Sport

„Futbollistët shqiptarë ishin dhe do të jenë gjithmonë të suksesshëm“

Intervistë me Arzen Ramadanin, trajner i licencuar nga UEFA dhe menagjer i transferimeve të futbollistëve

Dikur futbollist në klubet zvicerane, tani menaxher kompanie transferimesh,  Arzen Ramadani përkrah  talentet e rinj të futbollit. Si futbollist aktiv dikur, ai njeh më së miri nevojat  e tyre dhe i mbështet ata gjatë gjithë kohës. I licencuar për trajner UEFA, Ramadani ka filluar me idenë, siç shprehet ai, „t’ iu ndihmojë veçanërisht shqiptarëve të arrijnë atë që e meritojnë në fushën e futbollit“.

Si filloi angazhimi juaj në futboll?

Është rrethi, shoqëria ime që ka përkrahur në veçanti këtë sport, por dhe mundësitë për t’ u marrë me një sport tjetër kanë qenë të pakta. Kështu që prej fëmijërie më ka ndjekur topi i futbollit kudo që kam qenë. Pastaj shikoja shpesh garat e shtetit holandez për shkak të lojës së bukur  e të shpejtë që ata bënin, si dhe lojën e fuqishme të gjermanëve.

Ndaj dhe kalove në skuadrën e Gjermanisë…

Në të vërtetë, në moshen 17-vjeçare qëndrova në Gjermani për testime në ligën e parë te skuadra Hansa Rostock. Trajneri Frank Pagelsdorf ishte ai që dëshironte që unë të mbetem aty. E keqja, që nuk më jepej leje pune me pasaportën e Maqedonisë, pasi nuk i plotësoja kushtet për punë në Gjermani, pavarësisht nga kushtet sportive, nuk arrita që të kaloj në atë klub. Kuptohet, ky angazhim për mua ishte një ëndërr e madhe.

A të bëri kjo më pas të mendosh për talentet e tjerë…

Po, absolutisht. Është e dhembshme pamundësia për të realizuar ëndrrën, ndaj dhe angazhohem për të tjerët dhe më intereson në veçanti karriera e shqiptarëve në futboll si dhe qëllimet e tyre. Përqëndrohem në menaxhimin e sportistëve profesionalë që nga viti 2008. Meqë më pas, për shkak të një lëndimi nuk ishte më e mundur të isha aktiv në futboll,  dëshiroja në një mënyrë tjetër ndoshta, por me çdo kusht të mbetem në këtë sport.

Por, nuk mjaftoi vetëm dëshira…

Kuptohet pastaj një angazhim maksimal është i padiskutueshëm. Në vitin 2008 u regjistrova për provimet zyrtare “FIFA Players’ Agent”. Kanë qenë provime jashtëzakonisht të rënda, kam investuar mbi 8 muaj të plota intenzive, për të kuptuar të gjitha organet e FIFA-s, strukturat si dhe rregulloren. Kjo përvojë më ka bërë të jem i sigurt që në çdo pyetje dhe lidhje transferimi kam mundësi në mënyrë kompetente të bisedojmë me të gjitha palët, si me klubin, vetë lojtarin dhe me rëndësi të madhe me prindin, në lidhje për një kalim në një klub tjetër apo për qëndrimin dhe  adaptimin në rrethin që ka sportisti i menaxhuar.

Ta kalojmë bisedën në raportet Zvicër dhe trajner:  Zvicra mban titullin për mësimin e trajnerëve më të mirë në botë ose…

Zvicra ka investuar miliona franga në edukimin e trajnerëve si dhe  në shkollat e klubeve. Kushtet për të marrë pjesë në kompeticionin më të fuqishëm për grupmoshat e reja janë të shtrenjta për klubet, por ato mjete financiare u kthehen klubeve për investime në edukim. Zvicra si shtet është tepër i vogël për të blerë lojtarë të shtrenjtë me qëllim që të bëhet liga atraktive dhe për të forcuar skuadrat për garat ndërkombëtare. Ata e vlerësojnë shumë pozitive që në çdo kategori u mundësohet talenteve një edukim profesional. Trajnerët zvicranë nuk marrin shembull në ligat e tjera, por vlerësojnë aspektet pozitive dhe negative nga zhvillimi i një sezoni për të përfituar në vitin tjetër maksimalisht nga gabimet e bëra. Ndërsa, nga ana tjetër, ka edhe 3 qendra edukative në Zvicër ku përbëhen edhe lojtarët e kombëtares Zvicrane të ardhshëm. Diçka unike në Evropë.

Cili është angazhimi i një menaxheri?

Duhet së pari të dallohet ndërmjetësuesi dhe menaxheri. Ndërmjetësuesi nuk duhet të jetë i licencuar, ata kanë edhe mundësi të punojnë në lidhje me një transfer edhe me avokat. Kurse qëllimi im është të planifikohet karriera e sportistit profesional në të gjitha aspektet për një afat të gjatë. Për të kaluar në një shtet të huaj nuk mjafton të dihet vetëm emri i klubit, por duhet gjetur banesë, përfshirë sigurimin shëndetësor, këshilluar në pyetje ligjore shtetërore, gjetur këshilluesin financiar, duhet bërë analiza të lojës mbi bazë të incizimit, punë mediale, këshilla për imazhin, mbajtja e rregullave në lidhje me ushqimin, ushtrime mentale etj. Këto janë punët që menaxheri duhet bërë në bashkpunim me lojtarin, përderisa ndërmjetësuesi kërkon transferin e shpejtë dhe nuk interesohet më shumë për kushtet sociale.

Çfarë e bën një agjent të suksesshëm?

Është e vështirë të përgjegjesh në këtë pyetje. Secili do të mund të thoshte se është i suksesshëm dhe dallohet nga të tjerët. Pa dyshim që besimi, afërsia, puna profesionale dhe mundi personal bëjnë që të keni sukses. Duhet së pari të fitohet besimin i një sportisti, por me atë edhe të familjes, të kuptojnë ata se mundësitë janë të mira për zhvillimin e të birit dhe karrieren e tij. Besoj se sinqeriteti dhe profesionaliteti shpiejnë te suksesi. Nuk do të thotë se një agjent që bënë 10 transfere brenda një viti është më i suksesshëm se ai që bënë 1 deri 2.

Zvicra hyri ne finalen e Europianit U21. Si e sheh kontributin shqiptaro-zviceran për fitoret e deritanishme, apo më sakt, golin e Mehmedit që solli fitoren?

Jam optimist që ata edhe në finale do të korrin fitore. Suksesi i tyre është i lidhur me konceptin e federatës. Disa prej këtyre lojtarëve janë standard në ekipe të forta evropiane, disa të tjerë kanë dhënë kontributin e tyre edhe në A përfaqësuesen e Zvicrës. Zvicra jo rastësisht ka tregur lojëra shumë të freskëta. Futbollistët shqiptarë në këtë turne dallohen me kualitete shumë të larta, si Xherdan Shaqiri, ashtu edhe Admir Mehmedi. Mos të harrojmë që me Granit Xhaka edhe Pajtim Kasami, dy lojtarë të lindur më 1992, para 2 vjetësh u shpallën kampion botëror në Botërorin U17 në Nigeri. Këta dy lojtarët do të jenë investicion i mirë në të ardhmen. Me Amir Abrashi kompletohet skuadra zvicerane me shqiptarë. Këta kanë dhe shanse të kalojnë në liga më të fuqishme.

Çfarë i bën këta futbollistë shqiptarë të jenë të suksesshëm?

Futbollistët shqiptarë edhe më herët kanë qenë të suksesshëm. Talentet siç kanë qenë Lorik Cana e disa të tjerë, edhe pse në kushte dhe rrethana të tjera dhe me më vështirësi në karrierën e tyre, duke ardhur si lojtarë të pazbuluar, prapë se prapë ishin të suksesshëm. Dhe kjo skuadër tani ka mbërritur shumë, me shumë punë dhe angazhim, por zhvillimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Kemi në këtë kohë sot shumë talente të tjerë, që janë duke u angazhuar në grupmoshat e ulëta, për të cilët gëzohem kur do të jenë në nivelin e këtyre lojtarëve të lartpërmendur.

*Arzen Ramadani, i lindur në Tetovë, merret me menaxhimin e sportistëve profesionalë.  Filluar nga një traditë familjare, ku babai ishte futbollist në Skuadrën e parë  Shkendija të Tetovës  dhe xhaxhai  menaxher i parë i licencuar në Maqedoni për ndërmjetësim të futbollistëve, edhe Ramadani angazhohet në këtë sport.  Duke qenë aktiv në klube të ndryshme futbolli, si “FC Schmitten”,  “Young Boys”, “Weissenstein” dhe të tjera dhe duke njohur kështu mirë nevojat e futbollistëve, angazhohet maksimalisht për talentet e rinj. Në vitin 2008 hap agjencinë për menaxhimin e sportistëve profesionistë  www. arsport Management & Marketing dhe siç shprehet vetë, në veçanti i intereson karriera dhe qëllimet e shqiptarëve në sport.