Lajme
Pushimi pa telefona: si po ndryshon jeta sociale e adoleshentëve në shkollë
Në shkollat e kantonit Neuchâtel në Zvicër, pushimet mes orëve tashmë zhvillohen pa telefona celularë – një ndryshim që po ndikon dukshëm në jetën sociale të nxënësve.
Që nga fillimi i vitit shkollor në gusht, nxënësit janë të detyruar t’i mbajnë telefonat e fikur në fund të çantave. Ky rregull i ri ka sjellë një transformim të dukshëm në oborret e shkollave, ku fëmijët dhe adoleshentët po rikthehen te komunikimi i drejtpërdrejtë.
“Dikur rrinim të gjithë në telefon dhe nuk flisnim me njëri-tjetrin. Tani luajmë futboll dhe bisedojmë me shokët – është shumë më mirë,” thotë Luca, 13 vjeç. Edhe Sophie, 14 vjeçe, vëren ndryshimin: “Tani njerëzit flasin më shumë me njëri-tjetrin.”
Në pushimin e orës 10:00 në shkollën “Collège des Cerisiers” në Gorgier, nuk shihet asnjë telefon. Rregulli është i qartë: pajisjet duhet të qëndrojnë të fikura në çantë gjatë gjithë kohës.
Megjithatë, jo të gjithë e përjetojnë njësoj këtë ndryshim. “Për mua është më mirë, por për disa që nuk kanë shumë miq mund të jetë më e vështirë, sepse telefoni mund të shërbejë si një lloj strehe,” shprehet Victor, 14 vjeç.
Pushime më aktive dhe më sociale
Sipas mësuesve dhe nxënësve, atmosfera gjatë pushimeve është bërë më dinamike. “Dallimi është i dukshëm dhe është kënaqësi t’i shohësh duke luajtur dhe duke u argëtuar,” thotë mësuesi David Del Giudice. Ai shton se fillimisht nxënësit nuk ishin të kënaqur me rregullin, por u përshtatën shumë shpejt.
Megjithatë, mësuesit mbeten vigjilentë. “Ndonjëherë, kur kërkojnë të shkojnë në tualet, ekziston mundësia që ta kenë marrë telefonin me vete, kështu që duhet të kontrollojmë,” shpjegon ai, transmeton albinfo.ch.
Një tjetër efekt pozitiv është rritja e përdorimit të bibliotekës dhe kërkesës për mjete loje, si topat, gjatë pushimeve.
Një projekt për mirëqenien e nxënësve
Drejtori i shkollës, Mirza Hajdarbasic, thekson se ndalimi i telefonave nuk është thjesht një masë ndëshkuese, por pjesë e një projekti më të gjerë për të përmirësuar bashkëjetesën në shkollë.
“Po përpiqemi të përmirësojmë gradualisht mirëqenien dhe shëndetin e të rinjve. Kjo nuk i zgjidh të gjitha menjëherë, por është një hap në drejtimin e duhur,” tha ai.
Sipas tij, ndalimi i thjeshtë nuk mjafton. “Ky është një proces më i gjerë, ku punojmë edhe për zhvillimin e empatisë dhe krijimin e një ambienti më të mirë në shkollë.”
Autoritetet arsimore në Neuchâtel bëjnë të ditur se edhe shkolla të tjera në kanton po raportojnë rritje të ndërveprimit social mes nxënësve, falë kufizimit të përdorimit të telefonave.
E-Diaspora
-
Në Aarau u shënua përvjetori i dhjetë i shenjtërimit të Nënë Terezës "Nënë Tereza mbetet një urë bashkimi, një krenari e përbashkët e popullit shqiptar dhe një dhuratë... -
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?











