Integrimi

Kandidatët shqiptarë tregojnë “çfarë nuk ka ecur” në zgjedhjet federale të Zvicrës

Njëra ndër temat që u rrahën në "Fundjavën Kulturore Shqiptare" në Bazel ishte edhe “Pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike në Zvicër”,

“Fundjava Kulturore Shqiptare”, e treta me radhë, e cila kësaj here u mbajt të premten dhe të shtunën e kaluar në Bazel, pati në programin e saj të ngjeshur edhe tema që nuk i takojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kulturës por kanë të bëjnë edhe me kulturën.

Njëra ndër këto tema që u rrahën në këtë aktivitet shumëplanësh ishte edhe “Pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike në Zvicër”, shkruan albinfo.ch, sponsore mediale e aktivitetit. Pjesëmarrës në debatin përkatës vinin nga pothuaj të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlamentin e Zvicrës, gjegjësisht: Rina Reçica, nga GLP (Partia e Gjelbër Liberale), Qëndresa Hoxha-Sadriu dhe Reis Luzhnica nga SP (Partia Socialdemokrate), Korab Rashiti nga SVP (Partia Popullore e Zvicrës) dhe Përparim Avdili nga FDP (Partia Liberale). Debatin e ka drejtuar Gzim Hasanaj, i njohur edhe si politikan i Partisë së Gjelbër (Grüne Partei), por në këtë rast ishte në cilësinë e moderatorit.

Si konstatim i njohur i përgjithshëm, që u theksua edhe nga moderatori, pjesëmarrja, pasive dhe aktive, e shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhje në Zvicër lë mjaft për të dëshiruar. Këtë e kanë vërtetuar edhe njëherë rezultatet e pakënaqshme të zgjedhjeve për Parlamentin Federal të Zvicrës, të mbajtura më 22 tetor, nga të cilat doli vetëm një deputet me rrënjë shqiptare. Sikur shqiptarët që kanë të drejtë vote në Zvicër të dilnin në zgjedhje në numër të përafërt (proporcionalisht) me mesataren zvicerane, numri i deputetëve me prejardhje shqiptare do të ishte të paktën tre-katër fish më i madh.

Pyetjeve të moderatorit për motivet që i kanë shtyrë të hynë në terrenin e politikës, pjesëmarrësit në debat iu përgjigjën afërsisht njëjtë: jeta me preokupime politike në familjet e tyre. Por, këto preokupime kishin të bënin kryesisht me politikën në vendet e prejardhjes, në Kosovë dhe Maqedoni dhe më pak ose fare, me atë të vendit mikpritës, shkruan albinfo.ch. Dhe pikërisht ky ngurrim për tu marrë me politikën e vendit ku kanë vendosur të jetojnë ka sjellë në rezultatet e ulëta të kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet zvicerane, jo vetëm në këto të fundit.

Një pjesë e mirë e fillimit të debatit u zhvillua duke ju kundërvënë politikanit nga SVP, Korab Rashitit, i cili ka qenë kandidat i kësaj partie për zgjedhjet e fundit federale. Ai, sikur edhe kandidatët nga partitë tjera (përveç Islam Alijajt nga PS) nuk ka arritur të zgjidhet por Rashiti është deputet në Parlamentin Kantonal të Bernës, i pari dhe i vetmi në këtë nivel, në kantonin e përmendur.

I ballafaquar me pyetjet dhe vërejtjet e moderatorit se përse kishte pranuar të bëhej kandidat i një partie që njihet si parti me prirje kundër të huajve dhe sidomos kundër shqiptarëve, Rashiti ka minimizuar akuzat ndaj partisë së tij. Vërejtjes se disa nga krerët kryesorë e kësaj partie, edhe me vendim gjyqësor janë dënuar për racizëm konkretisht ndaj shqiptarëve, ish kandidati i SVP-së është përgjigjur se “bëhet fjalë për raste individuale dhe nuk mund të fajësohet partia më e madhe në vend si parti raciste”.

Më tutje, ish kandidati tjetër, ai nga FDP, Përparim Avdili ka kundërshtuar Rashitin për pohimin e tij se “SVP është një parti liberale e djathtë”. Sipas Avdilit kjo nuk qëndron sepse SVP është pikërisht e kundërta e liberales pra ajo njihet në radhë të parë si parti konservative, skruan albinfo.ch. Ndërsa bartëse e vetme e liberalizmit në politikë është FDP-ja e cila konsiderohet edhe si themeluese e Zvicrës çfarë e njohim sot.

Korab Rashiti ka apeluar kundër paragjykimit që sipas tij, i bëhet partisë ku ai militon. Ai ka thënë se është pozitive që shqiptarët të përpiqen të zgjerojnë praninë e tyre në të gjitha partitë, për të qenë më afër realizimit të interesave të tyre si komunitet

Përparim Avdili po ashtu ka drejtuar kritika ndaj SVP-së për qëndrimet e njohura të krerëve të saj në të kaluarën dhe së fundi, kundër komunitetit shqiptar dhe kundër pavarësisë së Kosovës etj.

Rina Reçica nga GLP ka arsyetuar përcaktimin e saj për këtë parti me bindjet e saj liberale dhe me nevojën që të kujdesemi për ambientin, klimën e cila po pëson nga shkaku i moskujdesit që karakterizon botën e sotme konsumuese.

Dy përfaqësuesit e SP-së, Qëndresa Hoxha-Sadriu dhe Reiz Luzhnica kanë afirmuar edhe ata qëndrimet e partisë së tyre që njihen: për mbështetje të shtresës së ulët, asaj të pa privilegjuar ose shumicës në vend të pakicës ose një pjese të zgjedhur. Por ashtu, sipas tyre Partia Socialdemokrate e Zvicrës njihet që herët për mbështetjen që i ka bërë komunitetit shqiptar dhe kundërshtimin e fushatave ksenofobe të udhëhequra nga parti ose lëvizje tjera, djathtiste në këtë drejtim.

Pyetjeve të moderatorit nëse përkatësia e tyre etnike shqiptare duhet të jetë prioritet në aktivitetet e tyre partiake ose jo, pjesëmarrësit në debat i janë përgjigjur në mënyrë të balancuar. Ata pra, kanë detyrime ndaj partisë që i kandidon dhe brenda atyre detyrimeve përpiqen të përshtatin dhe të shtyjnë përpara edhe “kauzën” shqiptare.

Sidoqoftë, ishte konstatim i të gjithëve se mungon aktivizimi politik i shqiptarëve me të drejtë vote dhe kjo mungesë po reflektohet në rezultatet e dobëta në zgjedhje, shkruan albinfo.ch. Ata të gjithë thanë se janë në një fazë të analizimit të rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe duan të gjejnë përgjigjen se “çfarë nuk ka ecur” sa i përket komunitetit shqiptar, cilat kanë qenë problemet që ky komunitet nuk është vënë sa duhet në krah të kandidatëve “të tij”, në partitë përkatëse.

(Fotot: Fiona Murtaj, albinfo.ch)