Tematike

Kërçova e diasporës

Ali Ahmeti me "tajfen" e BDI-së fton diasporën shqiptare në Zvicër që të votojë për komunën e Kërçovës

Partia në pushtet në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), është deklaruar se këtë herë do ta marrë shumë më me seriozitet potencialin e diasporës shqiptare të Maqedonisë që jeton dhe punon e shpërndarë në disa vende të Evropës.

Kryetari i këtij subjekti politik shqiptar, Ali Ahmeti, të shtunën në Cyrih të Zvicrës ka takuar bashkatdhetarët, këtë herë me një qëllim tjetër, mobilizimin e tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin mars të vitit të ardhshëm.Ali Ahmeti tha se po vjen në Zvicër për të ftuar bashkëqytetarët e tij në mërgim që të vijnë në vendlindje për të votuar në zgjedhjet lokale, ngase pa votat e tyre rrezikojnë të mos qeverisin sërish Komunën e Kërçovës.Me Ligjin për ndarje territoriale vitin e ardhshëm Komunës së Kërçovës duhet t’i bashkëngjiten edhe komunat e Zajazit, Osllomesë, Drugovës dhe Vraneshticës. Ndërsa, kreu i BDI-së tha se ka ardhur koha që Komuna e Kërçovës të qeveriset nga shqiptarët, por me votat e mërgatës.

„Kërçova historikisht ka qenë me shumicë shqiptare. Me një riorganizim dhe mobilizim të mërgatës kërçovare do t’ia arrijmë. Të gjithë e dinë se kërçovarët kurrë nuk kanë hezituar të ndihmojnë të gjitha rezistencat kudo në Kosovë. Prandaj, kërçovarët e mi është koha që këtë herë t’i përgjigjen këtij provimi flakë për flakë, sepse Kërçova është e jona”, tha Ali Ahmeti.

Ndonëse ka pranuar që ka 11 vjet që nuk i ka takuar bashkatdhetarët në Zvicër, kreu i BDI-së tha se po kthehet krenar dhe mbetet krenar. „Nuk dua që të bëj patriotizëm para jush dhe të bëj e të stilizoj vepra të pabëra”, deklaroi para mërgimtarëve të mbledhur Ali Ahmeti, duke i numëruar që nga 2001-ta ato që ai i quajti suksese të qeverisjes së BDI-së në Maqedoni.Ahmeti i cilësoi si të arritura të shqiptarëve në Maqedoni edhe vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në qendër të Shkupit, duke paralajmëruar edhe ngritjen e përmendoreve të tjera edhe për Pjetër Bogdanin, Josif Bagerin, Nexhati Agollin. Ai po ashtu përmendi edhe zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, ku studimet, sipas tij, i ndjekin më shumë se 20 mijë studentë shqiptarë.Ahmeti u ka thënë mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër se kanë arritur që kazermat ushtarake t’i shndërrojnë në shkolla në Maqedoni.

Si të arritur e ka cilësuar po ashtu edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Kuvendin e Maqedonisë, edhe pse, sipas tij, ka ende nevojë për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në përputhje me Kushtetutën. Edhe kritikëve për dimensionet e flamurit kombëtar, Ali Ahmeti u është përgjigjur, duke theksuar se flamuri i shqiptarëve valvitet me të njëjtat dimesione si në Tiranë dhe në Prishtinë. Ahmeti tha të ketë shtim të konsiderueshëm të numrit të  policëve, oficerëve dhe punëtorëve shqiptarë në administratë.

Megjithatë, sipas kreut të BDI-së, ka edhe shumë punë për të bërë për shqiptarët në Maqedoni. „Ne kemi nevojë për ekonomi më të zhvilluar dhe më shumë investime, ngase politika nuk ka perspektivë pa to.Ka përparime në investime, por jo që na gëzojnë”, tha Ahmeti.

Edhe shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së për zgjedhjet lokale të vitit 2013, Abdylaqim Ademi, njëherësh ministër i Mjedisit në Qeverinë e Maqedonisë, ka raportuar para mërgimtarëve rreth agjendës së delegacionit të BDI-së në disa vende të Evropës ku jetojnë dhe veprojnë mërgimtarët nga Maqedonia.

Përveç kësaj, tha të jetë edhe përcaktim i BDI-së që të ketë takime të rregullta me bashkatdhetarët në diasporë. „Vizita jonë ka edhe një qëllim tjetër që të senzibilizojmë qytetarët tanë jashtë vendit për zgjedhjet lokale që janë shumë specifike dhe shumë të rëndësishme, ngase kryetarët e komunave do të kenë më shumë kompetenca për të krijuar mundësi që kapitalin e tyre ta investojnë në vendin e tyre”, tha Abdylaqim Ademi.Nga përvoja e mëhershme (ku nuk u zgjodh asnjë deputet shqiptar nga diaspora), sipas Ademit janë detyruar të nisin më herët riorganizimin e mërgatës për zgjedhjet e marsit të vitit të ardhshëm. Ai tha se çdo komunë ka rëndësinë e vet, por theksi me kodin e ri zgjedhor bie në atë të Strugës dhe Kërçovës. Në këtë të fundit më se 50 për qind e banorëve kanë emigruar dhe se duhet të bashkohet vota e tyre për të qeverisur shqiptarët.Mërgimtarët të pranishëm nuk ishin edhe aq kritikë sa tregohen në ballafaqimin e tyre me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Në pyetjet drejtuar mysafirëve nga Shkupi vetëm njëri prej tyre e quajti të dështuar takimin në Cyrih, ngase sipas tij, mërgimtarët nuk do të vijnë të humbin kohë në zgjedhje nëse këtë nuk e bëjnë në ambasadën e Maqedonisë në Zvicër.I njëjti mërgimtar ka kritikuar procedurat e komplikuara të votimit nëpër ambasada në diasporë, duke i ngatërruar zgjedhjet nacionale me ato lokale.  

Të tjerë e kanë pyetur për emrin e Maqedonisë, për ligjin për “branitellat” dhe për mundësinë për të investuar mërgata në Maqedoni.

Sido që të jetë, këtij rrugëtimi “elektoral” në diasporë të delegacionit të BDI-së i janë bashkangjitur gati të gjithë ministrat e BDI-së në Qeverinë e Maqedonisë, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, i Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta, shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Abdylaqim Ademi, kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, zëdhënësi Bujar Osmani e këshilltari politik, Artan Grubi.Takimet kanë filluar në Cyrih, ndërsa sot vazhdojnë në Soloturn dhe Basel. Pas Zvicrës delegacioni i BDI-së i kryesuar nga Ali Ahmeti do të ketë takime me bashkatdhetarë për të kërkuar votat e tyre edhe në Gjermani, Austri dhe Itali.

  (Një intervistë të zgjeruar me Ali Ahmetin mund ta lexoni nesër në albinfo.ch)