Lajme

Mediat botërore: Personaliteti i vitit, Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky, gardiani i Evropës

Presidenti Volodymyr Zelenskyy personifikon komandantin që përballë agresionit të Rusisë që nuk po e mbron vetëm shtetin e tij, Ukrainën, por edhe Evropën. Në këtë përballje, unifikoi ukrainasit, por edhe Perëndimin si kurrë më parë, përcjell albinfo.ch.

Pa dyshim, ishte njeriu që rroku vëmendjen e botës. Për shumëkënd, asnjëherë tjetër në histori nuk ka qenë më e lehtë të përcaktohet se cili ishte politikani që bëri për vete jo vetëm liderët e vendeve që i dolën në mbështetje Ukrainës, por edhe qytetarët e vendeve, liderët e të cilave për shkak të interesave të ngushta politike mbanin anën e Rusisë pushtuese të Vladimir Putinit.

Gjatë pjesës më të madhe të fjalimeve e thirrjeve për ndihmë, Zelenskyy nuk ka folur për domosdoshmërinë e ndihmës për ish-Republikën sovjetike të sulmuar nga një shtet fqinj, por zgjoi ndërgjegjen perëndimore – të varur deri atëherë me të madhe nga gazi e nafta ruse – për rrezikun që përbën Rusia e Putinit për demokracinë dhe thelbin e vlerave humane mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Në javët pasi bombat ruse filluan të binin më 24 shkurt, vendimi i Zeleneskyyt për të mos ikur nga Kievi, por për të qëndruar dhe për të siguruar mbështetjen popullore i papritur për shumë skeptikë. Nga postimi i tij i parë prej 40 sekondash në Instagram më 25 shkurt – duke treguar se kabineti i tij dhe shoqëria civile nuk e kishin lëshuar vendin – deri te fjalimet e përditshme të mbajtura nga distanca në sallat e parlamenteve, Bankës Botërore dhe çmimeve Grammy, presidenti i Ukrainës ishte kudo. Ofensiva e tij e informacionit ndryshoi sistemin gjeopolitik, duke shkaktuar një valë veprimi që përfshiu globin.

Në një botë që shquhej nga përçarjet e mëdha, pati një bashkim rreth kësaj kauze, rreth këtij vendi që shumëkush mund të mos ishte në gjendje ta gjente në një hartë. Në OKB, 141 vende e dënuan pushtimin; vetëm Koreja e Veriut, Siria, Eritreja dhe Bjellorusia – të gjitha diktatura – votuan krah Moskës. Kompanitë e mëdha u tërhoqën masivisht nga Rusia, duke tërhequr miliarda të ardhura. Mbështetja financiare, materiale, humanitare dhe ushtarake pasoi për Ukrainën në luftë. Të huajt pranuan refugjatë; vullnetarët ushqenin të uriturit; mjekët fluturuan për të ndihmuar të plagosurit. Flamuri i Ukrainës u shpalos nëpër mediat sociale, e ngjyrat e tij, verdh e blu, ndriçuan monumentet nga Tokio deri në Sandusky, Ohio.

Fryma e mbështetjes për Ukrainën u mishërua nga individë të panumërt brenda dhe jashtë vendit. Shumë luftuan në prapaskenë.

Dhe, Zelenskyy për asnjë çast nuk e hoqi fokusin për të mbajtur sytë e botës nga Ukraina. Ish-aktori komik e kuptoi natyrshëm se vëmendja është monedha më e vlefshme e planetit dhe se ajo spikat në tregun global. Ai e bëri këtë përmes krijimit të përpiktë të imazhit dhe përsëritjes në mesazhin e tij. Ai ishte i prerë, ndonjëherë sarkastik dhe gjithmonë godiste drejt e në shenjë.

“Ne duhet të shpëtojmë Ukrainën për të shpëtuar demokracinë”, deklaronte ai.

Në një realitet alternativ, ku dikush tjetër mund të kishte udhëhequr Ukrainën, mund të ishte ose jo një flamur rus që do të fluturonte mbi ndërtesën e parlamentit në Kiev. Pothuajse me siguri të plotë do të kishte ende një McDonald’s pranë Sheshit të Kuq të Moskës, ai simbol i globalizimit të pas Luftës së Ftohtë.

Komandimi i armëve të epokës digjitale nga Zelenskyy do të thoshte që udhëheqësit e biznesit dhe politikanët kudo ishin të detyruar të merrnin parasysh dhe të mbanin qëndrim, pavarësisht nëse u pëlqente apo jo.