Tematike

Efektet e lirisë së lëvizjes, paragjykimet dhe realiteti

Është mbajtur në Bernë Konferenca vjetore e Komisionit Federal për Migracion

A fiton Zvicra apo humb nga hapja e saj ndaj të huajve? Cila është e mira që i vjen Zvicrës nga nënshkrimi i marrëveshjeve për lëvizje të lirë dhe cili është dëmi? Dhe në përgjithësi: A mund të bëhet një bilanc që do të tregonte bardh e zi se ku qëndron përfitimi e ku humbja e Zvicrës nga politikat e hapjes? Këtyre pyetjeve komplekse duhej t`u jepte një përgjigje konferenca vjetore e EKM- CFM, me moton „Politika e imigracionit: Konflikti mes hapjes dhe mbrojtjes” e mbajtur të mërkurën në Bernë.

© albinfo.ch: Drejtori i Zyrës Federale për Migracion, Mario Gattiker

EKM (Komisioni Federal për Çështje të Migracionit) kishte bërë bashkë një numër të madh ekspertësh të migracionit, përfaqësuesish të institucioneve kompetente dhe politikanë lokalë për të trajtuar këtë temë nga aspekte të ndryshme. Kryetari i EKM, Walter Leimgruber në referatin e tij “Migracioni – normalitet” ka folur për evoluimin e kuptimit të “migracionit” nga një fjalë që nënkuptonte diçka jo të  zakonshme, në një gjendje që sot është më shumë rregull dhe normalitet se sa përjashtim.

Leimgruber, i cili është me profesion etnolog dhe studiues i kulturës, ka bërë fjalë për historinë e lëvizjeve migruese të kohëve të mëhershme. Sot, sipas tij, lehtësimi i lëvizjes, shikuar nga ana teknike, ka masivizuar pakrahasimisht shumë këtë dukuri, duke e bërë atë njëkohësisht edhe sfidë për shtetet nacionale. Integrimi nuk është emri i duhur për grupacionet e tilla që ai i ka quajtur “nomadë modernë”, të cilat komunikojnë pa pasur nevojë të jenë të lidhur nga pikëpamja gjeografike mes vete. Leimgruber ka propozuar që mësimi plotësues në gjuhët e emigrantëve të Zvicrës të përfshihet brenda sistemit shkollor të rregullt.

Publicisti dhe sociologu nga Berlini, Mark Terkessidis ka vënë në dukje se shprehjet si: “i huaj” dhe “integrim” janë bërë tashmë të pakuptimta sidomos në disa qytete ku fëmijët që kanë së paku njërin prind me prejardhje të huaj, përbëjnë shumicën. Në vend të masave për integrim, në këto raste, sipas tij, duket më e arsyeshme përshtatja e institucioneve vendore ndaj nevojave të (gjysmë) të huajve. Në këtë kuptim, zyrat administrative do të duhej të kërkonin, për shembull, nëpunës me prejardhje të huaj ose edhe arsimtarë që do ta kishin “gjermanishten si gjuhë të dytë”.

© albinfo.ch: Michael Hermann

Se si reflektohet ardhja e valës së re të të huajve në Zvicër, a fiton apo humb më shumë popullata vendore, është përpjekur ta shpjegojë në referatin e saj “Konteksti global: Profiti i ekonomisë, barrë për qytetarët?”, Heidi Stutz, ekonomiste nga Büro BASS. Referuesja, përmes një sërë grafikonesh ka ilustruar lëvizjet e reja në sferën e migracionit, duke u përqendruar sidomos në “zonat metropolitane” të Zvicrës. Numri më i madh i të huajve që kanë ardhur viteve të fundit i takon zonës së Evropës perëndimore dhe në veçanti Gjermanisë. Ndërkaq ka ardhur duke u zvogëluar migrimi nga vendet që tradicionalisht kanë “rekrutuar” migrantët në Zvicër, si vendet e Ballkanit, Turqia dhe Evropa e jugut. Por, ka thënë Stutz, nuk mund të thuhet se është zvogëluar efektivisht numri i të huajve që vijnë nga Ballkani dhe jugu i Evropës. Shumë më tepër ky zvogëlim figuron në statistika për arsyen se njerëzit nga këto zona kanë marrë me të madhe shtetësinë zvicerane.

Politologu i njohur nga Cyrihu Michael Hermann në referatin e tij ka dhënë një tablo interesante rreth migracionit të ri në Zvicër dhe ndikimit të tij në ambientin e këtushëm. Ai ka konstatuar një trend të ri në valën e re të migracionit nga Evropa Perëndimore dhe kryesisht nga Gjermania. Përderisa nga fundi i shekullit të kaluar, të huajt e kësaj kategorie vinin në Zvicër për punë 2-3 vjeçare, tashti kemi një zgjatje të qëndrimit të tyre ose një prirje për të mbetur përgjithmonë këtu. Kjo tregon, thotë Hermann, se Zvicra është bërë më e përshtatshme për ta.

“Sot,i huaji në Zvicër mund të kalojë fare mirë duke e ditur gjuhën angleze”, ka thënë Hermann duke vënë theksin në bërjen gjithnjë e më kozmopolite të Zvicrës. Hermann në venerimet e tij ka konstatuar se trendi në rritje i migrantëve nga perëndimi (shumica, gjermanë) që vihet re në Zvicrën gjermane, pothuaj nuk ekziston në Zvicrën franceze.

Drejtori i Zyrës Federale për Migracion, Mario Gattiker në fjalën e tij ka shkoqitur të dhënat më me peshë të raportit më të ri të Qeverisë së Zvicrës mbi pasojat e lirisë së lëvizjes. Ai ka vënë në dukje se ka një dallim të madh në mes të efekteve të vërteta dhe “legjendave” që ka prodhuar kjo liri. “Nuk ka rritje të numrit të shfrytëzuesve të ndihmave sociale, që do të pritej, si rezultat i lehtësimit të hyrjes së të huajve nga BE në tregun e punës të Zvicrës”, ka thënë Attiker. Por, ka shtuar ai, një pasojë e kësaj gjendjeje është rritja e çmimeve të banesave. Pasojë tjetër negative është shtimi i madh i prostitucionit nga vendet e reja të BE-së si Hungaria, Rumania e Bullgaria.

Politologu me prejardhje nga Bosnja, Nenad Stojanovic që ligjëron në universitete të ndryshme të Zvicrës, ka bërë fjalë për “Sfidimin e të huajve në përditshmëri”. Përmes evokimit të situatave të veta jetësore, Stojanovic ka nxjerrë disa “leksione”, që lidhen me fenomenin e të huajit. Ai është ndryshe nga ne, prandaj edhe mbahet në distancë. Sipas tij, në çdo ambient njerëzor njeriu i gjen ose i krijon “armiqtë kujdestarë” dhe këta janë kryesisht të huajt.

Në përmbyllje, është zhvilluar një debat me temën “Si të krijohet një politikë sociale e qëndrueshme”, i moderuar nga Simone Prodolliet, udhëheqëse e EKM. Në debat kanë marrë pjesë Thomas Daum, drejtor i federatës së punëdhënësve të Cyrihut, Emilie Graff, drejtuese e Komunitetit zviceran të shoqatave rinore, nga Lozana, Jean-Nathanaël Karakash, këshilltar komune nga Val de Travers dhe Balkaç Yabgu Ramazan, këshilltar komunal i Oltenit. Ata kanë shpalosur në këtë debat përvojat e tyre nga meset ku jetojnë dhe punojnë, në lidhje me të huajt e rinj, ata që për çdo ditë kalojnë kufirin nga Gjermania, Franca ose Italia për të punuar në Zvicër. Përvojat e tyre janë pozitive por nuk mungojnë as sfidat dhe vështirësitë që sjell me vete çdo valë e re e të ardhurve nga jashtë. 

Për më shumë, këtu mundeni ti lexoni komtesat si dhe ti shikoni fotografitë e Konferencës vjetore si dhe karikaturat e Carlo Schneider