Kosovës i mungojnë kapacitetet profesionale

Hilmi Asllani:Kosova ka fuqi të madhe punëtore, por ka kapacitete shumë të ulta profesionale

Kosova është vend i  të rinjve. Mbi 70 përqind e popullatës, sipas të dhënave jozyrtare, llogaritet të jenë nën moshën 30 vjeç.

Ky fakt përmendet shpesh nga zyrtarët e lartë vendorë si arsye e fortë përse të huajt ose bashkatdhetarët, duhet të investojnë në Kosovë. 

Por përveç moshës, të rinjtë kosovarë duket të mos jenë shumë të përgatitur  profesionalisht që t’u përgjigjën kërkesave nga investues të ndryshëm.

Përgatitja shkollore e tyre jo e mirë, shumë prej biznesmenëve të huaj ose vendorë që janë kthyer në atdhe për të nisur karrierën, u ka sjellë kokëçarje.

Hilmi Asllani është njëri prej tyre që e pohon këtë, duke u bazuar në përvojën e tij të përditshme. Ai është një prej bashkëthemeluesve të kompanisë Botek, që merret me shit-blerje dhe servisim kompjuterësh.

Si investues i ardhur nga Zvicra, përveç përgatitjes profesionale, problem tjetër në Kosovë, sipas tij, del të jetë mentaliteti për mospunë, i rrënjosur thellë në vetëdijen e kosovarëve.

  Rrugëtimi i investitorit

Si shumë shqiptarë të Kosovës, para viteve 90’ta, për arsye të njohura të situatës së keqe politike në atë kohë, Hilmiu si i ri 22 vjeç,  emigron në Zvicër.

Pavarësisht se atje thotë se ka jetuar për 17 vjet, ai vendos që në vitin 2006, të kthehet dhe të investojë në Kosovë.

“Është përcaktim imi për të investuar në Kosovë dhe për këtë duhet të ekzistojë motivi për të investuar dhe punuar këtu”, thotë Hilmiu për Albinfo.

Duke parë se e ardhmja e tërë shoqërisë, në njëfarë mënyre i përket digjitalizimit, periudhë që në Evropën perëndimore ka nisur në vitet e 90-ta, Hilmiu vendos të investojë në fushën e kompjuteristikës.

Në këtë mënyrë ai së bashku me disa ortakë të tjerë, kryesisht të rrethit familjar, krijon kompaninë Botek, e cila aktualisht ka të punësuar rreth 35 punëtorë.

“Ortakëria në një firmë ka sfidën, përparësitë dhe mangësitë”, tregon Hilmiu, duke nisur të numërojë nga anët pozitive të krijimit të një kompanie me pronarë disa persona.

“Kjo ka anët e mira sepse të jep njëfarë sigurie për kapital, sidomos në një vend si Kosova që ligji nuk funksionin si duhet”, thotë bashkatdhetari i kthyer nga Zvicra.

“Por mangësia në këtë rast është se mund të ndodh që të përzihen relacionet e biznesit me ato familjare. Ka ndodhur shpesh që kur janë prishur marrëdhëniet e biznesit, janë prishur edhe ato familjare”, rrëfen Hilmiu për Albinfo.

  Kosova dhe vështirësitë

Megjithëkëtë, në sytë e një bashkatdhetari, situata aktuale për një investitor të huaj që të nis biznesin në Kosovë, nuk duket edhe shumë optimiste.

Në këtë rast, më shumë sesa situata e sigurisë, mangësitë në sistemin e drejtësisë apo çështje të tjera administrative, problem duket të jetë mangësia në përgatitjen profesionale e të rinjve.

“Për një të huaj kur të investojë në Kosovë, kushtet nuk janë fare të mira. Këtu nuk ka persona që garantojnë punë efektive. Shkurt, nuk ka persona të kualifikuar, pra nuk gjen punëtorë të aftë për ta bërë punën e caktuar”, thotë Hilmiu me një dozë pesimizmi.

Sipas tij, kosovarët nuk janë mjaft punëtorë. “Dallimi do të ishte shumë i madh. Këtu më shumë rrinë sepse janë mësuar të jetojnë në kurriz të të tjerëve. Mentaliteti është pengesë e madhe”, tregon Hilmiu, i bindur se këtij vendi i duhet një zgjim shoqëror.

Pavarësisht kësaj, ai tregon se ka qenë i vetëdijshëm për problemet, kur ka vendosur të vijë e të investojë në Kosovë. “Unë kam investuar sepse e dua vendin tim. Vetëm aty ku lind, je ai që je”, thotë Hilmiu. 

  Defekti!

Sigurisht, secili problem nuk ndodh pa një arsye. Edhe mentaliteti i krijuar në shoqërinë kosovare duket se e ka një të tillë.

Sipas Hilmiut, në këtë rast defekti është në arsim, ndërkohë që shumë presin se problemet do të zgjidhen nga misioni Evropian për Sundimin e  Ligjit (EULEX), apo dikush tjetër.

“Këtu të gjithë presin që punët t’i bëjë dikush tjetër, por ata që duhet të punojnë, rrinë”, thotë ai, duke qenë i bindur se baza e një shoqërie është puna dhe qeverisja e mirë.

Ai beson se në Kosovë, jo vetëm që nuk ka punëtorë të kualifikuar apo të përgatitur, por nuk vlerësohet as puna sa duhet, kurse vetë sistemi i shtetit, shkel punën.

“Këtu, një zyrtar, pa pikë përgjegjësie, është në gjendje që për një arsye fare banale, të çakordojë një investim milionësh dhe askush nuk kërkon apo jep përgjegjësi”, thotë Hilmiu, i bindur se vetë sistemi i shtetit është i mbushur me njerëz të paaftë.

“Kosovarët i kanë shumë mirë punët, krahasuar me aq sa punojnë. Këtë luks të të jetuarit që e kanë kosovarët, nuk e kanë as zviceranët”, tregon i bindur Hilmiu, i cili për 17 vjet ka punuar në shtetin helvetik.

Për këtë që thotë, ai jep një shembull. “Ku ke në Zvicër që në punë të shkosh në orën 9. E këtu, as në orën 9 nuk janë në gjendje të mbërrijnë me kohë”, thotë ai.

  Optimist apo pesimist?

Një investues i huaj, sipas mendimit të Hilmiut, megjithatë ka edhe disa përparësi, në rast se vendos që biznesin ta nis në shtetin e ri.

Sipas tij, në Kosovë nuk ka konkurrencë të fortë dhe se në treg mund të depërtohet lehtë, kurse një arsye shtesë mund të jenë edhe resurset natyrore.

“Ai që vendos të blejë resurse natyrore, ka mundësi të investojë në Kosovë ashtu si edhe ai që vendos të merret me tregti”, rrëfen Hilmiu, duke shtuar se ky vend është shndërruar në një zonë ku vetëm konsumohet.

I bindur se secili investues që vjen në Kosovë, do të veprojë pikërisht në këto dy mënyra, pra të blejë ose të shesë, por jo të prodhojë diçka, Hilmiu tregon se  për t’u kthjellë mjaftueshëm, këtij vendi i duhen së paku edhe 20 vjet.

“Me këtë punë që bëjë në Kosovë, sikur të isha në Zvicër, si kompani do të falminetoja. Pa qenë 60 deri 70 për qind e njerëzve punëtorë që mbulojnë atë pjesën tjetër të papunëtorëve, nuk besoj se ka perspektivë të mirë”, thotë ai. 

Duke u rikthyer tek mentaliteti, ai sërish përmend zviceranët, për opinionit e të cilëve një person i shëndoshë që nuk punon, është i pavlefshëm.

“Por derisa një popull dëshiron të ikë nga vendi i vet, si ka mundësi të ftohen investitorë të huaj. Nëse një Qeveri nuk krijon mundësi që njerëzit të mos ikin nga vendi i vet, atëherë çfarë të flitet më tej”, thotë Hilmiu.

Ai beson se asnjë Qeveri në Kosovë, nuk investon në arsim sepse frytet nuk shihen menjëherë, por vetëm pas 20 vjetëve.  Pavarësisht kësaj, në tërë këtë pesimizëm, Hilmiu, megjithatë, thotë se nga natyra është optimist dhe dëshiron të mbetet i tillë.

“Jam optimist sepse besoj në popullin tim, sepse edhe pse nuk ndryshojnë menjëherë, ato ndryshojnë. Ku kemi qenë, jemi mirë”, shprehet bashkatdhetari nga Zvicra, që bënë jetën e një prishtinasi të zakonshëm.

“Tash, vetëm ai që nuk ka mundësi të punojë më dhimbset, por jo ai që është i shëndoshë. Gjithashtu më dhimbset populli im sepse jemi vend që prodhojmë njerëz për të tjerët”, thotë Hilmiu Asllani.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë ka më shumë se 3 mijë investues të huaj, apo të bashkatdhetarë që kane vendosur të investojnë në Kosovë.

Por të gjithë ata, kanë investuar kryesisht në biznese të vogla dhe të mesme, me një numër jashtëzakonisht të kufizuar të punëtorëve.  112 prej tyre janë nga Zvicra.