SBB hoqi vagonët e duhanpirjes 20 vjet më parë: ndikimi dhe sfidat që vazhdojnë

Dy dekada më parë, më 11 dhjetor 2005, Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB/CFF/FFS) hoqën përfundimisht vagonët e duhanpirjes nga trenat e tyre, një hap i rëndësishëm në luftën kundër konsumimit të duhanit në transportin publik. Vendimi erdhi në të njëjtën ditë me ndryshimin vjetor të orareve dhe u prit pozitivisht nga shumë udhëtarë, veçanërisht jo-duhanpirësit.

Nga gjysma e vendeve për duhanpirësit në zhdukjen e tyre totale

Para vitit 2000, gjysma e vendeve në trenat zviceranë ishin të rezervuara për duhanpirësit. SBB vuri re gradualisht se këto hapësira po bëheshin gjithnjë e më pak të kërkuara, ndaj në vitin 2000 filloi uljen e tyre. Deri në vitin 2005, përpara heqjes totale, vetëm 20% e vendeve ishin ende të destinuara për duhanpirës.

Stacionet pa duhan dhe rehatia e fituar

Lufta kundër duhanit vazhdoi edhe në stacionet hekurudhore. Që nga 1 qershori 2019, ato janë shpallur zyrtarisht zona pa duhan, me hapësira të posaçme të pajisura me kosha hiri dhe sinjalizime të qarta në platforma.

Sidoqoftë, disa udhëtarë ende nuk i respektojnë rregullat, duke pirë duhan jashtë zonave të caktuara, madje edhe nën strehët e platformave, shpjegon zëdhënësi i SBB-së, Frédéric Revaz.

Pastërti më e madhe, por mbeten sfidat mjedisore

Sipas SBB-së, ndalimi i duhanpirjes ka përmirësuar ndjeshëm pastërtinë dhe komoditetin në trena dhe stacione. Megjithatë, bishtat e cigareve mbeten një problem serioz mjedisor: çdo vit hidhen rreth 200 tonë bishta nëpër shina, të cilat kushtojnë afro 3 milionë franga zvicerane për t’u pastruar.

Cyrihu, kantoni me më së shumti makineri të bankomatave

Zvicra po vazhdon të pozicionohet si një nga shtetet më miqësore ndaj kriptomonedhave në Evropë dhe më gjerë. Përveç iniciativave si ajo e Luganos për integrimin e bitcoin-it në pagesat e përditshme, vendi shquhet edhe për zhvillimin e infrastrukturës së saj të kriptovalutave, transmeton albinfo.ch.

Referuar të dhënave të fundit, Zvicra renditet hyrë në top 10 vendet me numrin më të madh të ATM-ve të bitcoin-it në botë, duke u pozicionuar në vendin e tetë. Aktualisht, në të gjithë territorin zviceran funksionojnë 194 bankomata të bitcoin-it, që u mundësojnë qytetarëve blerjen apo shitjen e kriptomonedhave në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.

Cyrihu, qendra kryesore e ATM-ve të bitcoin-it

Në nivel kantonal, Cyrihu udhëheq bindshëm me numrin më të madh të makinerive, duke numëruar 46 ATM bitcoin. Kjo nuk është e rastësishme, pasi Cyrihu është qendra financiare e Zvicrës dhe një nga qytetet kryesore europiane për fintech, blockchain dhe startup-e teknologjike.

Kantonet tjera si Zugo, Gjeneva dhe Ticino gjithashtu kanë shënuar rritje të konsiderueshme, falë qendrave inovative dhe interesit të lartë të tregut për kripto-shërbime.

Lugano, laborator i ekonomisë digjitale

Këto zhvillime kombëtare lidhen natyrshëm me iniciativën ambicioze të Luganos, ku rreth 350 biznesetashmë pranojnë pagesa me bitcoin. Me projektin “Plani B”, qyteti po synon të kthehet në një pol evropian të blockchain-it dhe pagesave digjitale, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve dhe mediave ndërkombëtare.

Në McDonald’s, por edhe në dhjetëra lokale të tjera, pagesa me bitcoin është bërë realitet, megjithëse shumica e transaksioneve ende kryhen në franga zvicerane. Autoritetet e Luganos besojnë se infrastruktura e gjerë e ATM-ve bitcoin në Zvicër e përforcon këtë tranzicion drejt një ekonomie të re digjitale.

Skepticizmi dhe sfidat

Edhe pse Zvicra po bën hapa të mëdhenj në adoptimin e kriptomonedhave, skepticizmi mbetet i pranishëm. Ekonomistët paralajmërojnë për luhatshmërinë e çmimit të bitcoin-it dhe rreziqet e mundshme në rast të falimentimit të platformave digjitale ku mbahen portofolët elektronikë.

Disa banorë gjithashtu shprehen të rezervuar, duke preferuar stabilitetin e valutës tradicionale zvicerane.

E ardhmja: mes inovacionit dhe kujdesit

Megjithë debatet, një gjë është e qartë: Zvicra është duke ndërtuar një ekosistem të fuqishëm për kriptovalutat. Me një rrjet të gjerë ATM-sh, me qytete që eksperimentojnë me pagesa digjitale dhe me politika që nxisin inovacionin, vendi po vendos themelet për një ekonomi të së ardhmes, ku fiat-i dhe kripto do të bashkëjetojnë në mënyrë gjithnjë e më natyrale.

Gjashtë shtetas të Kosovës të arrestuar nga Serbia dhe një i rrëmbyer më 2025

Pikat kufitare të Kosovës me Serbinë janë shndërruar në çështje problematike për qytetarët e Republikës së Kosovës që i përdorin ato për transit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij viti, MPJD-ja e Kosovës ka përsëritur disa herë thirrjen që shtetasit kosovarë të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, duke vlerësuar se “Serbia nuk është më një territor, i cili ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve”.

Territori i këtij vendi shfrytëzohet sidomos nga shtetasit që duan të kalojnë në territor të BE-së, duke hyrë fillimisht nga Serbia në Hungari, si dhe anasjelltas nga diaspora që viziton Kosovën.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, vetëm gjatë vitit që po e lëmë pas, gjashtë qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet e Serbisë, ndërsa ka pasur edhe një rast rrëmbimi nga territori i Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shtetasit e Kosovës, të arrestuar në Serbi këtë vit.

Të arrestuarit, sipas autoriteteve serbe, dyshohen për “krime lufte” ose “vepra kundër rendit kushtetues të Serbisë”.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe kanë njoftuar se i kanë ndaluar edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata janë liruar.

Shifrat që nuk i di askush

Avokatët nga Kosova nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e ndaluar në Serbi pa licenca serbe, por bashkëpunojnë me avokatë vendas.

Arianit Koci, i angazhuar në disa prej rasteve, thotë se shifrat zyrtare janë “relativisht të pasakta”.

“Ka raste kur biznesmenë të caktuar janë ndaluar – me pretendimet se kanë kryer krime të luftës – dhe më pas janë liruar. Por, ata kanë insistuar që të mos bëhen publike këto informata, për shkak se, sipas tyre, ata duhet të vazhdojnë të kalojnë nëpër Serbi”, thotë Koci për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e një ish-polici që u ndalua për disa orë dhe u lirua pa u marrë vesh nga askush.

“Ka shumë raste të tilla”, thotë ai dhe shton se Serbia “i zvarrit qëllimisht procedurat”.

“Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”, pyet ai.

Sipas tij, Haziri ka kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk është ndaluar deri në shtatorin e sivjetmë.

“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, shton Koci.

Shqiptarët mbizotërojnë në punët fizike në Gjermani

Emigrantët nga Ballkani janë shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të tregut të punës në Gjermani. Sipas të dhënave të publikuara nga Bruegel, shqiptarët rezultojnë të jenë të përqendruar kryesisht në punë me aftësi të ulëta dhe të mesme, ndërsa janë ndër grupet me përfaqësimin më të vogël në punë të kualifikuara, përcjell albinfo.ch.

Raporti tregon se Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të personave të punësuar në profesione “helper” (ndihmës): 40.84% e shqiptarëve në Gjermani punojnë në punë fizike ose gjysmë-të kualifikuara, që përfshijnë logjistikën, shërbimet dhe industrinë bazë. Në krahasim, Bosnja ka 30.43% dhe Serbia 33.59%.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve – 48.94% – punojnë si “skilled workers”, në profesione teknike dhe zanatçinj, si ndërtimi, mekanika, instalimet ose profile që kërkojnë arsim profesional. Edhe pse kjo tregon një nivel më të lartë formimi, pjesëmarrja në role të specializuara mbetet e ulët krahasuar me standardet e vendeve të BE-së.

Në kategoritë më të larta profesionale, përfaqësimi i shqiptarëve është i kufizuar: vetëm 4.54% punojnë si “specialistë”, ndërsa 5.53% si “ekspertë”, kategori që përfshijnë profesionistë me arsim të lartë, si inxhinierë, mjekë, infermierë të kualifikuar, IT ose ekspertë financiarë.

Në total, 89.78% e shqiptarëve në Gjermani janë të punësuar në dy kategoritë më të ulëta të aftësive — “helper” dhe “skilled worker”. Kjo e vendos Shqipërinë pas vendeve të tjera të Ballkanit, si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë përqindje më të larta të punëtorëve të kualifikuar dhe specialistëve.

Sipas raportit, ky profil i fuqisë punëtore shqiptare pasqyron një kërkesë të lartë të tregut gjerman për punë bazë, por edhe mungesën e një baze të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria. Në plan afatgjatë, kjo situatë krijon sfida për tregun e punës në Shqipëri, duke rritur rrezikun e mungesës së profesionistëve në sektorë kyç, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni.

Hungaria refuzon të pranojë emigrantë, sfidon mekanizmin e solidaritetit të BE-së

Hungaria ka bërë të qartë se nuk do të zbatojë mekanizmin e solidaritetit të Bashkimit Evropian dhe nuk ka ndërmend të pranojë asnjë emigrant të vetëm, sipas deklaratave të një zyrtari të lartë qeveritar të raportuara nga mediat hungareze.

Gergely Gulyas, shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, e përsëriti këtë qëndrim gjatë një konference për shtyp në Budapest, duke rikujtuar kundërshtimin e qeverisë së djathtë ndaj politikave migratore të BE-së.

Së fundmi, ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së ranë dakord për një mekanizëm solidariteti që parashikon shpërndarjen e emigrantëve midis vendeve anëtare. Shtetet që nuk duan të pranojnë refugjatë mund të ofrojnë ndihmë financiare ose materiale si alternativë. Plani pritet të hyjë në fuqi në qershor 2026.

Gulyas theksoi: “Ne nuk do ta zbatojmë paktin e migracionit” dhe shtoi se BE-ja nuk ka autoritet të vendosë se me kë duhet të jetojnë hungarezët. Ai kujtoi referendumit e vitit 2016, në të cilin votuesit refuzuan shpërndarjen e detyruar të emigrantëve, megjithëse pjesëmarrja nuk arriti 50% e nevojshme për të qenë e vlefshme.

Referendumi u zhvillua pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur Hungaria ngriti tela me gjemba përgjatë kufijve me Serbinë dhe Kroacinë për të ndaluar migracionin. Kryeministri Orban ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me Komisionin Evropian për politikën e tij kufizuese të azilit.

Reagimi i Komisionit Evropian

Gjykata e Drejtësisë e BE-së gjobiti Hungarinë në 2024 për shkelje të ligjit evropian të azilit, duke vendosur një gjobë prej 200 milionë eurosh dhe 1 milion euro në ditë për mosrespektim. Gjykata vuri në dukje pezullimin e praktikës së azilit dhe ndalimin e paligjshëm të azilkërkuesve.

Komisioneri i BE-së për migracionin, Magnus Brunner, deklaroi për ZDF se pjesëmarrja e Hungarisë do të ishte e dobishme, pasi një sistem evropian i migracionit do të sillte përfitime për të gjitha vendet. Ai shtoi se çdo shtet që dëshiron të jetë pjesë e BE-së duhet të respektojë vendimet e tij.

Kurti: Të akuzuarit për sulmin në Iber-Lepenc ishin pjesë e strukturave ilegale serbe

Kryeministri në detyrë i Kosovës,  Albin Kurti, ka njoftuar përmes Facebook-ut se personat e akuzuar për sulmin në Iber-Lepenc ishin të lidhur me strukturat ilegale të Serbisë.

Ai thekson se integriteti territorial, sovraniteti i shtetit dhe sundimi i ligjit për të gjithë qytetarët janë vlera jetike për të cilat angazhohen pa pushim dhe për të cilat nuk do të ndalen kurrë.

Gjykata Federale mbështet ndalimin e debateve politike në shkollat e Vaudit, por me kufizime

Gjykata Supreme Federale ka refuzuar ankimimin e deputetëve dhe mësuesve kundër ndalimit të debateve politike në shkollat e kantonit Vaud.

Ky ndalim nuk është absolut. Ai vlen vetëm për debatet që lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet, si ato për kandidatë ose parti, gjatë 10 javëve para zgjedhjeve, me qëllim të shmangë ndikimin tek nxënësit gjatë fushatës. Debatet mbi çështje qytetare ose temat politike të përgjithshme mbeten të lejueshme.

Vendimi i Gjykatës Federale thekson se udhëzimi i autoriteteve arsimore është një dokument administrativ që sqarojnë shkollat mbi neutralitetin dhe ndalimin e propagandës, dhe nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të përgjithshme nga gjykatat. Vetëm një refuzim konkret i një shkollë për të lejuar një debat zgjedhor mund të apelohet.

Deputeti Yannick Maury, një nga kundërshtarët, kritikoi vendimin duke thënë se ai “dobëson mësimin e qytetarisë” dhe e bën të vështirë organizimin e debateve të kundërta në vitet me zgjedhje. Kundërshtarët planifikojnë të vazhdojnë betejën përmes mocioneve që kërkojnë rivendosjen e debateve në çdo kohë në shkolla.

 

Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja

Administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump synon të shkëpusë Austrinë dhe tre shtete të tjera nga Bashkimi Evropian, sipas një raporti mediatik.

Siç raportoi platforma Defense One, duke cituar një version më të gjatë dhe të pabotuar më parë të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, Austria, Hungaria, Italia dhe Polonia janë renditur si vende me të cilat Shtetet e Bashkuara “duhet të punojnë më ngushtë… me qëllim largimin e tyre nga (Bashkimi Evropian)”.

Gazetat Die Presse dhe Der Standard gjithashtu raportuan për dokumentin, transmeton albinfo.ch.

Bazuar në premisën se Evropa përballet me një “zhdukje qytetëruese” për shkak të politikave të saj të imigracionit dhe “censurës së shprehjes së lirë”, dokumenti strategjik propozon që Shtetet e Bashkuara të përqendrojnë marrëdhëniet e tyre në Evropë në një numër të kufizuar kombesh me qeveri dhe lëvizje me mendje të ngjashme – me sa duket të djathta.

Strategjia e sigurisë kombëtare e cituar vazhdon: “Dhe ne duhet të mbështesim partitë, lëvizjet, si dhe figurat intelektuale dhe kulturore që kërkojnë sovranitet dhe ruajtjen/rivendosjen e mënyrave tradicionale evropiane të jetesës… duke mbetur pro-amerikane”.

“Bëjeni Evropën përsëri të Madhe”

Sipas Defense One, administrata Trump dëshiron ta “bëjë Evropën përsëri të madhe”, ndërsa u bën thirrje anëtarëve evropianë të NATO-s të heqin dorë nga mbështetja ushtarake amerikane.

Strategjia e sigurisë së SHBA-së shkaktoi debat të nxehtë në Këshillin Kombëtar Austriak të mërkurën. NEOS përdori një seancë të posaçme për Evropën për të kritikuar ashpër FPÖ-në dhe atë që ata e përshkruan si “bashkëpunëtorë” të tjerë të Presidentit rus Vladimir Putin. Tani është momenti për të zgjedhur një Evropë më të fortë dhe më të sigurt në vetvete, tha Ministrja e Jashtme Beate Meinl-Reisinger (NEOS).

Udhëtimet më magjike me tren

Sezoni i dimrit në Evropë do të thotë peizazhe si kartolina, drita vezulluese, tregje festive dhe një ritëm më i qetë për të shijuar fundvitin.

Dhe pak gjë e fut njeriun më shpejt në atmosferën e festave sesa një udhëtim i ngadaltë, panoramik dhe i rehatshëm me tren. Këto linja të veçanta dimërore ofrojnë luks, aventurë dhe një mënyrë të ngadalësuar udhëtimi, shkruan Euronews, transmeton albinfo.ch.

Santa Claus Express

Një nga udhëtimet më magjike të fundvitit, ky tren finlandez nis çdo mbrëmje nga Helsinki dhe udhëton drejt veriut, përmes liqeneve të ngrira e pyjeve të mbuluar me borë, deri në Rovaniemi, brenda Rrethit Arktik.

Disa pasagjerë me fat mund të shohin edhe Dritat e Veriut, të cilat këtë vit janë më të dukshme falë aktivitetit të lartë diellor.

Në mëngjes, treni mbërrin në Lapland, “qytetin zyrtar të Santa Claus”, me ndalesa në Kolari dhe Kemijärvi. Udhëtarët mund të vizitojnë Santa Claus Village, të stampojnë pasaportën me vulën e Rrethit Arktik dhe të dërgojnë letra.

Espresso Monaco

Ky tren nate me tematikë festive lidh Romën me Mynihun gjatë dhjetorit, duke krijuar një mënyrë nostalgjike për të përjetuar tregjet e Krishtlindjes.

Në bord ofrohen dekorime, muzikë live dhe darka festive. Ndalesat përfshijnë Verona, Trento, Bolzano, Bressanone dhe Innsbruck, përpara se treni të mbërrijë në Mynih. Shërbimi ofrohet vetëm gjatë dy fundjavave të dhjetorit.

Bergen Railway

Një tjetër klasik dimëror, linja Bergensbanen e Norvegjisë udhëton rreth 500 km nga Oslo në Bergen, duke kaluar 180 tunele dhe disa nga lartësitë më mbresëlënëse të kontinentit.

Udhëtimi ofron pamje të magjishme: fusha me borë, ujëvara të ngrira, male të thepisura, fjorde të thella dhe fshatra përrallorë.

Pikat kryesore janë pllaja Hardangervidda, stacioni i lartë Finse dhe resorti i skijimit Geilo. Në Myrdal, udhëtarët mund të lidhen me linjën e famshme Flåm.

Golden Eagle Danube Express

Për dashamirësit e tregjeve të Krishtlindjes, ky tren luksoz është zgjedhja ideale. Itinerari dimëror mes Budapestit dhe Munihut përfshin Vjenën, Alpet austriake dhe Salzburgun.

Paketa përfshin dy netë në hotel me pesë yje, darka mirëseardhjeje, guida, degustime dhe aktivitete tradicionale si karroca me kuaj në Vjenë dhe koncert me këngë festive.

Një itinerar tjetër, Grand Alpine Express, kalon nëpër Austri, Slloveni, Zvicër dhe Italinë veriore, me ndalesa në Cyrih, St. Gotthard, Liqenin Como, Trieste, Lubljanë, Postojna dhe Venecia.

Glacier Express

Një nga udhëtimet hekurudhore më ikonike të Zvicrës, i quajtur “treni ekspres më i ngadaltë në botë”. Itinerari Zermatt–St. Moritz zgjat tetë orë dhe përshkon 91 tunele e 291 ura, me pamje të pabesueshme të Alpeve zvicerane, liqeneve akullnajore dhe kanioneve të thella.

Ndalesat kryesore përfshijnë Oberalp Pass, Rhine Gorge (i quajtur “Grand Canyon-i zviceran”) dhe viaduktin Landwasser, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Anulohet shërbimi i planifikuar i trenit të natës midis Zvicrës dhe Suedisë

Plani ambicioz i SBB-së për itinerarin 1,400 km të gjatë, i cili do të ndalonte në pesë qytete gjermane dhe pesë daneze midis Bazelit dhe Malmö-s, tani është prishur.

Që nga fillimi, projekti varej nga mbështetja financiare nga qeveria federale, e cila planifikonte të kontribuonte afërsisht 47 milionë franga (50 milionë euro) deri në vitin 2030 për trenin – me kusht miratimin parlamentar.

Megjithatë, më 9 dhjetor, deputetët e Këshillit Kombëtar – pas një veprimi të ngjashëm nga Këshilli i Shteteve – votuan për të tërhequr 10 milionë franga (10.6 milionë euro) nga buxheti federal i caktuar për këtë qëllim.

Pa këto para, operimi i trenit në këtë linjë nuk do të ishte ekonomikisht i qëndrueshëm për SBB-në, duke e shtyrë kompaninë të anulonte planin, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Shpenzime ‘të papranueshme’

Shumica e ngushtë e deputetëve që votuan kundër projektit argumentuan se ky tren nuk është një “prioritet strategjik” për Zvicrën dhe për këtë arsye është “e papranueshme që taksapaguesit ta paguajnë atë përmes taksave të tyre”.

“Kjo do të përbënte hedhjen e parave publike në kosh për të financuar një shërbim nga i cili Zvicra nuk do të nxjerrë praktikisht asnjë përfitim të prekshëm”, tha deputeti Yvan Pahud nga Partia Popullore Zvicerane.

Kolegu i tij, Didier Calame, shkoi edhe më tej në kritikat e tij ndaj trenit të planifikuar.

“A nuk mendoni se shpenzimi i 10 milionë frangave për të shkuar në Suedi për të parë biondet e bukura është shumë para për taksapaguesit?” pyeti ai.

‘E pakuptueshme dhe e papërgjegjshme’

Mbështetësit e linjës së planifikuar kritikuan menjëherë tërheqjen e fondeve nga parlamenti. Midis tyre, Shoqata e Transportit dhe Mjedisit (ATE), theksoi se trenat e natës luajnë një rol kyç në transportin ndërkombëtar, pasi ofrojnë një alternativë ‘më të gjelbër’ ndaj fluturimeve të shkurtra dhe të mesme, të cilat janë burime kryesore të emetimeve të dëmshme të CO2.

Një organizatë tjetër, actif-trafiC, e cila promovon politikat mjedisore për transportin publik, e quajti vendimin e Parlamentit “krejtësisht të pakuptueshëm dhe të papërgjegjshëm” në dritën e krizës klimatike.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Pa fonde federale, planet për trenin e ri tani janë prishur.

Megjithatë, actif-trafiC tha se do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve në pranverë për “iniciativën e saj për transport publik efikas”, e cila synon të garantojë financimin qeveritar për shërbimet hekurudhore ndërkufitare dhe bileta të përballueshme.

Nëse keni blerë tashmë bileta për trenin Bazel-Malmö, mund t’i kërkoni SBB-së t’ju rimbursohen paratë.

Kush e solli lahutën para OKB-së në Gjenevë

Mirishahe Limani Hiler

Brahim Gjaferaj nga Rugova është një ndër të rinjtë e Kosovës që është larguar nga atdheu para tridhjetë viteve, por jo vetëm.

Ai në zemër të Gjenevës solli veshjet kombëtare të Rugovës, çiftelinë e sharkinë, solli motivet burimore të valleve të Rugovës.

Braha, siç e quajmë ne miqtë e tij, nuk e kishte harruar as lahutën e bjeshkëve krenare të Rugovës.

Gjithmonë Braha ishte i pranishëm aty ku kërkohej prezantimi i kulturës shqiptare.

Ai kultivoi për dekada e me shumë pasion trashëgiminë kulturore mu ashtu siq e kishte marrë nga të parët e tij.

Me Brahen njihemi prej më shumë se dy dekada. Ishte ndër të rinjtë më të përkushtuar në aktivitetet kulturore përderisa unë punoja si animatore sociokulturore në Universitetin popullor shqiptar e më pas në qendrën rinore Rinia Kontakt.

Gjithmonë i gatshëm në përkrahje të promovimit të vlerave kulturore shqiptare, Braha punonte punë të rënda si shumë mërgimtarë por, në mbrëmje dhe vikendeve, ai ishte ndër të parët që respektonte orarin e aktiviteteve, njeri motivues dhe me një diciplinë të rrallë. Madje nuk kursente as të ardhurat e tij financiare që i fitonte me shumë djersë kur kishim të realizonim projekte kulturore edhe jashtë kantonit të Gjenevës.

Një dashuri e madhe e përshkruante karakterin e tij djaloshar për etnomuzikologjinë shqiptare. Gjithmonë ishte këmbëngulës dhe mbronte me xhelozi melosin kombëtar.

Në vallet dhe meloditë e tij rugovase nuk lejonte ndërhyrje e modifikime. Idhnak në kuptimin pozitiv, Braha mbronte me shpirt trashëgiminë kulturore të vendlindjes së tij.

Ai e kishte shumë të qartë se Lahuta ishte simbol i kulturës shqiptare edhe kur disa të tjerë e cilësonin Brahën e Lahutën e tij « bjeshkatar të prapambetur »!

Braha gjithnjë ishte aty ku e kërkonte vendi për prezantimin e kulturës shqiptare ndonëse nuk i jepnin hapësirën që ai meritonte.

Braha e dinte mirë se Lahuta nuk ishte vetëm një vegël muzikore por ajo është kujtesë kolektive, epikë, identitet dhe frymëmarrje historike shqiptare.

Atyre që nuk e njihnin Lahutën, Braha ua sqaronte me një definicion teknikisht të thjesht: « Lahuta është një instrument kordofon me një tel të vetëm, i cili luhet me një hark të vogël (si tek violina).

Zakonisht është prej druri arre, thane apo panje, e zbukuruar me motive tradicionale, shpesh me kokën e një zogu, kalorësi apo kaprolli. Në vendlindjen time pothuajse të gjithë e kishim këtë vegël brenda kullave tona si pjesë e pandashme e thesarit malësor dhe ajo nuk guxohej të prekej pa leje».

Artisti i bjeshkëve të Rugovës në Gjenevë edhe më të rinjëve të lindur në mërgatë ua sqaronte me krenari se si « Lahuta ka qenë instrumenti shoqërues i këngeve epike që përdorej në këngët e kreshnikëve, në trimëritë dhe betejat historike, në këngët tek legjendat e maleve, kur u këndohej veprave të heronjve. »

Edhe në Gjenevë Braha ëndërronte, sa herë merrte Lahutën, në sytë e tij shfaqeshin bjeshkët e Rugovës. Ndonëse i ri në moshë, ai hynte e këndonte në petkun e lahutarit, që zakonisht ishte një burrë i moshuar që mbante gjallë historinë e brezave përmes këngës me një zë të lartë e të qëndrueshëm, ritëm të ngadaltë, intonacion të ngjashëm me recitimin epik.

Sot kur po flasim për Lahutën e cila po përjeton një rilindje si pjesë e traditës epike të këngëve kreshnike në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, Lahuta po përdoret edhe nga artistë bashkëkohorë, shfaqet në skenë dhe ekspozita, studiohet si pjesë e etnomuzikologjisë dhe ajo vazhdon të jetë një nga simbolet më të forta të identitetit shqiptar.

Duke e njohur mirë rolin e lahutës, që ishte simbol i burrërisë, nderit, besës, qëndresës,

dhe kujtesës së popullit, këtë vit Brahim Gjaferaj, në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë më 30 gusht, e në përkujtim të të gjithë atyre që u kidnapuan e janë zhdukur me dhunë edhe gjatë luftës në Kosovë, në mënyrën më dinjitoze të mundshme, ai para Organizatës së Kombeve të Bashkuara ( OKB-së) në Gjenevë, ka hapur, me Lahutën e tij manifestimin përkujtimor « Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë « . Manifestim ky që ishte nderuar nga autoritetet gjenevase, komunitete të shumta që jetojnë në këtë kanton dhe me një pjesëmarrje të zëshme nga Republika e Kosovës të përfaqësuar nga Komisioni qeveritar për të zhdukurit me dhunë dhe Zyra për krime të rënda të luftës.

Para se të shkruhet historia, Brahimi thotë se lahuta përcjellë zërin e saj të shenjtë, duke e treguar historinë tonë aty ku jemi.

Le të vazhdojë të çmohen artistët e popullit dhe pasuria jonë kulturore kombëtare.

 

Bazeli mban primatin si tregu më i bukur i Krishtlindjeve në Zvicër

Zvicra ofron tregje të magjishme Krishtlindjesh, por Bazeli qëndron kryesor. CNN e renditi tregun e tij në listën e 22 më të bukurve në botë, duke e cilësuar si “më i madhi dhe ndoshta më i miri.” Ai shtrihet në Barfüsserplatz dhe Münsterplatz, me rreth 150 stenda që ofrojnë dekorime artizanale dhe delikatesa rajonale, përcjell albinfo.ch.Tregje të tjera kryesore:

Cyrih ka pesë tregje festive në qytet, me pemë të zbukuruara, dhurata dhe ushqime.

Bern: Sternenmarkt: 80 kabina druri, fondue, raclette dhe aktivitete për fëmijë.

Lausanne: Bô Noël: Tregje të shpërndara në vendet kryesore të qytetit, me blerje, ushqime dhe aktivitete festive.

Montreux Noël: Atraksione pranë liqenit dhe aktivitete speciale në Kalasë Chillon.

Lugano: Sheshi Piazza della Riforma ofron muzikë, dekorime dhe festë për Vitin e Ri.

Paralajmërim për partitë nga Ambasada Gjermane: Respektoni ligjin në diasporë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dalë me një njoftim zyrtar drejtuar partive politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, të paralajmëruara për më 28 dhjetor, duke sqaruar rregullat që vlejnë për aktivitetet zgjedhore në territorin gjerman, transmeton albinfo.ch.

Në njoftim thuhet se, për shkak të pranisë së madhe të diasporës kosovare në Gjermani, nuk lejohen organizime të fushatës zgjedhore nga zyrtarë apo subjekte të huaja në territorin gjerman, në një periudhë më të shkurtër se tre muaj para ditës së zgjedhjeve.

“Duke pasur parasysh se kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, organizimet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se tre muaj para zgjedhjeve”, thuhet në reagimin zyrtar të ambasadës.

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë pritet të nisë më 17 dhjetor dhe të përfundojë më 27 dhjetor. Paralajmërimi i ambasadës synon të sigurojë respektimin e kuadrit ligjor të Gjermanisë dhe parimeve të neutralitetit në proceset zgjedhore, veçanërisht në raport me aktivitetet në diasporë.

Ky njoftim konsiderohet si një thirrje për transparencë, respektim të ligjit dhe shmangie të shkeljeve që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor jashtë territorit të Kosovës./Albinfo.ch

Mblidhet KQZ-ja, pritet certifikimi i kandidatëve dhe listës votuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku një nga pikat kryesore pritet të jetë rekomandimi për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike të miratuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në rend dite është edhe certifikimi i listës së votuesve brenda dhe jashtë vendit, si dhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me organizimin e procesit zgjedhor.

Po ashtu, pritet të shqyrtohen edhe rekomandimet për qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ky është rendi i ditës, i plotë:

2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike që janë certifikuar për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 28.12.2025.

3. Këshillat e KQZ;

3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore;

3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Rekomandimit për qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve në Përfaqësi Diplomatike

3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i specifikimeve për materialet e posaçme për votuesit e verbër, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28.12.2025.

3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit maksimal të votuesve në vendvotime të rregullta, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.

3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.

3.1.5. Certifikimi i Listës së Votuesve, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.

3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i ekzemplarit (pre print) të fletëvotimit si dhe numrit të fletëvotimeve që shtypen për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28.12.2025.

3.1.7. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës se pranim – dorëzimit te materialeve zgjedhore nga KVV ne QKN

3.1.8. Shqyrtimi dhe miratimi i listës së QKN- së

3.1.9. Shqyrtimi i rekomandimit për ndërrim e lokacionit te qendrës se votimit 2201 ne Komunën e Shtimes

3.1.10. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës se votimit për persona me nevoja te veçanta (VPNV)

3.2. Këshilli për Çështje Ligjore;

3.2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal sipas komunave (Ferizaj, Gjakove, Podujevë);

3.Të ndryshme.

Shaqiri shkëlqen me notën 8.3, i jep fitoren Baselit ndaj Winterthur

Xherdan Shaqiri ishte protagonisti kryesor në fitoren e djeshme të Baselit në transfertë ndaj FC Winterthur, duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit me rezultat 2–1, transmeton albinfo.ch.

Ylli shqiptar shënoi golin e parë për skuadrën e tij në minutën e 29-të, duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke vendosur ritmin e lojës për Baselin. Paraqitja e tij ishte vendimtare gjatë gjithë takimit, me lëvizje të rrezikshme, organizim të lojës dhe ndikim të madh në fazën ofensive.

Në fund të ndeshjes, Shaqiri u vlerësua me notën 8.3, duke u renditur ndër lojtarët më të mirë në fushë.

Me këtë fitore në transfertë, Baseli vazhdon formën pozitive, ndërsa Xherdan Shaqiri konfirmon edhe një herë rolin e tij si lider në skuadër. /Albinfo.ch 

Temperaturat globale po rriten me ritme të shpejta, viti 2025 drejt një rekordi historik

Viti 2025 po shënon temperatura jashtëzakonisht të larta, duke u renditur mes viteve më të nxehta të regjistruara ndonjëherë dhe duke iu afruar nivelit rekord të vitit 2023.

Sipas të dhënave të fundit nga Copernicus, temperaturat mesatare globale për periudhën janar–nëntor rezultojnë 0.60°C më të larta se mesatarja e viteve 1991–2020 dhe 1.48°C mbi nivelin para-industrial (1850–1900).

Viti i vetëm që ka shënuar temperatura më të larta se 2025 është 2024, i cili për herë të parë ka tejkaluar kufirin 1.5°C mbi nivelet para-industriale.

Nëntori ndër më të nxehtët e regjistruar

Nëntori 2025 është klasifikuar si nëntori i tretë më i ngrohtë në nivel global. Kjo rritje lidhet me temperaturat jashtëzakonisht të larta në veri të Kanadasë dhe në rajonin e Arktikut. Motet ekstreme vijuan në disa zona të botës, përfshirë ciklonet tropikale në Azinë Juglindore që shkaktuan përmbytje të mëdha dhe dëme të konsiderueshme.

“Nëntori i këtij viti ishte 1.54°C më i ngrohtë se periudha para-industriale,” deklaroi Samantha Burgess nga Copernicus.

Specialistët theksojnë se mesatarja e temperaturave për vitet 2023–2025 pritet të kalojë pragun 1.5°C për herë të parë në histori.

Paralajmërimet e ekspertëve

Sipas Burgess, këto të dhëna konfirmojnë se ndryshimet klimatike po përshpejtohen ndjeshëm dhe se mënyra e vetme për të frenuar rritjen e temperaturave mbetet ulja e shpejtë dhe e qëndrueshme e gazeve serrë.

 

Radiot private në Zvicër do të vazhdojnë të funksionojnë edhe pas vitit 2026

Parlamenti zviceran ka vendosur që stacionet private të radios FM të vazhdojnë transmetimin edhe pas vitit 2026. Këshilli i Shteteve mbështeti me shumicë të ngushtë një mocion të Këshillit Kombëtar, duke i kërkuar Këshillit Federal të tërhiqet nga plani për çaktivizimin e FM-së, i cili ishte planifikuar që të ndodhte pas 31 dhjetorit 2026.

Qendristët e kantoneve frankofone ishin ata që siguruan miratimin e mocionit. Vendimi vjen pas shqetësimeve të stacioneve private rajonale për humbje të audiencës dhe të ardhurash, si dhe për ndikimin në diversitetin mediatik, veçanërisht në zonat kufitare ku dëgjuesit shpesh kalojnë te stacionet e huaja FM, transmeton albinfo.ch.

Mocioni i Këshillit Kombëtar propozon që licencat FM të zgjaten ose të hapet një tender i ri për dhënien e licencave nga 1 janari 2027 dhe që çaktivizimi i FM-së të shtyhet të paktën deri në fund të vitit 2031.

Përfaqësues të industrisë radiofonike theksuan se kjo është një fitore për stacionet private, të cilat varen shumë nga reklamat lokale, dhe për dëgjuesit që ende nuk kanë pajisje për DAB+. Ministri i Telekomunikacionit, Albert Rösti, kujtoi se DAB+ ka një sukses të madh, me 230 programe në dispozicion dhe 90% të popullsisë që dëgjon radio në mënyrë digjitale.

 

 

Aeroporti i Gjenevës do të lidhet direkt me Annemasse (Francë) nga 14 dhjetori

Nga 14 dhjetori, linja e re L7 e Léman Express do të lidhë Annemasse (Francë) me Aeroportin Ndërkombëtar të Gjenevës pa kaluar nëpër stacionin Cornavin, falë hapjes për trafikun e pasagjerëve të tunelit Châtelaine. Linja do të funksionojë një herë në ditë në të dy drejtimet.

Sipas një njoftimi për shtyp të SBB, kjo lidhje e re redukton kohën e udhëtimit midis Annemasse dhe Aeroportit të Gjenevës me 22 minuta. Kohëzgjatja e reduktuar e udhëtimit arrihet falë tunelit Châtelaine, i cili më parë përdorej vetëm për transport mallrash, transmeton albinfo.ch.

Lehtësim gjatë orëve të pikut

Lidhja e parë do të niset nga Annemasse në orën 03:56 dhe lidhja e fundit nga aeroporti në orën 23:54. Këto do t’u mundësojnë udhëtarëve të marrin fluturimin e parë të mëngjesit dhe të arrijnë për fluturimin e fundit të mbrëmjes.

Linja e re gjithashtu do të ndihmojë në zbutjen e mbingarkesës gjatë orëve të pikut, duke kaluar përmes stacioneve: Annemasse, Chêne-Bourg, Geneva-Eaux-Vives, Geneva-Champel, Lancy-Bachet dhe Lancy-Pont-Rouge. Léman Express do të udhëtojë katër herë nga Annemasse në mëngjes dhe pesë herë nga Lancy-Pont-Rouge në mbrëmje.

Nga këto nëntë lidhje, tre do të shtrihen deri në Vernier, pa ndërruar trenin dhe pa kaluar nëpër Cornavin. Dy tren do të shërbejnë Vernier në mëngjes dhe një tren do të niset nga Vernier për në Annemasse në mbrëmje.

 

Policia kërkon shqiptarin për plagosje të rëndë të ish partnerit të gruas

Policia e Essenit po kërkon publikisht një person të dyshuar në lidhje me një sulm të rëndë në Mülheim an der Ruhr. Sipas hetuesve, një burrë 37-vjeçar është plagosur rëndë me një armë të ftohtë në Elisabeth-Selbert-Straße më 26 nëntor, transmeton albinfo.ch.

Një njësi për hetimin e vrasjeve nga policia e Essenit po heton nën drejtimin e prokurorisë publike të Duisburgut.

Policët kanë identifikuar të dyshuarin. Ai është një burrë 40-vjeçar shqiptar pa adresë fikse në Gjermani dhe besohet të jetë partneri i ri i ish-partneres së viktimës, shkruan nachrichten-heute.net.

Sipas gjendjes aktuale të hetimit, 37-vjeçari shkoi në banesën e ish-partneres së tij ditën e sulmit dhe u sulmua atje nga i dyshuari.

Policia ka publikuar foto dhe të dhëna personale të burrit të kërkuar dhe po i kërkon publikut ndihmë. Kushdo që ka informacion në lidhje me vendndodhjen e burrit, kërkohet të telefonojë në numrin e emergjencës 110.

Policia paralajmëron publikun të mos i afrohen, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.

Zvicra prezanton fanellën e re për Kupën e Botës

Zvicra prezanton fanellën e re për Kupën e Botës, frymëzuar nga pasaporta kombëtare, transmeton albinfo.ch.

Kombëtarja e Zvicrës në futboll ka zbuluar fanellën zyrtare që do të përdorë në Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet verën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, federata zvicerane prezantoi uniformën e re, e cila është dizajnuar mbi bazën e elementeve vizuale të pasaportës zvicerane.

Fanella kombinon elementet tradicionale me një stil modern, duke reflektuar identitetin kombëtar dhe historinë e vendit. Motoja zyrtare e kësaj rrobe sportive është “E kuqja jonë, krenaria jonë”, simbol i unitetit dhe frymës kombëtare, transmeton tutje albinfo.ch.

Kapiteni i përfaqësueses, Granit Xhaka u shpreh se dizajni i ri përfaqëson më shumë sesa thjesht një fanellë:

“Detajet e fanellës më kujtojnë nga vijmë dhe çfarë përfaqësojmë: një Zvicër që mund të arrijë gjëra të mëdha përmes unitetit dhe vendosmërisë”.

Përveç Xhakës, pjesë e prezantimit ishin edhe mbrojtësi Nico Elvedi dhe sulmuesi Dan Ndoye.

Tani e gjithë vëmendja e ekipit të drejtuar nga trajneri Murat Yakin është te shorti që do të mbahet të premten, ku do të mësohen kundërshtarët në fazën e grupeve./Albinfo.ch

Fatjona Matraku, zë i kulturës shqiptare në Francë

Pianistja dhe mësuesja shqiptare Fatjona Matraku, e vendosur prej vitesh në Francë, është pritur në takim zyrtar nga Ambasadori Halimi, në një aktivitet kushtuar vlerësimit të kontributit të saj në fushën e artit dhe diplomacisë kulturore, transmeton albinfo.ch.

E njohur për projektet e saj artistike që ndërthurin muzikën klasike me identitetin kulturor shqiptar, Matraku është vlerësuar për rolin e saj në promovimin e trashëgimisë sonë në skenat evropiane dhe mesdhetare.

Gjatë takimit, ambasadori theksoi se, ndonëse vjen nga Tirana, veprimtaria e saj e shtrin përfaqësimin kulturor përtej kufijve, duke u bërë zë i të gjitha komuniteteve shqiptare në diasporë.

Po ashtu, palët diskutuan mundësitë për bashkëpunime të reja kulturore, si dhe mënyrat konkrete për promovimin e artit dhe trashëgimisë shqiptare në Francë dhe në rajon.

Ambasada shprehu vlerësim të posaçëm për angazhimin e vazhdueshëm të Fatjona Matrakut, duke garantuar mbështetje për iniciativat që kontribuojnë në forcimin e pranisë së kulturës shqiptare jashtë vendit./Albinfo.ch

Oficer i FSK-së diplomon në SHBA

Kapiten Ymërdin Hasani, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Podujeva, ka diplomuar me sukses në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina Veriore, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Gjatë trajnimit, Kapiten Hasani është shpërblyer me Medaljen për Arritje Ushtarake, e cila u ndahet pjesëtarëve me performancë të lartë dhe rezultate të veçanta gjatë procesit mësimor.

Ky trajnim i specializuar është fokusuar në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitetet lokale, vlerësimin e nevojave civile dhe koordinimin e projekteve që mbështesin stabilitetin dhe zhvillimin në zona operacionale.

Përmes këtij kursi, ai ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkërendim me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullatës civile.

Kapiten Hasani pritet t’i vërë në shërbim të Kosovës njohuritë e fituara, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të Çështjeve Civile në Forcën e Sigurisë së Kosovës.