Shqipëria

Betejë e ashpër për zhardhokët në Shqipëri

Në Shqipëri mund të fitohen shumë para me zhardhokët. Në këtë mënyrë, natyra dhe konkurrentët mbeten më të papenguar

Frikësim, qenë të helmuar dhe pemë të shkatërruara: Në pyjet e Shqipërisë është duke mbretëruar një betejë e ashpër për zhardhokët. Në një hapësirë me vakum ligjor, në shtetin më të varfër të Europës, është duke u zhvilluar betejë e pamëshirshme për kërpudhat e llojit zhardhok. Një kilogram i tyre mund të sjellë mëditje prej 56 frangave. Llojet e rralla dhe të bardha mund të shiten deri në 158 franga që paraqesin shumë para në një vend me të ardhura mesatare mujore nën 450 franga.

Tregtia e zhardhokëve në Shqipëri, kishte filluar një dekadë më parë, kur italianët filluan të kërkonin këtë delikatesë në anën tjetër të Adriatikut. Shqiptarja 28-vjeçare Evgjeni Pano, për çdo mëngjes me bashkëshortin e saj dhe qentë e tyre, Laika dhe Boss është në kërkim të arit të zi në malet jugore shqiptare. Kafshët janë të trajnuara për të gërmuar me kujdes delikatesën me aromën e veçantë. Shumicën e mallit, çifti Pano ua shet tregtarëve të Italisë dhe Francës, vendet tradicionale të origjinës së kërpudhave që rriten nën tokë, përcjell albinfo.ch.

Evgjeni Pano tregon se një ditë ishte frikësuar nga një grup njerëzish që donin ta dëbonin  atë larg nga toka pa pronar. Ajo paraqiti një denoncim dhe u kthye në gjuetinë e zhardhokëve në mëngjes. Në fund të fundit, gjetja e kërpudhave është një “pasion i thellë, emocional”, thotë ajo, për “Nau.ch”, përcjell Albinfo.ch.

Besim Lami, i cili më herët kërkonte hapësirën pyjore në malin e Dajtit, mbi kryeqytetin Tiranë, ka rrëfyer se si në fund të vitit 2017 rivalët ia helmuan dy qentë e tij. “Ata më ndoqën, gjetën vendin ku po kërkoja dhe i vranë dy qenët e mi, që unë të largohesha”, thotë 68-vjeçari me lot në sy. Një qen i trajnuar për zhardhokë mund të kushtojë deri në 9.000 franga.

Mungesa e ligjeve mbrojtëse gjithashtu rrezikon pemët, por edhe vetë zhardhokët, sepse gjuetarët e pakujdesshëm të zhardhokëve përdorin mjete të mprehta për ta gjetur mallin. Nëse zhardhokët rriteshin me bollëk në Shqipëri, tani ata po bëhen gjithnjë e më të rrallë për shkak se mjetet e përdorura po i dëmtojnë rrënjët e pemëve në të cilat rritet kërpudha fisnike. “Një pemë e shkatërruar nuk prodhon më zhardhokë”, thotë Evgjeni Pano.

Kërkohet licencimi dhe taksa të rrepta

Për të rregulluar këtë biznes, autoritetet do të duhej të implementonin licencimin dhe tatimin e rreptë, shpjegon bashkëshorti i saj, Panajot Pano, i cili në Shqipëri u kthye nga jashtë për të filluar gjuetinë e zhardhokëve. “Në Shqipëri, zhardhokët nuk janë të kultivuar ose të mbrojtur, kështu që nuk ka masa parandaluese e as vetëdije”, kritikon ai. Për shembull, në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta në perëndim, situata tani është “katastrofike për kërpudhat”, thotë drejtori i parkut Adrian Koci. Në qershor, ai i kishte sjellë në polici dy persona pasi kishin përdorur mjete të mprehta për të gropuar. Por për shkak të mungesës së ligjeve ata u lejuan të shkojnë të lirë. “Ne jemi të shqetësuar gjithashtu, por pa rregulla të qarta nuk mund të veprojmë kundër kërkuesve të paskrupullt”, thotë zyrtari i pyllit, në Fier në jug të parkut, Agim Hoxha. Sipas Ministrisë së Mjedisit, po punohet për rregullimin e grumbullimit të zhardhokëve.

Në tregun e zhardhokëve, mbizotëron kaos i madh, ankohet 27-vjeçari, Enea Ristani, i cili mbledh zhardhokë me babanë e tij. Biznesi ka tërhequr “shumë të huaj, italianë, grekë, rumunë, francezë”. Shumica e zhardhokëve kanë dalur jashtë vendit, më së shumti në Evropën Perëndimore, ku ata sjellin çmim të dhjetëfishtë.

Duke shpresuar për të bërë më shumë fitim në Shqipëri dhe për të sjellë shijen e tyre në tregun vendor, Ristani dhe babai i tij kohëve të fundit kanë hapur një dyqan për zhardhokë në Tiranë – me salcë shtëpie të zhardhokëve, patate të skuqura dhe pije alkoolike. Së shpejti ai gjithashtu dëshiron të prodhojë një birrë me shije zhardhokësh.