Raportohet se një 46-vjeçare shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Itali një ditë më parë, më 7 prill, përcjell albinfo.ch.
Sipas mediave italiane, makina e drejtuar nga Dorina Bardhi është përplasur me një kamion. Si pasojë, Dorina, 46 vjeçe, humbi jetën, ndërsa vajza e saj 9-vjeçare, e cila ndodhej në makinë së bashku me të ëmën, ndodhet në gjendje të rëndë.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme.
Makina në të cilën udhëtonin nëna dhe vajza, një Opel Meriva, u përplas kokë më kokë me një kamion. Dinamika e tragjedisë po hetohet ende nga policia.
Makina me të cilën udhëtonte Dorina Bardhi
Dorina la pas burrin dhe tre vajzat e saj.
“Një grua e mrekullueshme,” tha një e njohur, “e përkushtuar ndaj familjes së saj dhe gjithashtu ndaj komunitetit, për të cilin ajo bëri shumë.”
Dorina ishte e njohur, bashkëpunonte me shoqata, me famulli e oratori dhe ishte gjithmonë në ballë, e qeshur dhe entuziaste në organizimin e ahengjeve e eventeve, kushtuar mbi të gjitha fëmijëve.
Të qenët artiste me renome botërore nuk është fare e lehtë, para së gjithash kur tregu ka një konkurrencë të fortë. Duhet vërtet energji, optimizëm dhe shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Dhe, në fakt, këto janë disa prej cilësive kryesore të Marigona Qerkezit, soprano kosovare shumë e suksesshme në botë, shkruan albinfo.ch.
Ajo ka një krijimtari të pasur artistike; si soprano e shquar, ka shkelur shumë skena anembanë botës dhe vazhdon të marrë role të mëdha në shumë evente artistike.
Opera e Frankfurtit është shtëpia operistike e radhës, në të cilën pritet t’i japë jetë rolit të Normës më datë 20 dhe 27 prill, si dhe më 3, 9, 15, 17, 23 dhe 31 maj.
E lindur në Kosovë dhe e vendosur në Zvicër, Blerta Berisha ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer duke kombinuar pasionin e saj për financën, edukimin dhe lidershipin. Përveç arritjeve të saj profesionale, Blerta është një shembull i angazhimit për komunitetin shqiptar në diasporë, duke ndihmuar dhe mentoruar të rinjtë në rrugën e tyre drejt suksesit.
Rrugëtimi i Blertës në fushën akademike përfshin disa nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Kosovë, një MSc në Itali dhe një EMBA në Gjenevë dhe Washington D.C. Përveç kësaj, ka marrë pjesë në shkolla verore dhe shkëmbime akademike në Oxford, Washington D.C., Zürich, Milano dhe Glasgow. Aktualisht, ajo është duke ndjekur doktoraturën në Menaxhim dhe Inxhinieri, duke dëshmuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj dijes dhe zhvillimit profesional.
Një histori e frymëzimit dhe suksesit
Si çdo emigrante, Blerta është përballur me sfida të shumta gjatë integrimit në një vend të ri. Kalimi nga një sistem arsimor në tjetrin kërkonte fleksibilitet dhe përgatitje të madhe. Përveç kësaj, përballja me vështirësitë financiare dhe profesionale ishte një tjetër pengesë, të cilën ajo e kapërceu përmes bursave dhe ndërtimit të rrjeteve të fuqishme profesionale. Sipas saj, çdo sfidë e ka ndihmuar të mësojë diçka të re dhe të transformojë vështirësitë në mundësi.
„Asnjë ëndërr nuk është tepër e madhe, asnjë sfidë nuk është e pamundur dhe asnjë kufizim nuk mund të ndalojë dikë që beson në veten e tij. Kini guximin të ndiqni pasionet tuaja, të dilni nga zona e rehatisë dhe të krijoni mundësi aty ku të tjerët shohin pengesa“, thotë ajo kur tregon rrugëtimin e saj për albinfo.ch.
Suksesi profesional dhe përvoja ndërkombëtare
Aktualisht, Blerta punon Pedagoge ne University Riphah School of Business and Management ku ligjeron lëndë në Shkencat e Menaxhimit për studentët e ciklit të parë (bachelor), por eksperienca e saj profesionale është e gjerë dhe e larmishme. Ajo ka punuar në pozicione të ndryshme menaxheriale dhe analitike, përfshirë: Menaxhere Teknike e Financës në BCM Gjenevë, PMO në Julius Baer Bank Zürich, Analiste e të Dhënave RFP në Credit Suisse Asset Management, Menaxhim Global i Projekteve në Merck Group, Gjermani, Trajnere e Lartë dhe Analiste Biznesi në X-Culture, Washington D.C.
Përvoja e saj në sektorë të ndryshëm i ka mundësuar të fitojë një perspektivë të gjerë mbi financën, menaxhimin dhe zhvillimin strategjik.
Kontributi në komunitetin shqiptar
Përveç arritjeve profesionale, Blerta është një figurë e rëndësishme në komunitetin shqiptar në Zvicër. Ajo ka dhënë një kontribut të madh në mentorimin dhe mbështetjen e të rinjve përmes iniciativave të ndryshme si: Illyrian Brains – një iniciativë për mentorim dhe edukim, Albanian Engineering of Switzerland (AES) – mbështetje për profesionistët shqiptarë në Zvicër, Instituti për Avancim Kombëtar – kontribut në politika dhe zhvillim ekonomik, si dhe Germin – angazhimi i diasporës shqiptare.
Gjithashtu, ajo ka moderuar emisionin Leadership & Innovation Show, ku ka ftuar shqiptarë të suksesshëm nga e gjithë bota për të diskutuar tema mbi lidershipin, financën dhe inovacionin. Me organizimin e webinareve falas mbi menaxhimin dhe financën, ajo synon të ndajë njohuritë e saj me të tjerët dhe të ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale.
Mesazhi i saj për të rinjtë
Blerta beson fuqimisht se suksesi nuk arrihet i vetëm Për të, familja ka qenë një shtyllë e fortë mbështetëse, veçanërisht Maki i saj, Bukurije Berisha, e cila e ka udhëhequr me dashuri dhe vizion.
“Pas çdo arritjeje qëndron një rrjet njerëzish që na mbështesin dhe na frymëzojnë. Për mua, ky rrjet ka qenë familja ime dhe mbi të gjitha, Maki im (Bukurije Berisha), e cila më ka udhëhequr me dashuri, forcë dhe vizion. Ndaj sot, ju inkurajoj që jo vetëm të synoni majat për veten tuaj, por edhe të bëheni drita dhe mbështetja për dikë tjetër. Sepse kur mbështesim dhe frymëzojmë njëri-tjetrin, ne jo vetëm që ndërtojmë sukses individual, por krijojmë një ndikim të vërtetë dhe të qëndrueshëm për brezat që vijnë”, thekson ajo në mesazhin e saj drejtuar të rinjëve.
Blerta synon të jetë një shembull frymëzimi për të tjerët dhe të nxisë shqiptarët në mbarë botën që të ndjekin ëndrrat e tyre me vendosmëri dhe pasion.
Bëhet e ditur se 34-vjeçari Hüseyin A. është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-boksierit profesionist Besar Nimani, përcjell albinfo.ch.
Ai dhe një person tjetër, ende i pakapur, e qëlluan me pabesi Nimanin më 9 mars 2024, në Bielefeld, thuhet në vendimin e shpallur dje nga Gjykata Rajonale e Bielefeldit.
Sipas gjykatës, të dy autorët kishin përgatitur së bashku një plan dhe e qëlluan Nimanin me qëllim për ta vrarë.
Vlen të theksohet se vrasja u krye me 16 plumba, të shtënë nga Hüseyin A. dhe bashkëpunëtori i tij, i cili ende është në arrati.
Boksieri vdiq në vendngjarje. Autori i dytë vazhdon të jetë në kërkim.
Pranvera sjell një bollëk ushqimesh të freskëta dhe të shëndetshme, që jo vetëm freskojnë menunë tuaj, por janë edhe burim i pasur i lëndëve ushqyese të dobishme. Ushqimet e stinës në pranverë janë të pasura me vitamina, fibra dhe antioksidantë, të cilët mbështesin shëndetin, përmirësojnë tretjen dhe forcojnë imunitetin.
Nëse dëshironi të pasuroni menunë tuaj me përbërës të rinj dhe të shëndetshëm, provoni disa nga opsionet e mëposhtme:
Shpargu Shpargu është një klasik i vërtetë pranveror, i pasur me vitaminë K, acid folik dhe vitaminë C. Këto lëndë ushqyese mbështesin shëndetin e kockave, përmirësojnë tretjen dhe forcojnë sistemin imunitar. Gjithashtu, shpargu përmban antioksidantë që reduktojnë inflamacionin dhe mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike, si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.
Rrepkat Rrepkat janë jashtëzakonisht të pasura me vitaminë C, kalium dhe fibra, të cilat përmirësojnë shëndetin e tretjes dhe forcojnë imunitetin. Ato kanë veti anti-inflamatore që ndihmojnë në reduktimin e fryrjes, gazrave dhe përmirësimin e qarkullimit. Për më tepër, rrepkat përmbajnë antioksidantë që reduktojnë stresin oksidativ në trup, raporton Index.hr.
Karotat e reja Karotat e reja janë të pasura me vitaminë A, e cila është thelbësore për shëndetin e syve dhe të lëkurës, dhe vitaminë K, që kontribuon në shëndetin e kockave. Ato përmbajnë shumë fibra, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e tretjes së shëndetshme dhe rregullimin e peshës. Për më tepër, karotat janë të pasura me antioksidantë që ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe forcimin e sistemit imunitar.
Patatet e reja Patatet e reja kanë një përmbajtje më të ulët niseshteje se patatet e vjetra, duke i bërë ato më të lehta për t’u tretur dhe më të përshtatshme për kontrollin e peshës. Ato janë gjithashtu të pasura me vitaminë C, që ndihmon në forcimin e imunitetit, dhe kalium, i cili mbështet shëndetin e zemrës. Patatet e reja përmbajnë edhe antioksidantë që reduktojnë inflamacionin dhe mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike.
Dredhëzat Dredhëzat janë një frut tipik pranveror, të pasura me vitaminë C, antioksidantë dhe fibra. Vitamina C është thelbësore për forcimin e imunitetit, ndërsa antioksidantët ndihmojnë në uljen e stresit oksidativ. Ato mbështesin shëndetin e zemrës dhe ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Përveç kësaj, dredhëzat janë të ulëta në kalori dhe të shkëlqyera për ruajtjen e një peshe të shëndetshme trupore.
Tregu global i artit ka shënuar një rënie prej 12% në vitin 2024, duke arritur në një vlerë prej 57.5 miliardë dollarësh, sipas raportit të publikuar nga banka zvicerane UBS dhe Art Basel. Kjo rënie vjen pas një uljeje prej 4% të regjistruar në vitin 2023.
Raporti ia atribuon këtë tkurrje pasigurisë ekonomike globale dhe tensioneve në rritje gjeopolitike. Kina, e cila dikur kishte një rol të fuqishëm në tregtinë ndërkombëtare të artit, ka pësuar rënien më të madhe, me një ulje prej 31% në shitjet vjetore. Tashmë, Kina ka zbritur në vendin e tretë, pas Britanisë së Madhe, e njohur për shtëpitë e saj të ankandeve prestigjioze si Sotheby’s dhe Christie’s, transmeton albinfo.ch.
Shtetet e Bashkuara mbeten udhëheqësja dominuese, me 43% të pjesës së tregut botëror të artit. Pas tyre renditet Britania e Madhe me 18%, ndërsa Kina ka rënë në 15%.
WhatsApp ka nisur testimin e disa opsioneve të reja për thirrjet audio dhe video për përdoruesit e Android, përfshirë një funksion të ri që synon të përmirësojë privatësinë e përdoruesve.
Risia e parë është butoni “mute”, i cili u mundëson përdoruesve të përgjigjen në thirrje me mikrofonin e fikur. Ky funksion mund të jetë veçanërisht i dobishëm në mjedise me shumë zhurmë, megjithëse përdorimi i tij i saktë mbetet ende i paqartë.
Funksioni i dytë është mundësia për të fikur kamerën përpara se të përgjigjeni në një thirrje video. Ky opsion është i vlefshëm për ata që duan pak kohë për t’u përgatitur përpara se të shfaqen në ekran, ose për ata që nuk dëshirojnë të zhvillojnë një videotelefonatë. Njëkohësisht, ky funksion ofron edhe një shtresë shtesë mbrojtjeje të privatësisë, sidomos kur thirrjet vijnë nga numra të panjohur.
Risia e tretë janë reagimet me emoji gjatë thirrjeve video. Përdoruesit mund të reagojnë në kohë reale me emoji, duke shtuar një element interaktiv në komunikim.
Këto funksione janë aktualisht të disponueshme për disa përdorues beta të WhatsApp për Android dhe pritet të zbatohen gjerësisht në javët e ardhshme.
Sekretariati Shtetëror i Ekonomisë i Zvicrës (SECO) ka angazhuar një firmë lobimi në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Zvicrën të fitojë akses të plotë në çipat e Inteligjencës Artificiale (IA).
SECO konfirmoi një artikull të Tamedia-s, sipas të cilit ka angazhuar firmën e ligjit Akin Gump Strauss Hauer & Feld në SHBA për të mbështetur Zvicrën në çështjen e çipave të IA.
Megjithatë, detajet e mandatit të kësaj firme nuk janë sqaruar në mënyrë të detajuar nga SECO kur është pyetur nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA.
Sipas artikujve të mediave kontrata gjithashtu përfshin çdo lobim kundër tarifave prej 31% që SHBA-ja ka vendosur për importet zvicerane, një masë e miratuar nga ish-presidenti Donald Trump. Akin Gump është një ndër firmat më të mëdha të lobimit në Uashington, me një xhiro vjetore prej 65 milionë dollarësh. Ky angazhim u bë i njohur për shkak të një rregulloreje ligjore në SHBA, sipas të cilës firma duhet të raportojë për këtë mandat, transmeton albinfo.ch.
Përjashtimi nga çipat IA për Zvicrën
Aksesimi i çipave të avancuar dhe të fuqishëm të IA është i kufizuar për kompanitë zvicerane, të cilat nuk konsiderohen “aleatë” në Uashington. Edhe para se Trump të merrte detyrën, administrata e ish-presidentit Joe Biden kishte njoftuar kufizime për eksportin e çipave të avancuar të IA.
Qytetet zvicerane Aarau, Bellinzona, Lugano, Schaffhausen, Thun dhe Zug po konkurrojnë për t’u shpallur “Kryeqyteti Kulturor” i Zvicrës për vitin 2030. Kjo iniciativë është bërë e ditur në fund të marsit, kur çdo qytet dorëzoi një deklaratë të qëllimit për të kandiduar zyrtarisht deri në fund të vitit.
Daniel Rossellat, president i Shoqatës Zvicerane të Kryeqytetit Kulturor (CCS), deklaroi se pjesëmarrja e gjashtë ose madje tetë qyteteve në këtë garë rrit mundësinë e një zgjedhjeje më të larmishme për Kryeqytetin Kulturor 2030 dhe tregon se koncepti është tani i njohur në gjithë Zvicrën.
Kalendar i Garës
Pas dorëzimit të ofertës zyrtare deri më 31 dhjetor 2025, qytetet do të konkurrojnë për titullin “Kryeqyteti Kulturor i Zvicrës” për vitin 2030. Një juri, e përbërë nga një grup ekspertësh nga fusha të kulturës, biznesit dhe politikës, do të vizitojë qytetet kandidate në pranverë të vitit 2026, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret në qershor 2026, transmeton albinfo.ch.
Ky projekt është pjesë e programit kulturor të qeverisë federale për vitet 2025-2028 dhe ka për qëllim zhvillimin e një dinamike të re kulturore, si dhe nxitjen e iniciativave ekonomike dhe sociale.
Përfitimet e pjesëmarrjes
Rossellat theksoi se pjesëmarrja në këtë garë do të mundësojë zhvillimin e një dinamike të re për qytetet pjesëmarrëse, përfshirë projekte urbane që do të transformojnë zonat e ndryshme në qendra kulturore të reja, transmeton albinfo.ch.
La Chaux-de-Fonds, një qytet në kantonin Neuchâtel, do të bëhet Kryeqyteti i Parë Kulturor i Zvicrës në vitin 2027, dhe kjo ka sjellë tashmë ndryshime në qytet, përfshirë rindërtimin e abattoarëve të dikurshëm për t’u shndërruar në një qendër kulturore.
Ky pilot projekt do të përsëritet çdo tre vjet për qytetet zvicerane me mbi 20,000 banorë, duke mundësuar përfaqësimin e kulturës zvicerane për një vit të plotë, duke u ofruar qyteteve mundësinë të shfaqin diversitetin dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Zvicrës.
Ky proces synon të forcojë lidhjet kulturore të Zvicrës me qytetet dhe rajonet e tjera, duke kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe zhvillimin ekonomik dhe social në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka mësuar kundërshtarët e saj për Kampionatin Botëror të Hendbollit për të Rinj. Shorti për edicionin e 11-të të këtij kampionati u tërhoq të martën mbrëma në Kajro të Egjiptit, ku gjithashtu do të zhvillohet ky turne nga 6 deri më 17 gusht të këtij viti.
Kosova është vendosur në Grupin B, ku do të përballet me disa ekipe të forta si Hungaria, Zvicra dhe Maroku. Ky short paraqet një sfidë të madhe për Kombëtaren U19 të Kosovës, por gjithashtu ofron mundësi të shkëlqyera për të treguar nivelin e saj në arenën ndërkombëtare.
Ky është edicioni i tretë në të cilin Kombëtaret e Kosovës paraqiten në Kampionatin Botëror të Hendbollit, pas paraqitjes së suksesshme të Kombëtares U21 dhe U18 në vitet e kaluara.
Ceremonia e shortit u nderua me praninë e presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hassan Moustafa, i cili shprehu mbështetje për zhvillimin e këtij sporti në mbarë botën, duke theksuar rëndësinë e organizimeve të tilla.
Lumi Vjosa në Shqipëri konsiderohet si lumi i fundit i egër i Evropës dhe aktualisht, në pellgun e tij po ndërtohet një pistë dhe kullë aeroporti. Qeveria vendore po ecën përpara me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës – pavarësisht rezistencës së ashpër nga ambientalistët vendas dhe kritikave nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, transmeton albinfo.ch.
Ky projekt ka një lidhje me Mynihun: filiali i Munich Airport GmbH, Munich Airport International (MAI), ka vepruar në cilësinë e këshilltarit. Por, siç u njoftua në Këshillin Bashkiak të Mynihut të martën (8 prill), MAI do të tërhiqet nga ky pozicion në fund të prillit.
Të Gjelbrit e mirëpresin këtë vendim në një deklaratë të bërë sot, por paralajmërojnë se angazhime të tilla të diskutueshme duhet të shmangen në të ardhmen, shkruan merkur.de.
Sipas këshilltarëve të qytetit, projekti ka ngjallur kritika në të gjithë Evropën. Përveç Parlamentit të BE-së dhe Komisionit, edhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës në kuadër të Këshillit të Evropës i ka bërë thirrje qeverisë në Tiranë që të ndalojë ndërtimin.
Organizatat lokale mjedisore kanë ndërmarrë veprime ligjore kundër projektit. Ata shprehen të shqetësuar se, me këtë projekt, një nga zonat e fundit natyrore të Evropës dhe burimet jetësore të specieve të rralla të shpendëve mund të shkatërrohen në mënyrë të pakthyeshme.
Të Gjelbrit kishin theksuar që në vitin 2023 se pjesëmarrja e Aeroportit të Mynihut në këtë projekt ishte në kundërshtim me strategjinë e qëndrueshmërisë të vetë aeroportit, transmeton albinfo.ch. Në mbledhjen e sotme të Komitetit Ekonomik u diskutua gjithashtu edhe një peticion, i cili kërkon që Aeroporti i Mynihut të tërhiqet plotësisht nga ky projekt.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, solli në vëmendje rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të frenuar gjenocidin e kryer nga regjimi i Serbisë. Ajo e përshkroi ndërhyrjen e aleatëve ndërkombëtarë si jo vetëm legjitime, por edhe thelbësore për shpëtimin e jetëve dhe ndalimin e krimeve masive.
“Ndërhyrja e NATO-s ishte esenciale për mbrojtjen e vlerave universale të Kombeve të Bashkuara dhe të njerëzimit, për t’i dhënë fund gjenocidit që po zhvillohej dhe për të siguruar që vrasjet masive të ndaleshin,” tha Gërvalla, transmeton albinfo.ch.
Ajo theksoi se kjo ndërhyrje, e shoqëruar me mbështetje të palëkundur ndërkombëtare, i hapi rrugën Kosovës për ndërtimin e një shteti të konsoliduar, demokratik dhe të integruar në familjen evropiane. Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre, ministrja Gërvalla theksoi se Kosova është bërë një partner i respektuar në arenën ndërkombëtare.
Falimentimet në Zvicër arrijnë nivel rekord në vitin 2024
Numri i procedurave të falimentimit në Zvicër arriti një rekord të ri në vitin 2024, me gjithsej 17,036 raste, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO) të martën. Ky është viti i katërt radhazi me rritje të numrit të falimentimeve, të cilat janë dyfishuar që nga fillimi i viteve 1990, transmeton albinfo.ch.
Rritje të mëdha në disa kantone
Rritja më e theksuar është regjistruar në kantonin Zug (+31.0%), pasuar nga Ticino (+25.5%) dhe Basel-Landschaft (+23.6%). Ndër kantonet frankofone, më të prekura janë Neuchâtel, Vaud dhe Valais. Ndërkohë, në pesë kantone numri i falimentimeve ka rënë në krahasim me vitin 2023: Fribourg (-20 raste), Jura (-15), Glarus (-7), Appenzell Ausserrhoden (-2) dhe Appenzell Innerrhoden (-1).
Efekti i vonuar i krizës së Covid-19
Sipas FSO-së, rritja e falimentimeve shpjegohet pjesërisht nga një efekt rikuperimi pas krizës së Covid-19, gjatë së cilës kishte një bum në krijimin e bizneseve. Sot, shumë prej tyre po falimentojnë për shkak të kushteve të pafavorshme ekonomike.
Humbjet financiare në nivel të ulët
Megjithë rritjen e rasteve të falimentimit, shuma e borxheve të pashlyera ka rënë me 26.5% krahasuar me vitin 2023, duke arritur afërsisht 1.5 miliardë franga zvicerane. Kjo shumë mund të ndryshojë ndjeshëm nga viti në vit, në varësi të rasteve me likuidime të mëdha.
Rritje rekord edhe në procedurat e përmbarimit
Valës së falimentimeve i shtohet edhe një rritje e konsiderueshme në procedurat e përmbarimit. Gjatë vitit 2024:
Urdhrat e pagesës u rritën me 8.5%
Sekuestrimet u shtuan me 12.5%
Realizimet u rritën me 5.9%
“Kurrë më parë nuk është regjistruar një numër kaq i lartë procedurash përmbarimore brenda një viti kalendarik,” nënvizon FSO-ja.
McDonald’s planifikon zgjerim të shpejtuar në Zvicër
McDonald’s planifikon të përshpejtojë programin e tij të zgjerimit në Zvicër. Një buxhet prej 250 milionë frangash është vënë në dispozicion që nga viti 2024 për hapjen e restoranteve të reja, modernizimin e atyre ekzistuese dhe zbatimin e inovacioneve të ndryshme deri në vitin 2026.
Pas hapjes së pesë restoranteve të reja vitin e kaluar, McDonald’s Zvicër do të hapë dhe rinovojë të tjera gjatë vitit 2025, sipas një komunikate për media të publikuar të martën. Në afat të mesëm, kompania synon të arrijë në 200 pika shitjeje, transmeton albinfo.ch.
Shërbimi në tavolinë, sistemi i shpërndarjes McDelivery dhe marrja me vete përmes McDrive do të zhvillohen në pothuajse të gjitha njësitë.
Aplikacionet popullore të porositjes
Gjithashtu, “modernizimi i shërbimeve digjitale si aplikacioni për porositje online është shumë i kërkuar”, sipas CEO-së Lara Skripitsky, e cituar në komunikatë. “Aplikacioni përdoret për një në katër porosi.”
Në vitin 2024, vëllimi i blerjeve arriti në 235 milionë, sipas kompanisë, e cila nuk bën publike të ardhurat. Më shumë se 85% e përbërësve vijnë nga partnerë zviceranë si Bell, Fortisa dhe Emmi. Po ashtu, kompania bashkëpunon me rreth 6,400 ferma lokale.
McDonald’s Zvicër aktualisht po trajnon afërsisht dyzet nxënës në praktikë “për të luftuar mungesën e personelit të kualifikuar në këtë sektor”. Rreth 92% e praktikantëve mbeten të punësuar në kompani.
Gjiganti amerikan është prezent në Zvicër që nga viti 1976.
Në Gjenevë, Spitali La Tour në Meyrin është detyruar të ndërmarrë shkurtime në staf si pasojë e krizës së zgjatur ndërmjet siguruesve suplementarë dhe mjekëve. Kjo situatë ka shkaktuar një rënie të ndjeshme të numrit të pacientëve në këtë spital privat.
Sipas burimeve të brendshme, rreth dhjetë punonjës – përfshirë infermierë dhe asistentë mjekësorë – janë prekur nga këto largime. Spitali konfirmon se vendet e lira të punës nuk janë zëvendësuar.
Në një deklaratë zyrtare, Spitali La Tour shpjegon:
Prej disa muajsh jemi përballur me rënie të aktivitetit për shkak të mungesës së marrëveshjeve të çmimeve dhe mospagesës së disa shërbimeve nga sigurimet suplementare. Kjo, e kombinuar me një humbje prej disa milionësh në bilancin financiar të vitit 2024, na ka detyruar të marrim masa organizative për të siguruar qëndrueshmërinë financiare.
Rënia e lindjeve dhe mungesa e rimbursimeve
Njësia e maternitetit në Spitalin La Tour, një nga më të mëdhatë në kantonin e Gjenevës, po përjeton një rënie të theksuar të lindjeve. Arsyeja kryesore: mungesa e marrëveshjeve të çmimeve ndërmjet mjekëve dhe siguruesve suplementarë, transmeton albinfo.ch.
Që nga fillimi i vitit, shumica e sigurimeve suplementare nuk rimbursojnë më automatikisht trajtimet në klinikat private. Kjo ka bërë që shumë pacientë të shtyjnë ndërhyrjet ose të zgjedhin institucione të tjera. Më të prekurit janë pacientët kronikë dhe gratë shtatzëna.
Një situatë që prek të gjitha klinikat
Spitali La Tour nuk është rasti i vetëm. Shoqata e Klinikave Private të Gjenevës ka njoftuar për konfuzion të madh te pacientët, pasi shumë prej tyre besojnë se asnjë shërbim nuk mbulohet më, edhe pse konsultat ambulatore vazhdojnë të rimbursohen.
Klinikat e tjera, si Grangettes dhe La Colline (të grupit Hirslanden), po mbyllin dhoma dhe salla operacioni përkohësisht dhe po kërkojnë nga stafi të marrë pushime. Këto masa pritet të jenë afatshkurtra.
Një projekt për dalje nga kriza
Nën udhëheqjen e këshilltarit shtetëror Pierre Maudet, siguruesit, mjekët dhe klinikat po negociojnë një zgjidhje të përkohshme deri në fund të vitit 2025. Afati për arritjen e një marrëveshjeje është vendosur më 15 prill.
Shoqata Zvicerane e Sigurimeve (ASA) e konsideron “të keqardhur” vendimin për largimet nga puna, por thekson se vendimet për ristrukturim varen nga një kombinim faktorësh – mjekësorë, organizativë dhe financiarë – dhe jo vetëm nga mungesa e marrëveshjeve me siguruesit.
Ndërkohë, Shoqata e Mjekëve të Gjenevës (AMGe) thekson përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për krizën aktuale.
Tarifat e reja për importet kineze në Shtetet e Bashkuara do të rriten në 104% ditën e mërkurë, njoftoi Shtëpia e Bardhë të martën, duke përmbushur kështu një kërcënim të bërë më herët nga Donald Trump, transmeton albinfo.ch.
Tregjet financiare reagojnë pozitivisht
Bursa e Nju Jorkut u hap ndjeshëm në rritje të martën – me një ngritje prej 3.51% për indeksin Dow Jones dhe 3.70% për indeksin Nasdaq – duke marrë frymë pas tre seancave të trazuara, e nxitur nga një rreze shprese për negociata të mundshme mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara mbi tarifat doganore.
Tregjet evropiane dhe aziatike në rikuperim
Tregjet evropiane dhe aziatike të aksioneve u rimëkëmbën pas rënies së një dite më parë. Bursa e Parisit u rrit me 2.50%, Frankfurti me 2.48%, Londra me 2.71% dhe Milano me 2.44%. Indeksi kryesor i bursës zvicerane, SMI, gjithashtu mbylli ditën me një ngritje të fortë. Bursa e Tokios shënoi një rritje prej më shumë se 6%, ndërsa ajo e Seulit u rrit me 6.26%.
Një rast i variantit të ri të Mpox-it, kladi Ib, është zbuluar për herë të parë në Zvicër.
Personi i prekur është izoluar dhe, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), nuk ka rrezik infektimi për të tjerët përreth tij.
Sipas BAG, personi i infektuar është një udhëtar që është kthyer nga Afrika. Infeksioni është zbuluar në fillim të prillit, transmeton albinfo.ch.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kladi Ib është më ngjitës dhe më i rrezikshëm se variantet e mëparshme të sëmundjes Mpox (dikur e njohur si lisa e majmunëve). Ky variant është përhapur në disa vende afrikane për disa muaj tashmë.
Gjendja e emergjencës shëndetësore 2024
Në mes të gushtit 2024, OBSH shpalli emergjencë shëndetësore ndërkombëtare për shkak të rritjes së infeksioneve me variantin Clade I të Mpox. Në fund të shkurtit 2025, organizata vendosi ta mbajë këtë gjendje emergjence, sipas këshillave të ekspertëve të pavarur.
OBSH deklaron se situata nuk është përmirësuar: rastet po rriten dhe virusi po përhapet. Përpjekjet për kontrollin e shpërthimit janë penguar nga konfliktet në lindje të Kongos, prej nga po përhapet që nga viti i kaluar.
Në Perëndim të Afrikës, vaksinimet kanë filluar në disa zona, por qindra mijëra njerëz janë zhvendosur dhe mungojnë fondet për të përballuar situatën.
A mund të mbyllen disa stacione më të vogla treni?
Drejtuesja e Hekurudhave Federale të Zvicrës, Monika Ribar, thotë se synimi i saj është që trenat të jenë më të shpejtë dhe se trenat rajonalë, që ndalojnë në disa stacione, ngadalësojnë të gjithë sistemin, transmeton albinfo.ch.
Por SBB ka rregulla përpara se të marrë një vendim për të mbyllur një stacion. Ajo këmbëngul se duhet të ketë një alternativë – siç është një shërbim tramvaji ose autobusi – dhe pasagjerët duhet të jenë në gjendje të arrijnë në një stacion brenda 15 minutash. Më pas, duhet të ketë një tren çdo 15 minuta.
Por Partia e Gjelbër paralajmëron për rreziqet e mbylljes së stacioneve rajonale. Ata theksojnë se fluturimet e brendshme janë bërë më të zakonshme në Francë, pasi stacionet më të vogla u mbyllën.
Një ish-kryetar i komunës Signy-Avenex në kantonin Vaud është dënuar me katër vjet e gjysmë burg pasi u shpall fajtor për përvetësim.
Burri veproi gjithashtu si administrues i besuar për disa bamirësi lokale dhe individë të pambrojtur. Gjykatësit përcaktuan se ai vodhi 13 milionë CHF gjatë 10 viteve, transmeton albinfo.ch.
Kryetari i trupit gjykues tha se ai dëmtoi seriozisht interesat e klientëve të tij dhe luante kumar me paratë e tyre.
Numri më i ri, i dyti për këtë vit, i revistës albinfo.ch që ka dalë sot nga shtypi, ka në fokus të tij diasporën dhe rolin e saj prej “buxheti rezervë” të Kosovës dhe të shteteve tjera të prejardhjes, të shqiptarëve.
Me një numër artikujsh që përpunojnë këtë temë, redaksia e revistës sonë ka bërë një “skanim” të gjendjes sa u përket dërgesave të parave nga Zvicra dhe vendet tjera perëndimore, në Kosovë, Shqipëri dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ajo që del nga shifrat që janë siguruar në adresat përkatëse kompetente të shteteve të përmendura vërteton atë që në masë të madhe dihej: Diaspora vazhdon të jetë “kuleta” e diasporës. Me gjithë ndërrimin e gjeneratave të diasporës dhe të interesave të tyre, një gjë duket se nuk ka ndryshuar: prirja për të dërguar para “në shtëpi”. Kjo prirje dhe kjo lidhje me atdheun, sigurisht do të zbehet me kohë por konstatimet aktuale tregojnë për një rritje të remitancave.
Sigurisht, në editorialët e botuar në këtë numër preket edhe e dhëna që kritikohet nga shumëkush se mërgimtarët po investojnë vetëm në ndërtimin e shtëpive dhe jo në industri ose në projekte prodhuese.
Por, siç konstatohet më tutje, kritikët harrojnë faktin se “shtëpia për mërgimtarin simbolizon suksesin e tërë një jete sakrificash. Shtëpia ngërthen një emocion të një të çrrënjosuri në kërkim të rrënjëve”. Ose “Remitencat nga diaspora nuk kanë qenë vetëm ndihmë për familjet, por shpesh edhe shpëtim për një ekonomi të brishtë. Ato kanë mbuluar nevoja bazike, kanë nxitur konsumin e brendshëm, kanë mbajtur gjallë sektorë si ndërtimi, tregtia dhe shërbimet…”.
Përveç temës bosht, asaj të remitancave, edhe ky numër i revistës u jep hapësirë temave të përhershme që lidhen me diasporën. Përfshihen këtu një numër intervistash e portretesh të personaliteteve të mërgatës shqiptare që kanë bërë emër ose kanë lënë gjurmë në realitetin e këtushëm, në kulturë, sport, biznes etj.
Revista Albinfo.ch mund të sigurohet në shumë pika në Zvicër, gjithandej ku frekuentojnë shqiptarët dhe në aeroplanët e kompanisë ajrore Chair, në relacionet Zvicër – Kosovë – Zvicër.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën për takim konsultativ nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se një takim i tillë do të cenonte rëndë dinjitetin njerëzor dhe politik të LDK-së, raporton albinfo.ch.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku thekson se LDK nuk udhëhiqet nga inati, por nga parimet, dinjiteti dhe fjala e dhënë. Ai kujton gjuhën fyese dhe përçarëse që, sipas tij, është përdorur vazhdimisht nga VV dhe zyrtarët e saj ndaj LDK-së, duke përmendur shprehje të tilla si “hajvanat”, “mbytja e LDK-së” dhe “bashkëpunëtorë të Serbisë”.
“Sado që ne besojmë në dialog dhe komunikim, një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik,” deklaroi Abdixhiku.
Ai nënvizoi se LDK i qëndron besnike fjalëve dhe qëndrimeve të dhëna para, gjatë dhe pas fushatës, dhe nuk do të devijojë nga ato parime për interesa momentale politike, transmeton albinfo.ch.
Kreu i LDK-së gjithashtu konfirmoi se partia e tij do ta mbështesë procesin e konstituimit të Kuvendit më 15 prill, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë pengesë nga ana e tyre. Ai ritheksoi njohjen e të drejtës legjitime të partisë së parë për të formuar qeverinë, por edhe të drejtën e secilës palë tjetër për të ndërtuar shumicë në rast të dështimit.
“Fjalët kanë peshë – dhe besa jonë ndaj qytetarëve tanë është e shenjtë,” përfundoi Abdixhiku, duke e bërë të qartë se LDK nuk do të marrë pjesë në takime që, sipas tij, bien ndesh me parimet dhe integritetin e saj politik, shkruan albinfo.ch.
Qiramarrësit në Zvicër nuk do të përfitojnë nga një garanci ligjore për të pasur një stacion karikimi për automjetet elektrike në parkingun e ndërtesës ku jetojnë. Një komitet i Këshillit të Shteteve rrëzoi javën e kaluar një projektligj që synonte të përmirësonte aksesin e qiramarrësve në infrastrukturën e karikimit, duke vendosur kështu një pengesë tjetër për zgjerimin e përdorimit të automjeteve elektrike në vend.
Projektligji ishte propozuar nga Këshilltari Kombëtar i Cyrihut, Jürg Grossen, kryetar i Liberalëve të Gjelbër dhe president i Shoqatës së Lëvizjes Elektrike. Ai kërkonte garantimin me ligj të të drejtës për të instaluar një stacion karikimi në ndërtesat e banimit dhe objektet me parkingje private. Propozimi u miratua nga Këshilli Kombëtar në qershor të vitit të kaluar, por nuk arriti të gjejë mbështetjen e nevojshme në Komitetin e Mjedisit dhe Energjisë të Këshillit të Shteteve, transmeton albinfo.ch.
Sipas disa anëtarëve të këtij komiteti, detyrimi ligjor do të përbënte ndërhyrje të tepruar nga shteti në pronën private, dhe vendimmarrja për ndërtimin e infrastrukturës së karikimit duhet t’u mbetet operatorëve dhe pronarëve të ndërtesave. Ata theksuan se ndërtimi i këtyre stacioneve shpesh ndikon pozitivisht në vlerën e pronës dhe në përfitimet e bizneseve private.
Por për Grossen, ky vendim është i pakuptueshëm: “Në Zvicër, çdo apartament ka të drejtën për një lidhje me fibër optike. Pse të mos ekzistojë edhe një e drejtë e ngjashme për stacionin e karikimit të makinës?”, pyet ai. Ai paralajmëron se mungesa e infrastrukturës po ndikon drejtpërdrejt në rënien e shitjeve të automjeteve elektrike në vend, shkruan RTS.
Në të kaluarën, edhe propozimet për subvencionimin e këtyre stacioneve ishin hequr nga një version më i hershëm i ligjit për CO₂, i propozuar nga Këshilli Federal. Aktualisht, mbështetja shtetërore për zgjerimin e rrjetit të karikimit privat mbetet minimale, pavarësisht objektivave klimatike që synojnë elektrifikimin e flotës së automjeteve në Zvicër, transmeton albinfo.ch.