22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Në Tiranë ka nisur Samiti i IV-të i Diasporës, i cili po zhvillohet nga data 13 deri më 15 prill, nën logon “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke mbledhur përfaqësues të diasporës shqiptare nga e gjithë bota, shkruan albinfo.at.

Samiti ka bërë bashkë institucione shtetërore, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë këtyre ditëve janë paraparë të zhvillohen gjithsej 18 panele diskutimi, të cilat do të trajtojnë tema të rëndësishme si bashkëpunimi ekonomik, investimet e diasporës, turizmi, arsimi, inovacioni, digjitalizimi, si dhe ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor.

Në ceremoninë e hapjes që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi disa personalitete të diasporës shqiptare për kontributin e tyre.

Pjesë e këtij samiti janë edhe 22 afaristë të suksesshëm shqiptarë nga Austria, të udhëhequr nga kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, Yll Blakaj.

Në delegacionin nga Austria bëjnë pjesë edhe emra të njohur të komunitetit të biznesit si Hamdi Krasniqi, Arben Myftari, Avdi Rugova, Ardit Zendeli, Shiqeri Emrllahu, si dhe shumë afaristë të tjerë që po përfaqësojnë potencialin ekonomik të diasporës shqiptare në Austri.

Pjesëmarrja e tyre në Samitin e Diasporës shihet si një mundësi e rëndësishme për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe për nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri dhe rajon./Albinfo.at

Të shtëna me armë zjarri në një shkollë në Turqi, plagosen 16 persona

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Turqi, ku të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar brenda një shkolle fillore në qytetin e Şanlıurfa, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave turke, një person i ri është futur në ambientet e shkollës dhe ka hapur zjarr me armë zjarri, duke shkaktuar panik mes nxënësve dhe stafit të shkollës. I dyshuari raportohet të jetë rreth 17–18 vjeç, ndërsa nga të shtënat janë plagosur rreth 16 persona.

Të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve për trajtim mjekësor. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet speciale të policisë turke si dhe ekipet e ambulancës, të cilat po ofrojnë ndihmën e parë për të lënduarit.

Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë momente paniku, ku nxënësit shihen duke vrapuar jashtë objektit të shkollës për t’u larguar nga rreziku.

Sipas raportimeve fillestare, i dyshuari pas kryerjes së sulmit dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Kurti me lëvdata për filmin “Dua” me premierë botërore në Kanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se filmi i metrazhit të gjatë “Dua” është përzgjedhur në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique” në kuadër të Festivalit të Filmit në Kanë, ku do të ketë edhe premierën e tij botërore, transmeton albinfo.ch.

Filmi “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, është përfshirë në një nga seksionet më konkurruese të festivalit, duke shënuar një tjetër moment historik për kinematografinë kosovare në arenën ndërkombëtare.

Kurti ka vlerësuar se Basholli, pas suksesit të madh me filmin “Zgjoi”, po vazhdon të përfaqësojë denjësisht Kosovën në botën e filmit, duke sjellë projekte të fuqishme artistike që po marrin vëmendje në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Kjo përzgjedhje konsiderohet edhe më e rëndësishme pasi është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në “Semaine de la Critique”, ku “Dua” do të garojë për katër çmime kryesore.

Në reagimin e tij, Kurti ka theksuar edhe mbështetjen institucionale dhe ndërkombëtare që ka marrë filmi, duke përmendur se ai është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, si dhe Cineforom.

Filmi “Dua” pritet të jetë një nga projektet më të rëndësishme të këtij edicioni në Cannes, duke sjellë edhe një herë në fokus potencialin dhe zhvillimin e kinemasë kosovare./Albinfo.ch

Kaos në aeroportet evropiane nga sistemi i ri kufitar, radhë të gjata dhe vonesa për mijëra udhëtarë

Mijëra udhëtarë jashtë Bashkimit Evropian po përballen me radhë të gjata, vonesa të mëdha dhe në disa raste edhe anulime fluturimesh në shumë aeroporte evropiane, si pasojë e zbatimit të sistemit të ri kufitar Entry/Exit System (EES) të Bashkimit Evropian, transmeton albinfo.ch.

Sistemi i ri parasheh që udhëtarët nga vendet jashtë zonës Shengen, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, të regjistrohen përmes të dhënave biometrike gjatë hyrjes dhe daljes nga territori i BE-së. Kjo përfshin gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës, procedurë që po zgjat kohën e kontrollit në pikat kufitare.

Gjatë fundjavës janë raportuar radhë të gjata dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore evropiane, përfshirë Gjenevën, Lisbonën dhe Maltën, ndërsa probleme janë shënuar edhe në Bruksel dhe në disa aeroporte të Holandës.

Sipas raportimeve, situata ka vazhduar edhe në ditët në vijim, me udhëtarë në aeroportin e Brukselitdhe në Schiphol të Amsterdamit që kanë raportuar pritje deri në dy orë vetëm në kontrollin e pasaportave.

Zbatimi i këtij sistemi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të forcuar sigurinë dhe për të kontrolluar më saktë hyrjet dhe daljet e qytetarëve nga vendet e treta, por në ditët e para të implementimit, ai po krijon ngarkesë të konsiderueshme dhe shqetësime për udhëtarët në të gjithë Evropën./Albinfo.ch

Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te memoriali Heroinat

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe pranë memorialit “Heroinat”, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ata u shoqëruan nga dy prej të mbijetuarve, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Ramadan Nishori, si dhe nga aktivistja për të drejtat e të mbijetuarve Feride Rushiti, duke përcjellë një mesazh solidariteti dhe respekti për sakrificën dhe dinjitetin e viktimave.

14 prilli është shpallur zyrtarisht si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një vendim që synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të nxisë ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë plagë të rëndë të luftës.

Gjatë homazheve, Haxhiu theksoi rëndësinë e drejtësisë për të mbijetuarit, duke bërë të ditur se së fundmi janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Kemi tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin e formës së prerë”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Ajo shtoi se vajzat dhe gratë, djemtë dhe burrat që kanë mbijetuar këtë dhunë, janë dëshmi se institucionet e Kosovës kanë ende shumë punë për të bërë, sidomos në adresimin e drejtësisë dhe përgjegjësisë institucionale.

“Kemi shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Kosovës, sidomos në adresimin e drejtësisë”, theksoi Haxhiu.

Memoriali “Heroinat” në Prishtinë është një simbol i fuqishëm i rezistencës dhe dinjitetit të të mbijetuarve, duke kujtuar vuajtjet e tyre dhe duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës./Albinfo.ch

Miss Amerika 2025 merr pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë

Shqiptarja Samantha Shkreli Sarelli, e njohur për sukseset e saj në skenën e bukurisë dhe humanizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar nga Amerika në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur praninë e saj përmes një postimi në rrjete sociale, ku shprehu mirënjohje për ftesën dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme.

“Mirënjohëse që ndodhem këtu në Tiranë për ditën 1 të Samitit të Diasporës Shqiptare të ftuar nga Kryeministri Edi Rama! Faleminderit shumë për ftesën, jam e nderuar që jam këtu!”, ka shkruar Sarelli.

Samantha Shkreli Sarelli është shpallur Miss Amerika 2025 vitin e kaluar, duke fituar titullin prestigjioz “The Miss Globe USA 2025”, një arritje që e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes në botën e modës dhe bukurisë.

Ajo është gjithashtu e njohur edhe për titullin që mbante në vitin 2020, “Former Miss Connecticut Teen USA”, duke dëshmuar një rrugëtim të qëndrueshëm dhe ambicioz në karrierën e saj.

Me pjesëmarrjen në Samitin e Diasporës, Samantha Shkreli Sarelli i bashkohet figurave të tjera të suksesshme të diasporës shqiptare, duke sjellë një shembull frymëzues për të rinjtë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Samantha Shkreli Sarelli (Facebook)

Blerta Basholli i sfidoi 1050 filma nga 106 vende të botës

Regjisorja kosovare Blerta Basholli ka shënuar një tjetër sukses të madh ndërkombëtar, pasi filmi i saj më i ri, “Dua”, është përzgjedhur për të pasur premierën botërore në Festivalin e Filmit në Cannes, transmeton albinfo.ch.

Filmi do të shfaqet në seksionin prestigjioz “Semaine de la Critique”, ku do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.

Ky sukses merr edhe më shumë peshë duke ditur se për këtë seksion kanë aplikuar gjithsej 1050 filma nga 106 vende të botës, ndërsa përzgjedhja e “Dua” dëshmon për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik të projektit të Bashollit.

Përfshirja në “Semaine de la Critique” konsiderohet një nga arritjet më të rëndësishme për një film të metrazhit të gjatë, pasi ky seksion i Cannes promovon zëra të rinj dhe projekte të veçanta me potencial të madh ndërkombëtar.

Me këtë përzgjedhje, Blerta Basholli konfirmon edhe një herë pozitën e saj si një nga emrat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së skenës botërore të filmit./Albinfo.ch

Edhe Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë

Raporti i ISTAT tregon rritje të ndjeshme të jetëgjatësisë që nga viti 1990, ndërsa vdekshmëria foshnjore ka rënë në nivele historike, përcjell albinfo.ch.

Italia renditet ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 83,4 vitesh, sipas raportit më të fundit të publikuar nga ISTAT.

Të dhënat tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të jetëgjatësisë gjatë dekadave të fundit. Krahasuar me vitin 1990, jetëgjatësia është rritur me rreth 8 vite për burrat dhe 6,5 vite për gratë, duke arritur respektivisht në 81,5 vite për burrat dhe 85,6 vite për gratë në vitin 2024.

Raporti me titull “Shëndeti: Një arritje për t’u mbrojtur” analizon evolucionin historik të jetëgjatësisë në Itali, duke theksuar faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë progres. Ndër më të rëndësishmit, sipas ISTAT, mbetet ulja drastike e vdekshmërisë foshnjore.

Në vitin 2023, norma e vdekshmërisë foshnjore zbriti në vetëm 2,7 për 1000 lindje, një nga nivelet më të ulëta në botë. Ndërkohë, në shekullin XIX kjo shifër ishte rreth 230 për 1000 lindje, duke reflektuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në standardet e jetesës dhe kujdesin shëndetësor.

Sipas analizës, ky përmirësim është rezultat i një procesi afatgjatë, ku kanë ndikuar faktorë si përmirësimi i kushteve të jetesës, ushqyerja më e mirë, higjiena, përparimet në mjekësi dhe përhapja e vaksinimit.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe krijimi i sistemit shëndetësor universal në vitin 1978, i cili garantoi akses më të gjerë në shërbime shëndetësore dhe ndihmoi në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk duhen marrë si të mirëqena. Sfidat e reja, si plakja e popullsisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe presioni mbi sistemin shëndetësor, kërkojnë politika të qëndrueshme për të ruajtur dhe përmirësuar më tej jetëgjatësinë në vend./Albinfo.ch

Futbollisti rikthen mbiemrin shqiptar dhe zgjedh të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e muajit mars, ku bie në sy përfshirja e mbrojtësit të AEK-së, Stavros Pelios, i cili pritet të debutojë me fanellën kuqezi në kualifikueset e Kupës së Botës, përcjell albinfo.ch.

 

Bëhet fjalë për një futbollist 24-vjeçar që aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes dhe këtë sezon ka qenë një nga lojtarët më aktivë të skuadrës së tij. Ai ka zhvilluar 33 ndeshje, duke kontribuar edhe me katër asistime, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv të Shqipërisë.

Sipas raportimeve, futbollisti kishte marrë më herët shtetësinë greke dhe kishte ndryshuar mbiemrin nga “Pilo” në “Pelios”, megjithatë së fundmi ka vendosur të rikthejë mbiemrin origjinal shqiptar, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt identitetit të tij.

Nën emrin Stavro Pilo, ai tashmë është përfshirë në thirrjet e Kombëtares shqiptare. Lojtari është me origjinë nga fshati Finiq në Delvinë dhe ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë, duke mbajtur mbiemrin e lindjes në fanellë.

Ky vendim shihet si një kapitull i ri në karrierën e tij ndërkombëtare, ndërsa për Shqipërinë përfaqëson një fitore të rëndësishme, pasi Kombëtarja siguron një mbrojtës modern, dinamik dhe me eksperiencë në kampionatin grek.

Zgjedhja e tij për të rikthyer mbiemrin shqiptar dhe për të veshur fanellën kuqezi konsiderohet një hap domethënës, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë identitar, duke forcuar më tej lidhjen e futbollistëve me origjinën e tyre./Albinfo.ch

Shqipe Sylejmani me lexim letrar në Bernë

Autorja shqiptare Shqipe Sylejmani do të mbajë ndalesën e fundit të turit të saj letrar në qytetin e Bernës, ku do të prezantojë librin e saj të tretë me titull “Stolz und Widerstand” (Krenari dhe Rezistencë), transmeton albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet të enjten, më 23 prill, duke filluar nga ora 20:00, në ambientet e librarisë së njohur Orell Füssli në Spitalgasse, Bernë.

Sipas njoftimit, romani “Krenari dhe Rezistencë” sjell një rrëfim të ndjerë që shpalos tema të fuqishme si forca e brendshme, dinjiteti njerëzor dhe format e ndryshme të rezistencës, duke prekur emocionalisht lexuesin dhe duke reflektuar realitete të thella jetësore.

Ky takim letrar konsiderohet një mundësi e veçantë për komunitetin shqiptar dhe dashamirët e letërsisë në Zvicër, për të dëgjuar nga afër autoren dhe për të bashkëbiseduar rreth veprës së saj.

Moderimi i mbrëmjes do të bëhet nga Lirija Sejdi, ndërsa biletat mund të sigurohen online ose në arkën e ngjarjes./Albinfo.ch

Instagram profil Shqipe Sylejmani

Anglia kufizon ushqimet e pashëndetshme në shkolla: fruta më shumë, ëmbëlsira vetëm një herë në javë

Në Angli po planifikohet një reformë e re për ushqimin në shkolla që synon të ulë konsumin e ushqimeve të skuqura dhe atyre me shumë sheqer, sipas BBC.

Sipas propozimeve të qeverisë, frutat do të zëvendësojnë shumicën e produkteve me sheqer gjatë javës shkollore, ndërsa ushqimet e shpejta si picat dhe role me salsiçe nuk do të lejohen më të ofrohen çdo ditë.

Organizatat e drejtuesve të shkollave dhe kolegjeve e kanë përshëndetur nismën për përmirësimin e cilësisë së ushqimit, por kanë theksuar se do të nevojiten fonde shtesë për të mbuluar kostot e ndryshimeve.

Ndërkohë, Liberal Demokratët kërkojnë mbështetje financiare për shkollat për shkak të rritjes së shpenzimeve, ndërsa “Reform UK” e ka kritikuar planin si ndërhyrje të tepërt në jetën e përditshme. Partia e Gjelbër, nga ana tjetër, e ka vlerësuar si një masë të vonuar, por të nevojshme.

Departamenti për Arsimin deklaron se këto ndryshime do të ndihmojnë miliona fëmijë të marrin ushqime më të shëndetshme çdo ditë, duke theksuar se një pjesë e madhe e nxënësve përfundojnë shkollën fillore me mbipeshë dhe se dietat me shumë sheqer lidhen me probleme dentare te fëmijët.

Sipas rregullave të reja, ëmbëlsirat do të lejohen vetëm një herë në javë, ndërsa në menutë shkollore do të rritet përdorimi i frutave, perimeve dhe drithërave të plota.

Këto janë ndryshimet e para në standardet e ushqimit shkollor në rreth një dekadë dhe pritet të hyjnë në fuqi nga shtatori i vitit 2027, pasi të finalizohen këtë shtator.

Greva në Lufthansa vazhdon, anulohen fluturime mes Zvicrës dhe Gjermanisë

Greva në kompaninë ajrore Lufthansa po vazhdon dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në trafikun ajror mes Zvicrës dhe Gjermanisë. Si pasojë, disa fluturime janë anuluar në aeroportet kryesore zvicerane, ndërsa priten ndërprerje të tjera edhe të martën, kanë bërë të ditur zëdhënësit e aeroporteve të Bazelit, Gjenevës dhe Cyrihut për agjencinë Keystone-ATS.

Sipas të dhënave më të fundit të pasdites së së hënës, në Aeroportin e Gjenevës janë anuluar tre fluturime drejt dhe nga Mynihu, Frankfurti dhe Dyseldorfi. Në total, këto gjashtë fluturime të planifikuara për të hënën në mëngjes janë prekur nga greva.

Në Aeroportin e Cyrihut janë anuluar 12 fluturime të Lufthansa dhe Eurowings, si në mbërritje ashtu edhe në nisje. Ndërsa në Aeroportin e Bazelit janë raportuar tre mbërritje dhe tre nisje të Lufthansa për në Mynih të anuluara, si dhe një fluturim tjetër mes Bazelit dhe Frankfurtit.

Autoritetet aeroportuale paralajmërojnë se ndërprerjet do të vazhdojnë edhe të martën. Në Gjenevë priten gjithsej katër fluturime të anuluara, ndërsa në Bazel gjashtë fluturime që lidhen me Mynihun.

Tashmë të premten, në ditën e parë të grevës, ishin anuluar qindra fluturime. Greva e personelit teknik të kabinës së Lufthansa-s, Lufthansa Cargo dhe degës rajonale Lufthansa Cityline filloi të hënën pas mesnatës dhe pritet të përfundojë të martën pak para mesnatës, transmeton albinfo.ch.

Për herë të parë, greva ka prekur edhe kompaninë Eurowings, e cila realizoi një ndalesë njëditore.

Sindikatat UFO dhe Vereinigung Cockpit kanë bërë thirrje për protesta të reja të mërkurën, ditën kur është planifikuar edhe ceremonia për 100-vjetorin e themelimit të Lufthansa-s, ku pritet të marrë pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz.

Kjo është vala e katërt e madhe e grevave brenda vitit. Vetëm në aeroportin e Frankfurtit, mbi 1,100 ngritje dhe ulje janë anuluar gjatë dy ditëve të grevës.

Pushimi pa telefona: si po ndryshon jeta sociale e adoleshentëve në shkollë

Në shkollat e kantonit Neuchâtel në Zvicër, pushimet mes orëve tashmë zhvillohen pa telefona celularë – një ndryshim që po ndikon dukshëm në jetën sociale të nxënësve.

Që nga fillimi i vitit shkollor në gusht, nxënësit janë të detyruar t’i mbajnë telefonat e fikur në fund të çantave. Ky rregull i ri ka sjellë një transformim të dukshëm në oborret e shkollave, ku fëmijët dhe adoleshentët po rikthehen te komunikimi i drejtpërdrejtë.

“Dikur rrinim të gjithë në telefon dhe nuk flisnim me njëri-tjetrin. Tani luajmë futboll dhe bisedojmë me shokët – është shumë më mirë,” thotë Luca, 13 vjeç. Edhe Sophie, 14 vjeçe, vëren ndryshimin: “Tani njerëzit flasin më shumë me njëri-tjetrin.”

Në pushimin e orës 10:00 në shkollën “Collège des Cerisiers” në Gorgier, nuk shihet asnjë telefon. Rregulli është i qartë: pajisjet duhet të qëndrojnë të fikura në çantë gjatë gjithë kohës.

Megjithatë, jo të gjithë e përjetojnë njësoj këtë ndryshim. “Për mua është më mirë, por për disa që nuk kanë shumë miq mund të jetë më e vështirë, sepse telefoni mund të shërbejë si një lloj strehe,” shprehet Victor, 14 vjeç.

Pushime më aktive dhe më sociale

Sipas mësuesve dhe nxënësve, atmosfera gjatë pushimeve është bërë më dinamike. “Dallimi është i dukshëm dhe është kënaqësi t’i shohësh duke luajtur dhe duke u argëtuar,” thotë mësuesi David Del Giudice. Ai shton se fillimisht nxënësit nuk ishin të kënaqur me rregullin, por u përshtatën shumë shpejt.

Megjithatë, mësuesit mbeten vigjilentë. “Ndonjëherë, kur kërkojnë të shkojnë në tualet, ekziston mundësia që ta kenë marrë telefonin me vete, kështu që duhet të kontrollojmë,” shpjegon ai, transmeton albinfo.ch.

Një tjetër efekt pozitiv është rritja e përdorimit të bibliotekës dhe kërkesës për mjete loje, si topat, gjatë pushimeve.

Një projekt për mirëqenien e nxënësve

Drejtori i shkollës, Mirza Hajdarbasic, thekson se ndalimi i telefonave nuk është thjesht një masë ndëshkuese, por pjesë e një projekti më të gjerë për të përmirësuar bashkëjetesën në shkollë.

“Po përpiqemi të përmirësojmë gradualisht mirëqenien dhe shëndetin e të rinjve. Kjo nuk i zgjidh të gjitha menjëherë, por është një hap në drejtimin e duhur,” tha ai.

Sipas tij, ndalimi i thjeshtë nuk mjafton. “Ky është një proces më i gjerë, ku punojmë edhe për zhvillimin e empatisë dhe krijimin e një ambienti më të mirë në shkollë.”

Autoritetet arsimore në Neuchâtel bëjnë të ditur se edhe shkolla të tjera në kanton po raportojnë rritje të ndërveprimit social mes nxënësve, falë kufizimit të përdorimit të telefonave.

Papa Leone XIV refuzon t’u përgjigjet akuzave të Donald Trump: Nuk hyj në debate politike

Në një reagim ndaj kritikave të fundit nga presidenti amerikan Donald Trump, Papa Leone XIV bëri të qartë se nuk do të përfshihet në polemika politike.

“Roli im nuk është të debatoj me liderë politikë, por të promovoj paqen dhe dialogun,” theksoi ai gjatë udhëtimit drejt Algjerisë.

Kjo deklaratë vjen pasi Trump ndërmori një seri sulmesh personale dhe politike ndaj papës, duke e etiketuar atë si “të dobët” dhe duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e tij për çështjet ndërkombëtare. Megjithatë, Papa përsëriti mesazhin e tij thelbësor: bota ka nevojë për më pak konflikt dhe më shumë përgjegjësi nga liderët.

Thirrjet e tij të fundit kundër luftës dhe “iluzionit të plotfuqishmërisë” duken si një përgjigje indirekte ndaj politikave që nxisin tensione globale.

Iniciativë për ngritjen e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë

Një iniciativë qytetare e iniciuar nga Mirishahe Limani Hiler, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Dora d’Istria”, synon krijimin e një Qendre Kulturore dhe Edukative Shqiptare në Gjenevë.

E hapur për gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, kjo nismë ka për qëllim krijimin e një hapësire të qëndrueshme për edukim, kulturë dhe integrim, në një kohë kur mungesa e një qendre shqiptare ndihet gjithnjë e më shumë.

Projekti parashikon aktivitete për mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin kulturor dhe edukimin e brezave të rinj, duke forcuar njëkohësisht lidhjet ndërkulturore.

Në këtë kuadër, është lansuar edhe një peticion publik në Change.org për të mobilizuar mbështetje qytetare dhe për të rritur ndërgjegjësimin institucional.

Peticioni:

https://c.org/GLFKKRq2hb

Ju lutemi nënshkruajeni dhe shpërndajeni

Qendër Edukative dhe Kulturore Shqiptare në Gjenevë

Pouvons-nous compter sur votre signature ? ✍️
https://c.org/QQmwtWMZ6D

Për fëmijët tanë 🇦🇱
Kontakt për media:

Mirishahe Limani Hiler

Tirana bëhet kryeqendra e diasporës shqiptare, nis Samiti i 4-t me pjesëmarrje të gjerë

Tirana është kthyer në zemrën e shqiptarëve nga e gjithë bota. Me pjesëmarrjen e figurave më të larta të shtetit dhe përfaqësuesve të diasporës, ka nisur Samiti i 4-t i Diasporës, një ngjarje që synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, kjo ngjarje e rëndësishme ka në fokus bashkëpunimin me diasporën dhe rritjen e rolit të saj në zhvillimin e vendit.

Ceremonia e hapjes u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të komuniteteve fetare, ministra, deputetë dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Samiti zhvillon punimet sot më 14 dhe të martën 15 prill ku përfshihen panele të shumta diskutimi mbi tema si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, kultura dhe ruajtja e identitetit kombëtar.

Gjatë aktivitetit trajtohen çështje si roli i diasporës në biznes dhe zhvillim lokal, integrimi evropian, arsimi dhe gjuha shqipe, kërkimi shkencor, si dhe bashkëpunimi kulturor e politik.

Në kuadër të samitit janë parashikuar edhe aktivitete të ndryshme si takime biznesi, ekspozita, prezantime të produkteve shqiptare, hapësira për startup-e dhe iniciativa që synojnë forcimin e lidhjes mes diasporës dhe Shqipërisë.

Në përgjithësi, Samiti i Diasporës synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi dhe të forcojë rolin e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin e vendit.

Pse Zvicra po ngrohet më shpejt se shumica e vendeve në botë?

Kriza klimatike po e godet veçanërisht rëndë Zvicrën, jo vetëm përmes shkrirjes së shpejtë të akullnajave të saj. Pse vendi po ngrohet më shpejt se shumica e vendeve të tjera në tokë?

Një raport nga Akademia Zvicerane e Shkencave, i botuar në mars 2026, konfirmon atë që dihet prej kohësh – se Zvicra po ngrohet më shpejt se shumë pjesë të tjera të botës.

Raporti, i shkruar nga 60 ekspertë të klimës, vuri në dukje se që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1864, temperatura mesatare në Zvicër u rrit me 1.8 gradë Celsius – më shumë se dyfishi i mesatares globale.

Dhe lajmi i keq, theksoi raporti, është se procesi i ngrohjes ende nuk ka arritur kulmin e tij, duke vazhduar të përshpejtohet.

Zyra Federale e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSchweiz), tashmë vuri re në vitin 2025 se ngrohja e klimës në Zvicër po ecën me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë gjithashtu se Zvicra është ndër vendet me ngrohjen më të shpejtë në botë.

Arsyeja është se Zvicra është e rrethuar nga toka, kështu që nuk përfiton nga efekti tampon i oqeaneve, të cilët janë në gjendje të thithin sasi të mëdha nxehtësie.

Për më tepër, lartësia dhe morfologjia e Alpeve luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e ngrohjes globale.

Bora dhe akulli po shkrihen gjithnjë e më shpejt, duke zvogëluar aftësinë e tokës për të reflektuar rrezet e diellit përsëri në hapësirë ​​(i quajtur “efekti albedo”).

“Përqindja e madhe e rajoneve malore është ndër faktorët kryesorë që shpjegojnë pse Zvicra po ngrohet më shpejt [se vendet e tjera]”, tha për Swissinfo Aude Untersee, një meteorologe në MeteoSwiss, transmeton albinfo.ch.

Ku po rriten temperaturat më shpejt?

Ana veriore e Alpeve Zvicerane është ngrohur më shumë se zonat jugore.

Këto rajone, të cilat fillimisht kishin një klimë më të ftohtë, përfundimisht “kapën” jugun, duke çuar në temperatura më të larta atje (+3C) sesa në jug (+2.7C) gjatë 150 viteve të fundit.

Kryebashkiaku i Crans-Montanës merret në pyetje për herë të parë që nga zjarri në bar

Nicolas Féraud po merret në pyetje nga prokurori publik i Valais për herë të parë të hënën në lidhje me zjarrin tragjik në bar më 1 janar. Ai është i teti nga nëntë të pandehurit që do të merren në pyetje në këtë çështje.

“Kjo seancë dëgjimore do të thotë se kryetarit të bashkisë i janë dashur tre muaj e 10 ditë për t’u dëgjuar si i pandehur, edhe pse ai pranoi shkelje të rënda të detyrës më 6 janar”, tha avokati i Valais, Sébastien Fanti, i intervistuar nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA. “Për familjet, fjala që u vjen ndërmend është ‘më në fund’.”

Féraud mbërriti rreth orës 8:30 të mëngjesit të hënën, i shoqëruar nga avokati i tij Christian Delaloye. Politikani radikal-liberal u prit nga një turmë gazetarësh, fotografësh dhe kameramanësh. Ai zgjodhi të hynte nga njëra prej shumë dyerve anësore që të çonin në auditorin e kampusit Energypolis në Sion, vendi i seancës dëgjimore, transmeton albinfo.ch.

Ashtu si tetë të pandehurit e tjerë, Féraud akuzohet për vrasje nga pakujdesia, dëmtim trupor nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

In Memoriam, përkujtohet jeta dhe vepra e Nasuf Naski Abdixhiku

Më 11 prill në Corpataux-Magneden, Kantoni Freiburg u mbajt një mbrëmje përkujtimore në nderim të Nasuf Naski Abdixhiku, një personalitet artistik që la gjurmë të thella në jetën kulturore dhe në kujtesën kolektive të komunitetit.

Mbrëmjes i dha një dimension të veçantë emocional interpretimi i poezisë “Ti dua të gjitha” nga regjisori Bekim Guri, duke rikthyer përmes fjalës ndjeshmërinë dhe universin krijues të artistit.

 

Gjatë aktivitetit, Abdixhiku u vlerësua si një artist i gjithanshëm, i cili përmes pikturës, aktrimit dhe poezisë ndërtoi jo vetëm vepra artistike, por edhe një botë emocionesh dhe kujtimesh që mbeten të gjalla ndër vite. Ai u përshkrua si një krijues që nuk jepte vetëm kohë, por vetveten, duke e shndërruar artin në një urë të fuqishme komunikimi mes njerëzve.

I lindur në Tërnoc të Madh, në komunën e Bujanocit, ai mbeti i lidhur ngushtë me rrënjët dhe komunitetin e tij. Krahas dimensionit artistik, ai u kujtua edhe për angazhimin e tij human gjatë viteve 1997–1999, kur kontribuoi në organizimin e ndihmave për Kosovën, në një nga periudhat më të vështira për popullin shqiptar.

Në këtë mbrëmje morën pjesë familja më e ngushtë e tij, miq të shumtë, si dhe përfaqësues institucionalë, ndër ta edhe konsulli i Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.

Trashëgimia e tij artistike dhe njerëzore vijon të jetojë përmes ndikimit të thellë që la pas, si një burim frymëzimi për brezat që vijnë. Nasuf Naski Abdixhiku ndërroi jetë më 9 mars 2024, në moshën 65-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak, duke lënë pas bashkëshorten dhe katër vajzat e tij.

Nasuf Naski Abdixhiku do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje dhe respekt.

📸 Foto: RRIM Photo

 

 

Gjermania ul taksat e derivateve, planifikohet ulje e çmimit

Qeveria e koalicionit të Gjermanisë ka marrë vendim për lehtësim të çmimit të karburantit për konsumatorët dhe bizneset me vlerë 1.6 miliardë euro, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje mbi mënyrën e reagimit ndaj rritjes së çmimit të naftës të shkaktuar nga lufta në Iran.

Taksa e energjisë për naftën dhe benzinën do të ulet për rreth 0.17 euro për litër, për dy muaj.

Kosova në Cannes: “DUA” i Blerta Bashollit në elitën e filmit botëror, mbështetur edhe nga SRF

Kosova shënon një moment historik në kinematografinë ndërkombëtare, ndërsa filmi “DUA” përzgjidhet në Semaine de la Critique, me mbështetje edhe nga SRF – Schweizer Radio und Fernsehen.

Filmi artistik me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në një nga seksionet më prestigjioze të festivalit të Cannes – Semaine de la Critique, ku përzgjidhen vetëm një numër i kufizuar produksionesh nga e gjithë bota.

Berta Basholli

Ky përfaqësim shënon një arritje të paprecedentë për Kosovën, pasi është hera e parë që një film kosovar përfshihet në këtë program elitë, i njohur për zbulimin e autorëve që më pas shënojnë kinemanë botërore. “DUA” është përzgjedhur në mesin e vetëm 11 filmave të gjatë dhe do të garojë për katër çmimet kryesore të këtij seksioni.

Filmi sjell një dramë të tipit coming-of-age, të vendosur në Kosovën e viteve ’90, duke ndjekur historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit, në një kohë të trazuar politikisht. I frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, rrëfimi ndërthur dimensionin intim me kontekstin historik.

Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio), ndërsa bashkëprodhimi ndërkombëtar përfshin Alva Film nga Zvicra dhe Kazak Productions nga Franca.

Një element kyç që e fuqizon projektin është mbështetja e gjerë ndërkombëtare, ku përveç institucioneve si CNC, Eurimages dhe Office Fédéral de la Culture, spikat edhe përfshirja e SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, duke dëshmuar interesimin në rritje të industrisë evropiane për tregimet që vijnë nga Kosova.

Me këtë përzgjedhje në Cannes, “DUA” jo vetëm që konsolidon profilin ndërkombëtar të Blerta Bashollit, por e vendos kinemanë kosovare në një tjetër nivel, aty ku rrëfimet lokale marrin jehonë globale.

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Tirron Mamusha, i 22-ti mes mbi 10 mijë vrapuesve në Maratonën e Cyrihut

Në mesin e mijëra vrapuesve që pushtuan rrugët e Zurichut në kuadër të Zürich Marathon, një paraqitje e veçantë erdhi nga maratonisti nga Kosova, Tirron Mamusha.

Ai përfundoi gjysmëmaratonën me kohën 1:12, duke u renditur në vendin e 22-të në një konkurrencë me mbi 10,000 pjesëmarrës, një rezultat që e vendos atë në mesin e performuesve më të mirë të këtij edicioni.

Gara u zhvillua në një ritëm të lartë dhe me rivalitet të fortë ndërkombëtar, ndërsa Mamusha hyri me synimin për të arritur rekord personal. Megjithatë, lodhja e akumuluar nga garat e fundit ndikoi në ritmin e tij gjatë distancës, duke e detyruar të përshtatë strategjinë në funksion të përfundimit sa më të qëndrueshëm.

“Sporti nuk është gjithmonë matematikë. Ka momente kur trupi kërkon një ritëm tjetër, por sfida është të menaxhosh veten deri në finish,” është shprehur ai pas garës.

Atmosfera përgjatë rrugëve të Cyrihut, e shoqëruar me mbështetjen e vazhdueshme të publikut, krijoi një energji të veçantë për atletët, duke ndihmuar në përballimin e momenteve më të vështira fizike.

Megjithëse rekordi personal mbeti jashtë këtij edicioni, renditja në vendin e 22-të në një garë kaq masive përbën një arritje të rëndësishme sportive. Mamusha e përmbyll këtë sfidë me një medalje më shumë, një përvojë të vlefshme dhe fokus të qartë drejt objektivave të ardhshme.