Presidentja Osmani përgjigjet në letrën e Kuvendit: Mosvazhdimi përbën shkelje kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës të mbahet menjëherë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit. Në një letër drejtuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari, Osmani thekson se zvarritja e procesit përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe pengesë për themelimin e institucioneve të reja, shkruan albinfo.ch.

Duke iu referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, Osmani citon Aktgjykimin nr. KO72/20, ku thuhet: “Struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse.”

Ajo gjithashtu citon nga i njëjti aktgjykim, ku Gjykata sqaron se: “Asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.”

Në këtë frymë, Presidentja rikujton se qëllimi i Kushtetutës është themelimi i shpejtë dhe funksional i institucioneve shtetërore, duke shtuar se çdo ndërprerje e pajustifikuar është në kundërshtim me parimet themelore të sistemit kushtetues të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Po ashtu, Osmani i referohet Aktgjykimit KO119/14, ku theksohet: “Kryesuesi që kryeson seancën konstituive, edhe pse nuk është i zgjedhur, është i obliguar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit për ta realizuar seancën konstituive.”

Në të njëjtën letër, Presidentja thekson se të gjitha veprimet e ndërmarra nga persona me autoritet publik duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe frymën e saj. Ajo citon vendimin e Gjykatës Kushtetuese në KO72/20: “Të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e veshur me fuqi ose autorizim publik, duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve në interes publik për Republikën e Kosovës.”

Në fund, Osmani ka shprehur gatishmërinë për të ftuar në takim liderët e partive parlamentare për të diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme për të garantuar funksionimin institucional, shkruan albinfo.ch.

 

LDK: Nesër në orën 10:00, deputetët do të jenë prezent në Kuvend

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se deputetët e LDK-së do të jenë prezent në Kuvend nesër, më 17 prill, nga ora 10:00, duke ftuar edhe të gjithë deputetët e certifikuar dhe partitë parlamentare që të marrin pjesë në këtë seancë.

LDK-ja gjithashtu ka kërkuar nga kabineti qeveritar, që sipas saj funksionon në mënyrë paradoksale – duke pretenduar dorëheqje, por duke mbajtur ende mbledhje dhe duke marrë vendime – që të dorëhiqet zyrtarisht dhe dorëheqjet t’i deponojë në Kuvend, shkruan albinfo.ch.

“Betimi i deputetëve ndodhë! Kushtetuta mbrohet! Shteti funksionon! Logjika dhe demokracia triumfojnë!”, thuhet në komunikatë, duke theksuar se çdo zvarritje shtesë është vetëm një kalkulim politik me qëllim të dëmtimit të demokracisë dhe rendit kushtetues.

LDK thotë se mbajtja e kësaj seance do të ndihmojë në identifikimin e qartë të atyre që po bllokojnë institucionet dhe po shkelin rregullat dhe Kushtetutën e vendit.

Pse Ticino është destinacioni i preferuar i Pashkëve në Zvicër?

Si çdo vit në këtë kohë, bllokimet e trafikut po krijohen në rrugët që të çojnë në Ticino. Arsyeja është se shumë banorë të rajoneve të tjera të Zvicrës pëlqejnë ta kalojnë këtë festë në kantonin italishtfolës. Ja pse.

Për këtë festë, kantoni jugor i Zvicrës përjeton një fluks turistësh nga zona të tjera zvicerane, duke kërkuar diellin e Ticino-s, ngrohtësinë dhe një ambient krejtësisht të ndryshëm nga rajonet e tjera të vendit.

Ndërsa shtrihet afër Italisë, me të cilën ndan një kufi, Ticino ka një ndjenjë të qartë mesdhetare – duke përfshirë palmat – dhe një atmosferë të qetë që është e rrallë në shumë kantone të tjera zvicerane (veçanërisht ato gjermanishtfolëse).

Siç theksojnë shpesh disa këtu, “Ticino është njësoj si Italia, vetëm më e pastër”, atmosfera e qetë mesdhetare dhe bimësia – kantoni ka, ndoshta për shkak të vendndodhjes së tij në jug, një klimë më të butë se pjesët e tjera të Zvicrës

 

Gjon’s Tears i ftuar special në “Eurovision 2025”

Artisti shqiptar nga Zvicra, Gjon Muharremaj, i njohur si “Gjon’s Tears”, ka konfirmuar se do të performojë si i ftuar special në “Eurovision 2025”, transmeton albinfo.ch.

Ai, përmes rrjetit social Instagram, ka bërë të ditur se është duke i bërë provat për një performancë speciale në Evrovizion.

Evrovizioni do të mbahet në Basel të Zvicrës më 13, 15 dhe 17 maj.

Kthimi i tij ndodh në një vit historik për vendin e tij, pasi Zvicra do të jetë mikpritëse e festivalit për herë të parë pas gati 40 vjetësh.
/Albinfo.ch/

Screenshot

Votimi i diasporës, zarfet e para vijnë sot në Tiranë

Diaspora shqiptare ka nisur procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të bëra publike këtë të mërkurë nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, 36 për qind e zarfeve të votimit i janë shpërndarë tashmë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Në një konferencë për mediat, Celibashi bëri të ditur se 111 zgjedhës të regjistruar nga diaspora kanë votuar tashmë, dhe zarfi me fletën e votimit pritet të mbërrijë sot pasdite në Shqipëri.

“Shtetet me shpërndarjen më të madhe të zarfeve janë Italia, Greqia dhe Gjermania. Duam që procesin ta përfundojmë brenda 2 ditëve. Sipas raporteve që kemi marrë nga shërbimi postar, votuesi i parë, i cili i përket qarkut Dibër dhe ndodhet në Gjermani, e ka marrë zarfin në orën 07:15 minuta,” deklaroi Celibashi.

Ai informoi gjithashtu se aktualisht 11 zarfa janë në mbërritje drejt KQZ-së, por ende ndodhen në sistemin logjistik të kompanisë DHL.

Celibashi theksoi se votimi konsiderohet i nisur që në momentin kur votuesi e merr zarfin dhe e kthen mbrapsht. Ai nënvizoi edhe përgjegjësinë e votuesve për ruajtjen e fshehtësisë së votës dhe ndalimin e shitblerjes së saj.

“Në momentin që fleta e votimit është në sistemin e DHL dhe KQZ, ne garantojmë 100% ruajtjen e fshehtësisë, kjo është e siguruar plotësisht nga ne. Nëse votuesit duan ta shesin, blejnë ose tregojnë votën e tyre, kjo është çështje e tyre. Megjithatë, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat penale. Nëse ndodh një fenomen i tillë, ai do të shoqërohet me sanksione të rënda, deri në 3, 4 ose 5 vjet burg,” paralajmëroi Celibashi.

Mjeku gjerman akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve

E çuditshme, por e vertetë, prokurorët në Berlin të mërkurën kanë akuzuar me 15 akuza për vrasje një mjek, të dyshuar për administrimin e sasive vdekjeprurëse të medikamenteve të ndryshme për pacientët paliativë nën kujdesin e tij, përcjell albinfo.ch.

Nga autoritetet prokurore po kërkohet një ndalim profesional të përjetshëm për të dyshuarin 40-vjeçar, të ndaluar që nga gushti i vitit 2024, i cili kishte qenë aktiv në disa shtete gjermane, raporton Reuters.

I dyshuari, i cili nuk është bërë publik në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, nuk i ka pranuar akuzat, kanë njoftuar prokurorët.

Ai fillimisht dyshohej se ishte i përfshirë në katër vdekje vitin e kaluar, për të cilat prokurorët kanë thënë se ai ishte përpjekur t’i mbulonte duke i vënë flakën banesave të viktimave.

Megjithatë, hetimet në vazhdim kanë nxjerrë më shumë vdekje të dyshuara, që datojnë që nga viti 2021, dhe ky numër mund të rritet edhe më tej.

Një ekip hetimor i ngritur posaçërisht për rastin po vlerëson të dhënat e tij të pacientëve dhe janë planifikuar të tjera zhvarrime.

Presidencës i shkon letra për seancën konstituive

Presidenca ka pranuar letrën nga Kuvendi i Kosovës në lidhje me seancën konstituive, e cila u ndërpre të martën, përcjell albinfo.ch.

Këtë e kanë konfirmuar nga Presidenca, ku kanë thënë se ekipi ligjor është duke e analizuar letrën për t’i propozuar hapat e mëtejmë Presidentes.

“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media.

Kanë mashtruar me firmën e kopshtarisë: Djali dëbohet në Kosovë, babai “shpëton”

Së fundmi, dy kosovarë, babë e bir, kanë dalë para Gjykatës së Qarkut, ndër të tjera për keqmenaxhim dhe mashtrim. Ata drejtonin një biznes hortikulturor në Toggenburg, transmeton albinfo.ch. Tani janë publikuar vendimet: djali duhet të mbajë burg efektiv dhe pas kësaj të largohet nga Zvicra ndërsa babai, jo.

Babai është kopshtar entuziast, por jo biznesmen. Ndërsa djali ka një arsim bazë komercial. Babai po ashtu ka shërbyer si kryetar i bordit drejtues, megjithëse nuk e kishte idenë se si i tillë do t’i duhej të ushtronte një funksion mbikëqyrës.

Këmbanat e alarmit duhet të kishin rënë që herët për babanë dhe djalin, është shprehur prokurori publik në seancën gjyqësore, e cila u zhvillua në mes të marsit në Gjykatën e Qarkut, Toggenburg. Megjithatë, dyshja vazhdoi të bënte biznes pa prishur rehatinë, shkruan tagblatt.ch. Të pandehurit akuzoheshin ndër të tjera për keqmenaxhim të shumëfishtë, mashtrim, falsifikim, mosmbajtje llogarie dhe përvetësim.

Aplikon për Kredinë Covid edhe pse AG ishte tashmë thellë në borxhe

Te kjo kompani ishte bërë e zakonshme që klientët të paguanin paraprakisht, por puna të mos kryhej. Babë e bir gjithashtu kanë lënë pa përgjigje procedurat e mbledhjes së borxheve të pazgjidhura. Në total, biznesi i tyre i kopshtarisë ka kaluar në zyrën e përmbarimit (Betreibungsamt)  170 herë, duke rezultuar në 36 certifikata humbje të pashlyera me një vlerë totale pak më shumë se 187,000 CHF.

Gjithashtu, djali kishte aplikuar për një hua të Covid prej 30 500 CHF, të cilën e përdori pjesërisht për qëllime private. Në fakt, ai nuk duhet të kishte aplikuar për këtë kredi, sepse kompania ishte tashmë e mbingarkuar me borxhe, që para shpërthimit të pandemisë.

Aktgjykimet tashmë janë shpallur me shkrim. Mund të thuhet: Babai ka shpëtuar fare mirë. Ai u shpall i pafajshëm për falsifikim, mashtrim dhe përvetësim kontributesh, trasnmeton albinfo.ch. Megjithatë, ai u dënua me një dënim me kusht prej 17 muajsh, me një periudhë prove prej pesë vjetësh, për akuza të shumta për keqmenaxhim, mosmbajtje llogarie dhe për mosbindje ndaj urdhrave zyrtarë.

Ai gjithashtu duhet të paguajë një gjobë prej 2000 CHF; janë zbatuar dy gjoba të mëparshme në total 96 tarifa ditore me një shumë totale prej 8,400 CHF. Veç këtyre ai duhet të paguajë dy të tretat e shpenzimeve procedurale prej 20,000 CHF. Dëbimi pesëvjeçar nga Zvicra, që kishte kërkuar prokurori publik, u hoq.

Djali u shpall fajtor për 18 nga 19 akuzat

Dënimi ka goditur shumë më rëndë djalin, i cili akuzohej nga prokuroria për të njëjtën sjellje të pahijshme si babai i tij, plus disa vepra të tjera. Ai u shpall fajtor për 18 nga 19 akuzat. Vetëm në një rast gjykata nuk ka konstatuar mashtrim. Ai u dënua me tre vjet e katër muaj burgim dhe pesë vjet dëbim nga vendi. Për veprat e mëparshme, ai ishte dënuar edhe me gjobë prej 120 tarifash ditore prej 70 frangash secila.

Ai duhet të shlyejë kredinë Covid prej 30,500 CHF – plus pesë për qind interes – për Kooperativën e Garancisë për SME-të Lindje-Jug, si dhe 35,000 CHF për disa kreditorë, trasnmeton albinfo.ch. Dhe: Sapo ta lejojnë rrethanat e tij financiare, ai do të duhet të paguajë edhe shpenzimet procedurale që arrijnë në 38,000 CHF.

Zvicra shihet si vendi më i mirë për çiftet e martuara

Kjo është gjetja e një raporti të fundit të kryer nga kompania australiane Compare the Market, e cila e bazoi sondazhin në faktorë të tillë si normat e martesës dhe divorcit, si dhe jetëgjatësia në secilin nga 30 vendet e studiuara, përcjell albinfo.ch.

Hulumtimi zbuloi se Zvicra është “më e mira në përgjithësi” për të martuarit.

Jetëgjatësia e çifteve zvicerane është më e larta në Evropë, me 83.5 vjet, dhe vendi renditet i gjashti në botë për nivelet e lumturisë, thuhet në raport.

“Ajo renditet gjithashtu në mesin e 10 vendeve më të mira evropiane për shkallën e martesave. Të gjitha këto rezultate të forta në kategori të ndryshme e bëjnë Zvicrën vendin më të mirë të gjithanshëm për çifte të lumtura.”

Ndonëse në hulumtim nuk është përfshirë shumë shkencë e mirëfilltë, gjithsesi është mirë të dihet.

Kosova përfshihet në listën e vendeve “të sigurta” të BE-së

Republika e Kosovës është përfshirë në listën e Bashkimit Evropian prej shtatë vendesh që konsiderohen “të sigurta”, në përpjekje për të përshpejtuar kthimin e migrantëve, dhe duke e bërë më të vështirë për qytetarët e atyre vendeve të kërkojnë azil në bllok, raporton AFP, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Evropian tha se po propozon që Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia të shpallen si “vende të sigurta të origjinës”.

“Shumë shtete anëtare po përballen me një numër të madh aplikimesh të papërpunuara për azil, ndaj gjithçka që mund të bëjmë tani për të mbështetur marrjen më të shpejtë të vendimeve për azil është thelbësore”, tha Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për migracionin, teksa e paraqiti listën e shteteve.

Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të bien dakord për këtë propozim.

Azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen me refuzimin e kërkesave të tyre dhe potencialisht me një urdhër kthimi, sipas rregullave të reja të BE-së.

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kanë emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Brukseli ka qenë nën presion që të frenojë migrimin e paligjshëm dhe të lehtësojë procesin e dëbimit, teksa përkeqësimi i opinionit publik sa i përket migracionit ka nxitur rritjen e të djathtës ekstreme në disa shtete.

Të udhëhequr nga shtete me qëndrim të ashpër si Suedia, Italia, Danimarka dhe Holanda, udhëheqësit e BE-së në tetor kërkuan hartimin e një legjislacioni të ri me qëllim që të rriten dhe përshpejtohen dëbimet e migrantëve, por edhe kërkuan nga Komisioni që të vlerësojë mënyra “inovative” për të luftuar migracionin e paligjshëm.

Si përgjigje ndaj këtyre kërkesave, muajin e kaluar Komisioni prezantoi një reformë të në sistemin e dëbimeve, reformë që i hapi rrugën që shtetet anëtare të krijojnë qendra për kthimin e migrantëve jashtë BE-së.

Aktualisht, më pak se 20 për qind e personave që janë urdhëruar që të largohen nga blloku janë kthyer në vendet e tyre të origjinën, thuhet në të dhënat e BE-së.

Zviceranët çdo herë e më pak dëshirojnë të udhëtojnë në SHBA

Janë gjithnjë e më të pakët në numër zviceranët që duan të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën kështu rezulton nga një sondazh i ri në shkallë të gjerë, i kryer nga grupi mediatik Tamedia me pjesëmarrjen e 35.132 banorëve zviceranë.

Sipas këtij sondazhi, më shumë se tre të katërtat (77 për qind) e të anketuarve do të hiqnin dorë ose do të hezitonin të udhëtonin drejt SHBA-së për shkak të administratës Trump, ndërsa 22 për qind kanë deklaruar se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, përcjell albinfo.ch.

Brenda këtij grupi të fundit, 40 për qind e të rinjve midis moshës 18 dhe 34 vjeç janë më të prirur të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vetëm 8 për qind e të anketuarve të moshës 65 vjeç e lart do ta bënin këtë.

Evropa rrit investimet në Inteligjencën Artificiale

Investimet në startup-et evropiane të inteligjencës artificiale (AI) janë në rritje, ndërsa Komisioni Evropian zbuloi javën e kaluar planet për të forcuar kapacitetet e veta në këtë sektor. Megjithatë, trazirat aktuale globale në tregtinë ndërkombëtare mund të kërcënojnë këtë përparim.

Investimet evropiane në teknologjinë inovative panë një rritje prej 55% të financimit nga kapitali sipërmarrës në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të reja nga Dealroom.

Sipas këtyre të dhënave, kompanitë e inteligjencës artificiale kanë mbledhur tashmë pothuajse 3 miliardë euro, krahasuar me 1.9 miliardë në tremujorin e parë të vitit 2024. Ndërkohë, aksionet evropiane në sektorët e tjerë të teknologjisë, përjashtuar IA-në, kanë shënuar një rënie prej 10%, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, këto shifra nuk përfshijnë efektet e tarifave të vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vendosur një normë prej 125% për importet nga Kina.

Gjithashtu, ai ka vendosur një tarifë prej 20% ndaj eksporteve nga Evropa drejt SHBA-së, e cila më pas është ulur përkohësisht në 10%. Presidenti amerikan deklaroi se pajisjet elektronike si telefonat inteligjentë dhe kompjuterët do të përjashtohen nga këto detyrime për momentin, por paralajmëroi se masa të tjera do të pasojnë së shpejti.

Lançimi i modeleve themelore të inteligjencës artificiale është shndërruar në një garë gjeopolitike, të cilën shtetet e konsiderojnë si çështje të sigurisë kombëtare. Shtetet e Bashkuara dhe Kina po ecin me hapa të shpejtë përpara Evropës në ndërtimin e këtyre modeleve.

Megjithatë, raporti i fundit thekson se investimet në firmat evropiane të AI-së janë përqendruar kryesisht në sektorët e shëndetësisë, sigurisë kibernetike dhe robotikës.

Të dhënat treguan gjithashtu se interesi për agjentët e inteligjencës artificiale të Evropës është rritur, me 45 milionë euro të vendosura në startup-e të reja që punojnë në këto mjete, duke përfshirë firmat Lovable me seli në Stokholm dhe Paid AI me seli në Londër.

Plani i Veprimit

Plani i Veprimit për teknologjinë mbulon infrastrukturën, aksesin në të dhëna, cloud-in, si dhe synon të transformojë industritë tradicionale të Evropës.

Pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e planeve të BE-së për zhvillimin e teknologjisë, vendi ka tërhequr investimet më të mëdha në Evropë, me startup-et britanike që kanë mbledhur rreth 3.6 miliardë euro këtë vit, ku 1.4 miliardë shkuan për kompanitë e inteligjencës artificiale.

Gjermania gjithashtu pa një rritje të investimeve me 74 përqind për tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar në, duke arritur 355 milionë euro.

Megjithatë, Franca, qeveria e së cilës ka nxitur investime në këtë sektor dhe krenohet me kompani të tilla si Mistral AI, ka pësuar një rënie prej rreth 18 përqind në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me 2024.

Qeveria franceze ka nxitur zhvillimin e teknologjisë në vend dhe këtë vit priti Samitin e Veprimit për Inteligjencën Artificiale në Paris. Në prag të eventit, Presidenti Emmanuel Macron njoftoi investime me vlerë 109 miliardë euro në këtë sektor gjatë viteve të ardhshme.

“Ambicia evropiane po bëhet vetëm më e fortë. Samiti i Parisit vendosi standardin e lartë për atë që duhet bërë në Evropë. Startup-et dhe kompanitë evropiane po ngrihen për të sfiduar tregun”, tha një nga autorët e raportit.

“Nga kujdesi shëndetësor te siguria kibernetike dhe automatizimi, kompanitë evropiane po ndërtojnë zgjidhje që janë urgjentisht të nevojshme dhe ritmi i financimit tregon se investitorët janë të entuziazmuar për potencialin teknologjik të kontinentit”, theksoi ai.

Sa shpenzojnë shqiptarët për veshmbathje

Kur vjen puna te veshjet, shqiptarët janë treguar racionalë me shpenzimet, sidomos në dekadën e fundit.

Në krahasim me 12 grupet e artikujve kryesorë të konsumit, shpenzimet për veshje kishin rritjen më të ulët në vlerë (pa efektin e inflacionit) gjatë tri dekadave të fundit (1995-2023), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Në vitin 1995 të gjitha familjet shqiptare shpenzuan 11,2 miliardë lekë për veshje në vit, ndërsa në 2023 mbi 43 miliardë lekë.

Pa efektin e inflacionit shpenzimet e familjeve për veshje u rritën me 285% në 26 vite, ritmi më i ulët në krahasim me 11 grupet e tjera të konsumit.

Të dhënat historike tregojnë se shpenzimet për veshje shënuan një rritje domethënëse në vitet 2007-2008 dhe pastaj qëndruan në vendnumëro gjatë gjithë dekadës nëse llogaritet edhe efekti i inflacionit.

Në shpenzimet për veshje ka ndikuar edhe ndryshimi demografik. Rënia e popullsisë së re në moshë dhe kryesisht fëmijëve që konsumojnë shumë veshje ka ndikuar negativisht në shpenzimet për këtë grup. Nga ana tjetër, grupi në rritje i popullsisë në moshë pensioni konsumon më shumë medikamente dhe më pak veshje.

Me inflacionin e lartë të dy viteve të fundit ka një zhvendosje të blerjeve të konsumatorëve shqiptarë, të cilët kanë frenuar blerjen e veshjeve të reja, duke u zhvendosur tek të përdorurat, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se në 2024, importet e tekstilit dhe këpucëve në vlerë shënuan rënie me 8.6% dhe nga ana tjetër, importet e veshjeve të përdorura shënuan rritje me 4.7%.

Rënia e importeve të veshjeve dhe këpucëve vijoi për të dytin vit radhazi, pasi edhe më 2023 ishin 4,2% më të ulëta se më 2022.

Nga ana tjetër, tregu i veshjeve të përdorura po rritet nga viti në vit. Vlera në import kaloi 38 milionë eurot në 2024 me rritje vjetore 4.7%.

Barometri i Ballkanit, një anketë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që mat perceptimin e qytetareve për të situatën ekonomike, gjeti se më 2024 shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishte inflacioni i lartë.

Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore. Njësoj si në Evropë qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë.

Zgjedhjet në Shqipëri: Afër 90 mijë fletëvotime të shpërndara në Evropë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, deri sot në orën 09:00 janë dorëzuar 87.581 zarfe, ndërsa 33 janë kthyer nga zgjedhësit, transmeton albinfo.ch.

Sipas KQZ-së, deri më tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarët nga qarqet Elbasan, Durrës, Berat, Gjirokastër, Dibër, Korçë dhe Kukës, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Zarfet e dërguara u përkasin bashkatdhetarëve nga qarqet:

  • Elbasan: 25.021

  • Durrës: 24.872

  • Berat: 15.502

  • Dibër: 9.582

  • Gjirokastër: 8.453

  • Kukës: 3.946

  • Korçë: 205

Të ndara sipas shteteve, janë dërguar:

  • Në Itali: 33.253 zarfe

  • Në Greqi: 28.413

  • Në Gjermani: 8.673

  • Në Mbretërinë e Bashkuar: 6.668

  • Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: 4.198

  • Në Francë: 1.569 zarfe

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe, po aty, do të kryhet edhe numërimi i votave të diasporës.

Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve në Evropë nga data 15 deri më 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera nga data 15 deri më 25 prill.

Pasi të marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë këshillohet ta dërgojë atë në KQZ brenda tre ditëve nga momenti i marrjes.

Votuesit nuk do të kenë asnjë shpenzim, pasi posta paguhet nga KQZ-ja.

Katër serbëve në Merdar iu gjetën mbi 51.000 euro të padeklaruara

Policia e Kosovës njoftoi se në pikëkalimin kufitar në Merdar, në dalje të Kosovës, katër shtetasve serbë u janë gjetur 51.170 euro, ku secili prej tyre kishte mbi 10.000 euro, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit policor, paratë e padeklaruara janë gjetur në çantat e tyre të dorës.

Çështja është trajtuar nga zyrtarët doganorë, ndërsa personave në fjalë u është shqiptuar kundërvajtje doganore.

“Me datën 15.04.2025, rreth orës 15:30, në pikëkalimin kufitar në Merdar, në dalje të Republikës së Kosovës, gjatë kontrollimit të hollësishëm të katër udhëtarëve këmbësorë, shtetas të Serbisë, në çantat e tyre të dorës janë gjetur në total 51.170 (pesëdhjetë e një mijë e njëqind e shtatëdhjetë) euro të padeklaruara, ku secili nga udhëtarët kishte më shumë se 10.000 euro veç e veç”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.

Kurti: Thirrjet e opozitës janë për pezullim të shtetit

Sot, gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se, ndonëse partitë e tjera politike gjatë mandatit të tyre qeverisës në të kaluarën kanë pasur pothuajse të njëjtin fat, Lëvizja Vetëvendosje, sipas tyre, “duhet të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka deklaruar se ata që nuk pranuan të marrin formalisht mandatin e deputetit, po kërkojnë nga ai që formalisht të mos jetë kryeministër.

Konstituimi i Kuvendit, i cili dje u pamundësua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, dështoi pasi këto parti nuk votuan raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve. Në thelb, ata nuk pranuan të marrin formalisht mandatin e deputetit, por kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër, tha Kurti.

“Qeveria jonë dhe ky kabinet qeveritar janë në detyrë, dhe efektivisht të dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur edhe kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katërvjeçar. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kemi vendosur që qeveria të jetë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve”, ka thënë Kurti.

“Në historikun tonë të formimit të institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK – ndonëse me Kuvend të shpërndarë –, një qeveri e udhëhequr nga AAK – ndonëse e dorëhequr –, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK – ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme – kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje – ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar – duhet të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë”, ka shtuar ai.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se Republika e Kosovës po shënon suksese në ekonomi, rend e ligj dhe demokraci, pavarësisht “zhurmës opozitare dhe disa mediave të ish-regjimit dhe oligarkëve”.

“I siguroj qytetarët se, përtej zhurmës opozitare dhe disa mediave të ish-regjimit dhe oligarkëve, që madje kanë shkuar aq larg sa t’i regjistrojnë bizneset në Serbi, Republika e Kosovës, atdheu ynë, po ecën përpara në ekonomi, në demokraci, në rend dhe ligj, në siguri e paqe për të gjithë”, deklaroi Kurti.

BE-ja synon të ashpërsojë regjimin e vizave

Mësohet se Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke ia bërë më të lehtë Brukselit të heqë regjimin pa viza për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht e gëzojnë atë – përfshirë të gjitha vendet aspirante për anëtarësim në BEnë Ballkanin Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, përcjell albinfo.ch.

Propozimi për të shtuar më shumë arsye në mesin e atyre ekzistuese për pezullimin e udhëtimit pa viza ishte iniciuar nga Komisioni Evropian qysh në vitin 2023, dhe Këshilli i BE-së – i cili përfaqëson 27 vendet anëtare – e miratoi qëndrimin e tij për këtë çështje një vit më parë. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare evropiane në qershor të vitit 2024 dhe ngarkesës së madhe legjislative, Parlamenti Evropian vetëm së fundi ka marrë mandatin për të negociuar.

Sot shënohet 26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës

26-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës shënohet sot, kur gjatë luftës në vitet 1998–1999 rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni, përcjell albinfo.ch.

Shumë prej të shpërngulurve u nisën drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërsa mijëra shqiptarë të tjerë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi. Qindra mijëra u zhvendosën nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës bëhet përkujtimi – dhe në dy vitet e fundit, edhe simbolikisht për shkak të pandemisë – i kësaj drame vuajtjesh ndër më të rëndat që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Më 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës, kaluan në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova, ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ndodheshin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore, si dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome, etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe të ushtrisë nga drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushës së Madhe dhe Zymit. Fillimisht, këta refugjatë u strehuan në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”.

Deri në orën 24:00 të datës 27.03.1999, në Kukës mbërritën 12,721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë, ku më 27 mars në Kukës u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapun etj.) për 2,500 persona në muaj.

Më 28 mars, fluksi i kosovarëve drejt Kukësit vazhdoi – të dëbuar me forcë nga pushtuesit serbë. Numri i tyre arriti në 13,000 banorë. Refugjatët hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinës, ku ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që kishin.

Vendstrehimi i tyre i përkohshëm ishte Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas, pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdheve, kopshteve, magazinave dhe depozitave për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane, të cilat i mikpritën. Mesatarisht, çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Në krye të javës, në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70,000 kosovarë. Nga këta, 40,000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10,000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6,000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12,000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete të tjera. Dita-ditës, numri i të dëbuarve rritej. Përveç strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh u strehuan në kampe.

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapën dyert për të pritur vëllezërit shqiptarë nga Kosova.

Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ngritur në vendin ku ishin vendosur çadrat që strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5 metra e lartë dhe është e mbushur me fotografi që paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë 16 prillit, ajo është vendi më i frekuentuar për përkujtim.

Për të kujtuar ditët e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb, në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës – një vepër artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

ZRrE aprovon shtrenjtimin e rrymës për 16.1 për qind

Në mbledhjen e sotme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind, përcjell albinfo.ch.

Anëtarët e bordit i dhanë “dritën e gjelbër” këtij shtrenjtimi me pesë vota pro dhe asnjë kundër.

Tarifat e reja do të jenë të vlefshme nga data 1 maj 2025 deri më 31 mars 2026.

Ato do të aplikohen për konsumatorët shtëpiakë dhe bizneset.

Tarifa e ditës, për ata që shpenzojnë më pak se blloktarifa prej 800 kilovatësh në muaj, nga 7.79 centë ka arritur në 9.05 centë për kilovat.

Tarifa e natës, për ata që shpenzojnë më pak se blloktarifa prej 800 kilovatësh në muaj, nga 3.34 centë ka arritur në 3.88 centë për kilovat.

Për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh, çmimi për tarifën e ditës ka kaluar nga 13.29 centë në 15.43 centë, ndërsa ajo e natës nga 6.27 centë në 7.28.

Specialja i kundërpërgjigjet Grenellit: Jemi të pavarur dhe të paanshëm

Para pak ditësh, Richard Grenell, i dërguari për Misione të Veçanta i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, ditë më parë bëri thirrje që t’i ndalen fondet Dhomave të Specializuara, përcjell albinfo.ch.

Grenell kishte deklaruar se kjo gjykatë është politike dhe se janë shpenzuar dhe shpërdoruar miliardat.

Ndërkohë Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës, i janë kundërpërgjigjur Grenellit.

Në një përgjigje nga DhSK-ja, zëdhënësja Angela Griep, deklaroi se kjo gjykatë është e pavarur dhe e paanshme.

Ajo theksoi se janë plotësisht të përqendruar në zbatimin e plotë të mandatit që kanë Dhomat e Specializuara.

“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të saj për të garantuar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, pavarësisht nga çdo zhvillim apo koment politik”, tha ajo për Klankosova.tv.

Lokacionet e biznesit zviceran renditen ndër më të mirat në Evropë

Zvicra është shfaqur edhe një herë në renditjen e top dhjetë vendeve më të mira në aspektin e qyteteve dhe rajoneve evropiane të së ardhmes 2025, përpiluar nga “fDi Intelligence”, e cila vlerësoi lokacionet më atraktive në të gjithë Evropën për investime direkte, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Zug u rendit e para midis mikroqyteteve, ndërkohë që Cyrihu u rendit i dyti në mesin e qyteteve të mesme dhe Baseli u rendit i shtati midis qyteteve të vogla.

Humb jetën shqiptari në një aksident trafiku në SHBA, ishte pjesëtar i Gardës Kombëtare Amerikane

Raportohet se ka ndërruar jetë në një aksident trafiku ushtari i Gardës Kombëtare Amerikane me prejardhje nga Kosova, Fitim Nela, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, Nela vdiq teksa ishte duke drejtuar motoçikletën dhe më pas u aksidentua për vdekje.

Shoqata “Peja” në New York ka njoftuar se ceremonia mortore për Nelën do të mbahet të premten, nga ora 14:00 deri në 20:00, ndërsa varrimi do të bëhet të shtunën.

Fitim Nela ishte promovuar në vitin 2022 si pjesë e Batalionit S1 të divizionit të ushtrisë amerikane. /Albinfo.ch