Nuk kalon rezoluta e LDK-së për çmimin e naftës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme nuk e kanë votuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me derivatet e çmimeve të naftës.

Në bazë të rezolutës parashihet ulja e përkohshme e akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve e ulja e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, transmeton albinfo.ch.

Rezoluta parashihte edhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

E njëjta dështoi teksa 34 vota ishin për, 49 kundër dhe 7 abstenime.

Raport: Zvicra duhet të reformojë sistemin e kujdesit për fëmijët

Në një raport të ri të publikuar të enjten, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) rekomandon që Zvicra të forcojë dhe zgjerojë ofertat për kujdesin ndaj fëmijëve, si dhe të ofrojë mbështetje më të madhe financiare për prindërit, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, kostot e kujdesit për fëmijët në Zvicër janë ndër më të lartat në botë, gjë që krijon pengesa për punësim, veçanërisht për gratë.

Gjithashtu, vendi përballet me mungesë të kapaciteteve në të gjitha rajonet, duke e bërë të vështirë aksesin në shërbimet e kujdesit për fëmijët.

Megjithatë, raporti thekson se Zvicra ka ndërmarrë tashmë disa hapa në këtë drejtim. Konkretisht, çështja e përballueshmërisë së kujdesit për fëmijët aktualisht po trajtohet në parlamentin zviceran./Albinfo.ch

Shqipëria drejt forcimit të rezistencës klimatike me mbështetjen e Zvicrës

Për të forcuar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike, Shqipëria po avancon drejt krijimit të një Kuadri Kombëtar për Shërbimet Klimatike (NFCS), një mekanizëm që synon përmirësimin e vendimmarrjes dhe koordinimit institucional në fushën e klimës, përcjell albinfo.ch.

Në këtë kuadër, përfaqësues nga institucionet kryesore shqiptare po zhvillojnë një vizitë studimore në Zvicër dhe Belgjikë, ku po njihen nga afër me modelet dhe praktikat më të mira që mund të përshtaten në kontekstin shqiptar.

NFCS pritet të mundësojë vendimmarrje më të informuar, bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional dhe rritje të qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Vizita është pjesë e mbështetjes që ofrohet nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, së bashku me GIZ Albania dhe MétéoSuisse, si pjesë e angazhimit për forcimin e rezistencës klimatike në Shqipëri./Albinfo.ch

 

Embassy of Switzerland in Albania
Embassy of Switzerland in Albania
Embassy of Switzerland in Albania

Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionë euroshe me Bankën Botërore

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, të cilat kanë për qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredi prej 35 milionë eurodhe grant prej 12 milionë euro.

Këto projekte synojnë mbështetjen e reformave strukturore dhe investimeve strategjike në Kosovë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Në kuadër të projektit për zhvillimin e sektorit financiar, parashihet mbështetje për themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe ndërtimin e një infrastrukture moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

Ndërkohë, projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar Kosovën me standardet dhe rrjetet evropiane.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se këto marrëveshje përfaqësojnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik, duke rritur qasjen e bizneseve në financa dhe duke përmirësuar efikasitetin e tregtisë.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Xiaoqing Yu, ka falënderuar për bashkëpunimin dhe ka shprehur optimizëm për zbatimin me kohë të projekteve, duke riafirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Këto marrëveshje konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë dhe përshpejtimit të integrimit ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë./Albinfo.ch

Leon Avdullahu rikthehet pas lëndimit, gati për ndeshjen ndaj Augsburgut

Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, është shprehur i kënaqur me rikthimin e Leon Avdullahut pas lëndimit, duke theksuar se lojtari ka qenë i përfshirë plotësisht në stërvitje gjatë gjithë javës, përcjell albinfo.ch.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten, para ndeshjes ndaj Augsburgut që zhvillohet të premten, Ilzer ka deklaruar se Avdullahu tashmë është në formë të mirë dhe vendimi për aktivizimin e tij nga minuta e parë do të merret pas stërvitjes së fundit.

“Ishte e rëndësishme që Leon Avdullahu të luante gjysmë ore kundër Mainz. Ai gjithashtu mori pjesë plotësisht në stërvitje gjatë gjithë javës. Do të vendosim pas stërvitjes së sotme nëse ai do të fillojë apo do të vijë nga stoli”, ka thënë Ilzer.

Avdullahu u rikthye në fushë në ndeshjen ndaj Mainzit, ku u aktivizua nga minuta e 61-të në humbjen 2:1.

Ndeshja Hoffenheim – Augsburg zhvillohet të premten nga ora 20:30.

Ndërkohë, pjesë e rëndësishme e Hoffenheimit janë edhe dy futbollistët e Kosovës, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari./Albinfo.ch 

Dallime të mëdha të çmimeve të karburanteve në Evropë

Ekzistojnë dallime të mëdha në çmimet e karburanteve midis vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa në disa raste çmimet e dizelit janë rritur edhe deri në 30 për qind. Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht tensionet dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës. Si pasojë, çmimet e derivateve të naftës janë rritur ndjeshëm në të gjithë Evropën, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, kjo rritje nuk është e njëjtë në të gjitha vendet. Në disa shtete anëtare, çmimet janë rritur vetëm pak, ndërsa në të tjera shumë më tepër, duke krijuar diferenca të theksuara nga një vend në tjetrin.

Një nga arsyet kryesore për këto dallime janë politikat fiskale kombëtare. Taksat mbi karburantet, përfshirë TVSH-në dhe taksat për emetimet e CO₂, ndryshojnë nga një shtet në tjetrin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët.

Në disa vende, si Gjermania dhe Holanda, çmimet janë ndër më të lartat në Evropë, pjesërisht për shkak të taksave më të larta dhe politikave mjedisore më të rrepta. Ndërkohë, shtete të tjera kanë arritur të mbajnë çmime më të ulëta falë taksave më të ulëta ose ndërhyrjeve të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimeve.

Në përgjithësi, tregu evropian i karburanteve po përballet me një periudhë të paqëndrueshme, ku faktorët globalë dhe politikat kombëtare po ndikojnë në mënyrë të ndryshme, duke krijuar dallime të mëdha të çmimeve mes vendeve të BE-së.

Ndryshe, të mërkurën, Ministria e Tregtisë vendosi shifrën maksimale prej 1.89 euro për litër për shitjen e naftës, ndërsa çmimi i benzinës mbeti i pandryshuar në krahasim me një ditë më parë, në nivelin 1.46 euro për litër./Albinfo.ch

The Guardian: Vedat Muriqi ngrihet në fenomen të La Ligës

Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull të gjatë sulmuesit të Mallorcas dhe Kosovës, Vedat Muriqi, duke e cilësuar atë si një nga emrat më në ngritje të La Ligës, përcjell albinfo.ch.

Muriqi, i lindur në vitin 1994 në Prizren, është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës së tij, sidomos pas golit vendimtar ndaj Real Madridit, që i dha fitoren Mallorcas me rezultat 2:1. Ky moment ka bërë që ai të përfitojë vëmendje të gjerë ndërkombëtare, duke u përshkruar si një “fenomen global”.

Sipas artikullit të gazetarit Sid Lowe, të publikuar në “The Guardian” me titull “Pirati i Mallorcas e lë mënjanë dhimbjen e Kosovës në plejof për të tronditur Real Madridin”, Muriqi po përjeton një periudhë të rëndësishme në karrierën e tij, e cila ka tërhequr interes të madh nga mediat ndërkombëtare.

Sulmuesi kosovar ka shënuar 19 gola në La Liga, duke u kthyer në një nga pikat kyçe të Mallorcas dhe një emër gjithnjë e më i përmendur në futbollin evropian, krahas yjeve si Kylian Mbappé, Erling Haaland dhe Harry Kane.

Pavarësisht arritjeve në klub, Muriqi ka kaluar edhe momente të vështira, përfshirë dështimin e Kosovës për t’u kualifikuar në Kupën e Botës pas humbjes në plejof ndaj Turqisë, si dhe një penallti të humbur në ndeshjen vendimtare kundër Elches.

Ai ka reflektuar mbi emocionet e tij duke thënë:

“Edhe pse mund të dukem i ashpër dhe i shëmtuar nga jashtë, edhe unë jam njeri.”

Kam vuajtur shumë në javët e fundit”, shtoi ai, dukshëm i dorëzuar, por me një lloj fryme lehtësimi. 

“Papritmas, vjen një gol, një gol fantastik, për të fituar 2:1 me një nga golat e mi. Jam shumë i lumtur për shokët e mi të ekipit dhe për veten time”, shtoi ai.

Sfida e ardhshme e Muriqit tani është të mbajë këmbën në gaz. 

Ndikimi i tij në lojën e Mallorcas është i madh, edhe pse ai ka shënuar më shumë se gjysmën e golave të ekipit (36). Me tetë ndeshje të mbetura, futbollistët e drejtuar nga trajneri, Martin Demichelis, duhet të sigurojnë mbijetesën e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, dhe kjo do të jetë më e lehtë nëse sulmuesi i tyre yll është në formë. 

Për më tepër, me 53 gola, ai është vetëm një gol larg barazimit të rekordit historik (54) të vendosur nga kamerunasi Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit që garon në La Liga. Po ashtu është tetë gola larg barazimit të rekordit të Dani Guiza për gola të shënuar gjatë një edicioni. Guiza kishte shënuar 27 gola në edicionin 2007/2008.

Ky kombinim i performancës sportive dhe karakterit të tij ka bërë që Muriqi të fitojë respekt të gjerë në Spanjë dhe më gjerë në futbollin evropian./Albinfo.ch

Vetaksident fatal në Prevallë, vdes turisti amerikan

Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në Bjeshkët e Prevallës, ku një shtetas amerikan ka humbur jetën pas një vetaksidenti me motoçikletë katër-rrotëshe (ATV), transmeton albinfo.ch.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë angazhuar disa njësi policore në koordinim të plotë, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Prizren dhe Njësinë Rajonale të Trafikut.

Sipas raportimeve, trupi i pajetë i turistit amerikan, rreth 24-vjeçar, është nxjerrë pas disa orësh nga vendi ku kishte ndodhur aksidenti.

Në operacionin e nxjerrjes së trupit kanë marrë pjesë edhe zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë motoristë me ATV, të cilët kanë ndihmuar në mënyrë aktive në terrenin e vështirë./Albinfo.ch

Ishte nisur drejt Evropës, arrestohet një person në Aeroportin e Prishtinës për këtë arsye

Një person është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pasi rezultonte në “Stop listë” për shkak të një gjobe të papaguar, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për Y.A., rreth 32-vjeçar nga Lagjja Marigona, i cili është ndaluar më 8 prill 2026, rreth orës 23:30.

Burime bëjnë të ditur se ai nuk kishte paguar një gjobë prej 500 eurosh, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim që dënimi të zëvendësohej me 25 ditë burgim.

Pas ndalimit në aeroport, i dyshuari është dërguar për vuajtje të dënimit sipas vendimit gjyqësor./Albinfo.ch

 

Prishtina International Airport – Adem
Jashari

Dua Lipa vendos rekord historik në Spotify me dy albume mbi 15 miliardë dëgjime

Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke u bërë gruaja e parë në histori që ka dy albume me mbi 15 miliardë dëgjime në Spotify, transmeton albinfo.ch.

Albumi i saj debutues, “Dua Lipa” (2017), së fundmi ka kaluar këtë shifër, duke iu bashkuar albumit “Future Nostalgia” (2020), i cili e kishte arritur këtë sukses pak më herët.

Me këtë arritje, ajo lë pas emra të njohur të skenës botërore si Olivia Rodrigo dhe SZA, duke u renditur si artistja e parë femër me më shumë se një projekt që tejkalon këtë prag dëgjimesh në platformën Spotify.

Albumi “Dua Lipa”, i publikuar më 2 qershor 2017, shënoi hyrjen e saj në skenën ndërkombëtare të muzikës pop. Fillimisht me një performancë modeste, ai fitoi shpejt popullaritet gjatë vitit 2018, duke arritur vendin e tretë në UK Albums Chart dhe duke hyrë në top-10 në 13 shtete.

Këngët si “Be the One”, “IDGAF” dhe “New Rules” u shndërruan në hite globale, me “New Rules” që arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe top-10 në Billboard Hot 100 në SHBA. Më vonë, ribotimi “Complete Edition” e zgjeroi suksesin e albumit me bashkëpunime si “One Kiss” me Calvin Harris dhe “Electricity” me Silk City.

Ky projekt e konsolidoi Dua Lipën si një nga emrat më premtues të pop-it modern, duke i sjellë nominime dhe çmime të rëndësishme, përfshirë Brit Awards dhe Grammy Awards.

Ndërkohë, albumi “Future Nostalgia” u shndërrua në një sukses global, duke kryesuar listat në 15 shtete dhe duke fituar çmimin Grammy për “Best Pop Vocal Album”.

Ky rekord në Spotify konfirmon ndikimin e vazhdueshëm të Dua Lipës në muzikën botërore dhe fuqinë e saj në epokën e streaming-ut./Albinfo.ch

Shqiptarja fiton çmimin “Restaurant Guru Award 2026” në Belgjikë

Në qendër të Antwerpenit, biznesi “TE PECA”, i themeluar nga Shpresa Jusufi, po shënon sukses të jashtëzakonshëm duke u vlerësuar me çmimin prestigjioz “Restaurant Guru Award 2026”, transmeton albinfo.ch.

I vendosur në adresën Sint-Jacobsmarkt 62-64, ky lokal i kategorisë broodjeszaak (fast food) u hap rreth një vit më parë. Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë, pasi punimet e shumta në zonë ndikuan drejtpërdrejt në qarkullimin e klientëve dhe zhvillimin e biznesit. Pavarësisht sfidave, Shpresa Jusufi, me këmbëngulje dhe punë të palodhur, arriti ta mbajë gjallë projektin e saj dhe ta zhvillojë me sukses, siç raporton edhe Gazet van Antwerpen.

Sot, “TE PECA” konsiderohet si një “perlë e fshehur” në zemër të qytetit, ku çdo ditë përgatiten sanduiçë të freskët me përbërës cilësorë dhe çmime të përballueshme.

Ajo që e dallon më së shumti këtë vend nuk është vetëm ushqimi, por edhe mikpritja e veçantë. Shpresa kujdeset personalisht që çdo klient të ndihet i mirëpritur dhe si në shtëpinë e tij — një element që ka bërë që studentë, punëtorë dhe turistë ta zgjedhin “TE PECA” si destinacionin e tyre të preferuar për mëngjes apo drekë.

“Në TE PECA duam që çdo klient të largohet i kënaqur dhe me buzëqeshje,” është filozofia që e udhëheq këtë biznes.

Menuja ofron një përzgjedhje të pasur sanduiçësh, nga kombinimet klasike me djathë dhe proshutë, deri te opsionet më të veçanta si brie me mjaltë apo salmon deluxe, duke e bërë këtë vend të përshtatshëm për çdo shije.

Me moton “Provo ndryshimin”, “TE PECA” vazhdon të rritet çdo ditë dhe të fitojë gjithnjë e më shumë zemrat e klientëve në Antwerpen, duke u shndërruar në një nga adresat më të kërkuara të qytetit./Albinfo.ch

Rritja e makinave elektrike në Zvicër,  kërkohet bonus për blerje

Sipas Auto Schweiz, që nga fillimi i vitit 2026, modelet plotësisht elektrike (BEV) dhe hibridët me karikim (PHEV) janë në një trajektore rritjeje. Një e treta e automjeteve të reja të regjistruara këtë vit janë “plug-in,” pra elektrike ose hibride që mund të karikohen në stacione. Shitjet e makinave me naftë kanë rënë mbi një të katërtën krahasuar me vitin e kaluar, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, zëdhënësi Frank Keidel paralajmëron se regjistrimet e marsit nuk mund t’i atribuohet luftës në Iran, pasi procesi i blerjes së një makine merr kohë, edhe për automjetet që janë në stok.

Kërkesa për bonusin e blerjes

Këshilltarja kombëtare SP, Gabriela Suter, propozon një stimul financiar për të inkurajuar kalimin në automjetet elektrike. Bonusin, që ende nuk është specifikuar në vlerë, do ta financojnë gjobat që industria automobilistike paguan për mosarritjen e objektivave të CO2. Ky premium do të ishte kryesisht për zëvendësimin e makinave të vjetra, mbi dhjetë vjeç. Këshilli Federal ende nuk ka dhënë koment mbi propozimin.

Qëndrimi i Auto Schweiz

Asociacioni i importuesve të mëdhenj të makinave refuzon qartë subvencionin. Sipas Frank Keidel, një bonus mund të shkaktojë një bum të përkohshëm, por efektet negative, si ulja e vlerës së mbetur të makinave dhe pasiguria pas heqjes së subvencioneve, tejkalojnë përfitimet.

BMW prezanton 7 modele të reja për vitin 2026

Edhe pse BMW nuk arriti të thyente rekordin e saj të shitjeve vitin e kaluar, kompania dërgoi gjithsej 2,169,739 automjete globalisht — vetëm rreth 83,000 më pak se rekordi i vendosur në vitin 2023.

Pavarësisht kësaj, BMW mbeti lider i qartë në segmentin e makinave luksoze, duke kaluar rivalët e saj kryesorë, Mercedes dhe Audi, dhe duket e vendosur për një vit të suksesshëm përpara.

Dyqani online i BMW-së ka zbuluar pa dashje disa nga modelet që do të arrijnë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë emra të njohur dhe disa surpriza të reja. Disa prej tyre mund të mos jenë të disponueshme deri në vitin 2027, por zbulimi i tyre tashmë ka ngritur pritshmëritë.

Lista e modeleve që pritet të prezantohen ose janë tashmë të njohura përfshin:

BMW i3: Electric 3

BMW iX3

BMW 7 Series

BMW X5

BMW 3 Series

BMW M2

BMW iX4

Ky është një hap tjetër i BMW-së drejt zgjerimit të gamës së saj elektrike dhe të performancës së lartë, duke forcuar pozitën në tregun global të automobilave luksoze.

Rregullat e reja të parkimit të Migros shkaktojnë konfuzion te klientët

Në Bazel, një klient i Migros, Hanspeter Rieder, është përballur me një faturë prej 61 frangash për parkim, pas hyrjes në sistemin e ri të parkimit pa barriera. Sistemi funksionon me kamera që skanojnë targën e makinës dhe kërkon pagesën paraprakisht.

Rieder thotë se nuk kishte marrë njoftime për ndryshimin e rregullave dhe se mendoi se nuk duhej të paguante, pasi barriera ishte ngritur si më parë. Ai e konsideron faturën “abuzive”, duke theksuar se tarifat administrative janë më të shtrenjta se një gjobë normale parkimi.

Migros thekson se sistemi është i shënuar në hyrje dhe se shumica e klientëve nuk kanë probleme, ndërsa kompania Mobility Hub Parkservice promovon sistemin për shkak të dukshmërisë së ulët të tij. Megjithatë, disa klientë e kritikojnë mungesën e informacionit të qartë mbi ndryshimet e reja.

Çfarë kërkojnë shqiptarët në Google?

Kërkimet në internet, ose siç njihen ndryshe “search” në Google, janë një tregues i rëndësishëm për të kuptuar se cilat tema janë më në fokus dhe për çfarë informacioni njerëzit kanë më shumë kureshtje. Por cilat kanë qenë ngjarjet apo temat që shqiptarët kanë kërkuar më shumë nga zhvillimet botërore?

Sipas të dhënave të Google Trends, përveç interesit për programet televizive dhe personazhet shqiptare, përdoruesit në Shqipëri kanë treguar kureshtje të madhe edhe për zhvillimet ndërkombëtare. Veçanërisht vëmendje ka marrë situata përtej kufijve, sidomos zhvillimet që lidhen me luftën në Lindjen e Mesme, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave nga Google Trends, gjatë muajit të fundit një nga temat që ka tërhequr më shumë vëmendjen e përdoruesve në Shqipëri ka qenë çmimi i naftës. Interesi për këtë temë është rritur ndjeshëm, duke treguar se një pjesë e mirë e qytetarëve kanë ndjekur me kujdes zhvillimet ndërkombëtare dhe ndikimin që ato mund të kenë në tregun e karburanteve. Kërkimet për këtë term janë shtuar gradualisht në fund të muajit mars, veçanërisht rreth datës 26 mars, ndërsa kulmi i interesit është regjistruar më 8 prill, kur indeksi i kërkimeve në Google arriti nivelin maksimal 100.

Një tjetër term që ka dominuar kërkimet është Irani, i cili rezulton të jetë ndër fjalët më të kërkuara gjatë kësaj periudhe. Të dhënat tregojnë disa kulme të dukshme të interesit më 12 dhe 15 mars, ndërsa edhe gjatë muajit prill kërkimet kanë mbetur relativisht të larta.

Interes të konsiderueshëm ka pasur edhe për Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme strategjike për transportin e naftës në botë. Kërkimet për këtë ngushticë kanë qenë veçanërisht të larta gjatë ditëve të para të muajit prill, duke reflektuar shqetësimin e publikut për ndikimin që tensionet në rajon mund të kenë në tregjet globale të energjisë.

Në të njëjtën kohë, përdoruesit shqiptarë kanë kërkuar informacion edhe për zhvillimet ushtarake, përfshirë raketat dhe armët e përdorura në konflikt, me një rritje të dukshme të interesit në ditët e para të përshkallëzimit të tensioneve. Paralelisht, një “boom” kërkimesh është regjistruar edhe për presidentin e SHBA, Donald Trump, sidomos pas deklaratës së tij të fundit publike që ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në media dhe rrjete sociale.

Ndërkohë, edhe zhvillimet që lidhen me Izraelin kanë gjeneruar interes të lartë në motorin e kërkimit, me një rritje të dukshme të kërkimeve rreth 22 marsit dhe në momentet kur tensionet me Iranin janë intensifikuar.

Pse ndryshojnë çmimet nga dita në ditë në Booking.com?

Çmimet në platformën e rezervimeve Booking.com shpesh ndryshojnë për shkak të disa faktorëve kryesorë, duke krijuar konfuzion te përdoruesit.

Një arsye kryesore është komisioni që platforma u merr hoteleve, i cili arrin rreth 12% të çmimit të rezervimit. Për ta mbuluar këtë kosto, shumë hotele rrisin çmimet në Booking.com krahasuar me rezervimet direkte në faqet e tyre zyrtare.

Një tjetër faktor janë programet dhe shërbimet shtesë që Booking ofron për hotelierët. Hotelet që paguajnë komision më të lartë shfaqen më lart në rezultate kërkimi, ndërsa zbritjet për përdoruesit (si ato për telefon ose për klientët besnikë në programin “Genius”) financohen nga vetë hotelet.

Po ashtu, çmimet ndikohen nga sezonaliteti, kërkesa dhe ofertat e minutës së fundit. Kjo bën që ato të ndryshojnë vazhdimisht – një praktikë e njohur si “çmim dinamik”.

Ekspertët këshillojnë që përdoruesit të krahasojnë çmimet, të kontrollojnë ofertat në pajisje të ndryshme dhe, në disa raste, të kontaktojnë direkt hotelin për të siguruar një ofertë më të mirë.

Universitetet franceze rikthejnë shkrimin me dorë

Disa universitete franceze po ndalojnë përdorimin e kompjuterëve gjatë ligjëratave, duke u kthyer te metodat tradicionale të shënimeve me dorë. Sipas specialistëve të gjuhësisë, shkrimi manual ndihmon në përvetësimin dhe kuptimin më të mirë të informacionit, megjithatë ky vendim nuk bind të gjithë studentët.

Studime të fundit kanë treguar se shënimi me dorë përmirëson memorien afatgjatë dhe nxit kuptimin. “Shkruajti gjithçka është e pamundur; studentët duhet të zgjedhin, reformulojnë dhe përmbledhin informacionin,” shpjegon Atheena Johnson, PhD në gjuhësi të aplikuar në Universitetin Paris Nanterre.

“Do të përdorim çdo truk për të gjetur shënimet tona më vonë, dhe gjatë ripërsëritjes bëhen lidhjet. Ky proces lejon mbajtjen e informacionit në memorie afatgjatë,” tha ajo në programin e mëngjesit të RTS të enjten. Sipas saj, kjo kërkim për kuptim stimulon aftësitë analitike të studentëve.

Nga ana tjetër, shënimi në tastierë shpesh përqendrohet në transkriptim fjalë për fjalë. Ai lejon regjistrimin e saktë të të gjitha të dhënave, por studentët që përdorin tastierën “përgjigjen më pak efektivisht ndaj pyetjeve analitike,” thotë Johnson.

Nevoja për kontroll

Johnson nuk dënon përdorimin e kompjuterëve, por thekson se shënimi në tastierë është efektiv vetëm nëse zotërohet teknikisht. “Kur shikojmë tastierën dhe ekranin njëkohësisht, fokusimi shpesh humbet. Zotërimi i teknikës ndihmon të zhvillohen aftësi të larta si planifikimi, transkriptimi dhe ripërsëritja,” shpjegon ajo.

Tableta: kompromisi ideal?

Sara Cotelli, pedagoge në Universitetin e Neuchâtel, thotë se tableta me stilolaps mund të ofrojë zgjidhjen më të mirë: “Lejon shënim me dorë dhe gjithashtu ka avantazhet e një kompjuteri. Mund të shtosh informacion lehtësisht dhe të ruash shënimet dixhitale pa humbur ato. Është ndoshta zgjidhja më e mirë e të dy botëve.”

Megjithatë, ajo është skeptike për përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptim automatik. “Studentët mendojnë se kur përdorin AI kursen kohë, por në fakt ata thjesht shtyjnë procesin e të mësuarit,” shpjegon Cotelli.

Shënimi manual mund të shërbejë gjithashtu si ushtrim për provimet e shkrimit.

Situata në Zvicrën frankofone

Në Zvicrën frankofone, studentët kanë të drejtë të zgjedhin mënyrën e shënimit. Shënimi me dorë rekomandohet, por nuk është i detyrueshëm. Në Neuchâtel, ku studentët e vitit të parë mund të ndjekin një kurs gjatë verës, Sara Cotelli vëren rezistencë: “Disa studentë janë jashtëzakonisht të frustruar që nuk mund të përdorin kompjuterin.” Megjithatë, shumë studentë vijnë në klasë me laptopët e tyre.

Pse çmimet e naftës dhe gazit mund të mos ulen

Pavarësisht rënies së madhe të çmimeve të naftës pasi SHBA-ja dhe Irani konfirmuan një armëpushim dyjavor, Evropa mund të mos marrë ende frymë lehtësisht për shkak të ndikimit afatgjatë mbi furnizimet me energji, nga të cilat blloku varet shumë.

Lufta me Iranin dhe mbyllja de facto e Ngushticës së Hormuzit kanë shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut global të naftës, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA). Sulmet ndaj impianteve në Gjirin Persik pritet të kenë një ndikim shumëvjeçar mbi furnizimin me gaz, raporton Euronews, transmeton albinfo.ch.

Evropa preket ndjeshëm, edhe pse siguron vetëm një pjesë të vogël të naftës dhe gazit të saj drejtpërdrejt përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila ishte vënë praktikisht nën kontroll dhe ishte bllokuar në pjesën më të madhe nga forcat iraniane deri në armëpushim.

Hapja e ngushticës ishte një pjesë e panegociueshme e armëpushimit, pasi kjo pikë kyçe është thelbësore për dërgesat globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Në vitin 2025, pothuajse 15 milionë fuçi naftë bruto në ditë kaluan përmes ngushticës, thotë IEA. Nga kjo sasi, rreth 600 mijë fuçi në ditë, ose vetëm 4%, u drejtuan për në Evropë, krahasuar me nevojat ditore të BE-së prej 13 milionë fuçish, shkruan Monitor.

Megjithatë, një rënie e shpejtë e çmimeve të karburantit në Evropë nuk ka gjasa, edhe nëse pas armëpushimit do të arrihej një marrëveshje paqeje.

“Edhe nëse ajo paqe vjen nesër, sërish ne nuk do të kthehemi te normaliteti në një të ardhme të parashikueshme”, tha javën e kaluar Komisioneri i Energjisë i BE-së, Dan Jørgensen.

Si po ndikojnë çmimet globale te importet evropiane

BE-ja importon 80 deri në 85% të naftës së saj, sipas Eurostat, nga një gamë e gjerë furnizuesish. SHBA-ja është më e madhja, duke përbërë 15.1% sipas vlerës, e ndjekur nga Norvegjia dhe Kazakistani.

Pjesa më e madhe e tregtisë globale të naftës bruto çmimohet kundrejt Brent, standardit kryesor ndërkombëtar të referencës.

Çmimet për dorëzimet e muajit të ardhshëm u rritën nga 72 deri në 73 dollarë për fuçi para luftës në gati 120 dollarë në kulm, përpara se të bihej dakord për armëpushimin. Edhe pas armëpushimit, çmimi ishte rreth 93 dollarë të mërkurën.

Edhe çmimet evropiane të gazit janë rritur që prej 28 shkurtit, kur nisi lufta. Kontratat e së ardhmes u rritën në 50 euro për MWh nga rreth 35.5 euro para luftës, duke arritur kulmin në 61.93 euro/MWh më 19 mars. Çmimi u stabilizua rreth 44 euro/MWh të mërkurën, pas armëpushimit.

Si arrijnë çmimet globale te konsumatorët evropianë

Në shumë vende evropiane, çmimet e energjisë elektrike përcaktohen nga burimi më i shtrenjtë, që shpesh është gazi.

“Rritja e çmimeve të gazit ndikon në faturat e energjisë në Britani dhe në Evropë si përmes kostos së drejtpërdrejtë të gazit, ashtu edhe përmes rritjes së kostos së prodhimit të energjisë elektrike nga centralet me gaz”, tha Ethan Tillcock, specialist i ICIS për gazin në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, i cili foli me Euronews Business para armëpushimit.

Kontratat fikse dhe mbështetja qeveritare mund ta vonojnë ose ta zbusin ndikimin. Në Gjermani, çmimet me shumicë të gazit të lidhura me TTF ndikojnë te çmimet e energjisë elektrike me rreth 40% dhe te çmimet e gazit për familjet me afërsisht 50 deri në 60%, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga taksat, tarifat e rrjetit dhe kostot e politikave.

Për naftën, banka qendrore e Francës vlerëson se një rritje prej 1% e çmimeve të karburanteve të rafinuara sjell rreth 0.75% rritje të çmimeve të karburanteve para taksave dhe rreth 0.3% rritje të çmimit në pompë, në varësi të taksave.

Një rritje prej 10 dollarësh në çmimin e naftës bruto shton afërsisht 3 deri në 6 eurocent për litër për konsumatorët evropianë, në varësi të sistemeve tatimore kombëtare. Edhe kurset e këmbimit kanë rëndësi: meqë nafta kuotohet në dollarë amerikanë, një euro më e dobët i rrit kostot edhe nëse çmimet bazë të referencës mbeten të pandryshuara.

Për të kufizuar rritjen e çmimeve, ministrat nga Italia, Gjermania, Spanja, Portugalia dhe Austria i kanë kërkuar BE-së të shqyrtojë vendosjen e një takse mbi fitimet e tepërta në energji.

Çfarë duhet të ndodhë që çmimet të bien

Evropa ka disa mjete për të zbutur presionin, përfshirë rezervat strategjike, pjesë e 400 milionë fuçive të IEA-s, si edhe masa kombëtare si ulje taksash, subvencione dhe racionim.

Megjithatë, “këto mund ta zbusin situatën vetëm përkohësisht”, tha Andrei Covatariu, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën Globale të Energjisë të Atlantic Council, i cili foli me Euronews Business para armëpushimit.

IEA vlerëson se vendet e Gjirit kanë ulur prodhimin e naftës me të paktën 10 milionë fuçi në ditë për shkak të ndërprerjes, rreth 10% e kërkesës globale.

Por furnizimi fizik është vetëm një pjesë e historisë. Edhe pasiguria luan rol. Ekziston “një prim i madh rreziku i nxitur nga pasiguria, por ne po vërejmë gjithashtu një ndërprerje të madhe reale në rrjedhat dhe prodhimin, ndaj nuk kemi të bëjmë me një treg të nxitur vetëm nga faktorë psikologjikë”, tha Covatariu.

 

Qyteti zviceran në mesin e pesë qyteteve me jetëgjatësinë më të lartë

Një raport i marsit 2026 mbi jetëgjatësinë dhe plakjen e shëndetshme zbuloi se Bergeni, në Norvegji, është qyteti ku njerëzit kanë mundësitë më të mira për të arritur moshën 100-vjeçare.

Ndërsa jetëgjatësia po kalon 80 vjet në vendet e zhvilluara, një studim i ri nga World Depopulation, një mjet global i analizës demografike, zbulon qytetet e reja të Zonës Blu, zonat urbane ku banorët kanë gjasat më të larta për të jetuar përtej moshës 100 vjeç, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

Bergeni, në Norvegji, është vendi ku keni më shumë gjasa të arrini 100-vjetorin, pasi qyteti ofron ushqim të freskët, ajër të pastër dhe një nga cilësitë më të larta të jetesës në Evropë.

Njerëzit në Canberra kanë një nga jetëgjatësitë më të larta, duke jetuar deri në 84 vjet, pasi shumica e të moshuarve mbi 70 vjeç mbeten fizikisht aktivë, ndërsa më pak se 8% e të rriturve pinë duhan.

Qytetet franceze dominojnë renditjen e jetëgjatësisë, me Nantes, Grenoble dhe gjashtë vende të tjera që renditen në 20 vendet më të shëndetshme për të jetuar.

Studimi analizoi 100 qytete në mbarë botën për të gjetur se ku njerëzit kanë mundësitë më të mira për të jetuar deri në 100 vjeç.

Raporti kombinoi dy matës urbanë, renditjen e cilësisë së jetës dhe kushtet mjedisore, me pesë faktorë kombëtarë të shëndetit: jetëgjatësinë, normat e duhanpirjes, nivelet e obezitetit, standardet e sigurisë ushqimore dhe sa aktivë mbeten njerëzit mbi 70 vjeç.

Qytetet morën më shumë pikë kur ofronin kushte më të shëndetshme dhe standarde më të mira jetese, ndërsa ndodheshin në vende ku njerëzit jetojnë më gjatë.

10 qytetet ku keni më shumë gjasa të jetoni deri në 100 vjeç:

Bergen, Norvegji

Renditja për cilësinë e jetës: vendi i 4-t në botë

Renditja për mjedisin: vendi i 15-të në botë

Jetëgjatësia kombëtare: 83.76 vjet

Pikët për cilësinë dhe sigurinë ushqimore: 60.4

Mungesa e aktivitetit fizik mes të rriturve 70+: 47%

Rezultati i jetëgjatësisë: 88.87

Bergeni është qyteti ku keni më shumë gjasa të jetoni deri në 100 vjeç. Njerëzit aty jetojnë mesatarisht 84 vjet, pasi qyteti renditet i 4-ti në botë për aksesin në kujdesin shëndetësor, shërbimet publike dhe kushtet e përgjithshme të jetesës.

Bergeni është gjithashtu një qytetet me ajrin më të pastër mes qyteteve të mëdha, duke u renditur në vendin e 15-të për cilësinë e ajrit dhe mjedisin natyror. Më pak se 1 në 16 të rritur pinë duhan, një nga normat më të ulëta kudo, gjë që natyrshëm ndihmon në një jetëgjatësi më të lartë.

Canberra, Australi

Canberra renditet e dyta si një tjetër qytet i Zonës Blu. Njerëzit aty kanë një nga jetëgjatësitë më të larta, duke jetuar përtej 84 viteve, pasi shumica e të moshuarve mbi 70 vjeç mbeten fizikisht aktivë, ndërsa më pak se 8% pinë duhan.

Qyteti renditet gjithashtu i dyti në botë për cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturën publike, duke mbetur pas vetëm Grenoble.

Standardet e sigurisë ushqimore janë gjithashtu të larta, me 61 pikë në indeks, çka do të thotë se banorët mund të kenë gjithmonë qasje te prodhimet e freskëta dhe të përgatisin vakte ushqyese gjatë gjithë jetës së tyre.

Nantes, Francë

Nantes zë vendin e tretë në renditjen e jetëgjatësisë. Njerëzit atje jetojnë mesatarisht pothuajse 84 vjet, pasi qyteti renditet i 10-ti në botë për kujdesin shëndetësor dhe shërbimet publike.

Ajo që e veçon Nantesin, dhe Francën në përgjithësi, është cilësia e ushqimit, pasi vendi merr 69 pikë për standardet e sigurisë, rreth 8 pikë më shumë se Norvegjia.

Me 56% të të moshuarve që mbeten fizikisht aktivë dhe obezitetin që prek vetëm 10% të popullsisë, normën më të ulët mes qyteteve të mëdha, Nantes u jep banorëve të tij çdo mundësi për një plakje të shëndetshme.

Grenoble, Francë

Grenoble renditet i katërti, ndërsa mban vendin e parë në botë për cilësinë e jetës. Qyteti alpin ofron kushtet më të mira të jetesës mes 100 qyteteve të studiuara, nga qasja në kujdesin shëndetësor deri te shërbimet publike.

Si rezultat, njerëzit atje jetojnë mesatarisht pothuajse 84 vjet. Një tjetër arsye për jetëgjatësinë e banorëve është ushqimi i freskët, pasi Franca në përgjithësi renditet lart në indeksin e standardeve ushqimore me 69 pikë.

Me obezitetin që prek gjithashtu vetëm 1 në çdo 10 shtetas francezë, banorët e Grenoble kanë shumë mundësi për të arritur 100 vjeç.

Bern, Zvicër

Berna plotëson pesëshen e parë, pasi njerëzit aty jetojnë përtej 84 viteve, një nga jetëgjatësitë më të larta të regjistruara në studim.

Qyteti renditet i 3-ti në botë për cilësinë e kujdesit shëndetësor, ndërsa vetë Zvicra ka vlerësimet më të larta për sigurinë ushqimore me 77 pikë, madje më shumë se Franca.

Mbi 60% e të moshuarve ushtrohen rregullisht, çka ndihmon që obeziteti të mbetet në vetëm 12.5%, ndër normat më të ulëta në Evropë. Dhe edhe pse 1 në 5 të rritur pinë duhan, kushtet e favorshme urbane u japin sërish banorëve të Bernës shanse të larta për të arritur statusin e njëqindvjeçarit.

Një studiues i jetëgjatësisë nga World Depopulation komentoi mbi studimin: “Një gjë që nuk na habiti fare ishte sa dobët u paraqitën qytetet amerikane. San Jose u rendit në vendin e 37-të pavarësisht se ndodhet në Silicon Valley me gjithë atë pasuri. Problemi është konteksti më i gjerë kombëtar. Amerikanët kanë një normë obeziteti 42% dhe një jetëgjatësi shumë më të shkurtër se europianët ose australianët.

Edhe nëse jetoni në qytetin më të shëndetshëm amerikan, sërish jeni pjesë e një kulture ushqimore dhe një sistemi shëndetësor që e bëjnë shumë më të vështirë kalimin përtej moshës 80 dhe 90 vjeç, krahasuar me Evropën.”

Anketa: Zvicra kundër shkurtimeve të mëtejshme fondeve të ndihmës për zhvillim

Popullsia zvicerane është kundër shkurtimeve të mëtejshme të fondeve të ndihmës për zhvillim, sipas një ankete të kryer nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Cyrih.

Shumica e 4,305 personave të anketuar nuk do të mbështesnin shkurtimet as për të ridrejtuar fondet në mbështetjen e Ukrainës.

Rreth 77% e të anketuarve besojnë se shpenzimet publike për bashkëpunimin zhvillimor duhet të mbeten të pandryshuara ose edhe të rriten. Kundër shkurtimeve nuk janë vetëm ata të së majtës politike, por edhe shumica e atyre të së djathtës (58%).

Të anketuarit kërkojnë gjithashtu që vendet e Afrikës Sub-Sahariane të mos penalizohen. Në veçanti, 49% kundërshtojnë uljen e fondeve të alokuara për këtë rajon me qëllim rritjen e ndihmës për Ukrainën. Rreth 32% nuk ​​shprehin një mendim, ndërsa vetëm 19% e mbështesin këtë mundësi.

Kredia 2025-2028 e miratuar nga parlamenti për uljen e varfërisë dhe bashkëpunimin për zhvillimin ekonomik është pothuajse 1.5 miliardë CHF më pak se sa u kërkua fillimisht nga Këshilli Federal – një ulje prej 18%.

Në total, kredia arrin në 11.1 miliardë CHF. Zvicra ka rezervuar rreth 14% të fondeve për Ukrainën.

Zvicra nuk po bën mjaftueshëm me masat për të luftuar ngrohjen globale

Masat e ndërmarra nga Zvicra për të luftuar ngrohjen globale janë ende të pamjaftueshme për të arritur objektivat e ligjit, vëren një grup ekspertësh nga Akademia Zvicerane e Shkencave Natyrore (SCNAT), në një raport të publikuar të enjten.

Ulja e emetimeve të gazrave serrë po shkon në drejtimin e duhur, por aktualisht është shumë e ngadaltë për të qenë në përputhje me objektivat që Zvicra i ka vendosur vetes, vëren Gian-Kasper Plattner i Institutit Federal për Kërkime Pyjore, Bore dhe Peizazhi.

Megjithatë, teknologjitë e dekarbonizimit janë aty, vazhdon shkencëtari. Ky i fundit beson se ka potencial për përmirësim, për shembull, në sektorin e ndërtimit, si dhe në sistemet e ngrohjes. Konfederata dhe kantonet mund të veprojnë përmes rregulloreve, stimujve financiarë, heqjes së subvencioneve për lëndët djegëse fosile, propozon raporti, raporton RTS.

Përveç kësaj, qendra financiare zvicerane, me vëllimet e saj të mëdha të kapitalit, sipas njoftimit për shtyp të SCNAT, do të kishte një rol kyç për të luajtur. Mund të bënte “shumë më shumë” angazhime për mbrojtjen e klimës dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Ky raport i ri vjen pas një raporti të mëparshëm të publikuar në vitin 2016. Në dhjetë vjet, njohuritë janë rafinuar. Shkencëtarët kanë një kuptim më të mirë të ngjarjeve ekstreme të shkaktuara nga ndryshimi i klimës dhe si t’u përgjigjen atyre, transmeton albinfo.ch.

“Ne e dimë se çfarë funksionon, por gjithashtu jemi bërë të vetëdijshëm për kufizimet që nuk i shihnim disa vite më parë”, thotë Sonia Seneviratne, profesoreshë në Shkollën Politeknike Federale të Cyrihut dhe nënkryetare e grupit të punës. Kufizime që mund të jenë financiare, teknike ose sociale.

Në raportin e tyre, shkencëtarët vërejnë “atë pjesë” të arritjes së objektivave klimatike të Zvicrës bazohet “në blerjen e krediteve të emetimeve të huaja”. Me fjalë të tjera, Zvicra kompenson emetimet e veta duke financuar projekte të zhvillimit të qëndrueshëm jashtë vendit.

Zvicra është një nga vendet e pakta që përdor këtë mekanizëm, së bashku me Japoninë dhe Korenë e Jugut, vëren Anthony Patt. Megjithatë, në sytë e profesorit në ETH në Cyrih, kjo është një politikë afatshkurtër. “Në planin afatgjatë, të gjitha vendet do të duhet të kenë ulur emetimet e tyre.”

Objektivat klimatike të Zvicrës përfshijnë përgjysmimin e emetimeve të gazrave serrë deri në vitin 2030 dhe neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit i solli Rusisë miliarda dollarë fitime

Mbyllja de facto e Ngushticës së Hormuzit po i sjell Rusisë të ardhura shtesë prej mbi dhjetë miliardë eurosh në muaj nga eksporti i naftës, gazit dhe plehrave, sipas vlerësimeve të Dhomës Gjermano-Ruse të Tregtisë së Jashtme. “Në këtë mënyrë, Rusia është përfituesja më e madhe e luftës në Lindjen e Mesme”, tha Kryetari i dhomës, Matthias Schepp, për agjencinë e lajmeve DPA.

Rusia po përfiton nga rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, pasi po eksporton nëpërmjet rrugëve të tjera. E gjithë kjo mund t’i sjellë vendit “të ardhura të mëdha të papritura”, tha Schepp, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Çmimet e naftës po rritet – Rusia po fiton

Ndikimi i çmimeve të larta të naftës është veçanërisht i rëndësishëm. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent tejkaloi 111 dollarë për fuçi në fillim të javës. Kjo është pothuajse 40 dollarë më shumë se para luftës.

Kjo është me rëndësi të madhe për buxhetin rus, sepse varet shumë nga të ardhurat nga nafta dhe gazi. Para luftës në Iran, çmim shkoi deri në 59 dollarë për fuçi. Rusia shënoi madje një deficit për shkak të çmimeve më të ulëta të naftës.

Me një çmim prej 100 dollarësh për fuçi, Rusia do të marrë edhe dhjetëra miliarda, parashikon Dhoma Gjermano-Ruse e Tregtisë së Jashtme. Vetëm nga nafta dhe gazi, në nivelet aktuale të çmimeve, janë të mundshme të ardhura shtesë prej rreth 50 miliardë dollarësh në vit.

Dhoma Gjermano-Ruse e Tregtisë së Jashtme pret të ardhura më të mëdha për Rusinë edhe nga plehrat. Skenari mesatar parashikon deri në 8.9 miliardë euro më shumë.

Financimi i luftës

Shtimi i eksportit ndikon në financimin e luftës në Ukrainë. Dhoma Gjermano-Ruse e Tregtisë së Jashtme thekson se me të ardhurat nga lëndët e para, Rusia financon luftën e saj ofensive në Ukrainë. Në Moskë, shpresojnë se çmimet do të shkojnë deri në 200 dollarë për fuçi. Në këtë rast, të ardhurat do të arrinin në 350.4 miliardë dollarë – përkatësisht, 247 miliardë dollarë më shumë se shuma e buxhetuar.

Me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, shumë vende po importojnë ndjeshëm më pak lëndë të para ruse, por tregtia normale vazhdon me shumë të tjera dhe përmes rrugëve të tjera.