Valais ofron udhëtime falas me tren për turistët

Autoritetet turistike në kantonin Valais kanë nisur një iniciativë të re për të nxitur turizmin vendas, duke ofruar udhëtime falas me tren për vizitorët që qëndrojnë në hotele në këtë rajon, përcjell albinfo.ch.

Në bashkëpunim me SwissPass Alliance, është prezantuar bileta e re e quajtur “Mobility Ticket”, e cila u mundëson banorëve të Zvicrës që rezervojnë qëndrime në hotelet e Valais të përfitojnë një biletë vajtje-ardhje në transportin publik.

Kjo nismë synon të promovojë turizëm më të qëndrueshëm, duke inkurajuar vizitorët që për udhëtimet e tyre të kohës së lirë të zgjedhin trenin në vend të makinës. Gjithashtu, projekti synon të rrisë rezervimet direkte në hotele dhe të nxisë qëndrime më të gjata të turistëve në rajon.

Projekti pilot po realizohet në bashkëpunim me disa partnerë nga sektori i turizmit dhe transportit publik, me mbështetjen e programit federal Innotour.

Rezultatet e këtij projekti do të analizohen për të vlerësuar ndikimin e masës dhe për të shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të saj në të ardhmen.

Bleu banesë në Gjermani, por u pendua: “Mendova se do të shpëtoja nga qiraja, por shpenzimet më rënduan”

Blerja e një banese në Gjermani shpesh konsiderohet si një investim i sigurt dhe një mënyrë për t’u çliruar nga pagesa e qirasë. Megjithatë, për disa pronarë realiteti rezulton më i kushtueshëm nga sa pritej, transmeton albinfo.ch.

Një emigrant nga Ballkani ka ndarë në rrjetet sociale përvojën e tij, duke treguar se sa kushton në të vërtetë të jesh pronar i një banese në Gjermani, shkruajnë mediat kroate.

Ai rrëfen se tetë vite më parë bleu një banesë me kredi 20-vjeçare, me bindjen se më në fund do të jetonte “në shtëpinë e tij” dhe do të shpëtonte nga qiraja. Por sipas tij, shpenzimet reale nisën pikërisht pas blerjes.

Shpenzime mujore më të larta se sa pritej

Sipas përllogaritjeve të tij, vetëm për shpenzimet bazë komunale paguan rreth 500 deri në 550 euro në muaj.

Ai tregon se shpenzimet përfshijnë:

• rreth 150 euro për ngrohje

80 euro për energji elektrike

50 euro për ujë dhe kanalizim

70 euro për gaz

30 euro sigurim banese

40 euro tatim mbi pronën

• rreth 50 euro për ashensorin dhe pastrimin e korridorit

Përveç këtyre, sipas tij, gjithmonë ka riparime dhe defekte të vogla që shtojnë të paktën edhe 50 euro në muaj.

Investime të papritura në ndërtesë

Përveç shpenzimeve të përditshme, pronarët duhet të marrin pjesë edhe në investime të mëdha në ndërtesë. Ai thotë se deri në fund të gushtit duhet të paguajë 18.000 euro për fasadën e re të ndërtesës, një shpenzim që e rëndon edhe më shumë buxhetin familjar.

Edhe pasi të shlyejë kredinë, ai vlerëson se shpenzimet mujore për mirëmbajtjen e banesës do të mbeten rreth 550 deri në 600 euro.

Jo shumë më lirë se qiraja

Sipas tij, kjo shumë nuk është shumë më e ulët se qiraja për një banesë në Gjermani, e cila shpesh arrin 800 deri në 900 euro në muaj me shpenzime të përfshira.

Një tjetër problem, siç thotë ai, janë edhe marrëdhëniet me fqinjët.

“Kam problem me fqinjin mbi banesën time, i cili bën vazhdimisht zhurmë dhe nuk kujdeset për askënd. Kur je pronar, të gjitha problemet bien mbi ty – riparimet, ankesat dhe bisedat”, shprehet ai.

Paralajmërim për ata që planifikojnë të blejnë banesë

Ai thekson se blerja e një banese nuk do të thotë automatikisht fund i shqetësimeve financiare, por shpesh sjell detyrime afatgjata dhe stres financiar.

“Njerëzit mendojnë se kur blen një banesë e ke zgjidhur jetën. Por realiteti është se çdo muaj mezi merr frymë nga shpenzimet. Prandaj, nëse planifikoni të blini banesë në Gjermani, kontrolloni me kujdes të gjitha detajet dhe kostot reale”, përfundon ai.

Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027

Prindërit shqiptarë që jetojnë në Vjena mund të regjistrojnë fëmijët e tyre për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në shkollat publike austriake për vitin shkollor 2026/2027, shkruan albinfo.at.

Ky program zhvillohet në kuadër të mësimit të gjuhës amtare (Erstsprachenunterricht) në sistemin arsimor të Austria dhe synon që fëmijët shqiptarë të ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën shqipe paralelisht me shkollimin e tyre në gjuhën gjermane.

Afati i regjistrimit për nxënësit është i hapur deri më 31 mars 2026.

Çfarë përfitojnë fëmijët nga ky program?

Përmes këtij programi arsimor, fëmijët kanë mundësinë që:

• të mësojnë dhe të përmirësojnë gjuhën shqipe në të folur dhe në të shkruar

• të njihen më mirë me kulturën dhe traditat shqiptare

• të zhvillojnë aftësi gjuhësore që i ndihmojnë edhe në mësimin e gjuhëve të tjera

Si bëhet regjistrimi?

Prindërit duhet të ndjekin këta hapa:

• të shkarkojnë formularin e regjistrimit (në gjuhën shqipe dhe gjermane)

• të plotësojnë të dhënat e kërkuara

• ta dorëzojnë formularin në shkollën ku mëson fëmija për nënshkrim dhe vulë

• të kontaktojnë mësuesin e gjuhës shqipe për informata shtesë mbi organizimin e mësimit

Formulari i regjistrimit mund të shkarkohet në këtë link:

https://www.sfz-wien.at/images/sfz_img/download/mu/anmeldeformular-mu/Albanisch_Anmeldeformular_Erstsprachenunterricht.pdf

Informata shtesë

Për më shumë informacione rreth organizimit të mësimit dhe shkollave ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe në Vjenë, prindërit mund të kontaktojnë:

• Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” – [email protected]

• Osman Ademi – [email protected]

• Miradije Berishaj – [email protected]

Organizatorët falënderojnë prindërit për bashkëpunimin dhe mbështetjen në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj në diasporë./Albinfo.at

Ganimet Shala, e vetmja shqiptare që kandidon për deputete në Slloveni

Ganimet Shala, shqiptarja e vetme kandidate në zgjedhjet që do të mbahen më 22 mars 2026, ka shpallur kandidaturën e saj për deputete në National Assembly of Slovenia, shkruan albinfo.ch.

“Jam e vetmja shqiptare kandidate në Slloveni dhe kandidoj në një nga zonat e Lubjanës,” ka thënë Ganimet Shala për platformën Albinfo.ch.

 

 

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ajo thekson se vendimi për t’u përfshirë në politikë vjen nga përvoja e jetës së përditshme dhe nga bisedat me njerëzit që përballen me sfida të ndryshme sociale dhe ekonomike.

 

 

“Nuk premtoj zgjidhje të lehta. Premtoj ndershmëri, guxim, punë dhe zë që do të flasë qartë, vendosmërisht dhe në favor të popullit në Parlament. Unë jam një prej jush. E njoh jetën jashtë qarqeve politike”, ka thënë ajo.

 

 

Shala thekson se kandidimi i saj nuk është motivuar nga politika si qëllim në vetvete, por nga dëshira për të përfaqësuar qytetarët dhe për të adresuar shqetësimet që lidhen me të ardhmen e të rinjve, sigurinë sociale dhe mirëqenien e familjeve.

“Nuk po hyj në politikë me fjalë të bukura, por me një angazhim të qartë: të punojmë, të këmbëngulim dhe të arrijmë rezultate konkrete”, thekson ajo, duke ftuar qytetarët që ta mbështesin në këtë rrugë politike.

Në mesazhin e saj publik, kandidatja nga Ljubljana apelon për më pak premtime dhe më shumë veprime konkrete, duke theksuar se ndryshimi mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët të qytetarëve.

“Për njerëzit. Për të ardhmen. Për të gjithë ne!”, përfundon mesazhin e saj Ganimet Shala./Albinfo.ch.

Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës

Siguria nga zjarri dhe ndërtimi i qëndrueshëm në qendër të webinarit të parë të AES

Në ligjëratën e tij në webinarin e Albanian Engineering of Switzerland, Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta trajtoi sfidat e ndërtesave moderne, përdorimin e drurit në struktura të larta dhe teknologjitë bashkëkohore të analizës së zjarrit.

Siguria nga zjarri në ndërtesat moderne dhe sfidat e ndërtimit të qëndrueshëm ishin në qendër të webinarit të parë të organizuar nga Shoqata Albanian Engineering of Switzerland (AES), një aktivitet që mblodhi profesionistë shqiptarë të inxhinierisë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. Ligjërata kryesore u mbajt nga Inxhinieri i Sigurisë nga Zjarri Florent Lushta, ndërsa diskutimi u moderua nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha.

Ky aktivitet shënoi hapjen e ciklit të webinareve profesionale që AES ka planifikuar gjatë vitit 2026, një nismë që synon të krijojë një platformë të strukturuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional mes inxhinierëve shqiptarë të diasporës. Përmes këtyre takimeve synohet ndarja e përvojave profesionale, diskutimi i zhvillimeve më të fundit në fushat teknike dhe forcimi i rrjetëzimit profesional mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari u zhvillua në platformën Microsoft Teams dhe mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës, duke dëshmuar interesimin e madh për temat që lidhen me arkitekturën bashkëkohore, ndërtimin e qëndrueshëm dhe sigurinë teknike në ndërtesa. Pas prezantimit kryesor, aktiviteti vijoi me një diskutim të zgjeruar profesional, ku pjesëmarrësit parashtruan pyetje dhe ndanë përvoja nga projekte të ndryshme ndërkombëtare.

Në ligjëratën e tij, Florent Lushta trajtoi sfidat që lidhen me projektimin e ndërtesave moderne në një kontekst ku urbanizimi i përshpejtuar dhe ndryshimet klimatike po kërkojnë qasje të reja në arkitekturë dhe inxhinieri. Ai u ndal fillimisht te ndikimi që kanë zgjidhjet ekologjike në përmirësimin e klimës urbane, duke theksuar rolin e gjelbërimit urban dhe të materialeve natyrore në reduktimin e temperaturave në qytete.

Sipas analizave dhe ekspertizave të ndryshme, ndërhyrje të tilla mund të ulin temperaturën urbane deri në tetë gradë Celsius, duke zbutur ndjeshëm fenomenin e njohur si “ishulli i nxehtësisë urbane”, një problem gjithnjë e më i pranishëm në qytetet moderne.

Në këtë kontekst u theksua edhe një paradoks energjetik që po vërehet në Evropën Perëndimore: gjatë verës shpenzohet më shumë energji për ftohjen e ndërtesave sesa gjatë dimrit për ngrohjen e tyre. Ky realitet e bën edhe më kompleks projektimin e ndërtesave të reja, veçanërisht në rajonet alpine si Zvicra, ku standardet e ndërtimit dhe kërkesat për efikasitet energjetik janë ndër më të lartat në Evropë.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua përdorimit të drurit në ndërtim, një material që në dekadat e fundit po rikthehet në qendër të arkitekturës bashkëkohore si alternativë e qëndrueshme ndaj materialeve tradicionale. Në shumë projekte moderne, druri përdoret jo vetëm në fasada, por edhe si element strukturor në shtylla, dysheme dhe struktura mbajtëse.

Gjatë webinarit u përmendën edhe projekte të realizuara në Zvicër ku ndërtesa mbi 30 metra të larta janë ndërtuar kryesisht me konstrukcione druri, ndërsa pjesët e poshtme të strukturës realizohen me beton për të garantuar stabilitet shtesë. Kjo qasje hibride, që ndërthur materiale të ndryshme ndërtimore, konsiderohet një nga drejtimet më të rëndësishme të arkitekturës bashkëkohore.

Megjithatë, përdorimi i drurit në ndërtesa të larta paraqet sfida të veçanta për inxhinierinë e sigurisë nga zjarri. Rreziku nuk lidhet vetëm me djegien e materialit, por edhe me dobësimin e elementeve mbajtëse të strukturës në rast të temperaturave të larta. Për këtë arsye projekte të tilla kërkojnë koncepte të integruara të sigurisë nga zjarri, ku ndërthuren dimensionimi strukturor, sistemet aktive të mbrojtjes dhe planifikimi i kujdesshëm i rrugëve të evakuimit.

Në prezantim u shpjeguan gjithashtu fazat kryesore të zhvillimit të zjarrit nga këndvështrimi i inxhinierisë së zjarrit: faza e ndezjes, faza e përhapjes dhe fazat e avancuara të zhvillimit të flakës dhe të tymit. Nëse ndërhyrja realizohet në fazën e hershme, zjarri mund të kontrollohet përmes sistemeve automatike të shuarjes ose ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse.

Sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit, elementet strukturore dimensionohen në mënyrë që të garantojnë një rezistencë ndaj zjarrit prej të paktën 60 minutash, duke siguruar kohën e nevojshme për evakuimin e njerëzve dhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar gjatë webinarit ishte përdorimi i metodave moderne të analizës së zjarrit. Inxhinieria bashkëkohore përdor simulime të avancuara kompjuterike për të analizuar zhvillimin e zjarrit dhe përhapjen e tymit në ndërtesa. Një nga metodat më të përdorura është Computational Fluid Dynamics (CFD), e cila mundëson modelimin tredimensional të rrjedhës së ajrit, përhapjes së tymit dhe ndryshimeve të temperaturës në hapësira të ndryshme.

Këto analiza përdoren jo vetëm në ndërtesa, por edhe në tunele, industri mekanike dhe sisteme komplekse transporti. Në këtë kontekst u përmend edhe bashkëpunimi me institucionet infrastrukturore si SBB, ku simulime të tilla përdoren për të analizuar përhapjen e zjarrit dhe të tymit në infrastrukturë hekurudhore dhe në sisteme transporti me kompleksitet të lartë teknik.

Gjatë diskutimit u përmend edhe rasti i zjarrit katastrofal në Crans-Montana, i cili kishte nxitur reflektim të gjerë në komunitetin profesional. Sipas analizave të përmendura gjatë webinarit, një nga problemet kryesore kishte qenë fakti se daljet e emergjencës nuk kishin qenë të planifikuara dhe të funksionalizuara sipas standardeve të kërkuara, ndërsa disa prej tyre kishin qenë të mbyllura ose të bllokuara, duke vështirësuar evakuimin e personave në ndërtesë. Ky rast u përdor si shembull për të theksuar rëndësinë e projektimit korrekt të rrugëve të evakuimit dhe respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë nga zjarri.

Pas prezantimit pasoi një diskutim i gjerë profesional i moderuar nga Inxhinier Gjeodet Emilijano Hoxha, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi praktikat bashkëkohore të projektimit dhe mbi rolin gjithnjë e më të madh që kanë analizat numerike dhe simulimet kompjuterike në inxhinierinë moderne të sigurisë nga zjarri.

Shoqata Albanian Engineering of Switzerland është një organizatë jofitimprurëse që synon të bashkojë dhe të bashkërendojë aftësitë dhe përvojën profesionale të inxhinierëve shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë. Përmes aktiviteteve të saj, ajo promovon profesionistët shqiptarë në fushat inxhinierike dhe shkencore dhe kontribuon në rritjen e vizibilitetit të komunitetit shqiptar në hapësirën profesionale.

Webinaret organizohen në gjuhën shqipe dhe janë të hapura për pjesëmarrje pa pagesë. Sipas organizatorëve, këto aktivitete synojnë të krijojnë një platformë të përbashkët ku profesionistët shqiptarë mund të ndajnë përvojat e tyre, të diskutojnë zhvillimet më të fundit në fushat përkatëse dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes ekspertëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Webinari i dytë i këtij cikli pritet të mbahet më 17 qershor 2026. Të gjitha informacionet lidhur me Webinaret dhe programin i gjeni në linkun në vijim:

https://www.linkedin.com/company/albaninan-engineering-of-switzerland?originalSubdomain=ch

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Tri spitale të Zvicrës në listën e 20 spitaleve më të mira në botë

Një spital nga Zvicra gjendet në 10 vendet e para të listës se spitaleve më të mira në botë. Geneva University Hospitals (HUG) është në mesin e spitaleve më të mira, ndërsa në vendin e 20-të renditet Lausanne University Hospital në Lozanë.

Më shumë se 2500 spitale në 32 vende janë analizuar nga revista Newsweek dhe portali statistikor Statista në një krahasim ndërkombëtar të fundit, raporton Albinfo.ch.

Nga kjo analizë, 250 spitalet më të mira në botë janë vlerësuar dhe renditur.

Ndërkohë edhe spitale të tjera zvicerane janë renditur shumë lart. University Hospital Basel gjendet në vendin e 23-të të listës.

Vlerësimi është bazuar në katër burime kryesore të të dhënave: rekomandimet e ekspertëve mjekësorë nga 32 vende, treguesit e cilësisë së spitaleve, të dhënat publike për kënaqësinë e pacientëve, si dhe PROMs (Patient-Reported Outcome Measures), që matin gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve pas trajtimit./Albinfo.ch/

Rriten çmimet e naftës në Zvicër

Që nga shpërthimi i luftës në Iran, çmimi mesatar i naftës në pompë është rritur me 8.6%, ndërsa benzina pa plumb 95 është rritur me një shifër më modeste prej 3.7%.

Këto shifra vijnë nga radari i çmimeve të Touring Club of Switzerland (TCS), një mjet i bazuar në paraqitjet e përdoruesve që gjurmon rreth 3,200 stacione benzine në të gjithë vendin, transmeton albinfo.ch.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, konflikti në Iran ka shkaktuar turbulenca të forta në tregjet globale të energjisë, me efektet e ndjera edhe në Zvicër, tha TCS në një deklaratë të mërkurën. Çmimi mesatar i naftës u rrit nga 1.75 CHF më 28 shkurt në 1.90 CHF më 9 mars.

Sipas ekspertëve të TCS, rritja më e fortë e çmimeve të naftës është e lidhur me kërkesën më të lartë industriale.

Radari i çmimeve të karburantit TCS ka tërhequr interes të konsiderueshëm ditët e fundit: herë pas here, kontrollet ditore ishin deri në dhjetë herë më të larta se para shpërthimit të luftës. Shifrat bazohen në informacionin e paraqitur nga shoferët dhe nuk janë verifikuar nga TCS. “Megjithatë, falë kontributit kolektiv dhe mbulimit të gjerë, këto të dhëna ofrojnë një pamje realiste të tendencave të çmimeve në stacionet zvicerane të benzinës”, tha shoqata.

Autoritetet e Kosovës do të nderojnë manifestimin “Kurora e Lirisë” në Bernë

Manifestimi përkujtimor dhe kulturor “Kurora e Lirisë”, që do të mbahet këtë të shtunë, më 14 mars në Kursaal Arena në Bernë, do të nderohet me praninë e përfaqësuesve të lartë institucionalë nga Republika e Kosovës.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare të Republikës së Kosovës, Andin Hoti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ata do të jenë pjesë e këtij manifestimi përkujtimor kushtuar sakrificës së Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

Prania e autoriteteve të Kosovës në këtë manifestim përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi ndërmjet institucioneve dhe mërgatës shqiptare në Zvicër, duke nderuar kujtesën historike dhe sakrificën për liri.

Manifestimi “Kurora e Lirisë” organizohet nga Këshilli i Shoqatave Kulturore Shqiptare në Zvicër, në bashkëpunim me shoqata dhe organizata kulturore shqiptare që veprojnë në Zvicër. Në program do të marrin pjesë ansamble artistike, kore, grupe kulturore dhe artistë nga Zvicra dhe Kosova, duke sjellë një program të pasur përkujtimor dhe artistik.

Në kuadër të manifestimit do të hapet gjithashtu ekspozita fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare” e autorit Sefer Aliçkaj, e cila për herë të parë prezantohet për publikun në Zvicër.

Për më shumë informata kontaktoni koordinatoren dhe përgjegjëse ne këtij projekti, Mirishahe Limani Hiler në 079 607 46 74.

Albinfo.ch fton të gjithë mërgimtarët që të jenë pjesë e këtij manifestimi i cili nderon jo vetëm ngjarjen por vet mërgatën si pjesë kyqe e Kurores së Lirisë.

 

 

 

Irani tërhiqet nga Botërori

Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s, deklaroi se Trump mirëpret Iranin në Botëror, por i menjëhershëm ishte reagimi nga Teherani, me këta të fundit që për herë të parë deklaruan publikisht se nuk do të marrin pjesë në Botërorin “FIFA2026”:

“Nga ky moment që kjo qeveri e korruptuar, SHBA, ka vrarë liderin tonë, nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në Botëror. Na kanë sulmuar dy herë brenda 8-9 muajve. Me mijëra qytetarë tanë janë vrarë. Nuk ka asnjë shans të marrin pjesë në këtë Botëror”, u shpreh Ministri i Sporteve në Iran, transmeton albinfo.ch.

Irani është në grup me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re në Botërorin që do të mbahet në qershor të këtij viti.

FIFA ende nuk ka komentuar për zhvillimin e fundit. Më herët presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk brengoset nëse Irani merr pjesë apo jo.

Bern: Voziti 164 km/h në zonë me kufizim 80 km/h

Kantonspolizei Bern ka ndaluar një shofer që po lëvizte me shpejtësi shumë mbi kufirin e lejuar gjatë një kontrolli të trafikut të zhvilluar të martën në mbrëmje në Oberösch, në komunën Ersigen, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, 56-vjeçari u kap duke vozitur me 164 kilometra në orë, në një segment rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Shoferi u identifikua gjatë një kontrolli të shpejtësisë në rrugën Bern–Zürich, në zonën e Dörflistrasse. Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia arriti ta ndalojë automjetin dhe ta kontrollojë drejtuesin.

Më pas, burri u shoqërua në një stacion policor për verifikime të mëtejshme. Autoritetet i konfiskuan menjëherë patentë-shoferin, ndërsa ai pritet të përballet me drejtësinë sipas ligjeve zvicerane për shkeljet e rënda të shpejtësisë, të njohura si “raserdelikte”.

Policia bëri të ditur se procedurat ligjore ndaj tij janë në vazhdim./Albinfo.ch

Bau Investment Schweiz AG zgjeron portofolin me një nga projektet rezidenciale më të larta në Effretikon

Kompania Bau Investment Schweiz AG, me seli në Schlieren të Cyrihut, po forcon praninë e saj në tregun e pasurive të paluajtshme përmes blerjes së një objekti të rëndësishëm banimi në rajonin e Effretikon.

Ky projekt modern rezidencial, një ndër objektet më të larta në rajon, përfshin gjithsej 51 njësi banimi dhe karakterizohet nga arkitekturë e menduar me kujdes, lokacion strategjik dhe standarde të larta komoditeti për banorët.

Ndërtesa është projektuar në mënyrë që të integrohet në mënyrë harmonike me mjedisin përreth, duke kombinuar dizajnin bashkëkohor me funksionalitetin praktik të hapësirave të banimit. Apartamentet janë të përshtatshme për kategori të ndryshme banorësh, duke përfshirë familje, çifte dhe individë që kërkojnë cilësi të lartë jetese dhe një ambient modern e të rehatshëm.

“Me këtë investim, Bau Investment Schweiz AG zgjeron në mënyrë strategjike portofolin e saj të pasurive të paluajtshme me një projekt që ofron stabilitet afatgjatë të vlerës dhe potencial të konsiderueshëm zhvillimi në të ardhmen”, thotë Loris Shoshi, CEO i kompanisë.

Ndërsa Arsen Shoshi, Drejtor i Bordit në Bau Investment Schweiz AG, i cili ka më shumë se dy dekada eksperiencë në sektorin e pasurive të paluajtshme, thekson rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e kompanisë.

“Me këtë investim, ne po ndërtojmë një portofol afatgjatë pronash dhe po rrisim stabilitetin financiar të kompanisë sonë. Që nga periudha e pandemisë COVID-19, kur themeluam kompaninë, kemi pasur rritje të konsiderueshme dhe kemi zgjeruar operacionet tona në treg”, thotë ai.

Sipas tij, kombinimi i arkitekturës moderne, planifikimit funksional të hapësirave dhe vendndodhjes së favorshme e bën këtë kompleks banimi një investim të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm.

Ky projekt pasqyron vizionin e kompanisë për zhvillimin e pasurive të paluajtshme që jo vetëm përmbushin standardet bashkëkohore të banimit, por gjithashtu krijojnë vlerë të qëndrueshme për banorët, investitorët dhe komunitetin lokal.

Përmes projekteve të tilla, Bau Investment Schweiz AG kontribuon në zhvillimin urban dhe në krijimin e hapësirave moderne të jetesës në rajonin e Cyrihut. Kompania është e specializuar në konsolidimin dhe zgjerimin e portofolit të pronave të banimit ekzistues dhe aktualisht zotëron qindra apartamente.

Lexoni po ashtu:

“Bau Investment Schweiz AG”, kompania që lulëzoi në kohë pandemie

 

11 kosovarë evakuohen nga Dubai dhe arrijnë në Aeroportin e Shkupit

Pasditen e sotme, 11 kosovarë janë evakuuar nga Dubai dhe kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, pjesë e grupit të dytë të qytetarëve që u larguan pas shpërthimit të luftës mes ShBA-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, personat kanë fluturuar shëndoshë e mirë, dhe mes tyre gjenden edhe shtetas nga Serbia (7), Bosnja dhe Hercegovina (2), Shqipëria (2), Gjermania (1), Armenia (1) dhe Mali i Zi (1).

Ministria sqaroi se fluturimi u organizua në koordinim me institucionet kompetente dhe se kostot u mbuluan plotësisht nga shteti.

Ndërkohë, pritet që grupi i tretë i qytetarëve të mbërrijë nesër në Prishtinë me fluturim nga Riadi, Mbretëria e Arabisë Saudite./Albinfo.ch

Publikohet lista e miliarderëve më të pasur të botës për vitin 2026

Forbes ka publikuar sot edicionin e 40-të vjetor të listës së saj “Miliarderët e Botës”, duke treguar renditjen e personave më të pasur në planet.

Gjatë 12 muajve të fundit, pasuria e miliarderëve ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, ndërsa numri i tyre ka arritur në 3,428 persona – rreth 400 më shumë se rekordi i vitit të kaluar, dhe niveli më i lartë që nga krijimi i listës në vitin 1987. Së bashku, këta miliarderë zotërojnë pasuri prej 20.1 trilionë dollarësh, nga 16.1 trilionë që ishte një vit më parë. Ndër ta, 20 persona kanë pasuri mbi 100 miliardë dollarë.

Elon Musk kryeson listën për herë të dytë radhazi, me një pasuri të vlerësuar rreth 839 miliardë dollarë, duke e bërë personin më të pasur në historinë e regjistruar. Pasuria e tij është rritur me gati 500 miliardë dollarë falë performancës së lartë të Tesla dhe SpaceX, e cila planifikon të dalë në bursë gjatë këtij viti. Musk është gjithashtu personi i parë që ka kaluar nivelin e 800 miliardë dollarëve, duke u afruar drejt titullit të trilionerit të parë në botë.

Larry Page, bashkëthemelues i Google, renditet i dyti me 257 miliardë dollarë, i ndjekur nga Sergey Brin me 237 miliardë dollarë. Jeff Bezos i Amazon zë vendin e katërt (224 miliardë dollarë), ndërsa Mark Zuckerberg i Meta-s mbyll pesëshen e parë me 222 miliardë dollarë.
Pasuria e ish-presidentit Donald Trump u rrit me 27%, duke arritur rreth 6.5 miliardë dollarë, kryesisht nga investimet në kriptovaluta dhe anulimi i dënimit për mashtrim në Nju Jork. Ai renditet në vendin e 645-të globalisht.

Lista e vitit 2026 përfshin gjithashtu 390 miliarderë të rinj, mes tyre: Dr. Dre, Beyoncé Knowles-Carter, CEO i ri i Berkshire Hathaway Greg Abel, tenisti legjendar Roger Federer, Kimbal Musk dhe Nicole Shanahan.
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara kryesojnë me 989 miliarderë dhe pasuri totale 8.4 trilionë dollarë, ndjekur nga Kina me 539 dhe India me 229.
Në grupin ekskluziv të miliarderëve me pasuri mbi 100 miliardë dollarë janë 20 persona, që zotërojnë 3.8 trilionë dollarë – pothuajse një e pesta e pasurisë së të gjithë miliarderëve.

Nga ana tjetër, 89 individë kanë dalë nga lista këtë vit, përfshirë Jared Isaacman, Charles Cohen dhe 39 të tjerë që kanë ndërruar jetë.

Aeroporti i Cyrihut përballet me sfida për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme

Aeroporti i Cyrihut ka anuluar 143 fluturime që nga 28 shkurti për shkak të mbylljes së disa aeroporteve në Lindjen e Mesme. Shumë avionë nga linjat Emirates, Etihad, Qatar Airways dhe El Al janë parkuar papritur në Cyrih, duke vënë nën presion kapacitetin e parkimit.

CEO i aeroportit, Lukas Brosi, tha se vonesat e fluturimeve pas orës 23:00 janë ulur ndjeshëm në 2025, por përmirësime të mëtejshme kërkojnë zgjerim të pistave dhe ndryshime në rregullore. Iniciativa kantonale për kufizimin e fluturimeve në natë mbetet sfidë për aeroportin.

Megjithë këto vështirësi, Aeroporti i Cyrihut shënoi vitin 2025 si rekord për numrin e pasagjerëve dhe fitimet, me të ardhura që arritën 1.4 miliardë franga zvicerane. Brosi parashikon që situata në Lindjen e Mesme do të ketë më shumë ndikim negativ se pozitiv në trafikun e ardhshëm ajror.

BE lancon mjet AI për zbulimin e ushqimit të kontaminuar

Bashkimi Evropian ka lançuar një platformë të re bazuar në inteligjencën artificiale, e cila synon të identifikojë ushqimin e kontaminuar në kohë pothuajse reale. Ky sistem, i quajtur TraceMap, ofron një analizë të avancuar të të dhënave të mëdha dhe ndihmon autoritetet të zbulojnë produktet e pasigurta më shpejt, duke përmirësuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe reagimin institucional.

Platforma u mundëson autoriteteve kombëtare në vendet anëtare të BE-së të identifikojnë mashtrimet në sektorin e ushqimit, të gjurmojnë produktet e kontaminuara dhe të veprojnë shpejt ndaj shpërthimeve të mundshme. Ajo mbledh dhe analizon të dhëna nga e gjithë zinxhiri ushqimor, nga prodhimi te tregtia, duke monitoruar lëvizjen e produkteve dhe flukset tregtare.

Përdorimi i algoritmeve të avancuara të inteligjencës artificiale lejon lidhjen e të dhënave nga institucione dhe kompani të ndryshme, duke zbuluar modele të pazakonta që mund të tregojnë rreziqe për ushqimin. Kjo ndihmon që ushqimi potencialisht i pasigurt të identifikohet herët, përpara se të arrijë te konsumatorët ose të përhapet në treg.

40 vende përfshirë Zvicrën mblidhen në Paris për rilindjen e energjisë bërthamore

Rreth 40 vende, përfshirë Zvicrën, u mblodhën në Paris për Samitin e Energjisë Bërthamore, që synon të konsolidojë rilindjen e energjisë bërthamore civile. Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi energjinë bërthamore si një faktor pavarësie dhe sovraniteti energjetik, duke nxitur investime në këtë sektor “të së ardhmes”.

Samiti vjen në një kohë kur çmimet e naftës dhe gazit janë rritur për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme. Përfaqësues të G7 diskutojnë gjithashtu mbi ndikimin e këtyre çmimeve.

Aktivistë të Greenpeace u përpoqën të ndërprisnin fjalimin e presidentit Macron, duke protestuar për lidhjen e energjisë bërthamore me konfliktet ndërkombëtare.

Sektori bërthamor po rifitohet vëmendje globalisht për shkak të nevojës për energji të sigurt, dekarbonizim dhe kërkesës në rritje për energji, duke përfshirë përdorimin në teknologjitë e inteligjencës artificiale. Aktualisht, energjia bërthamore siguron rreth 10% të energjisë elektrike në botë, me rreth 450 reaktorë në një tridhjetë vende.

Zvicra planifikon të lehtësojë përgjimet telefonike për të monitoruar grupet ekstremiste

Këshilli i Shteteve në Zvicër ka miratuar disa mocione që kërkojnë zgjerimin e kompetencave të mbikëqyrjes, duke përfshirë përgjimet telefonike ndaj grupeve ekstremiste të dhunshme. Aktualisht, masa të tilla hetimore lejohen vetëm në raste që lidhen me terrorizmin, përhapjen e armëve bërthamore ose sulmet ndaj infrastrukturës kritike.

Nisma për ndryshimin e ligjit erdhi pas protestës pro-palestineze që u shndërrua në dhunë në Bernë në nëntor, ku u plagosën disa persona, përfshirë policë dhe protestues. Sipas autorëve të mocionit, kjo ngjarje tregoi se grupet ekstremiste mund të përbëjnë një kërcënim gjithnjë e më të madh për sigurinë publike.

Senatorët e miratuan propozimin me shumicë të madhe votash, duke mbështetur gjithashtu edhe iniciativa të tjera që synojnë forcimin e luftës kundër dezinformimit që vjen nga jashtë.

Me këtë hap, autoritetet synojnë t’u japin organeve të sigurisë mjete shtesë për të parandaluar dhe hetuar aktivitetet e grupeve të dhunshme. Dosja tani do të kalojë për shqyrtim në Këshillin Kombëtar.

Si po ndikon lufta në Lindjen e Mesme në jetën në Zvicër

Në botën e sotme të ndërlidhur, konfliktet që ndodhin larg vendbanimit të dikujt mund të kenë megjithatë pasoja pak a shumë të rëndësishme në një shkallë globale.

Edhe Zvicra është e zënë në zjarr të konfliktit që po zhvillohet aktualisht në Lindjen e Mesme – megjithëse për fat të mirë jo në kuptimin e mirëfilltë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Këto janë disa nga mënyrat se si Zvicra është prekur tashmë nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe përgjigja e Teheranit – plus pasojat që ka të ngjarë të vuajë në të ardhmen e afërt.

Çmimet e derivateve

Çmimet e benzinës në Zvicër kanë qenë relativisht të qëndrueshme që nga viti 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën. Por tani ato po rriten përsëri.

Sipas Roland Bilang, drejtor i Avenergy, organizatës ombrellë për profesionistët e tregut të naftës, çmimet në pompat zvicerane do të vazhdojnë të rriten në ditët dhe javët në vijim, duke arritur, dhe ndoshta edhe duke tejkaluar, 2 franga për litër – nga rreth 1.70 për litër mesatarisht aktualisht për benzinën pa plumb 95.

Ekonomia

Nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet më tej dhe çmimi i naftës vazhdon të rritet, ekonomia zvicerane mund të ndikohet.

Sipas institutit kërkimor BAK Economics, rritja do të bjerë me rreth një të tretën nën nivelet e parashikuara.

“Goditjet e konsiderueshme të çmimeve të naftës do ta ngadalësonin ndjeshëm ekonominë zvicerane, por nuk pritet ta prishin atë,” tha kryeekonomisti i BAK, Claude Maurer.

Udhëtime

Pas fillimit të luftës më 28 shkurt, mijëra turistë zviceranë mbetën të bllokuar në Lindjen e Mesme, të paaftë të ktheheshin në shtëpi sepse linjat ajrore ndaluan së operuari.

Situata ende nuk është kthyer në normalitet. Ndërsa disa linja ajrore të Gjirit kanë rifilluar pjesërisht fluturimet e tyre për në Cyrih, SWISS ka pezulluar operacionet për në Tel-Aviv deri më 2 prill dhe për në Teheran deri më 20 prill. Megjithatë, në varësi të situatës, pezullimi i këtyre dhe fluturimeve të tjera në rajon mund të zgjatet.

Terrorizmi

Shërbimi Federal i Inteligjencës (FIS) e konsideron ‘të mundshme’ që Irani të ndërmarrë veprime hakmarrëse duke synuar objektiva izraelite, hebraike dhe amerikane në vende të ndryshme, përfshirë Zvicrën.

“Ne besojmë se ka të ngjarë që shërbimet iraniane, aleatët e tyre ose rrjetet kriminale të mandatuara nga Irani do të kryejnë veprime në Evropë dhe Zvicër”, tha zëdhënësi i FIS, Christoph Gnägi, për mediat zvicerane.

Rreziku, tha ai, nuk vjen vetëm nga vetë Irani, por edhe nga grupe simpatizante si Hezbollahu libanez “i cili është veçanërisht aktiv në Zvicër”.

Teknologjia, komunikimet dhe inteligjenca artificiale

“Përtej çmimeve të larta të gazit dhe naftës, konflikti po destabilizon gjithashtu sektorë të tërë të ekonomisë, siç janë turizmi, financat dhe inteligjenca artificiale”, tha ekonomisti Stéphane Garelli për transmetuesin publik RTS.

Kjo sepse “iranianët kanë filluar të bombardojnë qendrat e të dhënave në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nëse filloni të synoni qendrat e të dhënave, po synoni teknologjinë, komunikimet dhe inteligjencën artificiale. E gjithë kjo është në rrezik të shkatërrohet”.

Por jo të gjitha perspektivat janë të zymta

Përmes të gjitha trazirave globale në dekadat e fundit, Zvicra ka treguar një rezistencë të lakmueshme ndaj goditjeve të ndryshme.

Në vitet e fundit, për shembull, ekonomia e saj është rikuperuar më shpejt dhe më mirë se vendet e tjera nga pandemia e Covid. Hulumtuesit zbuluan se kjo rezistencë “pasqyron forcën gjithëpërfshirëse ekonomike të Zvicrës kundër krizave”.

Nuk është ndryshe as këtë herë.

Në një intervistë të kohëve të fundit me median zvicerane, Jan-Egbert Sturm, kreu i Institutit Ekonomik KOF, vuri në dukje se “industria jonë është relativisht efikase nga ana e energjisë dhe e fokusuar shumë në produktet specifike. Ndërsa sektorët që kërkojnë shumë energji sigurisht që preken drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve të naftës, ky kanal nuk është më vendimtari për ekonominë zvicerane në tërësi.”

Zvicër: Sa flitet gjuha shqipe në shtëpi

Një në katër persona në Zvicër tani flet një gjuhë jo-kombëtare si gjuhë kryesore.

Shifrat e reja nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se kjo përqindje arriti në 25 përqind në vitin 2024, nga 19 përqind në vitin 2010, transmeton albinfo.ch.

Pas gjermanishtes, frëngjishtes dhe italishtes, gjuhët më të zakonshme janë anglishtja me 6 përqind, e ndjekur nga shqipja dhe portugalishtja me rreth 3 përqind secila.

Anglishtja është veçanërisht e përhapur në qytetet e mëdha, me rreth 15 përqind të banorëve në Gjenevë dhe Cyrih që e përdorin atë si gjuhë kryesore.

Studimi tregon gjithashtu se anglishtja luan një rol në rritje në punë dhe në arsimin e lartë.

Çmimi i naftës në Kosovë arrin deri në 1.60 euro për litër

Pas një periudhe të trazuar dhe luhatjesh në tregjet globale të energjisë, situata në tregun e derivateve në Kosovë po tregon shenja përmirësimi, megjithëse çmimet mbeten të larta për konsumatorët, përcjell albinfo.ch.

Ditën e djeshme, berza e naftës u mbyll me një rritje prej vetëm 15 dollarësh, duke treguar një stabilizim të lehtë pas valës së luhatjeve që kanë ndikuar në çmimet botërore të naftës si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme.

Kështu ka bërë të ditur Fadil Berjani kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.“Sot, në Kosovë çmimet e derivateve vazhdojnë të jenë: dizelli prej 1.44€ deri në 1.60€ për litër, ndërsa benzina shkon nga 1.27€ deri në 1.39€ për litër”, tha Berjani. Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit bëhet e ditur se institucionet po monitorojnë tregun e derivateve për të parandaluar çdo praktikë të padrejtë tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët. Sipas tyre, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në rast se konstatohet shkelje e ligjit.

Kjo situatë lidhet ngushtë me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, rajon ky kyç për furnizimin global me naftë.

Konfliktet dhe tensionet politike në këtë pjesë të botës kanë shkaktuar pasiguri në prodhimin dhe transportin e naftës, duke ndikuar drejtpërdrejt në luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare./telegrafi

Zvicra eksportoi mbi 948 milionë franga materiale lufte gjatë vitit të kaluar

Kompanitë zvicerane eksportuan gjatë vitit të kaluar materiale lufte në vlerë prej 948.2 milionë frangash zvicerane, duke iu afruar shumë rekordit të vitit 2022, kur eksportet arritën në 955 milionë franga, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga State Secretariat for Economic Affairs (SECO), gjatë vitit 2025 Gjermania ishte blerësi kryesor i pajisjeve ushtarake zvicerane, me importe në vlerë prej 386.4 milionë frangash.

Pas saj në listën e vendeve kryesore që kanë pranuar dërgesa të miratuara nga SECO renditen Shtetet e Bashkuara, Hungaria, Italia dhe Luksemburgu.

Të dhënat tregojnë se Evropa përbën tregun kryesor për eksportet e materialeve të luftës nga Zvicra, duke zënë 86.1 për qind të totalit të eksporteve. Kontinenti amerikan vjen në vendin e dytë me 10.4 për qind, ndërsa në total dërgesat janë realizuar në 64 vende të botës.

Sa i përket kategorive të produkteve, pjesa më e madhe e eksporteve në vitin 2025 përbëhej nga municionet dhe komponentët e tyre, të cilat përbënin rreth 43 për qind të vlerës totale.

Rreth 24 për qind e eksporteve ishin automjete të blinduara dhe pjesë të tyre. Industria zvicerane gjithashtu eksporton armë të kalibrave të ndryshëm, komponentë të avionëve luftarakë, sisteme të kontrollit të zjarrit, si dhe eksplozivë dhe lëndë djegëse për qëllime ushtarake.

Turnir futsalli në Berlin për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Në bashkëorganizim me FC Liria, në Berlin u zhvillua një turnir futsalli në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktiviteti solli së bashku komunitetin shqiptar dhe u zhvillua në një atmosferë sportive dhe festive, duke kombinuar kujtimin historik me pasionin për sportin, transmeton albinfo.ch.

Në këtë organizim, Ambasadori Ajeti falënderoi pjesëmarrësit dhe FC Liria për përkushtimin dhe angazhimin në realizimin e turnirit. Ai vuri në dukje rëndësinë e Epopesë së UÇK-së si simbol të sakrificës, guximit dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës, duke theksuar se aktiviteti u zhvillua në nder të kontributit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Turniri u shndërrua në një mundësi për të forcuar lidhjet mes bashkatdhetarëve dhe për të kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës./Albinfo.ch