Zyrtarisht themelohet SwissCham në Maqedoninë e Veriut

Ambasadori Sommer mori pjesë në ceremoninë zyrtare të themelimit të SwissCham Maqedoni e Veriut, një moment kyç në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Me mbi 100 kompani zvicerane që veprojnë tashmë në Maqedoninë e Veriut, SwissCham do të shërbejë si një platformë për të lidhur bizneset, për të inkurajuar partneritetet dhe për të krijuar mundësi të reja për tregti, investime dhe inovacion.

Ambasada e Zvicrës shpreh mbështetjen e saj për këtë iniciativë dhe pret që SwissCham Maqedoni e Veriut të rritet duke forcuar lidhjet ekonomike dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë

Më 28 mars 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, mbahet një event i organizuar nga ODGSH me temën “Integrimi përmes punës & ndërmarrësisë”, përcjell albinfo.ch.

Aktiviteti synon të trajtojë rolin e pjesëmarrjes ekonomike si çelës i integrimit dhe përfshirjes aktive, me fokus te mundësitë, sfidat dhe rrugët e suksesit për gratë me sfond migrimi.

Arritja e pjesëmarrësve është paraparë nga ora 13:00, ndërsa programi zhvillohet nga ora 13:30 deri në 16:00, për t’u përmbyllur me aperitiv dhe networking. Pjesëmarrja është falas, por regjistrimi është i detyrueshëm deri më 23 mars 2026./Albinfo.ch

Testet zbulojnë nivel të lartë të PFAS në qumështin e Appenzell Ausserrhoden

Kantoni i Appenzell Ausserrhoden ka kryer midis tetorit 2025 dhe marsit 2026 një kontroll vullnetar për prani të PFAS në qumësht dhe ujë për kafshët e fermave. Rezultatet tregojnë se rreth një e treta e fermave të testuara kanë nivele të rritura të PFAS në qumësht, transmeton albinfo.ch.

Sipas ekspertëve, nëse Zvicra adopton kufijtë maksimalë të BE-së për këto substanca, disa ferma mund të përballen me kërcënim serioz për ekzistencën e tyre. Shkaku i këtyre kontrolleve lidhet pjesërisht me rastin e njohur “Amcor” në kantonin fqinj, St. Gallen, ku substanca PFAS nga shkumëfikësit e zjarrit të një kompanie paketimi depërtuan në mjedis, duke shkaktuar rritje të ndotjes në rajonin veripërëndimor, pranë kufirit me Appenzell Ausserrhoden.

Në këtë kontekst, kantoni i Appenzell Ausserrhoden nisi në tetor një fushatë kontrolli dhe ftoi fermerët të testojnë vullnetarisht qumështin dhe ujin e pijshëm për kafshët. Analizat u kryen në laboratorin ndërkantonal të Schaffhausen-it.

Rezultatet tregojnë se në 58 ferma niveli i PFAS në qumësht kalon normën aktuale të BE-së prej 0.02 mikrogram për kilogram. Në disa raste tejkalimi ishte modest, në të tjera, ndjeshëm i lartë. Qumështi përdoret si tregues kryesor, pasi lopët përthithin këto substanca përmes ushqimit, duke reflektuar ndotjen në të gjithë fermën.

Në 9 ferma pa prodhim qumështi u regjistruan gjithashtu nivele të larta në ujin e pijshëm për kafshët. Në total, në studim morën pjesë 169 ferma.

Analiza tregon se ndotja është e përqendruar kryesisht në dy zona: në Vorderland pranë kufirit me St. Gallen dhe në Mittelland rreth Bühler AR. Shkaktarë të mundshëm konsiderohen mbetjet lokale të industrisë, për shembull ujërat e ndotura që shkojnë në impiantet e trajtimit të ujërave.

Aktualisht, Zvicra nuk ka një kufi ligjor për PFAS në qumësht, ndaj për referencë u përdor niveli i BE-së. Por pritet që nga viti 2027, BE-ja të vendosë kufij të detyrueshëm për PFAS në ushqime, të cilat pritet të ndikojnë edhe në tregun zviceran. Kjo mund të çojë në ndalim të shitjes apo eksportit të qumështit dhe produkteve të tjera, si djathi, në rast se tejkalojnë limitet e reja./Albinfo.ch

Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“

Konferenca “Kosova në BE” do të mbahet në Parlamentin Austriak, me mbështetjen e mikut tonë Andreas Minnich, Nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Austriak, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri–Kosovë, transmeton albinfo.at.

Kjo konferencë i kushtohet 27-vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, e cila filloi më 24 mars 1999, me qëllim të ndalimit të terrorit shtetëror dhe veprimeve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, të cilat në atë kohë kryenin masakra ndaj popullatës civile shqiptare, si pjesë e një plani gjenocidal.

Ndërhyrja e NATO-s jo vetëm që ndali gjenocidin e planifikuar, por solli në Kosovë liri, paqe dhe demokraci, duke i hapur rrugë ndërtimit të një shteti të lirë, demokratik dhe të pavarur.

Sot, Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, duke synuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, proces në të cilin gëzon përkrahjen e vazhdueshme të miqve austriakë dhe të vetë shtetit të Austrisë, përfshirë edhe organizimin e kësaj konference në Parlamentin Austriak.

Konferenca do të mbahet nesër, nga ora 13:00 deri në 15:00, sipas agjendës së bashkangjitur, në ambientet e Parlamentit Austriak, Palais Epstein./Albinfo.at

Kosovë: Policia arreston pesë persona, sekuestron drogë dhe zbulon “Call Center” të dyshuar

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë të koduar “Delivery”, i cili ka rezultuar me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për veprimtari kriminale që përfshin shpërndarje të narkotikëve dhe krime kibernetike.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në rajonin e Prishtinës, pas një pune operative dhe hetimore, kanë identifikuar fillimisht dy persona të dyshuar për shpërndarje të marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.

Policia bën të ditur se më 25 mars 2026, rreth orës 14:00, të dyshuarit janë lokalizuar në dalje të autostradës në Veternik, duke lëvizur me një veturë Golf 8. Sipas policisë, ata kanë tentuar të largohen me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar sigurinë në trafik, ndërsa janë ndjekur nga njësitë policore në drejtim të Fushë-Kosovës, më pas Podujevës.

Ndjekja ka përfunduar në hyrje të Vushtrrisë, ku policia ka arritur t’i ndalojë dhe arrestojë.

“Gjatë kontrollit të veturës janë sekuestruar mbi 2.2 kilogramë marihuanë dhe një cigare me këtë substancë. Ndërsa gjatë rrugës së ikjes, në fshatin Raskovë, është gjetur edhe një paketim tjetër me mbi 1.1 kilogram marihuanë, që dyshohet se është hedhur nga të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

Në koordinim me prokurorinë kompetente, janë realizuar bastisje në katër lokacione në Prishtinë, ku janë sekuestruar sasi të vogla të substancave narkotike, dy peshore digjitale, mbi 4 mijë euro para të gatshme, valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona mobilë.

Po ashtu, në një veturë tjetër janë gjetur 25 qese me kokainë, me peshë rreth 11.9 gramë.

Gjatë operacionit, policia ka zbuluar edhe një hapësirë të përshtatur si “Call Center”, ku janë sekuestruar pesë laptopë. Në këtë pjesë të rastit janë angazhuar edhe njësitë për hetimin e krimeve kibernetike, të cilat kanë ndaluar edhe një person tjetër, duke e çuar në pesë numrin total të të arrestuarve.

Të gjithë të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të prokurorit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe në garantimin e sigurisë për qytetarët.

Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi

Në kuadër të festimeve të Muajit të Frankofonisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Suedi i prezantoi publikut lokal një gamë të pasur të kuzhinës shqiptare, gjatë një buffeti të organizuar nga ambasadat e ndryshme në Stokholm, transmeton albinfo.ch.

Pas ceremonisë hapëse, ku mori pjesë edhe Ngarkuari me Punë, Eno Çollaku, Ambasada ofroi pjata tradicionale dhe ëmbëlsira të shijshme, të cilat u pritën me shumë interes dhe vlerësime maksimale nga vizitorët e shumtë të stendës kombëtare.

Një falënderim i veçantë shkon për CNVP Foundation dhe kompanitë shqiptare Gjedra dhe BioAlpina, të cilët përmes produkteve të tyre bimore dhe medicinale kontribuan në ngrohjen e mbrëmjes dhe të vizitorëve, të cilët vlerësuan maksimalisht cilësinë e këtyre produkteve shqiptare.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare jashtë vendit, duke forcuar lidhjet kulturore dhe diplomatike me vendet frankofone./Albinfo.ch

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë

Dua Lipa debuton si ambasadore e Bvlgari në një event luksoz pranë Milanos

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë pjesë në një event ekskluziv pranë Milanos, ku shtëpia luksoze Bvlgari prezantoi koleksionin e ri të bizhuterive të quajtur “Eclettica”, transmeton albinfo.ch.

Artistja shqiptaro-britanike u shfaq për herë të parë në rolin e saj si ambasadore e re e kësaj marke prestigjioze, duke iu bashkuar një liste të njohur emrash ndërkombëtarë si Anne Hathaway, Priyanka Chopra Jonas, Liu Yifei, Kim Ji-won dhe Jake Gyllenhaal.

E veshur me një fustan elegant nga Balmain, Dua Lipa tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me një nga pjesët më të veçanta të koleksionit, varësen “Serpenti Déco Lumière”, e zbukuruar me një smerald kolumbian mbi 9 karatësh. Sipas të dhënave, kjo qafore unike përbëhet nga 41 elemente modulare dhe ka kërkuar rreth 860 orë punë për t’u realizuar.

Në një intervistë për Vanity Fair France, këngëtarja e përshkroi këtë paraqitje si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.

“Është paraqitja ime e parë si ambasadore e Bvlgari-t, ndaj është një moment shumë i veçantë për mua. Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj mbrëmjeje kaq glamuroze dhe mes njerëzve që kanë punuar për këto krijime të jashtëzakonshme”, u shpreh ajo.

Dua Lipa theksoi gjithashtu se bizhuteritë për të kanë një kuptim të veçantë, pasi i konsideron si elemente personale që japin forcë, vetëbesim dhe energji pozitive.

Duke folur për Italinë, ajo tha se ndjen një lidhje të veçantë me këtë vend, për shkak të afërsisë kulturore.

“Italia zë një vend shumë të veçantë në zemrën time. Si shqiptare, ndjej një afërsi të madhe kulturore – është sikur vendet tona pasqyrojnë njëri-tjetrin”, deklaroi artistja.

Eventi u mbajt në një vilë historike në rajonin e Lombardisë, duke sjellë së bashku botën e artit, modës dhe luksit në një mbrëmje të veçantë pranverore./Albinfo.ch

Erjon Tasholli, ylli i ardhshëm i futbollit evropian

Është vetëm 12-vjeç, dhe tani po tërheq vëmendjen e gjigantëve si AC Milan, Real Madrid dhe Barcelona falë talentit të jashtëzakonshëm në futboll, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Erjon Bedri Tasholli, i lindur në Itali dhe rritur në Trento, po shkëlqen si një nga talentet më premtues të futbollit të rinj. Ai zhvillon stërvitjet e tij në Bolzano, ku është pjesë e ekipit FC Südtirol, duke treguar aftësi teknike dhe vizion të jashtëzakonshëm për moshën e tij.

Megjithëse vetëm 12 vjeç, Erjon ka arritur të tërheqë interesin e klubeve të mëdha evropiane si AC Milan, Real Madrid dhe Barcelona, duke marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtare dhe duke lënë shenjë me performancat e tij.

Mirënjohjet dhe medaljet që ka fituar deri më tani dëshmojnë përkushtimin dhe talentin e tij, duke e bërë një emër që vlen të ndiqet në të ardhmen e futbollit europian./Albinfo.ch

SBB me kujdes special për udhëtarët me aftësi të kufizuara të padukshme

Shiritat e quajtur “Sunflower Lanyard” për udhëtarët me aftësi të kufizuara të padukshme janë tani të disponueshëm në të gjitha qendrat e udhëtimit të SBB-së.

Ky shirit u përdor fillimisht me sukses në rajonet e Zurich, Lausanne dhe Genevë gjatë verës së vitit 2025. Sipas SBB-së, interesi ka mbetur i lartë dhe reagimet janë shumë pozitive. Mbi dhjetë mijë shirita janë shpërndarë tashmë, dhe një anketim me më shumë se 1,100 persona pas fazës pilote tregoi një dëshirë të fortë për zgjerimin e përdorimit të shiritit në të gjithë vendin.

Shiriti jeshil me lulediell të verdhë është menduar për personat me aftësi të kufizuara si autizmi, ADHD ose sëmundja e Parkinsonit, të cilat nuk janë të dukshme. Ai shërben për të treguar se mbajtësi mund të ketë nevojë për më shumë durim, konsideratë ose mbështetje, p.sh. gjatë kontrollit të biletave.

SBB-ja ishte kompania e parë zvicerane e transportit publik që ofroi këtë shirit të njohur ndërkombëtarisht. Që atëherë, edhe kompani të tjera transporti publik, si Matterhorn-Gotthard Railway, Swiss International Air Lines dhe Aeroporti i Zurich, i janë bashkuar programit.

Sipas SBB-së, shiriti përdoret në situata të ndryshme, edhe jashtë transportit publik, duke u bazuar në të dhënat e anketës.

A do ta përshpejtojë lufta në Lindjen e Mesme tranzicionin energjetik?

Lufta në Lindjen e Mesme po nxjerr në pah varësinë e madhe globale nga hidrokarburet. Në këtë kontekst, lind pyetja: a mundet bllokimi i Ngushticës së Hormuzit dhe rreziku i një krize ekonomike të përshpejtojnë kalimin drejt energjive të rinovueshme?

Që në vitin 2022, lufta në Ukrainë kishte zbuluar brishtësinë e sistemit global të furnizimit me energji. Sot, sipas drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, situata është edhe më serioze.

“Bota po përballet me sfidën më të madhe të sigurisë energjetike në histori. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me naftën dhe gazin, por edhe me plehrat kimike dhe produktet petrokimike”, thekson ai.

Rreziku nga Ngushtica e Hormuzit

Aktualisht, rreth 20% e konsumit global të hidrokarbureve kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Një bllokim i saj do të trondiste pothuajse të gjithë rrjetin global të furnizimit. Për më tepër, rrugët alternative janë të kufizuara: për naftën, ato mund të kompensojnë vetëm rreth 40% të mungesës, ndërsa për gazin natyror situata është edhe më e vështirë, pasi kërkon proces të lëngëzimit për transport.

Sipas “New York Times”, janë regjistruar rreth 40 sulme ndaj infrastrukturës energjetike në nëntë vende të Lindjes së Mesme. Katari vlerëson se rikuperimi i plotë mund të zgjasë disa vite. Edhe pse vendet evropiane kërkojnë të diversifikojnë burimet e energjisë, mundësitë mbeten të kufizuara.

Ekonomisti Patrice Geoffron thekson se prodhimi global i naftës dhe gazit është i përqendruar kryesisht në tre rajone: Rusia, Lindja e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara.

“Kjo e bën të vështirë të besohet se zgjidhja qëndron vetëm te diversifikimi i furnizimit”, shprehet ai.

Zgjidhja: dekarbonizimi

Sipas ekspertëve, zgjidhja më e qëndrueshme është përshpejtimi i dekarbonizimit. Përveç përfitimeve për klimën, kjo do të rriste edhe qëndrueshmërinë energjetike ndaj krizave gjeopolitike.

Profesori Stéphane Genoud sugjeron elektrifikimin e sektorëve kryesorë, sidomos transportit dhe ngrohjes, duke reduktuar përdorimin e naftës dhe gazit. Ai thekson rëndësinë e energjisë diellore:

“Duhet të shfrytëzojmë energjinë e diellit, e cila është falas. Me diellin nuk negociohet, dhe kjo është shumë e rëndësishme.”

Energjia bërthamore: zgjidhje apo rrezik?

Sipas analizave të kompanisë zvicerane Axpo, ekzistojnë dy skenarë për të ardhmen energjetike:

një përzierje energjie me hidrocentralet, energjinë diellore dhe atë të erës, të plotësuara nga centrale me gaz;

ose ndërtimi i centraleve të reja bërthamore.

Megjithatë, Genoud argumenton se energjia bërthamore nuk është zgjidhje praktike. Ndërtimi i një centrali të ri mund të zgjasë deri në 30 vjet, ndërkohë që krizat aktuale kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Për më tepër, teknologjia dhe lënda e parë (uraniumi) do të duhej të importoheshin, duke krijuar një varësi të re.

Pengesat politike dhe ekonomike

Megjithëse zhvillimi i energjive të rinovueshme duket i pashmangshëm, jo të gjithë aktorët globalë e mbështesin këtë drejtim. Vendet prodhuese të hidrokarbureve kanë interes të ruajnë modelin aktual.

Një shembull është Shtetet e Bashkuara, ku presidenti Donald Trump ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë Total për të braktisur projektet e energjisë së erës në Atlantik, duke investuar në vend të tyre në naftë dhe gaz në Gjirin e Meksikës dhe Teksas.

Nuk ka më asnjë qytetar zviceran në zonën e luftës

Nuk ka më asnjë udhëtar të regjistruar nga Zvicra në rajonin e krizës në lidnjen e mesme, thuhet në një njoftim që Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) ka dhënë për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.

Në ditët e para të luftës, më shumë se 4,000 udhëtarë të bllokuar ishin regjistruar në aplikacionin e udhëtimit, të lënë në dispozicion nga qeveria federale, trnmseton albinfo.ch. Disa kompani ajrore kanë rifilluar operacionet në Lindjen e Mesme që atëherë, sipas FDFA-së.

Të gjitha përfaqësitë zvicerane në Shtetet e Gjirit janë funksionale dhe stafi është i sigurt, shtoi FDFA. Ambasada zvicerane në kryeqytetin iranian, Teheran, mbetet e mbyllur.

39 muaj burg për policin nga Bazeli: Ka torturuar dy azilkërkues

Dy nga veprat penale të dhunshme për të cilat ai është dënuar në shkallën e parë u kryen në cilësinë e tij si zyrtar policie. Vepra tjetër penale përfshinte një akt të dhunshëm gjatë një mosmarrëveshjeje për parkim në kohën e tij të lirë. Ai i mohoi me forcë aktet e dhunshme që kreu gjatë detyrës gjatë gjyqit, transmeton albinfo.ch.

Veprat që ai kreu në cilësinë e tij si anëtar i forcës policore të Bazelit konsiderohen veçanërisht serioze. Në një rast, ai dyshohet se rrahu një azilkërkues në një makinë policie pas një kontrolli rutinë. I paraburgosuri nuk ishte në gjendje të mbrohej sepse ishte i lidhur me rripa dhe i prangosur. Në stacionin e policisë, ai vazhdoi ta rrihte, ta ngufaste dhe ta shqelmonte viktimën e tij ndërsa ai ishte tashmë në tokë.

Viktima shkoi në spital pas lirimit të tij. Në vendngjarje u gjetën disa lëndime, përfshirë një lëndim nga ngufatja.

Në deklaratën e saj të dënimit, gjyqtarja Sarah Cruz Wenger e bazoi arsyetimin e saj në fotografi dhe raportin e spitalit, ndër të tjera. Ajo deklaroi gjithashtu se një i burgosur tjetër kishte dëgjuar goditjet dhe britmat e viktimës.

Ajo e gjeti dëshminë e viktimës të besueshme, por jo atë të të dënuarit, përcjell albinfo.ch. Ajo tha se disa nga deklaratat e tij madje i ngjanin teorive të konspiracionit.

Menjëherë pas incidentit të parë, polici veproi përsëri në mënyrë të ngjashme, duke rrahur një tjetër azilkërkues. Të dy veprat penale ndodhën në shkurt dhe mars 2023. Rreth dy vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 2025, policia e pezulloi atë nga puna.

Dënim me burgim të detyrueshëm kundrejt lirimit të plotë nga akuzat

Prokurorja Isabell Mati këmbënguli në burgim për të pandehurin. Ajo kërkoi një dënim prej tre vjetësh e shtatë muajsh. Ai kishte shfrytëzuar pa mëshirë dinamikën e pushtetit, argumentoi ajo.

Mbrojtja kërkoi një lirim të plotë nga akuzat. Sipas saj, ndër të tjera, oficeri i policisë tashmë ishte detyruar të vuante një dënim para vendimit. Një grup kishte publikuar në internet imazhin e tij dhe informacionin në lidhje me çështjet që tani po gjykohen nga gjykata.

Frauenfeld: Kosovari kërcënon ish-të dashurën me vdekje – ndërhyn policia

Policia e Kantonit Thurgau ka arrestuar një 26-vjeçar në Frauenfeld të martën në mbrëmje, pasi ai kishte kërcënuar ish-partneren e tij me vdekje.

Sipas gjetjeve fillestare të Policisë së Kantonit Thurgau, ai, kërcënimin me vdekje e kishte bërë me anë të disa mesazheve të shkurtëra telefonike, të dërguar të martën, transmeton albinfo.ch. Çfarë e motivoi saktësisht atë të kryente këtë akt është ende plotësisht e paqartë – rrethanat janë aktualisht nën hetim.

Specialistë nga policia kantonale u dërguan dhe arrestuan 26-vjeçarin në Frauenfeld po atë natë. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua. Në kohën e arrestimit të tij, pak para mesnatës, ai ishte ende jashtë qytetit – policët arritën ta kapnin pa vështirësi.

Zyra e prokurorit publik ka hapur një hetim penal, shkruan polizeinews.ch.

Motivi i krimit është ende i paqartë dhe është objekt i një hetimi nga Policia e Kantonit Thurgau.

 

Zvicra mbështet fuqishëm përpjekjet e çminimit në Kosovë

“Zvicra mbetet e përkushtuar fuqishëm për të mbështetur përpjekjet e çminimit humanitar për mbrojtjen e civilëve, rivendosjen e qasjes së sigurt në tokë dhe për të ndihmuar komunitetet të rindërtojnë jetesën e tyre”, thuhet në një postim nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, të publikuar sot.

“Falë partneriteteve të forta The HALO Trust dhe punës së përkushtuar në terren, është bërë progres i jashtëzakonshëm – duke e afruar Kosovën më shumë se kurrë në pastrimin e mbetjeve të konfliktit të kaluar.

Ndërsa festojmë këtë arritje, kujtojmë gjithashtu rëndësinë për të vazhduar këto përpjekje. Financimi dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të përfunduar hapat përfundimtarë dhe për të siguruar një të ardhme të sigurt, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në fund të postimit.

Rega shpëton një alpinist nga një çarje akulli në Graubünden

Një skialpinist është shpëtuar nga një çarje akulli në kantonin Graubünden, pas një aksidenti të ndodhur të martën pasdite në zonën malore të Bellavista, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Rega, grupi prej katër personash ishte duke u ngjitur drejt Rifugio Marco e Rosa, kur shtresa e dëborës u shemb papritur nën këmbët e njërit prej tyre, duke e bërë të bjerë në një çarje të akullnajës.

Shokët e tij reaguan menjëherë, duke e siguruar me litar për të parandaluar rrëshqitjen e mëtejshme. Megjithatë, për nxjerrjen e tij nga thellësia u desh ndërhyrja e ekipeve të shpëtimit malor.

Në operacion u angazhua një helikopter dhe një sistem me rrotë dhe litar (flaschenzug), përmes të cilit alpinisti u nxor në sipërfaqe pa pësuar lëndime.

Pas shpëtimit, ai u transportua për kontroll në bazën e Rega Base Samedan. Ngjarja konsiderohet një “fat në fatkeqësi”, falë reagimit të shpejtë të grupit dhe ndërhyrjes profesionale të shpëtimtarëve./Albinfo.ch

Rritet numri i studentëve të huaj në universitetet zvicerane

Institucionet e arsimit të lartë në Zvicër prej vitesh po tërheqin gjithnjë e më shumë studentë nga jashtë, duke shënuar një rritje të qëndrueshme të numrit të tyre, përcjell albinfo.ch.

Sipas një studimi të publikuar të martën nga Federal Statistical Office, trendi i rritjes është veçanërisht i theksuar në nivelet më të avancuara të studimit.

Të dhënat tregojnë se gjatë dy dekadave të fundit, rritja e studentëve të huaj në nivelin Bachelor ka qenë relativisht modeste, me vetëm 16.4 për qind. Në të kundërt, numri i studentëve ndërkombëtarë në programet Master është rritur me 24.4 për qind, ndërsa në nivelin e doktoraturës është shënuar një rritje e ndjeshme prej 57.2 për qind.

Ky zhvillim reflekton rritjen e atraktivitetit të universiteteve zvicerane në arenën ndërkombëtare, sidomos për studimet e avancuara dhe kërkimin shkencor./Albinfo.ch

Aeroporti i Cyrihut bie në renditjen globale, mbetet jashtë Top 10 më të mirëve në botë

Aeroporti i Zurich Airport nuk është më pjesë e listës së 10 aeroporteve më të mira në botë, sipas renditjes vjetore “World Airport Awards”, transmeton albinfo.ch.

Pas viteve të tëra në mesin e më të mirëve globalisht, aeroporti ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur nga vendi i 10-të në vitin 2025 në vendin e 19-të këtë vit.

Kjo renditje bazohet në nivelin e kënaqësisë së udhëtarëve në mbarë botën, duke u mbështetur në miliona pyetësorë të plotësuar nga pasagjerë nga mbi 100 shtete, gjatë periudhës nga gushti 2025 deri në shkurt 2026.

Në vlerësim përfshihen të gjitha fazat e udhëtimit, duke nisur nga check-in-i dhe kontrollet e sigurisë, e deri te mundësitë për blerje në aeroport dhe procedurat e imbarkimit. /Albinfo.ch

Edisa Shoshi diplomon në Master në Universitetin e Tokios

Edisa Shoshi, nga Istogu, ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik, duke përfunduar studimet Master në Inxhinieri Elektrike dhe Sisteme të Informacionit në Universitetin e Tokios, në Japoni, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në botë, transmeton albinfo.ch.

 

Ajo ishte ish-nxënëse e shkollës “Ismail Qemali” në Saradran, Edisa është dalluar që herët për rezultate të shkëlqyera dhe përkushtim në arsim. Rrugëtimi i saj akademik vazhdoi jashtë vendit, fillimisht në Evropë, për të kulmuar me pranimin dhe përfundimin me sukses të studimeve në Japoni, një arritje që e vendos atë në mesin e kuadrove të reja me potencial ndërkombëtar.

 

Sipas njoftimeve, ajo jo vetëm që arriti të bëhet pjesë e Universitetit të Tokios, por edhe i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera dhe madje para afatit të paraparë, duke dëshmuar disiplinë të lartë dhe seriozitet në rrugën e saj shkencore.

 

Ceremonia e diplomimit shënoi një moment të veçantë jo vetëm për Edisën, por edhe për familjen e saj, duke u kthyer në një simbol krenarie dhe reflektimi për një rrugëtim të suksesshëm. Prania e familjarëve në këtë ditë të rëndësishme dëshmoi mbështetjen e vazhdueshme që ajo ka pasur gjatë gjithë rrugës së saj.

 

Në një mesazh emocional, familja e saj e ka cilësuar këtë arritje si një moment të madh krenarie, duke theksuar se përkushtimi, disiplina dhe besimi në vetvete janë çelësi i suksesit. Sipas tyre, Edisa tashmë ka hapur rrugën drejt një të ardhmeje të ndritur në fushën e kërkimeve shkencore dhe në institucionet më të avancuara akademike.

 

Ky sukses përbën një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim, edhe nga një shkollë lokale mund të arrihen majat e arsimit botëror. /Albinfo.ch

 

Vazhdon rënia e çmimeve të arit

Çmimet e arit vazhduan të ulen edhe sot, të ndikuara nga tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, që kanë shkaktuar shqetësime për inflacionin dhe pritshmëri për rritje të normave të interesit global.

Në Kanada, çmimi i arit ra me 0.4%, duke arritur 4,389.26 dollarë për ons deri në orën 14:11 ET, një nivel më i ulët që nga nëntori i kaluar. Në të njëjtën kohë, kontratat amerikane për dorëzimin në prill për arin u mbyllën 0.1% më poshtë, në 4,402.00 dollarë.

Bart Melek, drejtori global i strategjisë për mallrat në TD Securities, tha se “nëse konflikti vazhdon dhe çmimet e energjisë rriten, kjo do të ketë efekt negativ mbi arin. Megjithatë, parashikimet për fundin e vitit mbeten pozitive, pasi bankat qendrore mund të kenë më shumë liri për të lehtësuar normat e interesit dhe për të ndikuar në dobësimin e dollarit.”

Ari, i njohur si një strehë e sigurt dhe mbrojtje kundër inflacionit, po humb atraktivitetin në një mjedis me norma të larta interesi, pasi nuk ofron fitime nga tërheqja. Çmimi i arit në spot ka rënë mbi 21% që nga niveli i lartë i 29 janarit (5,594.82 dollarë) dhe gati 17% që nga fillimi i konflikti SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.

Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë shtetasi i dyshuar për grabitje

Shtetasi kosovar S.N. është sjellë nga Gjermania në Kosovë pas një kërkese ndërkombëtare për dyshim për përfshirje në grabitje.

Policia e Kosovës njofton se i dyshuari ishte duke u kërkuar përmes INTERPOL-it, pasi i ishte shmangur drejtësisë.

“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të policisë dhe institucionet e drejtësisë, më 24 mars 2026 ka realizuar ekstradimin e shtetasit S.N. nga Gjermania në Kosovë,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas Policisë, ky veprim u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre gjermane. Pas ardhjes në Kosovë, S.N. është dorëzuar njësive përkatëse në rajonin e Mitrovicës për të vazhduar me procedurat ligjore.

Në Zvicër, një në pesë të moshuar heq dorë nga kujdesi mjekësor për arsye financiare

Një studim i fundit tregon se një në pesë persona mbi moshën 65 vjeç në Zvicër heq dorë nga trajtimet mjekësore për shkak të vështirësive financiare. Më së shumti, kjo ndodh me kujdesin dentar, i cili nuk mbulohet nga sigurimi bazë shëndetësor. Kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2017.

Megjithatë, studimi – i publikuar në revistën “European Journal of Public Health” dhe i realizuar nga Laboratori i Shëndetit Publik i Universitetit të Fribourgut, Shkolla Zvicerane e Shëndetit Publik dhe Haute Ecole de la Santé La Source – zbulon se 13% e personave mbi 65 vjeç heqin dorë edhe nga shërbime të tjera shëndetësore, të cilat në fakt mbulohen nga sigurimi bazë, si ilaçet, konsultat, analizat dhe trajtimet.

Pse ndodh kjo?

Sipas Carolina Urbina, koordinatore për Zvicrën frankofone në shërbimet e këshillimit social të Pro Senectute, arsyeja kryesore lidhet me barrën financiare në fillim të vitit:

“Në fillim të vitit, shumat e deduktueshme dhe bashkëpagesat janë të larta për personat që jetojnë me pensione të ulëta. Ata kanë të ardhura të mjaftueshme për të mos kërkuar ndihmë sociale, por jo aq sa të përballojnë shpenzime shtesë që rëndojnë buxhetin e tyre.”

Një fenomen i vazhdueshëm, por në përkeqësim

Edhe pse kjo situatë nuk është e re dhe ka mbetur pothuajse e njëjtë që nga viti 2017, studiuesit vërejnë një hendek në rritje: sa më i ulët të jetë niveli i të ardhurave, aq më i lartë është rreziku për të hequr dorë nga kujdesi shëndetësor. Ky lidhje është forcuar me kalimin e kohës.

Çfarë mund të bëhet?

Për personat me buxhet të kufizuar, ekzistojnë disa mundësi ndihme. Ata që përfitojnë nga mbështetjet shtesë mund të zgjedhin një deduktues më të ulët. Megjithatë, problemi lind për ata që ndodhen në kufirin e përfitimit.

Carolina Urbina rekomandon kontaktimin e shërbimeve sociale të Pro Senectute në kantonin përkatës:

“Konsultimi është falas. Ai ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve dhe në përfitimin e ndihmave financiare.”

Më të prekurit: mosha 65–79 vjeç

Sipas studimit, personat e moshës 65 deri në 79 vjeç kanë më shumë gjasa të heqin dorë nga kujdesi shëndetësor sesa ata mbi 80 vjeç.

Një nga arsyet e mundshme, sipas Urbina-s, është se:

“Personat mbi 80 vjeç zakonisht janë tashmë në ndjekje të rregullt nga mjeku i familjes. Kjo shërben edhe si një mënyrë për të luftuar izolimin social.”

Ndërkohë, personat 65–79 vjeç shpesh ndihen ende të rinj dhe mendojnë se mund të presin para se të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shtyrja e trajtimit mund të çojë në përkeqësim të shëndetit dhe në situata edhe më të vështira në të ardhmen.

2025 ishte një vit i mirë për hotelet në Gjenevë

Sektori hotelier në Gjenevë ka arritur një rekord të ri, me rreth 3.9 milionë qëndrime gjatë vitit 2025, një rritje prej 1.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas Zyrës Kantonale të Statistikave, kërkesa e fortë është nxitur nga turizmi dimëror, eventet e mëdha dhe lidhjet e reja ajrore, ndërsa vizitorët e huaj përbënin pothuajse tre të katërtat e mysafirëve, transmeton albinfo.ch.

Në një intervistë për Tribune de Genève, presidenti i Shoqatës së Hoteleve në Gjenevë, Jean-Vital Domézon, tha se rritja ishte veçanërisht e fortë në fillim të vitit, e nxitur nga turistët ndërkombëtarë që udhëtonin drejt resorteve alpine të skive përmes Gjenevës.

Profili i vizitorëve po ndryshon gjithashtu, me turizmin për pushime që tashmë ka tejkaluar udhëtimet e biznesit që nga pandemia.

Megjithatë, pasiguria mbetet për këtë vit, pasi tensionet gjeopolitike dhe samiti i ardhshëm i G7 mund të ndikojnë negativisht në rezervimet.