Tematike

Levrat: „FDP është e çorientuar, SVP e radikalizuar”

Kryetari iSP/PS në kongresin e partisë së tij foli qartë para së gjithash në adresë të liberalëve. Ata me reçetat e së kaluarës synojnë një shkatërrim

Kryetari i SP-së, Christian Levrat, në kongresin e partisë zgjodhi fjalë të qarta para së gjitha në adresë të liberalëve. Ata me reçetat e së kaluarës synojnë në radhë të parë një shkatërrim, thotë Levrat në intervistë

Zotëri Levrat, Ju akuzuat ashpër FDP-në. A keni frikë se paralajmërimi i Philipp Müller se liberalët do të mund ta kalojnë SP-në në zgjedhje do të bëhet realitet?

Jo, unë isha thjesht i shokuar nga përgjigjet e FDP-së mbi frangun e fortë. 18 pikat e saj lexohen praktikisht njësoj si edhe programi i partisë së Margret Thatcher i vitit 1975. FDP dëshiron ulje tatimesh në vlerë prj rreth 10 miliardë frangash. Ajo dëshiron shkurtim të të drejtave të punëmarrësve dhe kufizim të të drejtave të sindikatave. Ajo dëshiron edhe një „hollim” të shërbimeve publike – si një shkatërrim. Këto janë receta ultraliberale, të cilat edhe për vetë FDP-në do të duhej t’i takonin së kaluarës.

A e shihni FDP-në si kundërshtaren kryesore në luftën zgjedhore?

Në çështjet ekonomiko-politike gjithsesi. Në vitet e rinisë sime kam studiuar në Angli dhe i kam parë vetë pasojat e shkurtimeve të politikës së Thatcher-it. Arsimimi u privatizua, Anglia u bë një shoqëri klasore, pati rritje masive të varfërisë. Më e keqja është se të gjitha kërkesat derregullative të FDP-së nuk hyjnë asgjë në punë në çështjen e frangut të fortë.

Pse jo?

FDP dëshiron t’i ulë tatimet e fitimit të ndërmarrjeve, por problemi nuk është se firmat eksportuese duhet tä paguajnë shumë tatime – por se ato s’mund të shënojnë pothuajse kurrfarë fitimi, sepse diferencat e fitimit të tyre janë zhdukur. Dhe nëse FDP mendon se një liberalizim i shërbimit publik ndihmon diç kundër frangut të fortë, kjo është një shaka.

Ju e kritikoni FDP-në, por njëkohësisht kundërshtoni orarin e zgjatur të punës apo zvogëlimin e përkohshëm të të ardhurave në firmat e eksportit – dhe i leni ato njëkohësisht në mëshirë të fatit.

Masat e tilla nuk duhet të urdhërohen nga politika përveçse po të vinte tek një dobësim i përgjithshëm i të drejtave të punëmarrësve. Nëse tek disa ndërmarrje do të vinte deri tek marrëveshja mes partnerëve socialë, ne s’kemi asgjë kundër. Por përgjigjet tona ndaj shokut të frangut janë shumë më parimore dhe shumë më konkrete.

Dhe si duken ato?

Ne kërkojmë më shumë mjete për arsimim të mëtejmë, një shfrytëzim të orareve të shkurtuara të punës për arsimim dhe arsimim të mëtejmë, ne dëshirojmë që paratë e SNB-së (Bankës Nacionale Zvicerane), të cilat i marrin kantonet, të derdhen në arsim dhe hulumtim. Dhe natyrisht se ne duam një intervenim politiko-financiar. E tëra mund të konsiderohet e drejtë apo e gabueshme – por ne s’mund të akuzohemi se masat s’kanë kurrfarë lidhjeje me frangun e fortë ashtu si tek FDP.

Sa është e rëndësishme për Ju mëvetësia e Bankës Nacionale ?

Shumë e rëndësishme. Këtu s’ka ç’ka të diskutohet.

Por megjithatë Ju dëshironi që SNB-së t’ia paracaktoni eurokursin minimal 1.15 franga.

Pavarësia nuk do të thotë se SNB-ja do të duhej të vendoste pa koordinim me politikën në një hapësirë pa ajër. Me Philipp Hildbrand-in kjo ka funksionuar mirë, edhe me futjen e kursit minimal të euros. Por me rastin e heqjes së tij ka qenë krejtësisht ndryshe. Mua më është e qartë se politika nuk mund ta urdhërojë kursin minimal prej 1,15. Por ne po e formulojmë se ç’po kërkojmë nga SNB-ja. Ajo do të duhej që në javët e ardhshme t’i stabilizojë kurset e këmbimit në një rrafsh të përballueshëm për ndërmarrjet.

Por Ju dallimet më të mëdha përmbajtjesore i keni me SVP-në. Pse nuk e sulmoni partinë e djathtë?

Zgjedhjet e ardhshme janë zgjedhje orientuese: a dëshirojmë një Zvicër konservative apo një Zvicër progresive dhe optimiste. A dëshirojmë të betohemi në një Zvicër të vitit 1291, a dëshirojmë t’i mbyllim kufijtë dhe t‘i vëmë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me Evropën? Në të gjitha këto çështje SP është qartë e pozicionuar. Përkundër kësaj FDP është plotësisht e çorientuar. Ajo ofron një lojë për keqardhje që nga koha kur Këshilli Federal bëri të njohur planin për jetësimin e iniciativës së migrimit të SVP-së. A është FDP për apo kundër saj? Unë nuk e di.

A mbeteni ende pranë asaj që FDP dhe SVP së bashku t’i kenë tri vende në Këshillin Federal, pa marrë parasysh se si ndajnë ato në mes vete?

Gjendja është qartë: duke pasur parasysh çorientimin e FDP-së dhe radikalizimin e SVP-së duhet të pengojmë me të gjitha mjetet që ato së bashku të jenë shumicë në Këshillin Federal. E prej kujt do të plotësohen ato tri vende është në radhë të parë çështje personeli, që është në dispozicion.

Atëherë nuk i kërcënoheni SVP-së me largim nga qeveria?

SVP duhet të mendojë mirë se a do të radikalizohet më tej. Pakënaqësia po rritet. Në popullsi ka filluar të flitet se a ia vlen që SVP të jetë edhe më tej në qeveri. Këtë SVP e ka ende në duart e veta. Nuk është fjala për stilin në radhë të parë, por për përmbajtjet. Një parti, e cila vë në pyetje sistematikisht konventën e të drejtave të njeriut dhe çështjet bilaterale dhe i dobëson institucionet, zatën nuk ka humbur asgjë në Këshillin Federal.

Për t’i realizuar qëllimet e Juaja ju duhet një shumicë e së majtës së qendrës. Por zgjedhjet në Kantonin Baselland flasin për një drejtim tjetër: SP humbi vendin e saj në qeveri, partneri Juaj junior – Të Gjelbrit dolën keq në zgjedhje.

Mësimi për vitin zgjedhor është që të majtët duhet të dalin të bashkuar. Ne jemi në pakicë, për këtë arsye nuk guxojmë t’i lejojmë vetes grindje. Zgjedhjet për Këshillin e Basel-it nuk mund të shërbejnë si barometër zgjedhor për zgjedhjet nacionale. Të Gjelbrit arritën pak kohë pas Fukshima-s një rezultat kulminant. Ajo që përjetuam këtë vit ishte më shumë një kthim në rrjedha normale. Nga kjo FDP pothuajse nuk ka përfituar. Dua të theksoj se FDP në shumicën e zgjedhjeve të fundit kantonale ka humbur.

Si e shihni gjendjen e SP-së ?

Jam shumë optimist. Kemi bërë punë të mirë strukturore. Ne po shohim se degët sërish po ngjallen dhe prezenca jonë në zonat jashtë qyteteve po rritet. Ne nuk jemi ende atje ku do të duhej të ishim, por diçka po lëviz. Ne dëshirojmë të shtojmë përkrahjen në të gjitha kantonet. Më 2011 kishim dallime të mëdha mes kantoneve. Kjo s’do të duhej të përsëritej. Qëllimi im është që rrafshin nacional të arrijmë mbi 20 për qind.

Cilat janë shanset që Ju të shtoni praninë e Juaj në Dhomën e Kantoneve?

Ju nuk do ta dëgjoni tash nga unë se ne po përgatisim një uragan në Dhomën e Kantoneve. Por ne kemi gjendje të mirë në Zürich, Luzern dhe Wallis. Ka gjithnjë e më shumë kantone, që po e shohin se është përparësi po të jesh i përfaqësuar në federatë si me politikanë të djathtë, ashtu edhe të majtë. Kështu, ç’është e vërteta, je i sigurt se interesat kantonale dëgjohen nga të gjitha taborët politikë. Këtë po e praktikojmë me mjaft sukses në Freiburg.

Përkthimi: Nexhmedin Gerguri