Gjuha

Kështu u festua Dita e Flamurit në Mönchengladbach të Gjermanisë

Më 8 dhjetor në Mönchengladbach të Gjermanisë në mënyrë madhështore u festua Dita e Flamurit – Festa kombëtare e shqiptarëve. Këshilli i prindërve dhe mësuesit e shkollës shqipe të Viersenit, St. Tönis, Löbberich dhe Mönchengladbach, Adem Shala dhe  Kaltrinë Neziri Shabani, ishin përkujdesur që për të pranishmit të organizonin një program madhështor festiv me nxënësit e këtyre shkollave.
Programi me recitime, kënge e valle popullore që u prit mirë nga prindër, mysafirë e bashkatdhetarë, të cilët kishin mbushur sallën e madhe në Mönchengladbach.
Në këtë manifestim festiv fjalë përshëndetëse mbajti ish-gazetari i RTP-së që në vitet e 90-a ishte dëbuar me dhunë nga Televizioni i Prishtinës nga policia serbe, i cili kësaj radhe ishte mysafir nga Kosova dhe Etleva Mançe, mësuese e gjuhës dhe kulturës amtare në rajonin e Düsseldorfit.
Dy nxënëset e dalluara, Leonita dhe Vanesa, moderuan për mrekulli programin artistik dhe përshëndetën mysafirët e pranishëm në këtë manifestim, si gazetarin Nuhi Bytyqin, nga Kosova, mësuesin veteran Hamzë Morina, të ardhur nga Zvicra, mësuesit e parë në Düsseldorfi, bashkëshortët Rifat dhe Nexhmije Hamitin, mësuesin Sami Thaçi, mësuesen Shpresa Përzhaku dhe mësuesen Etleva Mançe.
Manifestimit iu bashkuan edhe Sejdi Gashi, mësues veteran, bashkë me të birin, krijuesin e ri në Gjermani, Driton Gashi dhe gazetari e kamermani Halil Rrustemaj, i cili incizoi programin festiv.
Të pranishmit i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje edhe Kryetari i Këshillit të prindërve, Luan Gërguri.
Manifestimin e hapën nxënësit me Himnin e Flamurit
Kori i nxënësve nga klasa I deri në IV hapën programin me “Ty flamur të duam shumë” dhe “28 Nëntori” si dhe recituan vargje për Atdheun dhe Flamurin.
Grupi i nxënësve të shkollës shqipe në Mönchengladbach (kl I-IV) luajtën vallen “Vallja e pavarësisë”, koreografinë e së cilës e kishin bërë nënat e fëmijëve Vjollca Miftari dhe Sevdije Bruka. Kurse nxënësit e klasës IV kënduan këngën e bukur “Luleborë”. Kurse nxënëset e rritura luajtën vallen “Vallja kosovare” me koreografinë e Aldonita Shabanit dhe Arta Berishës.
Nxënësit e shkollës shqipe në Viersen dhe Kempen kënduan këngën “Do të kemi Shqipëri”.
Nxënësit luajtën edhe “Kolazh vallesh” të përgatitur nga koreografja Arta Berisha, në bashkëpunim me nxënësen Orela Zejnaj, Derisa nxënësit e shkollës në St. Tönis kënduan këngën “Na kujtoni”.
Me radhë pastaj kënduan dhe luajtën sërish nxënësit e Kempten vallen “Drenusha”, me koreografi të Era Mexhuanit dhe Albina Smakolli, ato të Mönchengladbachut me “Vallen e pipzave” të koreografes Aldonita Shabani dhe nxënësit nga Lobberich me këngën “Tungjatjeta, Shqipëri”, e ata të Viersen me vallen “Sot ka festë Shqipëria”, në koreiografinë e Drenusha Vllasa.
Programi argëtues festiv vazhdoi pas programit artisik të nxënësve të shkollës shqipe, ku të gjithë nën tingujt e këngëve patriotike  të këngëtares gjakovare Benita Pula, nën përcjelljen e Arsim Aliut, me sint e Selami Hotit me klarinet vallzuan deri vonë.
Vlen të përshëndetet puna e palodhshme dhe shumë e suksesshme e mësimdhënësve Adem Shala dhe Kaltrinë Neziri Shabani, të cilët po i japin zë gjuhës shqipe dhe kulturës amtare në këtë pjesë të Gjermanisë. Ademi nga viti 1999 e deri më sot, derisa Kaltrina, mësuese e re, këto vitet e fundit.
Ata po ndihmojnë që fëmijët shqiptarë të kësaj pjese të Gjermanisë ta mësojnë dhe ta kultivojnë me kujdes gjuhën e tyre të ndihmuar edhe nga prindërit si dhe nga autoritetet gjermane, të cilët këtë mësim e kanë integruar në sistemin e tyre shkollor. Kjo po u mundëson që barra financiare për prindërit të lehtësohet, barrë e cila në regjionet e tjera bie mbi buxhetin e familjeve shqiptare.