Politikani austriak ngushëllon popullin e Kosovës për vdekjen tragjike të vajzës nga Graz

Deputeti i Parlamentit Federal të Austrisë dhe njëherësh President i Shoqatës së Miqësisë Austri–Kosovë, z. Andreas Minich, ka shprehur ngushëllimet më të thella për popullin e Kosovës pas vdekjes tragjike të Leas, vajzës me prejardhje kosovare që humbi jetën në sulmin në qytetin e Grazit. Mesazhi i tij është përcjellë përmes Avokatit Arsim Vranovci, i cili është edhe President i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri.

Minich u shpreh i prekur thellë nga kjo ngjarje dhe nënvizoi solidaritetin e plotë me familjen e viktimës. “Ky është një moment i dhimbshëm për të gjithë ne. Ngushëllimet tona më të sinqerta i drejtohen familjes dhe komunitetit shqiptar në Austri. Dhimbja e tyre është edhe dhimbja jonë”, thuhet në mesazhin e tij.

Ngjarja ka tronditur jo vetëm opinionin publik në Austri, por edhe komunitetin shqiptar që jeton atje. Autoritetet austriake janë duke zhvilluar hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit tragjik.

Qelizat staminale tashmë mund të ndihmojnë edhe problemet me sytë

Riparohen dëme të pakthyeshme te sytë falë qelizave staminale. Trajtimi eksperimental është kryer në një spital amerikan të specializuar dhe arritja është publikuar në revistën shkencore “Nature Communication”.

Ekipi mjekësor ka marrë qeliza staminale nga syri i shëndetshëm i një pacienti, më pas i kanë kultivuar në laborator për 2-3 javë dhe më pas i kanë transplantuar në syrin e dëmtuar. Procedura klinike është aplikuar mbi 14 pacientë dhe pas 18 muajsh nga transplanti.

Teknika ka rezultuar e suksesshme në 92% të rasteve. Problemi që kishin pacientët ishte te kornea e syrit, që është shtresa transparente dhe më e jashtme. Në rast dëmtimi të kësaj zone, është e papërshtatshme të realizohet një transplant i kornesë.

Teknika me përdorimin e qelizave staminale ka rezultuar efikase, ku që në tremujorin e parë pas ndërhyrjes, në 7 prej pacientëve kornea është shëruar plotësisht. Ndërsa në fund të trajtimit, ishte efikase dhe e sigurt për të gjithë pacientët, pa asnjë efekt anësor apo problematikë tjetër.

Procedura do të kalojë teste të tjera dhe studime të mëtejshme përpara se të kalojë në aprovimin përfundimtar nga autoritetet në SHBA.

Sa shoferë nuk e kuptojnë teknologjinë moderne në automjetet e reja?

Sipas një studimi të fundit, çdo i katërti shofer është i pakënaqur me teknologjinë që ofrojnë makinat moderne. Veçori si sistemi i mbajtjes në korsi apo paralajmërimi për pikën e verbër shpesh shkaktojnë konfuzion e madje frikë për shumë drejtues mjetesh.

Shoferët e kanë të vështirë të përshtaten me teknologjitë e avancuara të automjeteve të sotme. Shumë prej tyre nuk kuptojnë si funksionojnë sistemet automatike të frenimit apo drejtimit të timonit gjatë ndërrimit të korsive.

Një hulumtim i realizuar nga DG Cities në Mbretërinë e Bashkuar dhe publikuar nga Autocar, tregon se 40% e shoferëve ndihen të painformuar për funksionimin e teknologjisë së re në makinat që drejtojnë. Këto përfshijnë asistencën për mbajtje në korsi, kontrollin adaptiv të lundrimit dhe sistemet e paralajmërimit për pika të verbra. Ndryshimet nga një markë në tjetrën e bëjnë edhe më të vështirë përshtatjen.

Madje, një në dhjetë shoferë nuk i beson fare funksionalitetit të këtyre sistemeve, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me frenimin automatik në raste emergjente apo njohjen e shenjave të trafikut  një pasiguri që, sipas studiuesve, mund të sjellë pasoja serioze në sigurinë rrugore.

Një tjetër problem që theksohet është mungesa e përgjegjësisë në edukimin e shoferëve për këto teknologji. Prodhuesit e makinave nuk i promovojnë këto sisteme si pikë të forta shitjeje, dhe as shitësit nuk i prezantojnë ato në mënyrë të qartë tek blerësit. Si rezultat, shumë drejtues mjetesh marrin çelësat e makinës pa pasur asnjë ide se si funksionojnë teknologjitë që ajo përmban  duke e zbuluar vetëm atëherë kur aktivizohen papritur gjatë vozitjes, shpesh duke shkaktuar stres dhe paqartësi.

 

A po zgjohet supervullkani më i rrezikshëm i Europës?

Rajoni i Phlegräische Felder (Campi Flegrei), pranë qytetit Pozzuoli në afërsi të Napolit, po tregon shenja gjithnjë e më shqetësuese aktiviteti vullkanik. Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 3400 tërmete, me më të fortat që kanë arritur magnitudën 4.4. Paralelisht, toka po ngrihet me ritme të përshpejtuara – deri në 3 cm në muaj – mbi një rezervuar të madh magme, 6 deri në 8 kilometra nën tokë.

Ky rajon, një kalderë gjigante që mbulon pjesërisht Gjirin e Pozzuolit, është konsideruar prej ekspertëve si një nga vullkanet më të rrezikshme në botë. Shkencëtarët paralajmërojnë se megjithëse nuk ka shenja të një shpërthimi të menjëhershëm, presioni i gazrave dhe lëvizjet nëntokësore po rriten, transmeton albinfo.ch.

Sipas specialistëve të INGV dhe ETH Zürich, vëzhgimet tregojnë për mbushjen graduale të dhomës magmatike. Megjithatë, për shkak të mungesës së përvojës direkte me super-shpërthime moderne, shkalla reale e rrezikut është e vështirë për t’u vlerësuar.

Qindra mijëra njerëz jetojnë në këtë zonë aktive, ku një erupsion i ngjashëm me ato të 15,000 ose 39,000 viteve më parë do të kishte pasoja katastrofike për Italinë dhe gjithë Europën, përfshirë ndotjen ajrore, reshje acidike dhe ndikime klimatike globale.

Ekspertët bëjnë thirrje për forcimin e masave të sigurisë dhe modernizimin e planeve të evakuimit, pasi infrastruktura aktuale nuk përballon një krizë të papritur. Megjithëse nuk ka vend për panik të menjëhershëm, as nuk mund të jepet ndonjë entuziazëm i rremë: vullkani është aktiv  dhe historia ka treguar se është i paparashikueshëm.

Zvicër: Një në 5 kompani i paguan furnizuesit me vonesë

Një në pesë kompani zvicerane i paguan furnizuesit e tyre me vonesë dhe shifra arrin në një në katër në Ticino, kantoni ku kushtet respektohen më pak. Kjo është ajo që del nga një analizë periodike e kryer nga kompania e informacionit ekonomik Dun and Bradstreet (D&B) mbi sektorin B2B (domethënë biznes me biznes, pra kompani me kompani), transmeton albinfo.ch.

Në vend në tërësi, gjatë gjysmës së parë të vitit, 20.5% e faturave nuk e respektuan afatin e pagesës, krahasuar me 18.5% të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo është shifra më e lartë që nga viti 2020. Megjithatë, gjatë harkut kohor prej dymbëdhjetë muajsh, vonesa mesatare ka rënë pak, duke shkuar nga 14.9 në 14.8 ditë.

Dallimet sektoriale janë të konsiderueshme. Kompanitë që paguajnë me vonesë  D&B vlerëson 1.5 milionë fatura B2B çdo muaj  janë ato që janë aktive në sektorin e ushqimit (30.7%), tregtinë e makinave (28.4%), botimet (28.2%) dhe logjistikën (27.1%). Paguesit më të mirë janë bankat dhe kompanitë e sigurimeve (9.5%).

Në nivel rajonal, vonesat bien në sy në Ticino (26.7%), e cila me një përkeqësim prej 1.1 pikësh ka tejkaluar Zugun (24.7%) në renditje. Gjeneva (24.2%), Neuchâtel (23.6%) dhe Fribourg (22.2%) vijojnë. Grisonsi (17.2%) gjithashtu përkeqësohet, me 1.9 pikë, dhe hyn në renditjen e 16-të. Kompanitë që i përmbushin më shumë angazhimet e tyre janë ato në Uri (9.9% janë me vonesë), Obwalden (10.7%) dhe Appenzell Innerrhoden (12.1%).

Mediumi zviceran shkruan për 30 dështimet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

RTS (Radio Televizioni Zviceran) raportoi të mërkurën mbi krizën e thellë institucionale në Kosovë, ku për të tridhjetën herë radhazi Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij, duke e lënë të bllokuar të gjithë procesin e formimit të qeverisë. Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, por vendi mbetet në ngërç politik.

Partia në pushtet, Vetëvendosje (VV), e cila doli fituese e zgjedhjeve me 48 nga 120 ulëse në Kuvend, nuk arriti të sigurojë shumicën absolute dhe nuk ka arritur të krijojë një koalicion qeverisës. Pa një kryetar Kuvendi të zgjedhur, nuk mund të formohet as qeveria e re.

RTS thekson tutje se opozita po refuzon të marrë pjesë në votim.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare Kuvendi, por pa sukses. Një përpjekje për ta kaluar votimin me votim të fshehtë dështoi gjithashtu për mungesë kuorumi, thekson RTS.

Situata është kthyer në një cikël të pafund: Kuvendi mblidhet çdo 48 orë, siç e kërkon ligji, por pa rezultat. Deri më tani janë zhvilluar 30 seanca pa zgjedhje të kryetarit.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare të unitetit kombëtar, duke deklaruar se: “Nuk kemi as Kuvend funksional, as qeveri funksionale dhe as përfaqësim legjitim.”

Mediumi zviceran nënvizon se kjo krizë institucionale mund t’i kushtojë Kosovës miliona euro ndihmë nga Bashkimi Evropian. Rreth 883 milionë euro ndihma dhe grante janë në rrezik për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshjet e nevojshme.

Fëmijët nga qendra e azilit në Gjenevë do të ndjekin shkollat lokale

Fëmijët që strehohen në qendrën e re federale të azilit në Grand-Saconnex të Gjenevës do të kenë mundësinë të ndjekin shkollat publike lokale duke filluar nga viti shkollor 2025. Ky vendim përfaqëson një kthesë të rëndësishme nga plani fillestar, i cili parashikonte arsimimin e tyre brenda vetë qendrës, një ide që u përball me kritika të ashpra dhe protesta të shumta, transmeton albinfo.ch.

Qendra, e cila ndodhet pranë aeroportit të Gjenevës dhe pritet të hapet zyrtarisht të hënën, ka qenë në qendër të debatit për shkak të vendndodhjes dhe politikës së mëparshme për edukimin e fëmijëve të azilkërkuesve brenda ambienteve të saj. Për shkak të kritikave dhe shqetësimeve të ngritura, Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) anuloi një vizitë publike të planifikuar për të enjten për arsye sigurie.

Zgjedhja e prindërve dhe mbështetja logjistike

Departamenti i Arsimit Publik i Gjenevës konfirmoi për RTS se fëmijët mund të ndjekin shkollat fillore të fshatit Grand-Saconnex, Ecole de la Tour, si dhe ciklin e orientimit Budé dhe shërbimet pritëse të arsimit të mesëm të lartë (Sekondar II). Prindërit do të kenë mundësinë të zgjedhin midis kësaj oferte ose arsimimit brenda qendrës, ku do të veprojë një ekip mësuesish i dedikuar.

Për fëmijët që do të ndjekin shkollat publike, udhëtimet do të shoqërohen gjithmonë nga personel i Departamentit të Arsimit Publik.

SEM ka premtuar se në fillim të vitit shkollor nuk do të ketë më shumë se 30 fëmijë të moshës shkollore në qendër, edhe pse ky numër mund të ndryshojë çdo javë sipas shpërndarjeve të brendshme.

Arsye logjistike dhe presion politik

Ky ndryshim politike është nxitur kryesisht nga arsye logjistike. Deri tani, shkollat në Grand-Saconnex kishin qenë të mbingarkuara, por situata ka ndryshuar pas largimit të rreth pesëdhjetë fëmijëve ukrainas që ishin të strehuar në qendrën e Palexpo. Këto familje do të zhvendosen deri në verë në ambiente më të përshtatshme, sipas të dhënave nga Hospice Général.

Gjithashtu, nuk mund të mohohet ndikimi i presionit politik. Partitë e majta, sindikatat dhe organizatat për të drejtat e azilkërkuesve kanë organizuar protesta, kanë dorëzuar një peticion dhe një rezolutë në Këshillin e Madh të Gjenevës, duke denoncuar projektin e mëparshëm si një “shkollë burgu”, në kundërshtim me të drejtat e fëmijëve.

Shikim drejt të ardhmes

Për momentin, nuk është e qartë nëse shkollat lokale do të jenë në gjendje të përballojnë një rritje të numrit të fëmijëve në rast të shtimit të banorëve në qendër.

 

Kosovare Asllani ftohet për Evropianin e Futbollit në Zvicër

Futbollistja shqiptare Kosovare Asllani do të jetë pjesë e Suedisë në Kampionatin Evropian të futbollit për femra që mbahet në Zvicër.

Suedia ka shpallur listën finale të Evropianit, ku futbollistja me përvojë nga Kosova është pjesë e saj, njofton albinfo.ch.

Asllani, 35 vjeç, është njëra nga futbollistet më me përvojë te Suedia, ku ka marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si Kampionati Evropian, Botëror dhe Lojërat Olimpike Verore.

Ajo ka luajtur në 196 ndeshje për Suedinë, duke shënuar 48 gola.

Evropiani do të mbahet nga 2 deri më 27 korrik.

Zvicër: Kantoni Zug ul tarifat për marrjen e patentë shoferit

Qeveria kantonale e Zugut ka vendosur të ulë tarifat për një sërë shërbimesh të Zyrës së Trafikut Rrugor, në përputhje me një kërkesë të parashtruar nga grupi parlamentar i SVP-së në dhjetor 2021. Drejtoria e Sigurisë njoftoi të mërkurën se kjo masë synon të lehtësojë barrën financiare mbi qytetarët dhe ekonominë lokale, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ulja do të prekë tarifat për marrjen e patentës së shoferit, dokumentet e regjistrimit të automjeteve, inspektimet teknike dhe lejet e veçanta. Megjithatë, nuk do të ketë ndryshime për tarifën e paracaktuar dhe gjobat, pasi autoritetet theksojnë se nuk duan të shpërblejnë sjelljen e paligjshme.

Sipas qeverisë, tarifat janë krahasuar me ato të kantoneve të tjera në Zvicrën Qendrore, si dhe me Aargau-n dhe Cyrihun, me synimin që të jenë “të balancuara dhe tërheqëse”, transmeton albinfo.ch.

Tragjedia në Graz: A do të sjellë ndryshim në ligjet e armëve në Austri?

Ngjarja që ka tronditur Austrinë ka rindezur debatin mbi ligjet e armëve në vend. Më 10 qershor, një ish-nxënës 21-vjeçar hyri në shkollën e tij të vjetër të mesme në Graz me dy armë zjarri të marra ligjërisht, duke vrarë 10 persona – studentë dhe të rritur – përpara se të vetëvritej, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Shkalla e sulmit ka lënë vendin në zi dhe ka ngritur pyetje të rëndësishme mbi lehtësinë e sigurimit të armëve në Austri dhe efektivitetin e rregulloreve ekzistuese.

Austria nuk shfaqet shpesh në debatet globale mbi dhunën me armë, kryesisht për shkak se të shtënat e kësaj natyre janë tepër të rralla. Megjithatë, është një nga vendet më të armatosura në Evropë. Sipas Sondazhit të Armëve të Vogla, ka afërsisht 30 armë zjarri në pronësi private për çdo 100 persona. Vendi është i njohur për kulturën e tij të qetë të armëve, ku zotërimi i tyre lidhet më shumë me traditën e gjuetisë dhe sigurinë personale sesa me agresionin.

Sipas Ministrisë së Brendshme, më shumë se 1.5 milion armë zjarri të regjistruara janë në pronësi të ligjshme të rreth 374,000 qytetarëve. Kjo përfshin më shumë se 833,000 armë të Kategorisë C (pushkë gjuetie dhe armë të gjata), 542,000 armë të Kategorisë B (pistoleta dhe gjysmëautomatike) dhe rreth 143,000 armë të Kategorisë A, të cilat janë shumë të kufizuara dhe përfshijnë mitralozë, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht këtyre statistikave, ekspertët besojnë se deri në një milion armë të paregjistruara ose të paligjshme mund të jenë në qarkullim, shpesh të trashëguara ose të tregtuara në tregun e zi.

Në Austri, blerja e një arme është e ligjshme, por e rregulluar sipas kategorisë së armës. Armët e Kategorisë C, si pushkët e gjuetisë, janë më të lehtat për t’u siguruar, dhe kushdo mbi 18 vjeç mund t’i blejë ato për sa kohë që nuk janë subjekt i ndalimit të armëve. Armët e Kategorisë B, si pistoletat, kërkojnë një licencë speciale për armë zjarri, e cila përfshin një vlerësim psikologjik dhe përfundimin e një kursi për sigurinë e armëve. Ndërkohë, armët e Kategorisë A, përfshirë armët automatike, kërkojnë leje të posaçme dhe janë kryesisht të ndaluara për civilët.

Në rastin e autorit të sulmit në Graz, ai kishte blerë ligjërisht një pistoletë dhe një pushkë të gjatë. Sipas policisë, i riu kishte të drejtë t’i mbante këto armë në shtëpi, por jo të dilte me to në publik. Ky fakt ka ngritur shqetësime mbi lehtësinë me të cilën të rinjtë mund të sigurojnë armë vdekjeprurëse, transmeton albinfo.ch.

Tragjedia ka shkaktuar reagime të forta nga politikanët, ekspertët e shëndetit mendor dhe industria e armëve vetë. Në një intervistë për mediat, psikiatri i të rinjve Paul Plener shprehu shqetësimin e tij për numrin e madh të armëve që mbahen ligjërisht në duart e qytetarëve. Ai vuri në dukje se disponueshmëria e armëve mund të ndikojë në rritjen e shkallës së vrasjeve dhe vetëvrasjeve, duke iu referuar reformave të ashpra të Australisë pas masakrës së Port Arthur në vitin 1996.

Në Graz, kryetarja e bashkisë Elke Kahr bëri thirrje për ndalimin e pronësisë private të armëve gjatë një shërbimi përkujtimor për viktimat. “Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë,” deklaroi ajo, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, ministri i brendshëm Gerhard Karner mbrojti ligjet aktuale të Austrisë si “të rrepta”, por pranoi se mund të ketë boshllëqe që duhen adresuar. Deri më tani, qeveria federale nuk ka paraqitur një propozim konkret për reformë, por partia e Gjelbër ka sugjeruar kontrolle psikologjike të rregullta për pronarët e armëve.

Ndërkohë që debati mbi reformat ligjore vijon, shumë austriakë argumentojnë se pronësia e armëve është një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tyre. Prodhuesit e armëve si Glock dhe Steyr Arms janë aktorë kryesorë në tregun global dhe kultura e gjuetisë është e rrënjosur thellë në shoqërinë austriake. Për shumë qytetarë, zotërimi i një arme është i lidhur më shumë me traditën sesa me një kërcënim për sigurinë publike.

Hans Wertgarner, një mjeshtër armëpunuesish, ka argumentuar se shumica e pronarëve të armëve në Austri janë përgjegjës dhe të trajnuar mirë, ndërsa shumë prej tyre kanë kaluar provime të ashpra për gjuetinë ose qitjen sportive. Sidoqoftë, edhe ai pranoi se përdorimi i armëve të zjarrit për mbrojtjen e shtëpisë nuk është një zgjidhje ideale dhe theksoi nevojën për vetëdije më të madhe mbi përgjegjësinë e pronësisë së armëve.

Pas tre ditëve zije kombëtare, Austria po përballet me presion për të rishqyrtuar legjislacionin e saj për armët e zjarrit. A do të sjellë kjo tragjedi ndryshim në ligjet e vendit? Deri më tani, qeveria ka shprehur gatishmërinë për të rishikuar boshllëqet ligjore, por nuk ka ende veprime konkrete, transmeton albinfo.ch.

A janë të përgatitura shkollat zvicerane për sulme të armatosura?

Sulmi tragjik në një shkollë të mesme në Graz, ku 21-vjeçari Artur A. vrau dhjetë persona brenda vetëm 17 minutash, ka tronditur thellësisht opinionin publik në Austri dhe përtej kufijve, duke shkaktuar frikë dhe debat të gjerë edhe në Zvicër, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja brutale ka vënë në qendër të vëmendjes pyetjen thelbësore: Sa të përgatitura janë shkollat zvicerane për një skenar të tillë të paimagjinueshëm?

Ndërsa deri më sot Zvicra nuk ka përjetuar një të shtënë masive në shkollë me viktima, autoritetet arsimore dhe institucionet shkollore janë duke marrë masa parandaluese serioze për të shmangur situata të tilla. Dr. Beat A. Schwendimann nga Shoqata e Mësuesve Zviceranë sqaron se shumica e shkollave kanë protokolle emergjente të miratuara dhe të rishikuara rregullisht për rastet e sulmeve të mundshme me armë.

Masat përfshijnë:

• Marrjen seriozisht të çdo kërcënimi dhe njoftimin e menjëhershëm të policisë
• Mbylljen dhe barrikadimin e klasave
• Kalimin e komandës te autoritetet përkatëse
• Komunikim të koordinuar me prindërit
• Evakuim, nëse situata e lejon

Përtej masave operative, fokusi është gjithnjë e më shumë në ndërhyrjen në kriza dhe parandalimin e hershëm. “Është thelbësore të identifikohen sinjalet paralajmëruese dhe të ndihmohen të rinjtë para se të ndihen të shtyrë drejt një akti të dhunshëm,” thotë Schwendimann. Për këtë arsye, shumë shkolla kanë ngritur ekipe ndërhyrjeje që aktivizohen në situata emergjente, transmeton albinfo.ch.

Kantoni i Cyrihut, ndër të tjerë, ka ndërtuar një sistem gjithëpërfshirës sigurie, përfshirë një aplikacion emergjence për shkollat që përmban udhëzime për skenarë të ndryshëm. Ai mund të përdoret për alarmim dhe komunikim të shpejtë. Ndërkohë, mësuesit trajnohen rregullisht dhe pajisen me udhëzime të qarta për mënyrën e reagimit në rast krizash.

Megjithëse masat janë shtuar, ekspertët theksojnë se shkollat nuk duhet të shndërrohen në fortesa. “Siguria është prioritet, por pa krijuar panik të panevojshëm,” nënvizon Schwendimann.

Një shqetësim shtesë është edhe rritja e alarmimeve të rreme nëpër shkolla, të nxitura shpesh nga sfida virale në rrjetet sociale si Snapchat, TikTok apo Telegram. Kërcënime anonime, të cilat shpesh fillojnë si “shaka” ose “teste guximi”, kanë detyruar autoritetet dhe shkollat të intensifikojnë ndjeshëm përpjekjet për siguri edhe në hapësirën digjitale, transmeton albinfo.ch.

Cyrih: Një shqiptar qëllon me pistoletë në ajër pas ndeshjes Shqipëri – Serbi

Ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës e zhvilluar të shtunën në mbrëmje midis Shqipërisë dhe Serbisë ishte shumë emocionuese – veçanërisht për shqiptarët dhe serbët e Zvicrës. Festimet vazhduan në Cyrih pas ndeshjes, pavarësisht rezultatit përfundimtar 0-0.

Në qytetin e Cyrihut, makina me flamuj shqiptarë kanë parakaluar nëpër rrugë, transmeton albinfo.ch. Disa të rinj me flamuj të UÇK-së festuan me entuziazëm në rrugën General Guisan Quay, jo shumë larg Bürkliplatz, dhe madje bllokuan trafikun.

Siç tregon një video që qarkullon në Snapchat, një i ri qëllon me pistoletë në ajër nëntë herë. Ai mban një mbulesë tradicionale shqiptare për kokë, një qeleshe, shkruan 20minuten.ch.

Kujtesë: Në Zvicër, të shtënat e papërshtatshme janë të dënueshme sipas ligjit të armëve të zjarrit. Ato konsiderohen të rrezikshme, madje potencialisht kërcënuese për jetën. Sepse plumbat do të bien diku – ndonjëherë me shpejtësi vdekjeprurëse.

Policia e Qytetit të Cyrihut është në dijeni të incidentit. Nga policia konfirmuan se incidenti ka ndodhi pranë Bürkliplatz të shtunën në mbrëmje pas ndeshjes. “Hetimet janë duke vazhduar; deri më tani, nuk kemi marrë asnjë raport për të lënduar”, thotë zëdhënësi i policisë Michael Walker, përcjell albinfo.ch. Ai nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetës nëse arma ka qenë e vërtetë ose e rreme.

https://www.20min.ch/story/mitten-in-zuerich-albaner-schiesst-nach-fussballmatch-mit-pistole-in-die-luft-103361913

 

Tragjedia në Graz: Katër të plagosur ende në kujdes intensiv

Pas të shtënave tragjike në një shkollë në Graz, gjashtë të plagosur, të moshës 15 deri në 26 vjeç, mbeten të shtruar në Spitalin Universitar LKH. Katër prej tyre janë ende në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa dy të tjerë janë transferuar në repartin e përgjithshëm. Një pacient, i cili deri të martën ishte në gjendje kritike, tani është në një gjendje më të qëndrueshme, shkruan Krone, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, një tjetër person i plagosur po trajtohet në Spitalin Rajonal Graz II/West. Pavarësisht përmirësimit të gjendjes së tij, ai mbetet ende në kujdes intensiv. Të gjithë pacientët e trajtuar në Spitalin Universitar të Grazit janë në gjendje të qëndrueshme.

Në përgjigje të kësaj tragjedie, Kryqi i Kuq ka bërë thirrje për dhurime gjaku, duke regjistruar një fluks të madh solidariteti nga qytetarët. Deri vonë natën e së mërkurës, janë mbledhur rreth 600 njësi gjaku, një mbështetje jetike për viktimat e plagosura dhe pacientët në nevojë, transmeton albinfo.ch.

Zviceranët ndihen më pak evropianë se fqinjët e tyre

Sipas një ankete të kohëve të fundit, shumica e popullsisë zvicerane ndihej kryesisht zvicerane. Vetëm 4% thanë se ndiheshin kryesisht evropianë, sipas një ankete nga instituti i kërkimit të tregut YouGov Switzerland, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas anketës, 69% e të anketuarve e përshkruan veten si zviceranë dhe jo si evropianë. Rreth 21% e konsideronin veten si zviceranë dhe evropianë. Identifikimi i dyfishtë ishte më i zakonshëm tek të anketuarit më të vjetër: 31% e atyre mbi 60 vjeç ndiheshin po aq zviceranë dhe evropianë. Në grupmoshën 15 deri në 29 vjeç, vetëm 13% e thanë këtë. Të anketuarit më të rinj kishin më shumë gjasa ta përshkruanin veten kryesisht si zviceranë (75%) sesa të anketuarit më të vjetër (64%).

Një pamje e ndryshme u shfaq përtej kufirit. Në Gjermani, 47% e të anketuarve e konsideronin veten kryesisht si gjermanë dhe 11% si evropianë. Një e treta e mirë (35%) i peshonin të dy identitetet në mënyrë të barabartë.

Në Austri, 49% e të anketuarve kishin tendencë ta përshkruanin veten si austriakë. Ndërsa 19% ndiheshin kryesisht evropianë, 28% deklaruan një identitet të barabartë kombëtar dhe evropian.

Për anketën, u intervistuan 2,283 persona në Gjermani, 1,000 persona në Austri dhe 1,245 Zvicër. Intervistat online u zhvilluan midis janarit dhe majit 2025. Rezultatet u peshuan sipas moshës, gjinisë dhe rajonit dhe janë përfaqësuese të popullsisë përkatëse rezidente.

Zug: Ligji i ri për taksën e trafikut shtyhet për vitin 2027

Qeveria kantonale e Zug njoftoi se hyrja në fuqi e ligjit të ri për taksimin e automjeteve do të shtyhet për më 1 janar 2027, për shkak të kompleksitetit të llogaritjes dhe kohës që nevojitet për zbatimin e tij, shkruan Blick, përcjell albinfo.ch.

Ky ligj i ri, i miratuar nga parlamenti kantonal në tetor 2024, përmban një bonus për automjetet me efikasitet të lartë energjetik.

Në të ardhmen, taksa e trafikut për automjetet e pasagjerëve dhe motoçikletat do të llogaritet bazuar në peshën dhe fuqinë e automjetit, duke lënë pas metodën aktuale që bazohet në kapacitetin e motorit, përcjell albinfo.ch.

Ansambli “Vatra” në Bülach shënon 30 vjetorin e themelimit

Ansambli Kulturor “Vatra” shënon 30-vjetorin e themelimit me një aktivitet festiv që do të mbahet më 14 qershor 2025 në qytetin e Bülach-ut. Në fokus të këtij jubileu do të jetë një koncert artistik që paraqet rrugëtimin dhe angazhimin shumëvjeçar të ansamblit në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë.

Programi parashikon fillimin në ora 18:00 me një apero mirëseardhjeje, i pasuar nga një mbrëmje me përmbajtje artistike që përfshin valle tradicionale, muzikë dhe këngë popullore shqiptare. Drejtimi artistik i koncertit i është besuar koreografit Prof. Xhemali Berisha.

Ansambli “Vatra” është themeluar në vitin 1995 dhe gjatë tri dekadave ka zhvilluar një veprimtari të pandërprerë kulturore në kuadër të komunitetit shqiptar në Zvicër. Aktiviteti jubilar vlerëson këtë trashëgimi dhe synon të mbledhë pjesëtarë të komunitetit dhe publikun e interesuar për të ndjekur nga afër një përfaqësim të elementeve tradicionale shqiptare.

Ngjarja është e hapur për publikun dhe mediat janë të mirëseardhura për mbulim dhe raportim.

Kontakt për informacione shtesë apo akreditim mediatik:
[email protected]
www.ansambli-vatra.ch

 

Urim Berisha ekspozon në Cyrih: Simbolika e numrit si formë ndjesore

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih mirëpret ekspozitën personale të artistit vizual Urim Berisha, e cila hapet të premten, më 20 qershor 2025, në orën 19:30, në ambientet e saj zyrtare në Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Cyrih.

Në këtë cikël veprash, Berisha eksploron dimensionin estetik dhe filozofik të numrit, duke i zhvendosur nga kuptimi i tyre matematikor në një gjuhë vizuale me ngarkesë emocionale dhe kulturore. Përmes teknikës së përzier mbi pëlhurë dhe tapet, artisti ndërton një komunikim të ri ndërmjet abstraktes dhe ndjeshmërisë njerëzore.

I njohur për qasjen e tij konceptuale, Urim Berisha  me veprimtari në kantonin e Cyrihut  sjell një formë arti që tejkalon estetikën e zakonshme, duke i dhënë formës funksionin e mendimit dhe përjetimit.

Pjesëmarrjen tuaj konfirmoni në:
📧 [email protected]

 

Tragjedia në Graz: Hetimet zbulojnë plane për sulm me bombë, autoritetet analizojnë motivin

Autoritetet austriake po punojnë për të rindërtuar rrjedhën e saktë të ngjarjeve pas sulmit tragjik në një shkollë në Graz, ku një ish-nxënës 21-vjeçar vrau dhjetë persona përpara se të vetëvritej, shkruan Krone, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i policisë, Sabri Yorgun, deklaroi se rindërtimi i krimit do të ndihmojë të zbulohet vendndodhja e të shtënave, numri i tyre dhe objektivat e sulmit. Procesi mund të zgjasë ditë, ndërsa intervistimi i studentëve dhe analiza e provave vazhdojnë.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Franz Ruf, kontrollet në shtëpinë e autorit nuk kanë dhënë ende të dhëna të qarta mbi motivet e tij. Megjithatë, policia ka gjetur një shënim vetëvrasjeje, një video, si dhe një bombë tubi jofunksionale. Për më tepër, autoritetet kanë raportuar plane për një sulm me eksploziv, të gjetura në banesën e tij.

Deri më tani, dihet shumë pak për jetën e tij. Raportet tregojnë se ai nuk kishte kontakte sociale dhe nuk ishte i përfshirë në ndonjë klub apo organizatë në qytetin e tij të lindjes. Babai i tij, me origjinë nga Armenia, ishte ndarë nga familja dhe autori jetonte vetëm me nënën e tij.

Sipas Kurt Kornberger, komandant i Task Forcës Cobra South, alarmi për një të shtënë të mundshme në shkollë u dha në 10:00 të mëngjesit. Gjashtë minuta më vonë, personeli emergjent mbërriti në vendngjarje. Forcat speciale hynë në ndërtesë në 10:08 dhe 10:09, ndërsa në 10:13, autoritetet zbuluan autorin e krimit të vetëvrarë në tualet. Viktimat e sulmit u gjetën në një klasë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë tragjedi humbën jetën nëntë adoleshentë midis 14 dhe 17 vjeç, si dhe një mësuese, e cila ndërroi jetë pas plagëve të marra. Një nga viktimat ishte shtetase polake, ndërsa të tjerët ishin austriakë.

Në përgjigje të krizës, autoritetet kanë ngritur një qendër ndërhyrjeje në kriza për nxënësit dhe familjet e tyre, e vendosur në Sallën Helmut List. Shumë qytetarë kanë përfituar nga kjo ndihmë, disa të shoqëruar nga prindërit e tyre.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq ka bërë thirrje për dhurime gjaku, dhe deri në mbrëmjen e së mërkurës janë mbledhur rreth 600 njësi gjaku.

Hetimet mbi këtë ngjarje tronditëse vazhdojnë, ndërsa Austria përballet me një debat të ashpër mbi ligjet e armëve dhe sigurinë publike, transmeton albinfo.ch.

Presidentja Osmani dënon arrestimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj arrestimeve të fundit të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit, duke i cilësuar ato si “veprime arbitrare” dhe të ngjashme me praktikat shoviniste të viteve ’90, raporton albinfo.ch.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, Osmani ka vlerësuar se Serbia po vepron në kundërshtim me të gjitha parimet ndërkombëtare dhe se po vazhdon të keqpërdorë ligjin për qëllime politike dhe frikësuese ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës,” ka shkruar ajo.

Osmani ka përmendur konkretisht rastin e arrestimit të qytetarit Arbnor Spahiu, për të cilin ka thënë se akuzat janë tërësisht të rreme dhe të pabaza. “Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën,” ka theksuar presidentja, raporton albinfo.ch.

Ajo ka kërkuar që Serbia të ndalojë menjëherë, siç i ka quajtur, “fushatat e arrestimeve politike” dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për këto shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas saj, këto veprime jo vetëm që rrezikojnë të drejtën për liri të lëvizjes, por edhe pengojnë përpjekjet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidentja ka bërë të ditur se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe ka kërkuar reagim të fuqishëm nga shtetet e Quint-it dhe Misioni i Bashkimit Evropian për të ndalur këto shkelje.

Në fund, ajo ka ripërsëritur thirrjen për qytetarët e Kosovës që të shmangin kalimin transit nëpër Serbi, duke i paralajmëruar për rrezikun e arrestimeve arbitrare dhe për, siç e quajti, “tendencat destabilizuese” të shtetit serb, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Kërkohet të mbrohen paratë e gatshme

Edhe pse duam të sigurohemi që paratë e gatshme nuk do të zhduken, ne nuk do t’i përdorim ato.

Iniciativa “Paratë janë Liri” mblodhi 137.000 nënshkrime për të mbrojtur përdorimin e parave të gatshme në Kushtetutë. Pritet që Parlamenti të bjerë dakord, transmeton albinfo.ch.

Por prapëseprapë, tani ka shumë më tepër gjasa të përdorim pagesat elektronike. Banka Kombëtare Zvicerane thotë se përdorimi i parave të gatshme po bie ndjeshëm.

Në vitin 2017, paratë e gatshme u përdorën në 70% të transaksioneve, por vitin e kaluar kjo shifër ra në vetëm 30%.

Kosova miraton vendimin për pranimin e deri në 50 emigrantëve nga SHBA

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën një vendim për të pranuar deri në 50 emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë një periudhe njëvjeçare. Këta persona do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, si pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve, me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt në vendet e tyre të prejardhjes, raporton albinfo.ch.

Sipas vendimit të miratuar nga ekzekutivi, emigrantët do të kenë mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme në territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa do të veprojnë në përputhje me legjislacionin vendas dhe do të gëzojnë të gjitha të drejtat e garantuara nga ligji.

“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në dokumentin e qeverisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook theksoi se përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, në bazë të kritereve që lidhen me sundimin e ligjit dhe rendin publik.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni i palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik,” ka deklaruar Kurti, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: MPJD i bën thirrje mërgatës të shmangë kalimin nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë një thirrje urgjente për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë, pas shtimit të rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare nga autoritetet serbe, transmeton albinfo.ch.

Në një deklaratë zyrtare, MPJD shpreh shqetësimin e thellë për praktikën e përsëritur të autoriteteve serbe ndaj qytetarëve kosovarë, duke e konsideruar atë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të standardeve ndërkombëtare. Sipas Ministrisë, rasti i fundit që ngjalli reagim ishte ndalimi i ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu, në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë ata në mërgatë, që planifikojnë të udhëtojnë drejt vendit, të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë,” thuhet në njoftimin e MPJD-së. Ministria i inkurajon qytetarët të përdorin rrugë alternative dhe pika të tjera kufitare për të garantuar sigurinë gjatë udhëtimeve të tyre.

MPJD njofton se është duke ndjekur me kujdes zhvillimet dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë, në përpjekje për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës, transmeton albinfo.ch.