Kuvendi i Kosovës njofton zyrtarisht për vazhdimin e seancës konstituive

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar vazhdimin e seancës konstituive më 23 prill, në orën 10:00, përcjell albinfo.ch.

Kuvendi mbeti pa zgjedhur kryeparlamentarin, pasi LVV-ja propozoi Albulena Haxhiun, por ajo mori vetëm 57 vota.

Seanca e së hënës shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit.

Pas hapjes, kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga LVV-ja të ripropozonte kandidatin për kryetar. Deputeti Glauk Konjufca tha se emri mbetet i njëjtë – Albulena Haxhiu – por, meqë partitë e tjera thanë se nuk do ta votojnë, nevojiten konsultime të mëtejshme:

“LVV-ja, pa dyshim, e ka të njëjtin emër: Albulena Haxhiu. Duke pasur parasysh që që prej dje subjektet politike kanë paralajmëruar qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje politike. Pa mazhorancë për kryetarin e Kuvendit, vetë Kuvendi nuk mund të themelohet. E njëjta logjikë vlen edhe për nënkryetarët. Andaj, zoti kryesues, kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata që patëm tri herë radhazi.”

Kërkohet paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për rastin e vrasjes policit Muhamed Lika

Përditësimi i lajmit

Të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika dërgohen në gjykatë

Të dyshuarit për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, të shoqëruar nga Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës janë dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Të arrestuarit H.B, E.L, Sh.K, R.M, D.G dhe V.Ç., të martën do të dalin para gjykatës në seancën dëgjimore, e cila do të mbahet e mbyllur për media.

Të hënën në Kaçanik janë arrestuar shtatë persona të cilët dyshohen për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.

Seanca dëgjimore mbahet sot me fillim nga ora 13:00.

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar një muaj paraburgim për gjashtë të arrestuarit.

Ndërkaq dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit R.B, si i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.

Muhamed Lika u vra në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, më 1 prill derisa po kthehej nga puna.

 

Kërkohet paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për rastin e vrasjes policit Muhamed Lika


Bëhet e ditur se prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G.- komuna Kaçanik, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Referuar Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri dhe në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit,  viktima M.L., ka ndërruar jetë, me këtë në bashkëkryerje, të pandehurit do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë”nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 06/L-074.

Të pandehurit që nga data 22 Prill 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.

Për tri vjet Qeveria e Kosovës shpenzoi rreth 30 milionë euro për udhëtime jashtë vendit

Institucionet e Kosovës kanë shpenzuar 29 milionë e 230 mijë euro gjatë tre vjetëve të fundit vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe për shpenzime të tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave nga raporti i buxhetit të vitit të kaluar të Ministrisë së Financave, vërehet një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të luksit në vitin 2024, në raport me vitet paraprake 2023 dhe 2022.

Sipas raportit, gjatë vitit 2022, për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 2.5 milionë euro, për mëditje dhe udhëtime 2.6 milionë euro, ndërsa për akomodim 1.9 milionë euro, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 961 mijë euro apo në total 7 milionë e 961 mijë euro.

Në vitin 2023, kjo shumë është rritur ndjeshëm: 3 milionë euro për udhëtime, 3.2 milionë euro për mëditje dhe 2.1 milionë euro për akomodim jashtë vendit, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 1.2 milionë euro apo në total 9 milionë e 500 mijë euro.

Ndërkohë që viti 2024 shënon kulmin e këtyre shpenzimeve, me 4.2 milionë euro të shpenzuara për udhëtime, 3.9 milionë euro për mëditje dhe 2.7 milionë euro për akomodim, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 971 mijë euro apo në total 11 milionë e 770 mijë euro.

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Prishtinës Salih Gashi

Ka ndërruar jetë ish‑kryetari i Prishtinës, Salih Gashi, përcjell albinfo.ch.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij.

Sipas Ramës, Gashi “ishte një nga kontribuuesit e palodhur për rindërtimin dhe konsolidimin institucional të kryeqytetit në një kohë të vështirë për vendin tonë. Me përkushtim, urtësi dhe integritet, ai la gjurmë në shërbimin publik dhe në rrugëtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës”, shkroi Rama në Facebook.

Blick: Shaqiri i jashtëzakonshëm

Xherdan Shaqiri po konsiderohet ylli i Superligës së Zvicrës në futboll shënoi një gol  të bukur të hënën mbrëma dhe bëri plot tri asistime mjeshtërore në fitoren 5:0 të Baselit ndaj Yverdonit, përcjell albinfo.ch.

Blick shkruan se kjo ndeshja i takoi xhiros së fundit të stinorit të rregullt në elitën zvicerane.

Baseli është lider me 61 pikë, gjashtë më shumë se Servette e vendit të dytë. Në plejof i ka edhe pesë ndeshje. Por me formën që po e kalon Shaqiri, Baseli duket i pandalshëm në rrugën drejt titullit.

Me kontributin e së hënës, 33-vjeçari tani i ka 14 gola e plot 17 asistime në 29 paraqitje kampionale. Pra ka më shumë kontribut në gola, me shënim apo asistim, se ndeshje të luajtura.

Se Shaqiri është në superformë, e pranojnë edhe mediat zvicerane.

“Liga zvicerane zakonisht në janar e nderon lojtarin më të mirë të 12 muajve të kaluar. Këtë vit, liga mund ta ndajë çmimin për Xherdan Shaqirin që në prill. Nuk mund të shkojë më mirë se kaq. Një gol dhe tri asistime – dy prej tyre të nivelit më të lartë botërorë”, ka shkruar “Blick”, që e ka vlerësuar Shaqirin më të mirin e ndeshjes.

“Blick” ka shkruar po ashtu që Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në fitoren e Baselit.

Sajti zyrtar i televizionit zviceran gjithashtu ka ngritur në qiell Shaqirin.

“Shaqiri i jashtëzakonshëm: lideri Baseli kalon përtej Yverdonit”, është titulli i SRF.

Televizioni zviceran i ka kushtuar hapësirë asistimit me thembër të Shaqirit, që ishte shumë i bukur.

“Shfaqje e Shaqirit në ‘St. Jakobs Park’”, ka shkruar sajti tjetër i njohur zviceran, “bluewin.ch”. Edhe për këtë medium nuk kishte dilema që Shaqiri ishte lojtar i ndeshjes.

“Çka tjetër mund të thuhet? Kontribut në katër gola. Superlativët po mbarojnë”, ka shkruar “bluewin.ch”.

Edhe sajti nga Baseli, “bazonline.ch” ka përmenduar shkëlqimin e kapitenit Shaqiri në fitoren e thellë.

Sajti zyrtar i klubit Basel ka veçuar shkëlqimin e Shaqirit në titullin e raportit. E ka shpallur lojtar të ndeshjes kosovarin. Paraqitja e Xherdanit, sipas Baselit, ishte magjike.

Baseli për herë të parë pas më shumë se shtatë vjetësh ka shënuar pesë fitore rresht. Me formën aktuale shpejt do ta festojë titullin e kampionit, të cilin e pret që nga viti 2017. Do të jetë titulli i 21-të për Baselin, i katërti i Zvicrës për Shaqirin me këtë skuadër. Tre të parët i kishte fituar prej vitit 2010 deri në vitin 2012.

Pas 16 vjetësh në Gjermani, mërgimtari kthehet në Kosovë dhe hap fermën e pulave

Një rrëfim suksesi vjen nga Suad Gucati, i cili ka jetuar dhe vepruar 16 vjet në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Pas këtyre viteve, ai së bashku me familjen vendosi të kthehet përfundimisht në Kosovë për të investuar në fermën e pulave “Drini”.

“16 vite jetova në Gjermani; tashmë jam kthyer me gruan dhe me fëmijët në vendlindje për të investuar”, është shprehur ai.

Ai renovoi fermën para një viti në fshatin Marinë të komunës së Skenderajt, dhe sipas tij gjithçka po shkon mbarë.

Përveç pulave, ai tani zotëron 5 000 zogj të vegjël, dhe për pak ditë pritet të shtohen edhe 2 000 të tjerë, në total 7 000.

“Brenda tre muajsh kemi shitur 6 500 pula, ndërkohë që investimet janë mbi 200 000 euro”, tregon Suadi.

Presidenti i Leverkusenit: Granit Xhaka nuk është në shitje

Në një deklaratë për media, presidenti i Bayer Leverkusenit, Fernando Carro, tha se Granit Xhaka nuk është në shitje. Ai theksoi se janë të kënaqur me kapitenin e Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se reagimi i presidentit të Leverkusenit vjen pas raportimeve se Xhaka mund të largohet gjatë verës për t’iu bashkuar skuadrës turke Galatasaray.

“Ne jemi shumë të lumtur me të. Nuk planifikojmë ta lëshojmë,” tha Carro, shkruan “Blick”.

Xhaka, 32‑vjeçar, është lider i Leverkusenit. Mesfushori me origjinë kosovare ka fituar me Leverkusenin titullin kampion dhe Kupën e Gjermanisë. Edicionin e kaluar, Leverkuseni humbi në finale të Ligës së Evropës ndaj Atalantës.

Në edicionin aktual, Xhaka ka shënuar dy gola dhe ka asistuar shtatë herë në 30 ndeshje në Bundesligë. Leverkuseni është ende në garë me Bayern Munichun për titullin, por ka gjasa të vogla.

Sigurimi shëndetësor në Zvicër: Dallime të mëdha në sigurimet shtesë

Në vitin 2023, kompanitë e sigurimeve shëndetësore në Zvicër, si CSS, raportuan një diferencë të konsiderueshme mes shumës së mbledhur nga premiet dhe shpenzimeve për trajtime mjekësore. CSS mbledhi 1,248 milionë franga për sigurime shtesë për trajtimet ambulatorë dhe spitalore, ndërsa shpenzoi vetëm 784 milionë franga për shërbimet mjekësore, që do të thotë se mbledhën 37% më shumë se sa çfarë paguajnë për trajtimet.

Kjo diferencë ka qenë e qëndrueshme nga viti 2012, duke luhatur midis 35% dhe 40%. Por ku shkojnë këto qindra miliona franga që paguhen nga abonentët? Sipas rregullatorit financiar FINMA, fitimet janë të kufizuara në 10%, ndërsa pjesa tjetër e shumës, më shumë se 300 milionë franga për CSS vetëm në vitin 2023, përdoret për kostot administrative dhe rezerva.

Për çdo 3 franga që rimbursohen për shpenzime shëndetësore, të paktën 1 frangë shkon për kostot dhe rezervat variabile. Për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, raporti është shumë më i ulët, me 1 frangë administrim për çdo 19 franga shpenzimesh trajtimi.

“Këto shifra janë të habitshme,” thotë Mauro Poggia, ish-Ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Gjenevës. “Fatkeqësisht, këto kompani drejtohen tani nga menaxherë mercenarë, të cilët kanë si qëllim të rrisin fitimet dhe shpërblimet për aksionerët.”

Ndërkohë, edhe Helsana, një tjetër gjigant në sektorin e sigurimeve shtesë në Zvicër, ka raportuar një margjinë më të ulët fitimi në krahasim me CSS – vetëm 27% më shumë se sa ajo pagoi për trajtimet mjekësore. Sidoqoftë, diferenca është edhe më e madhe krahasuar me Sanitas, një fond më i vogël sigurimi shëndetësor, transmeton albinfo.ch.

FINMA nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për këto diferenca dhe ka deklaruar se nuk mund të komentojë mbi këtë çështje. Po ashtu, nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht cilat janë shkaqet e këtyre dallimeve midis siguruesve.

Dallimet mes kompanive të sigurimeve shëndetësore janë gjithashtu të dukshme në periudha kohore, sidomos në kujdesin spitalor. Ndërmjet viteve 2008 dhe 2011, diferenca mes shumës së mbledhur dhe shpenzimeve për trajtime ishte 19%, ndërsa pas vitit 2012, kjo ka arritur në 31%.

Në vitin 2012, financimi i spitaleve u ndryshua dhe kantonet u ngarkuan me financimin e një pjese të kostove të trajtimit, duke lehtësuar ngarkesën mbi fondet private të sigurimit shëndetësor.

Mauro Poggia, ish-Ministër i Shëndetësisë, thotë se ka tentuar që prej vitit 2015 të kuptojë si FINMA siguron që fondet publike të mos përdoren për të rritur fitimet e siguruesve privatë, por nuk ka marrë kurrë një përgjigje për këtë çështje.

Ky shqetësim është një nga shumë që kanë ngritur ekspertët dhe autoritetet e shëndetësisë mbi praktikat e sigurimeve shëndetësore në Zvicër.

Brenda Kishës Katolike: Sulmet që e rrethuan Papa Françeskun

Që prej vitit 2013, kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku është dalluar për frymën e tij të hapur, përkushtimin ndaj të varfërve, dhe qasjen përfshirëse ndaj komuniteteve që shpesh janë lënë mënjanë – përfshirë të huajt, të divorcuarit dhe komunitetin LGBTQ+. Por kjo frymë e re nuk ka kaluar pa reagime.

Në fakt, disa nga sfidat më të mëdha të Françeskut nuk kanë ardhur nga jashtë, por nga brenda vetë Vatikanit. Figura të larta të hierarkisë katolike, si kardinalët e Dubisë, kanë qenë ndër më kritikët. Ata e kundërshtuan hapur dokumentin “Amoris Laetitia”, që lehtësonte afrimin e të divorcuarve të rimartuar me Kishën.

Një tjetër zë i fortë kritik ka qenë At Georg Gänswein, ish-sekretari i Papa Benediktit XVI, i cili akuzoi Françeskun për thyerje të traditës liturgjike dhe për përjashtim nga qendrat vendimmarrëse. Ndërsa kryepeshkopi Carlo Maria Viganò shkoi edhe më tej – e akuzoi Papën për mbulim të skandaleve seksuale dhe i kërkoi dorëheqjen. Pas kësaj, Viganò u shkishërua.

Edhe kardinali Müller, që më parë drejtonte Kongregatën për Doktrinën e Fesë, ka kritikuar Françeskun për “keqqeverisje” dhe për ndikimin që, sipas tij, kanë këshilltarët progresistë.

Por përballë këtyre sulmeve, Papa Françesku ka qëndruar i palëkundur. Ai ka vijuar me reformën e tij duke theksuar mëshirën, drejtësinë dhe nevojën për të qenë një Kishë që i qëndron afër njerëzve. Edhe kur është quajtur “satanist”, “mason” apo “komunist”, ai nuk ka hequr dorë nga rruga që ka zgjedhur: një rrugë e bazuar në Ungjill dhe dashuri për të gjithë.

A mund të jenë tatuazhet të rrezikshme për shëndetin? Ja çfarë thotë një studim i ri

Tatuazhet janë kthyer prej kohësh në një formë shumë e përhapur e vetë-shprehjes artistike dhe personale. Por, a mund të fshihen rreziqe për shëndetin pas bojës dhe gjilpërës?

Një studim i ri nga Danimarka ka hapur një debat të madh në komunitetin shkencor dhe mjekësor, duke sugjeruar se tatuazhet mund të kenë lidhje me një rrezik më të lartë për disa forma të kancerit.

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit analizuan të dhënat e 2,367 binjakëve të lindur midis viteve 1960 dhe 1996. Nga këta, u përqendruan tek 316 çifte ku njëri binjak ishte i tatuazhuar dhe tjetri jo. Rezultatet treguan se:

Personat e tatuazhuar kishin 1.6 herë më shumë gjasa të zhvillonin kancer të lëkurës.

Po ashtu, kishin 1.3 herë më shumë rrezik për limfomë, një lloj kanceri i sistemit limfatik.

Sipas studimit, bojërat e tatuazheve mund të migrojnë në nyjet limfatike, duke ndikuar në sistemin imunitar dhe ndoshta duke kontribuar në zhvillimin e sëmundjeve të rënda.

Po çfarë mendojnë mjekët?

Ekspertët shprehen me kujdes ndaj interpretimit të rezultateve. Dermatologu Olivier Gaide thotë se studimi ka mangësi të rëndësishme, si mungesa e të dhënave mbi faktorë të tjerë të rrezikut si ekspozimi në diell, duhanpirja apo predispozita gjenetike.

Ai thekson se nuk ka arsye për panik, por as për t’i injoruar sinjalet. “Kërkime më të thelluara janë të nevojshme për të nxjerrë përfundime të sakta”, shton ai.

Rreziqe që duhet të dihen

Pavarësisht debatit rreth kancerit, tatuazhet përfshijnë rreziqe reale që duhen marrë parasysh:

Infeksione – Nëse nuk kryhen në kushte sterile dhe profesionale.

Alergjitë – Veçanërisht nga bojërat e kuqe dhe përbërësit kimikë të caktuar.

Ndryshime në lëkurë – Tatuazhet mund të fshehin nishane ose shenja të tjera që duhen kontrolluar.

Çfarë mund të bëni?

Nëse keni një tatuazh ose po mendoni ta bëni:

Zgjidhni gjithmonë një studio të licencuar dhe të pastër.

Kërkoni informacion për përbërjen e bojës – disa përmbajnë metale të rënda ose substanca të dyshimta.

Monitoroni lëkurën tuaj rregullisht dhe konsultohuni me dermatologun nëse vëreni ndonjë ndryshim/albinfo.ch/

Kongresi amerikan paraqet rezolutën 26: Një hap historik kundër dhunës seksuale në Kosovë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka njoftuar se Kongresi Amerikan ka paraqitur Rezolutën 26, një veprim historik që ofron një mbështetje të fuqishme kundër krimeve të dhunës seksuale në Kosovë.

“Një luftë që ka zgjatur shumë vite, e mbushur me vuajtje dhe heshtje, por që tani po merr vëmendjen globale që meriton. Mirënjohje të pafundme për Vasfije Krasniqi Goodman, simbol i pafund i guximit, dhe Vera Mjeku, që kanë luftuar pa u ndalur për të drejtat dhe të vërtetën. Ky vendim sjell një shpresë të re për çdo të mbijetuar që ka duruar dhe ka kërkuar drejtësi gjatë gjithë këtyre viteve”, thuhet në njoftim.

https://www.facebook.com/share/p/1By7boh7fn/

Studim: Fëmijët në rrezik nga përmbajtja e dëmshme e lojës Roblox

Roblox është një platformë lojërash shumë e popullarizuar që përdoret nga miliona njerëz çdo ditë, përfshirë edhe të miturit. Një studim i ri tregon se fëmijët janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të rënda, pasi masat e sigurisë në platformë janë të pamjaftueshme.

Rreziku nga përmbajtja e papërshtatshme
Platforma Roblox, një univers virtual me lojëra dhe mjedise interaktive, ka mbi 85 milionë përdorues aktivë çdo ditë, 40 % e të cilëve janë nën 13 vjeç. Sipas studimit të organizatës Revealing Reality, masat e sigurisë nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur fëmijët. Pjesëmarrësit mund të hasin përmbajtje eksplicite dhe të ndërveprojnë me të rritur pa asnjë verifikim moshe.

Mjedise të papërshtatshme dhe ndërveprime me të rritur
Një nga llogaritë e regjistruara për një përdorues 10-vjeçar kishte qasje në mjedise të ndjeshme, si një hotel ku shfaqej një avatar femëror me veshje të ngushta dhe lëvizje sugjestive, si edhe avatarë të tjerë në pozita seksuale. Pjesë të tjera përmbanin objekte fetishe dhe biseda mes përdoruesve me fjalë e tinguj të papërshtatshëm.

Komunikimi i fëmijëve me të rritur pa verifikim moshe
Përdoruesit e testuar, madje edhe ata 5-vjeçarë, mund të komunikonin e ndërvepronin me të rritur pa asnjë verifikim moshe. Një avatar i regjistruar si i rritur mund t’u kërkonte fëmijëve të dhëna personale (p.sh. llogarinë e Snapchat) në mënyrë të papërshtatshme.

Reagimi i Roblox
Roblox ka pranuar ekzistencën e “aktorëve të keq” online, por thekson se ky problem tejkalon kufijtë e platformës dhe kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe përpjekje të industrisë për masat e forta të sigurisë. Gjithashtu ata kujtojnë se gjatë vitit 2024 kanë zbatuar mbi 40 përmirësime të ndryshme të sigurisë.

Lëndohet sërish Gjimshiti, kuqezinjtë në ankth

Berat Gjimshiti la fushën e lojës në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Milanit, pasi, si pasojë e një ndërhyrjeje, mori një goditje në kavilje.

Futbollisti shqiptar nuk mund të vazhdonte më, dhe Gasperini u detyrua ta ndërronte.

Sipas mediave italiane, ekziston shqetësimi që Gjimshiti të mos jetë në formën optimale në ndeshjet e fundit të sezonit, ku Atalanta do të zgjidhë çështjen e kualifikimit në Ligën e Kampioneve, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Ai parashikohet të lihet fillimisht pushim në ndeshjen e radhës përballë Lecces, pasi në klub nuk duan ta rrezikojnë për ndeshjet shumë më të komplikuara në vijim.

Rikuperimi i Gjimshitit në fundin e sezonit do të jetë i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare, duke pasur parasysh ndeshjet vendimtare të kualifikueseve të qershorit ndaj Serbisë dhe Letonisë.

Përplasja e dy tramvajëve në Cyrih shkakton përkohësisht ndêrprerje trafiku

Një përplasje mes dy tramvajëve VBZ ndodhi pasditen e së hënës në qendër të Cyrihut, duke shkaktuar dëme të mëdha në të gjitha mjetet e përfshira.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar. Stacionet Qendrore dhe Paradeplatz janë mbyllur përkohësisht për trafikun publik, dhe ka ndërprerje të shërbimeve deri në orën 21:00, transmeton albinfo.ch.

Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 16:00 pranë ndalesës Qendrore të tramvajit në Distriktin 1, kur një tramvaj Cobra i linjës 3 përplasi një tjetër tramvaj Cobra të linjës 4. Të dy tramvajët dolën nga shinat. Në të njëjtën kohë ndodhi një përplasje tjetër në ndalesën Paradeplatz, ku një tramvaj i linjës 8 u përplas me një tramvaj Cobra të linjës 4.

Përveç ndërprerjeve të shërbimeve të tramvajëve, trafiku i trenave në stacionin Stadelhofen është gjithashtu i prekur për shkak të një defekti teknik.

Policia e Cyrihut po heton përplasjet dhe po mbledh prova. Ndërprerjet do të vazhdojnë deri në orën 21:00, dhe mund të ketë vonesa, anulime e ndryshime të itinerarëve.

Momente paniku kur aeroplani shpërtheu në flakë, evakuohen 300 pasagjerë në Orlando

Rreth 300 pasagjerë përjetuan momente paniku në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos, kur njëri prej motorëve të aeroplanit të kompanisë Delta shpërtheu në flakë ndërsa ndodhej ende në pistë. Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë tym të dendur dhe zjarr që shpërthen nga motori, ndërsa udhëtarët evakuohen me ngut përmes rrëshqitjeve emergjente.

Fluturimi me numër Delta 1213 ishte planifikuar të nisej nga Orlando – qyteti i njohur për Disneyland – drejt Atlantës, me afërsisht 300 persona në bord. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Sipas deklaratave të linjës ajrore, ekuipazhi veproi me shpejtësi dhe profesionalizëm duke ndihmuar në evakuimin e menjëhershëm të të gjithë pasagjerëve, pasi flakët u vërejtën në njërin prej motorëve kryesorë.

Ngjarja tashmë është nën hetim nga Administrata Federale e Aviacionit, e cila pritet të zbardhë shkaqet e këtij incidenti të rrezikshëm.

VIDEO:

https://m.youtube.com/watch?v=2JcE0MnAZmw

Tesla përballet me rënie shitjesh në SHBA dhe Evropë, por kërkesa rritet në Ukrainë

Në një moment kur Tesla po përballet me një rënie të ndjeshme të shitjeve në tregjet globale, duke përfshirë SHBA-në dhe Evropën, kompania ka vënë re një rritje të befasishme të kërkesës në Ukrainë.

Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Automjeteve të Ukrainës, shitjet e makinave elektrike kanë pësuar një rritje të qëndrueshme në muajt shkurt dhe mars. Tesla është bërë lider në tregun e makinave elektrike të përdorura në këtë vend.

Rënia e çmimeve globale, e nxitur nga konkurrenca e fortë nga prodhuesit kinezë, ka bërë që modelet Tesla të bëhen më të përballueshme për shumë ukrainas.

Anatoliy Trepak, një shofer taksie në Kiev, shprehet: “Në të kaluarën, nuk mund ta imagjinoja të blija një Tesla. Por tani, për 18.000 dollarë, e mora dhe është gjithçka që doja, një hap i madh nga Skoda ime e vjetër.”

Bohdan, një shitës makinash në një autosallon të Kievit, tregon se disa vite më parë, një Tesla e përdorur nuk shitej nën 40.000 dollarë. “Sot, për 20.000 mund të marrësh një makinë të mirë,” thotë ai, duke theksuar se rënia e barrierave financiare ka sjellë një valë të re blerësish.

Në perëndim, Tesla ka pasur një reputacion të dëmtuar nga reagimet ndaj pronarit të saj, Elon Musk, për qëndrimet politike dhe postimet e tij në rrjetin social X. Në një autosallon në Kiev, një karton me fytyrën e Muskut është vendosur si një mesazh ironik për qëndrimet e tij.

Përkundër kësaj, shumë ukrainas, si Trepak, ndajnë një pikëpamje më të fokusuar në produktin. “E vlerësoj për atë që krijoi, por tani ai është një kapitull më vete. Unë kam blerë një makinë, jo një ideologji,” shprehet ai.

Rritja e kërkesës për Tesla në Ukrainë, ndërsa kompania po përballet me sfida të mëdha në tregjet e mëdha, tregon se potenciali i saj mbetet i gjallë, veçanërisht kur çmimi e bën këtë teknologji më të arritshme.

Mjeku i Vatikanit tregon shkakun e vdekjes së Papës

Sipas certifikatës zyrtare të vdekjes, të lëshuar nga mjeku i Vatikanit, Andrea Arcangeli, shkaku i vdekjes së Papa Françeskut ka qenë një goditje në tru, e ndjekur nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës. Papa Françesku ka rënë në gjendje kome pak para ndarjes nga jeta.

Papa Françesku, i cili shërbeu si kreu i Kishës Katolike që nga viti 2013, ishte Papa i parë nga Amerika Latine dhe një nga figurat më përfaqësuese të reformës dhe dialogut ndërfetar në historinë moderne të Vatikanit, transmeton albinfo.ch.

Vdekja e Tij përfaqëson një humbje të madhe për botën katolike dhe më gjerë. Ceremonitë mortore pritet të njoftohen nga Selia e Shenjtë në orët në vijim.

10 qytetet më me diell në Evropë

Nëse rrezet e diellit janë pjesë e rëndësishme e pushimeve tuaja verore, ka një destinacion evropian që e lë pjesën tjetër në hije, sipas një studimi të ri të motit.

Hulumtimi i realizuar nga platforma e pushimeve Holidu ka zbuluar se qytetet më medielli të kontinentit janë kryesisht në Spanjë, me tetë nga dhjetë qytetet më të diellit që ndodhen në këtë shtet, transmeton euronews përcjell albinfo.ch.

Kartagjena, qyteti me më shumë diell

Sipas të dhënave të marra nga World Weather Online dhe të publikuara nga Dailymail, qyteti juglindor i Kartagjenës renditet si qyteti më me diell në Spanjë, me një mesatare prej 283 orësh diell në muaj.

Ky qytet historik, i themeluar nga kartagjenasit rreth vitit 220 para Krishtit, ka një temperaturë mesatare vjetore prej 19.1 gradë Celsius, ndërsa gjatë verës, temperaturat arrijnë deri në 30 gradë.

Kartagjena gjithashtu është një destinacion i përshtatshëm për fluturime me kosto të ulët, me çmimet e fluturimeve që fillojnë nga rreth 34 euro, duke e bërë këtë qytet të përshtatshëm për një udhëtim të shkurtër gjatë fundjavës.

Çmimet e arsyeshme dhe jeta e rehatshme

Në lidhje me çmimet në qytet, një litër birrë në Kartagjenë kushton rreth 3 €, një çmim mjaft tërheqës për turistët. Vitin e kaluar, një sondazh i udhëtarëve, e vlerësoi Kartagjenën si një nga destinacionet më të mira për pushime në Spanjë, duke e vlerësuar atë për cilësinë e plazhit, ushqimin dhe çmimet e arsyeshme.

Qytetet tjera të diellit në Spanjë dhe jashtë saj

Disa nga qytetet e tjera të Spanjës që ofrojnë më shumë diell përfshijnë Alicante dhe Malaga, me mesatare prej 279.6 dhe 279.3 orësh diell në muaj. Ndërsa, dy destinacione jashtë Spanjës që janë gjithashtu të njohura për diellin e tyre janë Marseille në Francë (266.1 orë diell) dhe Catania në Siçili (273.7 orë diell).

Përveç këtyre, edhe qytetet jugore të Spanjës, si Sevilla (273.4 orë diell) dhe Córdoba (268.2 orë diell), janë gjithashtu të njohura për motin e shkëlqyer gjatë verës.

Valencia: Kombinimi i diellit dhe çmimeve të ulëta

Për ata që kërkojnë një alternativë me kosto të ulët, Valencia ofron një kombinim të përsosur të diellit, argëtimit dhe çmimeve të arsyeshme. Sipas një sondazhi të realizuar nga rrjeti i emigrantëve InterNations, 77% e emigrantëve që jetojnë në Valencia janë të kënaqur me situatën e tyre financiare, një shifër shumë më e lartë se mesatarja globale e 54%. Mbi 60% e tyre thonë se të ardhurat e tyre janë “më se të mjaftueshme” për një jetë të rehatshme.

Një emigrant amerikan që jeton në këtë qytet thekson: “Më pëlqen që nuk duhet të shqetësohem për koston e jetesës, qoftë strehimi apo kujdesi shëndetësor.”

Përfundim

Nëse jeni duke kërkuar një vend ku mund të shijoni diellin, plazhin dhe çmime të arsyeshme, qytetet si Kartagjena, Alicante, Malaga dhe Valencia ofrojnë mundësi të shkëlqyera për pushime verore. Po ashtu, qytetet kulturore si Marseille dhe Catania janë gjithashtu ideale për ata që kërkojnë një kombinim të diellit dhe historisë.

 

Shaqiri, më i miri në Zvicër

Në ndeshjen e fundit, Basel – kundër Yverdon‑Sport – fitoi 5:0 në shtëpi, ku Xherdan Shaqiri shkëlqeu sërish. Ai shënoi një gol dhe dha tri asistime, duke e çuar në 14 numrin e golave dhe në 17 atë të asistimeve në sezon. Falë kësaj fitoreje, Basel i rrëshqiti gjashtë pikë përpara skuadrës në vendin e dytë.

Shaqiri është aktualisht golashënuesi dhe asistuesi më i mirë i Superligës zvicerane; nëse vazhdon me këtë ritëm, pak kush mund ta ndalë titullin “Më i miri i kampionatit” t’i shkojë atij.

Pas një pushimi dyjavor, mbeten edhe pesë ndeshje për t’u luajtur në Superligë, dhe Basel duket favorit kryesor për titull – pikërisht me kapitenin shqiptar në krye.

Eiffel do të ndalojë dritat në mbrëmje në nderim të figurës së Papa Françeskut

Dritat e Kullës Eiffel do të fiken gjatë mbrëmjes për nder të Papa Françeskut, i cili vdiq sot në mëngjes në moshën 88‑vjeçare, njoftoi kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo. Ajo shtoi se do të propozojë që një vend në Paris të marrë emrin e tij.

Në një deklaratë, kryebashkiakja socialiste vlerësoi “përkushtimin e tij për një Kishë që shtrihet tek më të pambrojturit”, si dhe dëshirën e tij për të vendosur “ekologjinë në qendër të shqetësimeve shpirtërore dhe sociale” dhe mbrojtjen e tij për “mirëpritjen e refugjatëve”.

 

Shkëlqen sërish Shaqiri, 1 gol e 3 asistime

Baseli shënoi fitore të thellë, 5:0, në shtëpi ndaj Yverdon‑Sport.

Ylli shqiptar Xherdan Shaqiri ishte futbollisti i ndeshjes, duke vazhduar të shkëlqejë në Superligën zvicerane.

Golin e shënoi në minutën e 27‑të për 2:0, ndërsa tri asistimet erdhën te goli i tretë (minuta 30), i katërt (minuta 37) dhe i pesti (minuta 56).

Shaqiri u vlerësua lojtari më i mirë i ndeshjes nga SofaScore, me notën 9.5.

Pas xhiros së 33‑të, ai ka arritur 14 gola e 17 asistime në Superligën zvicerane.