Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë

Në Kosovë, nga sonte në mesnatë, fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Njëkohësisht, nis edhe zbatimi strikt i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale.

Sipas tij, të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Këto masa të autoriteteve kosovare, megjithatë, po hasin në kritika nga komuniteti serb – sektori civil dhe përfaqësuesit politikë.

Si do të ndikojë Ligji për komunikacionin te komuniteti serb?

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.

Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.

Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.

Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.

Si do të ndikojë Ligji për të huajt te komuniteti serb?

Ligji për të huajt mund t’i prekë pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.

Megjithatë, Elshani tha se ligji nuk do të zbatohet strikt për ata që jetojnë në Kosovë dhe që për ndonjë arsye nuk kanë dokumente kosovare.

“Ne nuk do t’i dëbojmë këta persona, nuk do t’i ndajmë nënat nga fëmijët apo baballarët nga fëmijët”, tha ai, duke shtuar se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.

“Zbatimi do të bëhet gradualisht, nuk do të dëbohet askush menjëherë. Për shembull, nëse në orën 02:00 të mëngjesit policia takon dikë në rrugë dhe ai nuk ka dokumente kosovare, ai do të njoftohet që duhet të paraqitet në stacionin policor”, shpjegoi Elshani.

Në manualin “Udhëzuesi për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës”, i publikuar vitin e kaluar, shpjegohet procedura për marrjen e lejes për “qëndrim të përkohshëm, afatshkurtër ose të përhershëm”.

Vendimin për lëshimin e lejeve do ta marrë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.

Reagimet e sektorit civil dhe të politikanëve

Të dhëna të sakta zyrtare se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe posedojnë dokumente kosovare, nuk ka, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti, kryesisht në katër komunat e veriut, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.

Megjithatë, një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2024, me titullin “Analiza e trendëve dhe qëndrimeve të komunitetit serb”, nxori në pah se mbi 93% e 503 të anketuarve kanë dokumente kosovare.

Grupi i organizatave serbe joqeveritare ka theksuar më herët se ekzistojnë mijëra serbë të Kosovës që nuk mund të marrin dokumente kosovare, pasi “regjistrimi civil i serbëve të Kosovës, si dhe i pjesëtarëve të tjerë të komuniteteve joshumicë, është penguar për një kohë të gjatë”.

Autoritetet kosovare, në periudhën nga nëntori 2024 deri në prill 2025, u mundësuan serbëve në Kosovë ta marrin shtetësinë “më vonë”, duke pasur parasysh se disa nuk mund t’i merrnin dokumentet kosovare për shkak se posedonin vetëm dëshmi të lindjes, të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat Prishtina nuk i njeh.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – njoftoi më 14 janar se ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, duke theksuar se ka hasur në mirëkuptim, por se nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesave të saj.

“Edhe gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi qenë në kontakt intensiv me përfaqësues ndërkombëtarë dhe kemi përcjellë shqetësimet e qytetarëve tanë, veçanërisht sa u përket pasojave të mundshme nga zbatimi eventual i këtyre vendimeve të dëmshme”, thuhet në reagim.

Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë sërish zbatimin e këtyre “rregullave”, me qëllim që të gjendet një model i përshtatshëm.

Edhe politikanë të tjerë serbë reaguan ashpër ndaj këtyre masave.

Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, deklaroi më 13 janar për transmetuesin publik kosovar se masat duhet të shtyhen përsëri, pasi “nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur”.

Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” e Ivan Vuçkoviqit dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë” e Marko Jakshiqit, iu drejtuan më 15 janar me një letër të hapur Qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, me arsyetimin se këto masa do t’i prekin mijëra familje.

Këta përfaqësues politikë të serbëve në nivel lokal kërkuan, mes tjerash, shtyrjen e zbatimit të ligjeve të kontestuara, nisjen e dialogut me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë, si dhe gjetjen e modaliteteve të përshtatshme dhe të zbatueshme që, siç thanë, do t’u sigurojnë qytetarëve një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit kërkoi që zgjidhja të gjendet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi këto masa si “hapa të rinj përshkallëzues”.

Kjo zyrë paralajmëroi se, nëse Bashkimi Evropian dhe grupi i Quint-it nuk reagojnë, “Beogradi do të detyrohet të shqyrtojë një përgjigje politike dhe ligjore – adekuate ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave themelore të popullit serb përmes masave të reja të njëanshme dhe të dhunshme”./REL

Zvicër: Nga sot nuk lejohet përdorimi i power bankëve gjatë fluturimit

Nga sot, 15 janar, kompania ajrore SWISS, së bashku me Edelweiss, ka vendosur rregulla të reja për transportin dhe përdorimin e power bankëve gjatë fluturimeve, me qëllim rritjen e sigurisë në bord, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja:

Power bankët nuk lejohen të përdoren apo të karikohen gjatë fluturimit

Çdo pasagjer mund të mbajë maksimumi dy power bankë

Ndalohet karikimi i tyre përmes furnizimit elektrik të avionit

Power bankët nuk duhet të vendosen në raftet mbi sedilje, por të mbahen pranë pasagjerit, në xhepin e sediljes ose në bagazhin e dorës poshtë sediljes përpara

Si më parë, këto pajisje mbeten të ndaluara në bagazhin e regjistruar.

Kompania SWISS njofton se masa është ndërmarrë për arsye sigurie, ndërsa pasagjerët mund të gjejnë më shumë detaje në faqen zyrtare të kompanisë./Albinfo.ch

Kush preket nga pezullimi i vizave të emigrimit për në SHBA?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ritheksuar qëndrimin e tij se emigrantët duhet të jenë të vetëqëndrueshëm ekonomikisht dhe të mos mbështeten në ndihmat sociale të shtetit amerikan, përcjell albinfo.ch.

Në këtë kuadër, më 14 janar, ai vendosi të pezullojë përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve të botës, përfshirë Kosovën.

Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur tashmë një rishikim të plotë të politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve ekzistuese për emigracionin, me qëllim që të sigurohet se aplikantët nga këto vende, të cilat autoritetet amerikane i konsiderojnë si me rrezik të lartë, nuk do të përfitojnë nga ndihmat sociale dhe nuk do të bëhen barrë për buxhetin publik, raporton Radio Evropa e Lirë.

Vendimi prek edhe qytetarët e Kosovës që synojnë të aplikojnë për vizë emigrimi, e njohur gjerësisht si “Green Card”, dhe pritet të hyjë në fuqi më 21 janar 2026.

Më poshtë janë të shpjeguara pikat kryesore që lidhen me këtë vendim.

Çfarë është viza e emigrimit?

Viza e emigrimit u mundëson shtetasve të huaj të hyjnë në Shtetet e Bashkuara me qëllim qëndrimi të përhershëm. Ajo është baza ligjore për t’u bërë banor i përhershëm në SHBA dhe për të pajisur me “Green Card”.

Kjo vizë dallon nga vizat turistike, studentore apo të punës, pasi u dedikohet personave që synojnë të jetojnë përherë në SHBA. Pas marrjes së saj, përfituesi ka të drejtë të jetojë dhe punojë pa kufizime, si dhe më vonë të aplikojë për shtetësi amerikane.

A mund të aplikohet për vizë gjatë pezullimit?

Po. Shtetasit e vendeve të prekura nga vendimi mund të vazhdojnë të aplikojnë dhe të marrin pjesë në intervista.

Departamenti i Shtetit ka njoftuar se intervistat do të vazhdojnë të caktohen normalisht, por gjatë periudhës së pezullimit nuk do të lëshohen viza emigrimi për shtetasit e 75 vendeve në fjalë.

Kush nuk preket nga pezullimi?

Vendimi nuk vlen për shtetasit me dy nënshtetësi, nëse ata aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk përfshihet në listën e vendeve të prekura.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia është e vetmja që nuk përfshihet në këtë listë.

Çfarë ndodh me ata që tashmë kanë vizë?

Pezullimi nuk ndikon në vizat e emigrimit që janë lëshuar më herët. Personat që tashmë posedojnë një vizë të vlefshme nuk preken nga ky vendim.

A preken vizat turistike?

Jo. Vendimi zbatohet vetëm për vizat e emigrimit. Vizat turistike, studentore apo të tjera joemigruese nuk përfshihen në këtë masë.

Pse u mor ky vendim?

Presidenti Trump ka deklaruar se një përqindje e lartë e emigrantëve që kanë hyrë në SHBA përmes vizës së emigrimit nuk janë aktivë në tregun e punës dhe varen nga ndihmat sociale.

Sipas të dhënave të publikuara prej tij më 4 janar në rrjetet sociale, rreth 46 për qind e shtetasve të Kosovës që kanë emigruar në SHBA përmes kësaj vize përfitojnë ndihma sociale nga Qeveria amerikane.

Në dhjetë vjetët e fundit, SHBA-ja ka lëshuar gjithsej 6.674 viza emigrimi për shtetasit e Kosovës, ose mesatarisht rreth 670 viza në vit, sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Shtetit.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për koment lidhur me këtë vendim, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.

Në krye të listës së vendeve me varësi më të lartë nga ndihmat sociale renditet Butani, ku 81.4 për qind e emigrantëve që kanë hyrë në SHBA përmes vizës së emigrimit jetojnë nga përfitimet sociale.

Sipas statistikave zyrtare, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar mbi 612.000 viza emigrimi në mbarë botën gjatë vitit 2024, një rritje krahasuar me vitin 2023, kur ishin lëshuar 562.976 viza.

Mashtrimet kibernetike në Zvicër: A po bëjnë bankat mjaftueshëm?

Numri i mashtrimeve kibernetike në Zvicër po rritet me shpejtësi alarmante. Shpesh, viktimat bëjnë gabimin të ndajnë informacione personale që u mundësojnë mashtruesve qasje në llogaritë e tyre bankare. Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: a janë asetet tona mjaftueshëm të mbrojtura?

Në vitin 2024, rreth 42 000 persona kanë paraqitur kallëzim penal për mashtrime kibernetike. Megjithatë, kjo shifër është shumë më e ulët se realiteti. Vlerësohet se vetëm një në dhjetë viktima e denoncon rastin. Turpi, fatalizmi dhe shpresa e vogël për të rikuperuar paratë – që shpesh transferohen jashtë vendit – janë arsyet kryesore të këtij heshtjeje.

Viktimat nuk janë ata që mendojmë

Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, viktimat nuk janë kryesisht të moshuarit. 78% e personave që paraqesin kallëzim janë nën moshën 60 vjeç – njerëz aktivë, të rinj dhe të aftë në përdorimin e teknologjisë. Emisioni investigativ A Bon Entendeur ka analizuar këtë fenomen, i cili mund të ketë pasoja dramatike, sidomos kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash.

Gjenerata Z pritet të bëhet gjenerata më e pasur në histori, sipas një studimi

E formësuar nga rrjetet sociale dhe pandemia e Covid-19, dhe shpesh e përshkruar si e shqetësuar dhe më pak sociale, Gjenerata Z është në rrugë të mbarë për t’u bërë gjenerata më e pasur në histori, sipas një studimi të Bank of America. Si një fuqi e ardhshme ekonomike globale, ajo po riformëson botën e punës dhe vetë ekonominë.

Gjenerata Z, që përfshin personat e lindur nga fundi i viteve 1990 deri në fillim të viteve 2010, u bë veçanërisht e zëshme në vitin 2025. Të rinjtë nën moshën 30 vjeç dolën në protesta në vende si Nepali, Maroku, Madagaskari dhe Peruja, të motivuar nga lufta kundër pabarazisë, korrupsionit dhe shqetësimet për rënien e demokracisë.

Kjo gjeneratë, e cila pason Millennial-ët (Gjenerata Y), pritet të bëhet më e pasura në histori. Ajo ka disa avantazhe të rëndësishme krahasuar me brezat e mëparshëm: do të trashëgojë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së “baby boomers”-ave, të lindur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër, po përjeton rritjen më të shpejtë të pagave dhe ka nivelin më të lartë të arsimimit deri më sot.

Këta faktorë e çojnë Bank of America të parashikojë se deri në vitin 2035, Gjenerata Z jo vetëm do të jetë më e shumta në numër, por edhe më e pasura në planet, veçanërisht në vendet e industrializuara të veriut.

Hykmete Bajrami jep dorëheqje të parevokueshme nga LDK

Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike (LDK), dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, kanë thënë dy burime të ndryshme brenda kryesisë së kësaj partie.

“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.

Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite.

Përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës.

LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, por kjo bëhet e mundshme vetëm kur ne vëmë LDK-në para interesit personal dhe Kosovën para interesit politik partiak.

Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër.

Edhe njëherë, falënderoj 126 mijë e 102 qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 gra e burra që më kanë besuar angazhimin tim politik.

Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, ka shkruar ajo.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s.

Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rëndit e dyta me 57 mijë vota

Supermarketet zvicerane përjashtojnë mishin amerikan, ndërsa restorantet tregojnë interes

Pavarësisht një marrëveshjeje doganore midis Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara, mishi amerikan nuk ka gjasa të shfaqet në raftet e supermarketeve zvicerane, sipas një raporti nga agjencia e lajmeve AWP, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Shitësit me pakicë të mëdhenj e kanë refuzuar idenë, por industria e ushqimit po tregon interes.

Shifrat paraprake nga Shërbimi Federal i Doganave dhe Sigurisë Kufitare tregojnë se midis 10 dhjetorit – kur hynë në fuqi rregullat e reja – dhe fundit të vitit 2025, Zvicra importoi 20.3 ton mish viçi dhe 2.3 ton bizonë nga Shtetet e Bashkuara, por jo shpendë.

Migros dhe Coop thonë se mishi zviceran mbetet përparësi. “Ne nuk shohim nevojë për të importuar nga SHBA-ja,” tha një zëdhënës i Coop për AWP. Lidl dhe Aldi gjithashtu e kanë përjashtuar këtë veprim.

Në të kundërt, shitësit me shumicë të ushqimit si GVFI dhe Transgourmet/Prodega tashmë po sjellin mish viçi dhe bizonë amerikanë. “Ne tashmë kemi importuar sipas rregullave të reja doganore,” thotë Olivier Freiburghaus i GVFI. Të tjerë, përfshirë Carnadis në rajonin e Liqenit të Gjenevës, po shqyrtojnë hamburgerët me bizonë amerikanë. “Shumë firma amerikane duan të kenë një pikëmbështetje këtu,” thotë drejtori Michel Delévaux, i cili është gjithashtu i hapur ndaj pulës së larë me klor, duke argumentuar se “nuk ka mbetje në mish”.

Ligji zviceran kërkon që restorantet të deklarojnë nga vijnë mishi dhe peshku dhe nëse janë përdorur hormone ose nxitës të rritjes, por jo domosdoshmërisht në menu, thotë GastroSuisse.

Rastet e gripit në Zvicër mbeten të larta pavarësisht një rënie të lehtë

Epidemia e gripit në Zvicër po mbetet në një nivel të lartë. Numri i rasteve të raportuara ra pak javën e kaluar, por autoritetet shëndetësore thonë se është shumë herët për të thënë nëse shpërthimi ka arritur kulmin.

Javën e kaluar, në Zvicër dhe Lihtenshtajn u regjistruan 27.51 raste të konfirmuara në laborator të gripit për 100,000 banorë, një rënie prej 24.5% krahasuar me javën e kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale Zvicerane e Shëndetit Publik të mërkurën. Në total, u raportuan 2,501 raste, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas kantoneve, numri më i lartë i rasteve të konfirmuara për 100,000 banorë u regjistrua në Qytetin e Bazelit (60.08), i ndjekur nga Jura (45.43) dhe Solothurn (43.13). Shkallët më të ulëta ishin në Schwyz (10.66), Obwalden (12.61) dhe Zug (14.21).

Sipas autoriteteve, ngarkesa virale e zbuluar në ujërat e zeza po mbahet e qëndrueshme në një nivel të lartë, me rënie të vërejtura vetëm në Gjenevë dhe Lugano. Vizitat ambulatore për infeksione akute të frymëmarrjes janë rritur përsëri pasi kanë rënë gjatë periudhës së festave.

Një lloj gripi i shfaqur së fundmi – nënklada K e nëntipit H3N2 – tani qarkullon në Zvicër, ashtu si në shumë vende të tjera. Autoritetet shëndetësore thonë se aktualisht nuk ka prova që infeksionet me këtë lloj janë më të rënda.

Rinumërimi i votave vazhdon, këto janë përditësimet e fundit të KQZ-së

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve, përcjell albinfo.ch.

Nga nisja e këtij procesi dhe deri më tani, janë procesuar 39 vendvotime nga 914 për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Bazuar në përditësimet e fundit, rezultatet nuk kanë ndryshuar shumë, krahasuar me ato paraprake.

Sa e fuqishme është pasaporta zvicerane në vitin 2026?

Pasaporta e Zvicrës vazhdon të renditet ndër më të fuqishmet në botë edhe në vitin 2026. Sipas Indeksit të Pasaportave Henley, shtetasit zviceranë mund të udhëtojnë pa vizë në 186 vende anembanë globit, përcjell albinfo.ch.

Ky vlerësim e pozicionon pasaportën zvicerane në vendin e tretë nga gjithsej 199 pasaporta të analizuara në renditjen globale.

Megjithatë, Zvicra nuk e mban e vetme këtë pozitë. Ajo e ndan vendin e tretë me Danimarkën, Luksemburgun, Suedinë dhe Spanjën, vende që po ashtu ofrojnë liri të gjerë udhëtimi për qytetarët e tyre.

Pavarësisht këtij avantazhi të madh, ekzistojnë ende disa shtete që kërkojnë vizë për shtetasit zviceranë, duke kufizuar hyrjen pa autorizim paraprak.

Ambasadorët e BE-së takojnë Kurtin për dialogun me Serbinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, së bashku me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë, të mërkurën janë takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet paszgjedhore, përcjell albinfo.ch.

Në një shkrim në “X”, Oravi ka bërë të ditur se gjatë takimit është vlerësuar procesi zgjedhor, duke theksuar se ka reflektuar përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Po ashtu, ambasadorët kanë nënvizuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re.

“Vlerësuam procesin zgjedhor që pasqyron një angazhim të fuqishëm për parimet demokratike dhe theksuam rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar Orav.

Në takim është kërkuar edhe ratifikimi i shpejtë i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së, me qëllim që përfitimet të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, ambasadori i BE-së ka theksuar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për përparimin e të dyja palëve në rrugën e integrimit evropian.

Zvicra dhe Këshilli i Evropës dënojnë dhunën në Iran

Pas dy javësh protestash antiqeveritare në Iran, mijëra mbështetës të Republikës Islamike dolën në rrugë të hënën në Teheran, ndërsa situata mbetet e tensionuar. Sipas Iran Human Rights, numri i të vdekurve nga shtypja e protestave arrin në 648, përcjell albinfo.ch.

Në frontin diplomatik, Zvicra, e cila përfaqëson gjithashtu interesat e SHBA-së në Iran, u bëri thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë dhunën ndaj protestuesve dhe të garantojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme theksoi se mandati për fuqi mbrojtëse nuk e pengon Zvicrën të shprehë qëndrimin e saj.

Po ashtu, Këshilli i Evropës, përmes Sekretarit të Përgjithshëm Alain Berset, dënoi dhunën dhe organizoi një takim me ambasadorët e vendeve që kufizohen me Iranin për të diskutuar masat e mëtejshme. BE-ja ka ndaluar hyrjen e diplomatëve iranianë në Parlamentin Evropian.

Ndërkohë, Irani ka hapur një kanal komunikimi me të dërguarin e Donald Trump, Steve Witkoff, duke shfaqur gatishmëri për negociata, por duke kërcënuar gjithashtu me veprime ushtarake./Albinfo.ch

Besfort Zeneli nis aventurën e re te kampioni i Belgjikës

Mesfushori 23-vjeçar Besfort Zeneli ka kompletuar transferimin te kampioni i Belgjikës, Royale Union Saint-Gilloise, nga klubi suedez Elfsborg, ku ka luajtur që nga viti 2022, regjistruar 93 ndeshje, 5 gola dhe 15 asistime, përcjell albinfo.ch.

Royal Unioni ka paguar afro 4 milionë euro për kartonin e tij, dhe Zeneli ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare, duke zgjedhur fanellën me numër 23. Në një deklaratë për faqen zyrtare të klubit, mesfushori shprehu emocionin e tij:

“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, menjëherë e telefonova menaxherin tim për t’i thënë se doja t’i bashkohesha këtij klubi. Është një klub familjar në nivelin më të lartë.”

Besfort Zeneli është vëllai i vogël i Arbër Zenelit. Ai ka qenë pjesë e Kosovës U21, por më pas ka vendosur të përfaqësojë Suedinë në nivel ndërkombëtar. /Albinfo.ch

Aron Babaj, talenti 16-vjeçar kosovar, nënshkruan me AC Milan

Mesfushori 16-vjeçar nga Kosova, Aron Babaj, djali i ish-futbollistit Shpëtim Babaj, ka nënshkruar kontratë me AC Milan, duke u bërë pjesë e Milan Futuro Project, iniciativës së klubit italian për zhvillimin e talenteve të rinj, transmeton albinfo.ch.

Babaj, i lindur në vitin 2009, më parë ka luajtur për KF Prishtina e Re dhe ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat U16 dhe U17. Njoftimi i klubit italian e konfirmon se mesfushori do të jetë pjesë e planeve afatgjata të klubit për talentet e reja.

Edhe KF Prishtina e Re ka uruar Babajn për sukses në kapitullin e ri të karrierës, duke theksuar rëndësinë e këtij transferimi për futbollin kosovar. Kalimi te Milani konsiderohet një hap i madh për karrierën e talentit dhe një dëshmi e interesit në rritje të klubeve evropiane për lojtarët e rinj nga Kosova./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/p/1CWDJojuKv/?mibextid=wwXIfr

“Jam shqiptare”, këngëtarja e famshme turke Simge Sağın zbulon origjinën nga Peja

Këngëtarja e njohur turke Simge Sağın ka befasuar ndjekësit e saj me një deklaratë të veçantë gjatë një video-interviste me gazetarin me origjinë nga Gostivari, Yusuf Emini, transmeton albinfo.ch.

Gjatë intervistës, Simge ka treguar me krenari se është me origjinë shqiptare, duke theksuar se familja e saj vjen nga Peja, Kosova. Për të treguar lidhjen me identitetin e saj, ajo nuk ngurroi të bënte edhe shqiponjën, simbol të kulturës shqiptare.

Kur u pyet për qytetin e saj të preferuar, këngëtarja përmendi Prishtinën, duke treguar dashurinë dhe lidhjen personale me vendin e saj të origjinës.

Simge Sağın është një nga artistet më të njohura në Turqi, me projekte muzikore që kanë thyer kufijtë e tregut vendor. Këngët e saj në YouTube numërojnë miliona shikime, duke e vendosur atë ndër artistet më të dëgjuara të skenës turke./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/r/17kGibhwPW/?mibextid=wwXIfr

Vendet më të mira në aeroplan për fluturime të gjata

Fluturimet me distanca të gjata mund të jenë të vështira për shumë pasagjerë, kryesisht për shkak të vendeve të pakëndshme dhe hapësirës së kufizuar në aeroplan.

Një asistente fluturimi e kompanisë Virgin Atlantic ka ndarë disa këshilla për të zgjedhur vendin më të mirë në klasën ekonomike dhe për të pasur një fluturim më të rehatshëm.

Për ata që ndihen të shqetësuar nga turbulencat, stjuardesa rekomandon të zgjidhet një vend mbi krahun e aeroplanit. Kjo zonë ndodhet më afër qendrës së gravitetit të aeroplanit, gjë që redukton lëvizjet dhe dridhjet gjatë fluturimit.

Ajo shton se faktorë të tjerë që ndikojnë në rehatinë janë hapësira e këmbëve, zhurma e kabinës, dizajni i sediljeve dhe nivelet e oksigjenit. Për këtë arsye, vendet më të largëta nga kuzhina dhe tualetet zakonisht janë më të qeta dhe më të përshtatshme për të fjetur.

Megjithatë, stjuardesa paralajmëron se pjesa e pasme e aeroplanit mund të jetë më e zhurmshme për shkak të tualeteve dhe dritës që vjen nga kuzhina, ndaj këshillohet të mos zgjidhet rreshti i fundit.

Vendi ideal, sipas saj, është rreth pesë rreshta nga pjesa e përparme ose pesë rreshta nga pjesa e pasme e aeroplanit. Vendosja në pjesën e përparme lejon të kesh shërbimin e ushqimit i pari dhe dalje më të shpejtë pas uljes. Nga ana tjetër, pasagjerët në pjesën e pasme shpesh marrin ushqimin më shpejt, por turbulencat ndihen më shumë.

Sistemi i raportimit të pacientëve në Zvicër ka mangësi të dukshme

Raste serioze të keqpraktikës mjekësore nga një proktolog në Cyrih kanë zbuluar mangësi në sistemin zviceran të raportimit të abuzimeve mjekësore. Pacientët e prekur kanë përjetuar komplikime shëndetësore dhe dhimbje të zgjatura, disa prej tyre duke vijuar edhe vite më vonë.

Raportimet tregojnë se pacientët u nënshtruan operacioneve të panevojshme ose të tepruara, ndërsa u informuan gabimisht për procedurat. Një pjesë e tyre u ballafaquan me presion psikologjik nga mjeku dhe pamje traumatike gjatë konsultave.

Specialistë të pavarur dhe ekspertë shëndetësorë kanë konfirmuar se disa procedura ishin të vjetruara dhe të panevojshme, duke theksuar nevojën për një sistem më transparent raportimi dhe mbrojtjeje të pacientëve.

Profesor Dieter Hahnloser, specialist kolorektal, nënvizon:

“Pacientët duhet të informohen saktë dhe të mbrohen nga ndërhyrjet e panevojshme. Shumë raste tregojnë se sistemi aktual nuk ofron mbrojtjen e mjaftueshme.”

Pacientët që dëshirojnë të raportojnë abuzimet përballen me procedura të komplikuara dhe burokratike, duke e bërë më të vështirë ndalimin e praktikave të gabuara. Autoritetet shëndetësore janë njoftuar për rastet, ndërsa mjeku i përfshirë është ndalur nga veprimtaria.

Rastet nënvizojnë rëndësinë e përmirësimit të sistemit të raportimit dhe mbështetjes për pacientët, për të shmangur dhimbjen dhe rreziqet e panevojshme shëndetësore.

Këshilli Federal kundër nismës për paranë cash

Këshilli Federal i Zvicrës vlerëson se nisma për garantimin e parasë cash nuk është e përshtatshme, edhe pse e pranon rëndësinë e saj për ekonominë dhe shoqërinë. Nisma, e cila do të hidhet në votim më 8 mars, kërkon garantimin e përdorimit të parasë fizike dhe që çdo zëvendësim i frangut zviceran me një monedhë tjetër të vendoset përmes votimit popullor, transmeton albinfo.ch.

Në përgjigje, qeveria federale ka hartuar një kundërpropozim të miratuar nga Parlamenti, i cili parashikon përfshirjen në Kushtetutë të garantimit të parasë cash dhe të frangës zvicerane si monedhë kombëtare. Sipas kundërpropozimit, përgjegjëse për furnizimin me para mbetet Banka Kombëtare Zvicerane.

Sipas Këshillit Federal, si nisma ashtu edhe kundërpropozimi kanë kryesisht karakter simbolik dhe nuk do të ndikojnë në jetën e përditshme. Votuesit do të shprehen për të dyja propozimet më 8 mars.

Kantoni i Vaudit: Taksa për automjetet më ndotëse rritet deri në 50%

Automjetet më ndotëse do të tatohen më rëndë në kantonin e Vaudit. Këshilli i Shtetit ka vendosur të rrisë me 50% taksën për këto mjete, niveli maksimal i lejuar me ligj. Vendimi është marrë me kërkesë të Parlamentit kantonal, por po kundërshtohet nga e djathta politike, e cila kërkon anulimin e tij.

SUV-të në shënjestër

Me këtë rritje, autoritetet synojnë veçanërisht drejtuesit e automjeteve të mëdha, si SUV-të. Shtesa për automjetet më ndotëse do të rritet nga 25% në 50%, çka pritet të sjellë fatura dukshëm më të larta për pronarët e tyre.

Në Vaud, taksa e automjeteve llogaritet sipas sistemit bonus–malus, i cili parashikon ulje ose shtesa në varësi të emetimeve të CO₂. Qëllimi është të inkurajohet blerja dhe përdorimi i automjeteve me emetime të ulëta.

Deri në qindra franga më shumë

Nuk do të ketë rritje për drejtuesit e modeleve bazë të makinave me benzinë, si Volkswagen Golf apo Skoda Octavia, as për automjetet elektrike si Tesla Model Y.

Po ashtu, pronarët e automjeteve të regjistruara për herë të parë deri më 31 dhjetor 2020 nuk do të preken nga rritja, për sa kohë që automjeti i tyre lëshon më pak se 149 g CO₂/km.

Nga ana tjetër, ata që tashmë i nënshtrohen taksës ndëshkuese do të shohin rritje prej 15%, 25% ose 50%, në varësi të automjetit. Në disa raste, rritja mund të arrijë pothuajse 500 franga. Për shembull, për një Audi RS6 me 600 kuaj fuqi, taksa vjetore do të rritet nga 2’423.70 franga në 2’908.50 franga.

Kundërshtime politike

Vendimi nuk është pritur mirë nga e djathta në Këshillin e Madh të Vaudit. Një mocion i paraqitur nga deputeti Yann Glayre (UDC), i bashkënënshkruar nga 18 deputetë të UDC-së dhe 11 të Partisë Liberale Radikale (PLR), kërkon rikthimin e tavanit të shtesës në 25%.

Mocioni u miratua me një diferencë shumë të ngushtë: 72 vota pro dhe 70 kundër. Mungesa e disa deputetëve të së majtës ndikoi në rezultatin përfundimtar. Teksti i kërkon gjithashtu qeverisë të anulojë hyrjen në fuqi të normave të reja të taksimit, të planifikuara për 1 janar 2026.

Objektivi financiar

Autoritetet kantonale synojnë që me këtë masë të sigurojnë rreth 10 milionë franga shtesë për buxhetin e vitit 2026, i cili parashikohet të jetë me deficit. Së shpejti, qytetarët do të mund të konsultojnë faqen zyrtare të Kantonit të Vaudit për të llogaritur shumën e taksës së re për automjetin e tyre.

Ndërkohë, TCS (Touring Club Suisse) e ka cilësuar këtë vendim si një masë ndëshkuese ndaj drejtuesve të automjeteve.

A është tani më e rëndësishme që kërkuesit e huaj të punës të flasin një gjuhë zvicerane?

Shumë kërkues të huaj pune në Zvicër nuk janë zyrtarisht të detyruar të flasin një nga katër gjuhët kombëtare të vendit, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Për shembull, sipas kushteve të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të Njerëzve (AFMP) të lidhur midis Bernës dhe Brukselit, qytetarët e Bashkimit Evropian (si dhe ata nga EFTA – Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni) përjashtohen nga kërkesat gjuhësore.

Megjithatë, njohja e gjuhës rajonale mbetet një kusht kyç për shumë vende pune.

Për të kuptuar se çfarë, nëse ka, aftësi gjuhësore lokale kërkojnë punëdhënësit zviceranë tani, The Local intervistoi përfaqësues nga dy rekrutues kryesorë: Michael Page dhe Manpower.

Ku dhe kur nevojitet më shumë gjuha lokale?

“Shumë gjëra varen nga roli, kompania dhe vendi ku ndodhet puna në Zvicër”, tha për The Local, Stephan Surber, Partner Menaxhues për Zvicër, për Michael Page Executive.

Shumë firma ndërkombëtare dhe shumëkombëshe zvicerane operojnë në anglisht, veçanërisht në sektorë të tillë si financa, teknologjia dhe shkencat e jetës. Në këto mjedise, anglishtja mund të jetë e mjaftueshme për punën e përditshme, theksoi ai.

“Megjithatë, Zvicra është një vend shumëgjuhësh dhe ky realitet gjuhësor vazhdon të formësojë tregun e punës”, shtoi Surber. “Për rolet që përfshijnë klientë, autoritete publike ose partnerë lokalë, të folurit e gjuhës përkatëse rajonale është shpesh thelbësore dhe jo opsionale.”

Ndërkombëtare kundrejt lokale

Një mesazh i ngjashëm vjen nga Thomas Porteseigne, Drejtor i Marketingut dhe Komunikimit në Manpower Switzerland.

“Duhet bërë një dallim midis kompanive shumëkombëshe dhe atyre zvicerane që janë të fokusuara në tregun vendas”, tha ai, duke shtuar se për këto të fundit, “kërkohet të paktën një gjuhë kombëtare”.

Ekzistojnë gjithashtu pritshmëri të ndryshme, për sa i përket kërkesave gjuhësore, bazuar në industri dhe vende pune specifike. Për shembull, ndërsa në fushën e IT-së anglishtja do të mjaftojë, në sektorë të tjerë – dhe veçanërisht në ato ku një kontakt verbal me klientët është thelbësor – të paktën një nivel bazë i një gjuhe zvicerane është i domosdoshëm.

Një sektor i tillë, tha Porteseigne, është kujdesi shëndetësor: shumë shtetas të huaj punojnë në këtë fushë dhe ata duhet të komunikojnë qartë me pacientët.

Nga ana tjetër, nuk kërkohen aftësi të veçanta gjuhësore në sektorë të tillë të kërkuar si ndërtimi dhe logjistika, vuri në dukje ai.

Dhe ndërsa gjuha e rajonit do të mjaftojë në shumicën e rasteve, në disa raste, “punëdhënësit do të kërkojnë kandidatë që janë të zotë si në gjermanisht ashtu edhe në frëngjisht”, shtoi ai.

Por kjo nuk është e gjitha

Sipas Surber, një “dimension reputacioni” hyn gjithashtu në lojë. “Kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Zvicër janë gjithnjë e më të vetëdijshme se perceptohen si të rrënjosura në mjedisin lokal,” tha ai. “Si rezultat, shumë presin që punonjësit të demonstrojnë të paktën një aftësi bazë për të komunikuar në një gjuhë kombëtare – të mjaftueshme për të mirëpritur vizitorët, për t’u angazhuar shoqërisht dhe për të përfaqësuar kompaninë në nivel lokal.”

Edhe në vendet e punës ku anglishtja është gjuha zyrtare e biznesit, njohja e gjuhës lokale luan një rol të rëndësishëm kulturor, vuri në dukje Surber.

“Ajo lehtëson komunikimin informal, forcon marrëdhëniet e punës dhe i ndihmon të sapoardhurit të integrohen më lehtë në ekipet e tyre. Gjuha, në këtë kuptim, ka të bëjë po aq shumë me kohezionin social sa edhe me kompetencën profesionale.”

Në praktikë, “ndërsa anglishtja mund të hapë derën për role të caktuara, të folurit e një gjuhe kombëtare zvicerane shpesh përcakton se sa larg mund të përparojë dikush pasi të hyjë brenda.”

Cilat janë shanset tuaja për t’u punësuar në Zvicër pa një gjuhë lokale?

Nëse nuk jeni shtetas i BE-së ose EFTA-s (dhe për këtë arsye nuk jeni të përjashtuar nga kërkesa për gjuhën), shanset tuaja varen kryesisht nga kompanitë (ndërkombëtare kundrejt atyre lokale), lloji i punës që kërkoni, por edhe aftësitë që ofroni.

Në raste të caktuara, rregulli i gjuhës hiqet edhe për shtetasit e vendeve të treta.

Për shembull, bankierët amerikanë dhe britanikë, të cilët i nënshtrohen kuotave për shtetasit e vendeve të treta, shpesh marrin trajtim më të butë.

Për këta profesionistë, një njohuri e mirë e anglishtes është e mjaftueshme. Ekspertët e IT-së, konsulentët, studiuesit dhe specialistët e kriptomonedhave gjithashtu përfitojnë nga i njëjti sistem preferencial.

Kur The Local i pyeti lexuesit tanë në një anketë të mëparshme nëse mund të ia dilnin mbanë vetëm me anglisht kur punonin në Zvicër, ata thanë “po”, megjithëse shtuan disa rezerva.

“Mendoj se dy faktorët më të mëdhenj që ndikojnë në sa mund të ia dilni mbanë vetëm me anglisht në Zvicër janë: vendi ku jetoni dhe çfarë pune keni”, theksoi T. B. nga Cyrihu.

Edhe pse shumë të huaj të pranuar mund të gjenin punë vetëm me anglisht, do të ishte problem kur të bëhej fjalë për shoqërizimin me kolegët e tyre nëse nuk do të mund të flisnin një gjuhë lokale.

Lynette Haeuselmann nga St. Gallen, e cila është mësuese anglishteje për të rritur, “mund të ia dalësh mbanë vetëm me anglisht, por do të jetë një ekzistencë e kufizuar shoqërore.

“Si e huaj, mësova gjermanisht dhe kjo i bëri gjërat shumë më të lehta për mua. Të qenit në gjendje të komunikosh me vendasit është një ndihmë e madhe për t’u integruar në ‘Heimatland’-in tënd të ri.

Demokracia në Veprim kërkon rinumërim në gjithë Kosovën për kandidatët

Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve, dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze, të cilat cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.

DnV e ka vlerësuar të pamjaftueshëm vendimin e KQZ-së për rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve dhe për rinumërimin e 100% ë vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i rezultateve.

Sipas DnV-së, rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin, transmeton albinfo.ch.

DnV-ja ka rekomanduar që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin për të siguruar kredibilitet të procesit dhe besim të publikut në rezultatet zgjedhore.

Po ashtu ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimin e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit.

“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, thuhet në reagimin e misionit vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve.

1,000 fluturime shtesë në Aeroportin Zurich-Kloten

Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i planifikuar për 19 deri më 23 janar, priten rreth një mijë lëvizje shtesë avionësh në aeroportin Zurich-Kloten, siç ka qenë rasti në vitet e kaluara, transmeton albinfo.ch.

Operatori i Aeroportit të Zurichut, Flughafen Zürich, paralajmëron se ngritjet dhe uljet individuale janë të mundshme pas orës 23:30, pra gjatë ndalimit të fluturimeve të natës.

Ky ndalim, i cili zgjat deri në orën 6:00 të mëngjesit, në fakt fillon në orën 23:00.

Gjatë gjysmës së ardhshme, janë të mundshme vetëm ngritjet dhe uljet e vonuara. 1,000 lëvizjet e vlerësuara janë vetëm një vlerësim.

Shumë pjesëmarrës në konferencë në qytetin turistik Graubünden planifikojnë planet e tyre të udhëtimit në minutën e fundit, thekson Aeroporti i Zurichut në një njoftim për shtyp sot.