim të plotë për t’u siguruar që drejtësia vihet në vend”, thuhet në reagim.

 

Të gjithë qytetarët, sipas këtij reagimi, kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje të qeta e të sigurta, të cilat duhet të jenë pa dhunë dhe frikësim.

 

“Bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i tolerojë përpjekjet për ta prishur procesin demokratik dhe për t’i penguar qytetarët të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë të rregullt”, konsideron ambasada amerikane.