Dy vëllezër, dy arkitektë, diplomuan për një ditë në Zvicër

Platforma mediale Albinfo.ch me fokus Diasporën, sjell një tjetër storie suksesi.

Bëhet fjalë për Elion dhe Lindon Bytyqi, dy vëllezërit shqiptarë, kanë diplomuar për studime master në Arkitekturë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Lucern (HSLU).

Momenti u bë edhe më i veçantë për faktin se të dy diplomuan në të njëjtën ditë, në të njëjtën sallë, krah për krah, një përvojë unike dhe emocionuese për ta dhe gjithë komunitetin shqiptarë.

Lindon Bytyqi – Elion Bytyqi

Këtë vit, Kosova ka qenë në fokus të veçantë brenda programit akademik të këtij universiteti zviceran. Pesë studentë, përfshirë Elionin dhe Lindonin, punuan projektet e tyre të diplomës me temë arkitekturore të ndërlidhur me Prishtinën dhe hapësirat e saj publike.

“Pesë studentë, përfshirë mua dhe Elionin, patëm mundësinë të punonim temën e diplomës për Prishtinën,” ka treguar Lindoni, duke nënvizuar rëndësinë që për ta kishte kjo përzgjedhje, si profesionistë por edhe si shqiptarë.

Vlen të theksohet se si pjesë e procesit studimor, gjatë muajit mars u organizua një vizitë studimore në kryeqytetin e Kosovës, ku morën pjesë mbi 40 studentë ndërkombëtarë dhe profesorë nga Lucerni. Ata patën mundësinë të shohin nga afër ndërtesat dhe hapësirat që po i trajtonin në mënyrë akademike, një përvojë që e thelloi ndjeshëm kuptimin e projekteve të tyre.

Në projektin e tij, Elion Bytyqi u fokusua në një nga hapësirat më simbolike dhe të debatueshme të Prishtinës,  kampusin universitar dhe, në veçanti, Kishën Ortodokse të papërfunduar që gjendet brenda tij. Ai nuk e trajtoi këtë ndërtesë si një problem për t’u zgjidhur, por si një pikënisje për reflektim dhe ridizajnim të gjithë hapësirës së kampusit, duke përdorur historinë, konfliktet dhe shtresëzimet arkitekturore si materie për krijim.

“Elioni e pa Kishën dhe gjithë kampusin si një palimpsest, një hartë me shtresa të ndryshme kohore, ku e kaluara nuk fshihet, por përdoret për të ndërtuar të ardhmen,” thuhet ndër të tjera në përshkrimin e projektit të tij.

“Për më tepër, temat tona të diplomës kishin në fokus hapësirat publike në Prishtinë, kështu që për ne ky moment ka edhe një lidhje të veçantë me Kosovën dhe dëshirën për të kontribuar me dijen dhe përvojën tonë,” është shprehur Elioni.

Kjo arritje e dy vëllezërve nuk përfaqëson vetëm sukses personal, por është edhe një shembull i fuqishëm i lidhjes së diasporës, një bashkëbisedim mes Zvicrës dhe Kosovës përmes arkitekturës, dijes dhe vizionit për të ardhmen. /Albinfo.ch

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Policia angazhon helikopterin në kërkim të shqiptarit të arratisur

Të premten pasdite, një kalimtare në zonën Lägern të Otelfingen-it, Kabtoni i Cyrihut, vuri re një burrë që mund të ketë qenë i burgosuri që ishte arratisur në Baden, Aargau, të enjten. Policia pastaj ka intensifikuar kërkimin për të, në zonë, por ende nuk e kishte kapur deri në paraditen e të shtunës. Fjala është për një shtetas 23 vjeçar shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Këmbësorja e raportoi personin e dyshimtë në polici me telefon pak pas orës 14:00 të premten, siç njoftoi Policia Kantonale e Aargaut të shtunën, shkruan 20minuten.ch. Një kërkim njerëzish në shkallë të gjerë u nis në zonën e Otelfingen-it.

Kërkimi në terrenin e pjerrët dhe të pyllëzuar u krye me ndihmën e Policisë Kantonale të Cyrihut. Janë angazhuar disa qen policie dhe një helikopter policie. I burgosuri nuk mundi të kapej deri në muzg, përcjell albinfo.ch. Kërkimi ka vazhduar.

I burgosuri që iku në Baden të enjten ishte një shqiptar 23-vjeçar. Ai iku pak para orës 9 të mëngjesit të enjten ndërsa hipte në një automjet për të burgosur.

Policia kërkon nga popullata të raportojë menjëherë çdo person ose vëzhgim të dyshimtë në numrin e urgjencës së policisë 117. Policia e përshkruan të arratisurin si më poshtë: Burrë 23-vjeçar, me mjekër, pantallona të zeza, xhaketë të zezë me mëngë të bardha me motive, këpucë të bardha. Ndoshta ende mban pranga, të cilat po përpiqet t’i fshehë.

Humbje me nder: Futbollistet spanjolle nderojnë Zvicrën në shtëpinë e saj

Futbollistet e Zvicrës kanë fituar zemrat e tifozëve në Evropianin që po mbahet po në këtë vend, por ato janë respektuar edhe nga kundërshtaret përgjatë turneut, përcjell albinfo.ch.

Zvicra të premten mbrëma u mposht 2:0 në çerekfinale nga Spanja, por futbollistet spanjolle pas ndeshjes së luajtur në “Ëankdorf” të Bernit, bënë gardën e nderit për t’i përshëndetur zviceranet.

Futbollistet e Kampiones së Botës u rreshtuan dhe përshëndetën futbollistet e Zvicrës teksa ato po shkonin në dhomat e zhveshjes, duke krijuar një moment të veçantë që nuk ishte parë më herët, shkruan “Sport.ch” të shtunën.

Spanja fitoi me golat e shënuar në pjesën e dytë nga Athenea del Castillo dhe Claudia Pina.

Riola Xhemaili u inkuadrua në minutën e 90-të te Zvicra.

Oficeri i FSK-së shpërblehet me çmim të lartë amerikan

Kapiten Shkëlqim Raci, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera Kursin e Karrierës së Kapitenit për Logjistikë në Universitetin e Mbështetjes së Ushtrisë (Army Sustainment University), në Fort Lee, Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Për performancën e tij të jashtëzakonshme akademike dhe profesionale, Kapiten Raci është nderuar me çmimin “Distinguished International Honor Graduate”, një nga vlerësimet më të larta që u jepet pjesëmarrësve ndërkombëtarë në këtë program të avancuar ushtarak. Ky çmim dëshmon përkushtimin, disiplinën dhe nivelin e lartë të përgatitjes që ai ka shfaqur gjatë gjithë trajnimit.

Ky sukses nuk është vetëm arritje personale për Kapiten Racin, por një pasqyrim i vlerave dhe profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ai ka ngritur lart emrin e FSK-së dhe të Kosovës, duke forcuar më tej reputacionin e vendit në raportet e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Një arritje e tillë shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe në thellimin e partneriteteve strategjike të Kosovës me vendet aleate.

Blick: Xhaka, Shaqiri, Riola dhe standardet e dyfishta ndaj shqiptarëve në Zvicër

Qëndresa Llugiqi është gazetare në mediumin e fuqishëm zviceran “Blick”.

Blick të premten ka vënë në ballinë një shkrim të Llugiqit lidhur me standardet e dyfishta në Zvicër, kur bëhet fjalë për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet.

Ajo e ka nisur shkrimin duke prezantuar një email që mori. Në letër, “një zviceran i vërtetë” u ankua pse Llugiqi iu referua një personi të akuzuar për rënie nga një ballkon në Kosovë si shtetas zviceran. Sipas autorit të letrës, i akuzuari është “Papierli-Schweizer”, që ka kuptimin “zviceran me letra”.

Autori i letrës njëjtë e sheh edhe gazetaren, që veten e quan zvicerane me prejardhje kosovare.

Sipas gazetares Llugiqi, edhe në komentet e shumta në shkrimin në “Blick” nuk kishte të bënte shumë me aktin sa kishte të bënte me origjinën e autorit të krimit.

Në qëndrimin e saj, gazetarja e “Blick” ka përmendur edhe futbollistët.

“Nëse Riola Xhemaili shënon gol, ajo është zvicerane, zvicerane e mirë. Njëjtë nëse Shqipe Sylejmani publikon njërin prej librave të shkëlqyer të saj. Atëherë njerëzit nga komuniteti janë të mirëseardhur. Është mirë që ne zvicerano-kosovarët jemi këtu, jemi të mirë për diversitetin kulturor të Zvicrës. Por kur Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe të tjerët shfaqin shqiponjën dykrenare, përballemi me breshëri kritikash. Njerëzit si ne duhet t’i mbledhin valixhet – menjëherë”, ka shkruar Llugiqi.

“Shpejt ata ndahen. Zviceranët papritmas bëhen ‘eidgenossen’ nga njëra ana dhe ‘Papierli-Schweizer’ nga ana tjetër”.

Llugiqi shkruan se ky debat shpesh bëhet shumë emocional. Ajo thotë se në shumicën e kohës “zviceranët e vërtetë” mendojnë se Xhaka, Shaqiri, Xhemaili dhe të tjerët nuk janë “zviceranë të vërtetë”.

Gazetarja e “Blick” ka shkruar se derisa “zviceranët e vërtetë” e shohin vetëm “zvicerane në letër”, disa zvicerano-kosovarë nuk e shohin atë si të integruar, por si të asimiluar.

Ka paraqitur edhe problemet që i hasin në Kosovë.

“Kur zvicerano-kosovarët udhëtojnë në Kosovë, ne jemi ‘shacit’, një aludim përçmues ndaj fjalës gjermane ‘Schatz’. Nëse një zvicerano-kosovar vendos të mos luajë për Kosovën, ai është tradhtar. Riola Xhemaili e ka përjetuar vet këtë. Ajo fyhet nga vendi i lindjes së prindërve të saj për shkak të vendimit të saj, dhe nga homologët e saj zviceranë sepse emri i saj nuk është mjaftueshëm zviceran”, ka shkruar Llugiqi.

Ajo thotë se në komunitetin zvicerano-kosovar është quajtur tradhtare pasi ka shkruar për akte dhune që përfshijnë zvicerano-shqiptarët. Thotë se ka pranuar edhe kërcënime për shkak të raportimit që bën.

Tregon se si zvicerano-kosovarët i janë drejtuar edhe babait të saj “për ta mbajtur në kontroll, përndryshe do të ndodh diçka”.

Por ajo e ka përkrahjen e plotë të babait.

“Ti ja del, ti e din qysh të kemi rritur. A je Qëndresa?!”, i drejtohet ai.

Llugiqi thotë se për shkak të prejardhjes edhe aftësitë si gazetare i kontestohen. Ndien se edhe emri i paraqet pengesë.

Por Llugiqi thekson se prejardhja e saj edhe i ndihmon në punën si gazetare. Zvicerano-kosovarët e njohin personalisht dhe i besojnë.

Rolfes: Interesi ynë kryesor është ta mbajmë Xhakën

Ka disa muaj ku e ardhmja e Granit Xhakës është tema kryesore për ditë të tëra te Bayer Leverkuseni, përcjell albinfo.ch.

Fillimisht ishte interesuar Milani e skuadra të tjera italiane. Më pas u raportua për kalim në Arabi Saudite, ndërsa së fundit mesfushorin 32-vjeçar po e kërkojnë Sunderlandi i kthyer në Premier League dhe Fenerbahçe.

Por Xhaka vazhdon të ushtrojë me Leverkusenin në Brazil.

Drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simor Rolfes foli për Xhakën në një konferencë për shtyp.

“Graniti është lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Është i rëndësishëm për klubin dhe për ekipin. Interesi ynë kryesor është ta majmë atë. Natyrisht, ka interesim për të. Duhet të flasim me lojtarin për të kuptuar cilat janë ambiciet e tij. Por një gjë është e qartë – transferimi do të realizohet vetëm nëse është situatë ‘fitoreje’ për të dy palët”, ka thënë Rolfes, shkruan “Kicker”.

Te Leverkuseni janë shumë të kënaqur me Xhakën.

“Ne ende kemi tri vjet kontratë me lojtarin dhe jemi shumë të kënaqur me të. Ne kemi synime të mëdha për edicionet e ardhshme. Kështu që një transferim mund të bëhet vetëm nëse është i mirë për të gjitha palët. Duhet të presim dhe të shohim. Por synimi ynë është që Graniti të qëndrojë me ne”, ka shtuar Rolfes.

Ka pasur raportime se klubi arab Neom SC doli nga gara për Xhakën pasi ka refuzuar të paguajë 20 milionë euro për transferimin e tij.

Edhe një dështim për konstituimin e Kuvendit

Tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit nuk prodhoi asgjë të re. Të shtunën, deputetët u mblodhën dhe u shpërndan pa ndonjë rezultat, përcjell albinfo.ch. 

Vetëm 50 deputetët votuan për formimin e komisionit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në sallë ishin 90 deputetë.

Gjatë kohës kur kryesuesi i dha fjalën deputetit të PDK-së, Artan Behrami, për të propozuar një anëtar për komision, ai shfrytëzoi mikrofonin për t’i kërkuar Avni Deharit t’i kthehet rendit të ditës dhe mos ta shkelë Kushtetutën. Njëjtë veproi edhe deputetja e LDK-së, Arjeta Abazi.

E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ironizoi duke i uruar kthim në vendlindjen kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i cili ishte në Greqi për një simpozium.

Seanca e radhës do të mbahet të hënën nga ora 11:00.  

Sot tentativa e 49-të për konstituimin e Kuvendit

Sot vazhdon seanca e 49-të me radhë në tentim për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në seancën e 47-të, propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Deharit, nuk arriti shumicën për formimin e komisionit për votimin e fshehtë, insistim ky nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Seanca për konstituim të Kuvendit do të mbahet me fillim nga ora 11:00.

Kosova jashtë Listës së Shteteve të Brishta

Brenda më pak se dhjetë ditësh, dy nga institucionet më të mëdha financiare ndërkombëtare – Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – e kanë hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit, përcjell albinfo.ch.

Pas më shumë se 15 vjetësh në këtë listë, Kosova kthehet tani në hartën e vendeve që konsiderohen institucionalisht më të qëndrueshme dhe financiarisht më të konsoliduara.

Si për Bankën Qendrore të Kosovës, ashtu edhe për Qeverinë në detyrë, kjo është një “njohje e rëndësishme e përparimit institucional dhe ekonomik të vendit”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se ky zhvillim mund të forcojë imazhin e Kosovës si një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Çka nënkupton në aspektin ekonomik heqja e Kosovës nga kjo listë?

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimet e Bankës Botërore dhe të FMN-së për ta hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit janë stimuluese për zhvillimet e ardhshme, ndaj të cilave Kosova duhet të përshtatet.

Sipas tij, Kosova, tani e tutje, do të ketë përfitime të shumta, jo vetëm nga Banka Botërore dhe FMN-ja si institucione financiare, por edhe nga tregjet tjera financiare që veprojnë në shtetet më të zhvilluara.

“Kryesisht, duke rritur qasjen në kreditim, në zvogëlimin e normës së riskut, që nënkupton zvogëlimin e normës së interesit, me të cilën Kosova mund të marrë hua apo kredi nga këto institucione apo tregje të tjera financiare”, shpjegon Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Për profesorin tjetër të Ekonomisë, Berim Ramosaj, heqja e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit rrit besimin e investitorëve vendorë e të huaj, zgjeron mundësitë për kredi më të favorshme, si në nivel nacional ashtu edhe ndërkombëtar, dhe u jep shansin edhe bankave të rendit të dytë dhe të tretë të performojnë më mirë.

Përfitime të tjera

Bektashi thotë se mbështetja nga Banka Botërore dhe FMN-ja siguron stabilitet makroekonomik për Kosovën, duke përfituar jo vetëm sektori publik, por edhe ai privat, i cili do të ketë qasje më të lehtë dhe me kushte më të favorshme në huazime nga vendet e zhvilluara.

Megjithatë, ai thekson se pjesa më e madhe e aktivitetit financiar në Kosovë lidhet me Bashkimin Evropian, i cili, prej dy vjetësh, ka vendosur masa shtrënguese ndaj vendit, për shkak të tensioneve në veri.

“Masat shtrënguese, të vëna nga Komisioni Evropian, si dhe mosformimi i institucioneve (të Kosovës) që po zgjat me muaj të tërë, janë sinjale shumë të këqija, shumë dëshpëruese edhe për institucionet më të rëndësishme financiare, por edhe për BE-në”, thotë Bektashi.

Ai shton se vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së duhet të shërbejnë tani si sinjal pozitiv edhe për vetë BE-në që t’i heqë masat shtrënguese dhe të adoptojë një qasje më të moderuar ndaj Kosovës.

A janë vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së pasqyrim i përmirësimeve reale?

Vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën janë një “karotë stimuluese”, thotë Bektashi.

Ai vë në dukje se në Kosovë ka ende ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë – gjë që e vë në pikëpyetje garantimin e vendimeve të drejta.

Thotë se deficiti tregtar mbetet i lartë, ndërsa politikat ekonomike të Qeverisë në detyrë nuk kanë sjellë përmirësimet e pritshme.

“Unë besoj që ne, realisht, nuk kemi përmirësim të situatës makro-ekonomike dhe financiare. Por, është një vendim më tepër politik (i Bankës Botërore dhe FMN-së), ku më shumë ka kontribuar Banka Qendrore e Kosovës sesa Qeveria aktuale në detyrë, pasi që bisedat apo kontaktet e këtyre institucioneve, kryekëput, kanë të bëjnë me BQK-në”, thotë Bektashi.

Ramosaj vlerëson, gjithashtu, se meritë për këtë vendim ka Banka Qendrore e Kosovës.

Ai thotë se Kosova ka bërë përparime në qëndrueshmërinë ekonomike dhe institucionale, por se, në thelb, realiteti ekonomik dhe ai politik nuk janë ende plotësisht të qëndrueshëm.

“Ka përmirësime edhe në qeverisjen e të hyrave buxhetore, sidomos në politikat makro-financiare. Mirëpo, ka edhe probleme të natyrave të tjera, qoftë në mosngritjen e institucioneve me kohë, qoftë në moskryerjen e funksionit të legjislativit – i cili është edhe themelues i disa agjencive të pavarura – apo në mosekzistimin e një qeverie në kuptimin e plotë, përveçse asaj në detyrë”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet faktit se Kosova ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin e ri – edhe pse zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt – për shkak të mosmarrëveshjeve politike, dhe për pasojë funksionon me qeveri në detyrë. /rel

Popoviqi është dërguar në mbajtje, i sekuestrohen dy telefona

Ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është dërguar në mbajtje pas arrestimit të premten nga Policia në pikën kufitare në Bërnjak pasi kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hoçë të Madhe të Rahovecit, përcjell albinfo.ch.

Referuar raportit 24-orësh të policisë, atij i janë sekuestruar dy telefona. Ai po dyshohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Fsh. Hoqë e Madhe, Rahovec 18.07.2025 – 12:00. Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur. Nga i dyshuar në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht 2 telefona celularë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Popoviq e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe krahasoi veprimet e saj me ato çka po ndodhin në Gazë, gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë për përkujtimin e viktimave serbe në komunën e Rahovecit.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndaj Popoviqit do të merren masa sipas ligjeve në fuqi, derisa ka shtuar se nuk do të lejohet fyerja dhe njollosja e historisë së Kosovës.

Ndërsa drejtori i ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç, u shpreh i indinjuar me arrestimin e Popoviqit, duke pretenduar se ndihmësi i tij e tha të vërtetën.

Nga ana e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së kanë reaguar ashpër praninë në vend të ndihmësdrejtor i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Igor Popoviq.

Në reagim thuhet se kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtin ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, tutje nga OVL UÇK, SHIL dhe SHFD thuhet se Popoviq është i njohur për gjuhë fyese dhe urrejtje ndaj UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare.

Incident me fishekzjarrë në Dusseldorf, 19 të lënduar

Të paktën 19 persona janë lënduar, përfshirë edhe një fëmijë, gjatë një incidenti me fishekzjarrë në panairin tradicional “Rheinkirmes” në qytetin e Dusseldorfit, mbrëmjen e së premtes. Katër nga të lënduarit ndodhen në gjendje të rëndë, sipas raportimeve të shërbimit të zjarrfikësve gjermanë, transmeton albinfo.de.

Ngjarja ndodhi gjatë një prej netëve festive të panairit më të madh në rajonin e Rhineit, ku një fishekzjarr shpërtheu në mënyrë të parregullt dhe në një lartësi të ulët, duke shkaktuar panik dhe lëndime në mesin e vizitorëve. Rreth 80 zjarrfikës dhe ekipe të ndihmës së shpejtë u angazhuan menjëherë në vendin e ngjarjes.

Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse ka pasur ndonjë neglizhencë teknike apo njerëzore.

Organizatorët e panairit, që zhvillohet çdo vit në nder të shenjtorit mbrojtës të qytetit, Shën Apollinarit, shprehën keqardhje për incidentin dhe vendosën të ndërpresin më herët festimet. Në një deklaratë zyrtare, ata thanë se siguria e vizitorëve është prioriteti kryesor dhe se do të shqyrtojnë nëse përdorimi i fishekzjarrëve do të lejohet në edicionet e ardhshme.

Panairi kishte nisur më 11 korrik dhe ishte parashikuar të zgjasë deri më 21 korrik. Incidenti i mbrëmshëm ka hedhur një hije të rëndë mbi atmosferën festive dhe ka nxitur debat mbi sigurinë e aktiviteteve publike të shoqëruara me piroteknikë./Albinfo.de

https://x.com/I_Ran_Away/status/1946320357993894281?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1946320357993894281%7Ctwgr%5E570c56ac5678b4f403ba161dd0a052246eff5216%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Fbote%2F19-te-lenduar-nga-shperthimi-i-fishekzjarreve-ne-dusseldorf&fbclid=IwQ0xDSwLoK1NleHRuA2FlbQIxMQABHnYramMsee52lfQd-inOr51DWEosEwDTBp7Rqks0fZzSuYLHeqGxTO24dkec_aem_7JGo8GpOEZW24xcR5der-w

Lihtenshtajni shqyrton anëtarësimin në BE

Kryetarja e Qeverisë së Lihtenshtajnit, Brigitte Haas, ka bërë të ditur se vendi i saj ka nisur një proces reflektimi të thellë për mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, është krijuar tashmë një grup pune, i cili do të shqyrtojë të gjitha opsionet për integrimin e mëtejshëm evropian të principatës, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

“Po shqyrtojmë të gjitha opsionet pa asnjë dyshim,” deklaroi Haas, duke e pranuar se anëtarësimi në BE do të ishte një hap i madh për vendin me vetëm 40 mijë banorë. “E kam të vështirë ta imagjinoj për momentin, por kjo është arsyeja pse duhet të përgatitemi. Të kemi qartësi se cilat janë mundësitë për të qenë dhe për të mbetur të integruar në Evropë.”

Lihtenshtajni është tashmë pjesë e disa organizmave ndërkombëtarë dhe bashkëpunimeve rajonale, përfshirë Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), Këshillin e Evropës, OKB-në, OBT-në dhe FMN-në. Edhe pse nuk është anëtar i BE-së, principata zbaton në mënyrë të vullnetshme sanksionet evropiane dhe kontribuon në ndihmat humanitare globale, përfshirë strehimin e rreth 800 refugjatëve nga Ukraina – një numër i konsiderueshëm për përmasat e saj, transmeton albinfo.ch.

Në fjalën e saj, Haas nënvizoi edhe qasjen e vendit të saj në fushën e sigurisë. “Lihtenshtajni nuk ka ushtri, por mbrojtja jonë bazohet në solidaritet dhe partneritet të besueshëm në zemër të Evropës,” theksoi ajo. Vendit i mungon një ushtri tradicionale, por ai gëzon marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me Zvicrën, Austrinë dhe Gjermaninë, sidomos në fushat e punëve të brendshme dhe të jashtme.

Përveç çështjeve të mëdha gjeopolitike, kryeministrja foli edhe për nevojën e përmirësimit të transportit publik ndërkufitar. Ajo propozoi krijimin e një komuniteti tarifor të përbashkët mes Lihtenshtajnit, Zvicrës dhe rajonit të Vorarlbergut në Austri. “Një rajon, një biletë – ky do të ishte qëllimi”, tha Haas, duke iu referuar mbingarkesës së përditshme me të cilën përballen udhëtarët në kufijtë e principatës, transmeton albinfo.ch.

Austri: Kufizime dhe ndryshime në shërbimin hekurudhor

Nga 2 deri më 18 gusht, pasagjerët që udhëtojnë në zonën e Deutsches Eck do të përballen me ndryshime dhe kufizime në shërbimin hekurudhor për shkak të punimeve ndërtimore nga Deutsche Bahn. Këto ndërhyrje ndikojnë veçanërisht shërbimet e distancave të gjata midis Salzburgut, Innsbruck, Bregenz/Zyrih dhe Mynihut, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas ÖBB, do të ketë devijime rrugësh dhe shërbime zëvendësimi hekurudhor për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve. Trenat RJX po funksionojnë kryesisht sipas orarit në seksionet Vjenë-Salzburg dhe Wörgl-Bregenz, përfshirë kthimin.

Midis Stacionit Qendror të Salzburgut dhe stacioneve Kufstein, Wörgl dhe Innsbruck, do të ofrohet shërbim zëvendësues me autobusa me kode ngjyrash për të lehtësuar udhëtimin gjatë periudhës së punimeve.

Trenat midis Vjenës dhe Cyrihut do të devijohen nëpërmjet Bischofshofen, duke shtuar rreth dy orë në kohën e udhëtimit midis Salzburgut dhe Wörgl. Në këtë periudhë, trenat nuk do të ndalen në Kufstein, por do të bëjnë ndalesa në Bischofshofen dhe Schwarzach-St. Veit. Autobusë zëvendësues do të qarkullojnë çdo dy orë midis Kufstein dhe Salzburgut.

Edhe shërbimet e natës preken nga këto mbyllje, me devijime, anulime ndalesash dhe kohë udhëtimi të zgjatura. Gjatë fazës së dytë të punimeve (11-18 gusht), trenat Nightjet 420/421 dhe 40420/40490 që lidhin Innsbruck me Amsterdamin dhe Hamburgun do të fillojnë dhe përfundojnë në Salzburg, në vend të Innsbruckut. Për udhëtarët nga Tirol, do të ofrohet një shërbim zëvendësues hekurudhor për në dhe nga Rosenheim, ku ata mund të bëjnë transferimin për në Nightjets drejt Hamburgut dhe Amsterdamit.

ÖBB kërkon mirëkuptimin e udhëtarëve dhe i fton ata të informohen paraprakisht për çdo ndryshim në lidhjet e tyre. Informacione të detajuara për të gjitha lidhjet e prekura dhe shërbimet me autobusë zëvendësues janë në dispozicion në shërbimin e informacionit të orarit ÖBB SCOTTY dhe përmes shërbimit ndaj klientit në numrin +49 5-1717, transmeton albinfo.ch.

Gjermania deporton 81 afganë në fluturimin e parë nën qeverinë Merz

Ministria e Brendshme e Gjermanisë konfirmoi të premten se ka deportuar 81 shtetas afganë drejt vendit të tyre të origjinës, nëpërmjet një fluturimi të nisur nga aeroporti i Leipzigut. Ky është fluturimi i parë i riatdhesimit i realizuar nga qeveria e re e kancelarit Friedrich Merz, duke shënuar një kthesë të fortë në politikën e migracionit të Berlinit, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas deklaratës zyrtare, të deportuarit ishin të gjithë burra me precedent penal dhe të detyruar ligjërisht të largohen nga Gjermania. “Po zbatojmë një marrëveshje të rëndësishme nga marrëveshja e koalicionit – fillimin e deportimeve në Afganistan për personat që përbëjnë rrezik dhe kanë kryer krime,” tha Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt.

Deklarata zbuloi se operacioni u realizua me mbështetje logjistike nga Katari, ndërsa fluturimi u krye nga Qatar Airways dhe u nis në orën 08:35 të mëngjesit sipas kohës lokale, transmeton albinfo.ch.

Grabiten implante dentare me vlerë rreth 1 milion CHF në Oensingen

Një grabitje profesionale ka ndodhur të martën në mbrëmje në një kompani të specializuar në prodhimin e implanteve dentare qeramike në Oensingen, në veri të Zvicrës. Autorët, të panjohur për momentin, vodhën produkte të teknologjisë së lartë me vlerë rreth 1 milion franga zvicerane (rreth 1.25 milion dollarë), njoftoi kompania Z-Systems AG të premten, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Sipas Z-Systems AG, grabitësit kishin në shënjestër vetëm implantet dhe instrumentet kirurgjikale më të vlefshme, duke treguar njohuri të brendshme dhe profesionalizëm të lartë në veprimet e tyre. Policia kantonale e Solothurnit konfirmoi ngjarjen, por nuk dha detaje të mëtejshme për hetimet apo identitetin e autorëve.

Autorët hynë në objekt duke thyer derën kryesore me mjete zjarrfikëse dhe shkaktuan dëme në infrastrukturë gjatë grabitjes. Vjedhja përfshiu implantet më të vlefshme qeramike dhe instrumentet kirurgjikale të nevojshme për përdorim në fushën dentare.

Pas zbulimit të grabitjes në mëngjesin e së mërkurës, stafi njoftoi menjëherë policinë, e cila po punon ngushtë me autoritetet hetuese për kapjen e autorëve. Kompania Z-Systems theksoi se, megjithatë, aftësia e saj për të dorëzuar produkte nuk është prekur nga kjo ngjarje, transmeton albinfo.ch.

Spanja në gjysmëfinale, përfundon ëndrra e Zvicrës

Përfundoi ëndrra e Zvicrës në Euro 2025. Nati në shtëpinë e saj humbi nga favoritja Spanja 2:0.

Në takimin e zhvilluar në Bernë, dominuan futbollistet spanjolle, derisa humbën edhe dy penallti, shkruan albinfo.ch.

Afër 30 mijë shikues ishin në këtë sfidë, ku futbollistja shqiptare Riola Xhemaili hyri në minutën e 90-të.

Ajo la gjurmë në Evropian, pasi shënoi golin e barazimit ndaj Finlandës, që i siguroi Zvicrës kalimin në mesin e tetë më të mirave për herë të parë në histori.

Arritja në çerekfinale ishte sukses për Zvicrën, derisa Spanja kërkon titullin. Italia dhe Anglia po ashtu janë kualifikuar në gjysmëfinale.

Migrantët në Gjermani fitojnë gati 20% më pak se punëtorët vendas

Migrantët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani përballen me një hendek të ndjeshëm në paga krahasuar me punëtorët vendas. Një studim i publikuar së fundmi në revistën shkencore Nature, me kontribut nga Instituti Gjerman për Kërkime të Punësimit (IAB), zbulon se migrantët e gjeneratës së parë fitojnë mesatarisht 19.6% më pak, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas studimit, ky ndryshim nuk është rezultat i diskriminimit të drejtpërdrejtë në paga për punë të njëjta, por pasojë e përjashtimit të migrantëve nga sektorët dhe pozitat më të paguara në tregun e punës. “Integrimi ka të bëjë kryesisht me thyerjen e barrierave strukturore për të aksesuar vende pune të paguara mirë”, tha bashkautori i studimit, Malte Reichelt.

Hulumtimi përfshiu krahasime me tetë vende të tjera perëndimore – Kanadanë, Danimarkën, Francën, Holandën, Norvegjinë, Spanjën, Suedinë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe gjeti se të gjitha përjetojnë boshllëqe të pagave midis migrantëve dhe vendasve. Megjithatë, vende si Kanadaja dhe Suedia po arrijnë progres më të shpejtë, veçanërisht në brezin e dytë të migrantëve.

Në Gjermani, migrantët e gjeneratës së dytë vazhdojnë të fitojnë mesatarisht 7.7% më pak, shumë mbi mesataren ndërkombëtare prej 5.7%. Pabarazitë janë edhe më të theksuara tek pasardhësit e migrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Ndër vendet e studiuara, Spanja dhe Kanadaja shënojnë pabarazitë më të mëdha në paga për migrantët e gjeneratës së parë – përkatësisht 29.3% dhe 27.5%. Ndërkohë, Kanadaja dallohet për përparimin ndërbrezor, me vetëm 1.9% hendek në brezin e dytë, transmeton albinfo.ch.

Rreziku nga rrëshqitjet e dheut mbetet i lartë në Brienz

Një seri rrëzimesh të vogla shkëmbinjsh ka ndodhur midis 9 dhe 12 korrikut mbi fshatin Brienz/Brinzauls në kantonin Graubünden të Zvicrës lindore, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të rrezikut nga rrëshqitjet e dheut në këtë zonë të cenueshme, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Sipas komunës së Albulas, disa mijëra metra kub mbetje ranë nga pllaja lindore dhe “fronti” mbi fshat në zonën e quajtur “Schutthalde oben”, duke e përshpejtuar ndjeshëm rrëshqitjen e dheut. Ndonëse shpejtësia e lëvizjes është ulur disi pas reshjeve të forta në fillim të korrikut, autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet shpejt në rast të reshjeve të reja.

“Situata e përgjithshme mbetet e tensionuar. Rreziku është ende i lartë dhe zona e rrezikut mund të përshkallëzohet me shumë shpejtësi,” thuhet në buletinin informativ të komunës së Albulas.

Për këtë arsye, niveli i rrezikut vazhdon të jetë në nivelin e kuq dhe ndalesa për hyrje në fshatin Brienz/Brinzauls dhe zonat përreth mbetet në fuqi. Megjithatë, autoritetet kanë njoftuar për shpërfillje të këtij ndalimi nga disa individë, kryesisht çiklistë që kanë hyrë në zonën e rrezikut për të shmangur devijimet përmes Tiefencastel. Ata janë raportuar në polici dhe pritet të gjobiten, transmeton albinfo.ch.

Fshati Brienz/Brinzauls ishte evakuuar për herë të parë në vitin 2023, kur një rrëshqitje masive e dheut ndaloi vetëm pak metra para shtëpive. Atëherë u llogarit që rreth 1.7 milion metra kub shkëmbinj ishin përfshirë në rrjedhën e dheut. Sipas vlerësimeve të fundit, në skenarët më ekstremë, kjo masë mund të jetë edhe më e madhe.

Autoritetet lokale i bëjnë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të respektojnë masat mbrojtëse dhe të mos hyjnë në zonën e ndaluar, për të shmangur rreziqe të panevojshme për jetën dhe për të mos penguar punën e shërbimeve emergjente dhe monitoruese, transmeton albinfo.ch.

UBS fillon migrimin e klientëve zviceranë të Credit Suisse

Dy vjet pas blerjes së gjigantit bankar Credit Suisse, UBS ka nisur një fazë historike të bashkimit të dy institucioneve: migrimin e llogarive të klientëve zviceranë. Pas testimeve paraprake në Azi, transfertat e para tashmë kanë filluar në Zvicër, duke shënuar një hap vendimtar në integrimin e dy bankave, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Françesko Vadala, një punonjës afatgjatë i Credit Suisse, ishte ndër klientët e parë që përjetoi këtë kalim. Gjatë një fundjave në mes të qershorit, llogaria e tij u transferua në UBS pa ndërhyrje nga ana e tij. Megjithatë, edhe pse procesi kaloi pa probleme teknike, ai pranon se kishte dyshime dhe pasiguri për sigurinë e fondeve dhe aksesin në dokumentet e mëparshme të e-banking. “Na lindën pyetje teknike – a do të jenë paratë në llogari të hënën? A do të kenë dokumentet e vjetra ende qasje?”, shprehet ai. Por komunikimi i rregullt nga banka në muajt janar, mars dhe qershor ndihmoi në qetësimin e klientëve.

Ndërkohë, migrimi po ndodh në mënyrë të pjesshme. Nëna e Franceskos, për shembull, sapo ka marrë një letër që e njofton për transferimin e ardhshëm të llogarisë së saj.

UBS shprehet e kënaqur me ecurinë e fazës së parë. “Në tremujorin e dytë të vitit 2025, kemi migruar me sukses një valë të parë të rëndësishme marrëdhëniesh me klientët në Zvicër”, thuhet në një deklaratë të bankës. Objektivi i saj është që migrimi të përfundojë plotësisht deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, transmeton albinfo.ch.

Por një operacion i këtij përmasash, që përfshin mbi 1.3 milion klientë, nuk është pa rreziqe. Avokati Henri Corboz, ekspert i ligjit bankar, paralajmëron se mashtruesit mund të përpiqen të përfitojnë nga kjo periudhë e ndjeshme duke u paraqitur si përfaqësues të UBS për të mashtruar klientët. “Ka një rrezik real që klientët të kontaktohen nga mashtrues me pretekstin e ndihmës për migrimin”, thotë ai.

Gjithashtu, Corboz thekson rrezikun e mundshëm të humbjes së të dhënave dhe sfidën e ruajtjes së reputacionit të UBS dhe të të gjithë qendrës financiare zvicerane. “Ky nuk është një kalim i zakonshëm teknik. Është një operacion i ndërlikuar që ndikon në të gjithë industrinë financiare të vendit”, vëren ai.

Ndërsa në të kaluarën ka pasur bashkime bankash në Zvicër, ekspertët e konsiderojnë këtë si një prej më të ndërlikuarve për shkak të kompleksitetit dhe gamës së shërbimeve që ofronte Credit Suisse. Për UBS, kjo është një provë e madhe që do të ndikojë jo vetëm në pozicionin e saj, por edhe në besimin e përgjithshëm ndaj sektorit bankar zviceran, transmeton albinfo.ch.

Emisarja britanike: Zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese është çelësi për Kosovën dhe Serbinë

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka deklaruar se nuk nevojitet një “zgjidhje magjike” për të zgjidhur çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por thjesht zbatim i marrëveshjeve ekzistuese — asaj të Brukselit dhe Ohrit, transmeton albinfo.ch.

“Marrëveshjet ekzistuese përmbajnë ide shumë të mira dhe praktike. Është jetike që politikanët t’i zbatojnë ato për të ndihmuar qytetarët dhe komunitetet”, ka thënë Pearce, në një deklaratë të transmetuar nga BBC në gjuhën serbe.

Pas gati tri dekadash përvoje diplomatike, Pearce kthehet për herë të tretë në Ballkan, tashmë në rolin e emëruar në shkurt 2025 si pasuese e Sir Stuart Peach. Ajo shërbeu më parë si koordinatore për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme britanike deri më 2006 dhe është një nga diplomatet më me përvojë të Mbretërisë së Bashkuar, duke qenë gruaja e parë që ka mbajtur postin e ambasadores në SHBA dhe përfaqësuese në OKB.

Duke folur për situatën aktuale politike, Pearce vuri në dukje mungesën e progresit që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në pranverën e vitit 2024. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë mbetur të bllokuara për muaj me radhë dhe nuk ka pasur kontakte të nivelit të lartë mes liderëve të të dyja palëve.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për një qasje të re apo ndonjë zgjidhje magjike për problemet në Bosnje e Hercegovinë apo në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Pearce.

Diplomatja britanike nënvizoi gjithashtu rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke shprehur gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur përpjekjet që synojnë paqen dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor, transmeton albinfo.ch.

Zvicra fiton ndaj Kosovës në basketboll

Zvicra shënoi fitore ndaj Kosovës në çerekfinale të FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Armeni.

Në një sfidë kryesisht të baraspeshuar, Dardanët e rinj pësuan nga Zvicra 72:61 (20:15, 20:23, 14:11, 18:12).

Në pjesën e parë u zhvillua luftë e madhe për çdo top, ku çereku i parë përfundon 20:15 në të mirë të Zvicrës, derisa i dyti 20:23 për Dardanët, për të shkuar në pushim me rezultat 40:38.

Edhe perioda e tretë ishte e niveluar 14:11, kurse në atë të fundit, Zvicra ruajti dhe shtoi epërsinë për të fituar 72:61.

Erolt Rrahmani kishte 12 pikë e nëntë kërcime, derisa nga 13 pikë shtuan Rron Dahsyla dhe Arlind Konjuhi.

Kosova të shtunën do të luajë për vendet 5-8 me Britaninë e Madhe, derisa Zvicra do të luajë me Letoninë në gjysmëfinale.

Tre sulme seksuale në vetëm dy orë në Biel

Tre gra janë sulmuar seksualisht në Biel të enjten brenda një periudhe dy-orëshe, në një seri incidentesh shqetësuese që autoritetet po i trajtojnë si të lidhura me njëri-tjetrin. Policia kantonale e Bernës dhe Zyra e Prokurorit Publik Rajonal për Bernë Jura-Seeland kanë nisur një hetim intensiv dhe po bëjnë thirrje për dëshmitarë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sulmi i parë ndodhi rreth orës 10:40 të mëngjesit, kur një grua u sulmua seksualisht dhe fizikisht nga një burrë në një pyll në Biel. Ajo arriti të mbrohej duke bërtitur, gjë që detyroi sulmuesin të largohej nga vendi i ngjarjes.

Rreth një orë më vonë, një grua tjetër raportoi një sulm të ngjashëm seksual nga një burrë, ndërsa rasti i tretë u regjistrua rreth orës 12:50 të pasdites, po ashtu në Biel. Edhe në këtë rast, viktima u sulmua seksualisht dhe fizikisht nga një burrë që fliste frëngjisht. Ashtu si viktimat e tjera, edhe ajo arriti të mbrohej dhe sulmuesi u largua në një drejtim të panjohur.

Bazuar në përshkrimet dhe mjetet e përdorura, policia beson se sulmuesi është i njëjti person në të tri rastet. Ngjarjet kanë ngjallur shqetësim të madh në komunitetin lokal dhe autoritetet po i trajtojnë me përparësi maksimale.

Policia kantonale dhe prokuroria po kërkojnë ndihmën e qytetarëve. Çdokush që ka parë ndonjë person të dyshimtë në zonën e pyllit në Biel të enjten paradite, apo ka informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e sulmuesit, i lutet të kontaktojë menjëherë policinë kantonale të Bernës, transmeton albinfo.ch.