Lajme
Gjykata Federale rrëzon kërkesën e kosovarit për të qëndruar dhe punuar në Zvicër
32-vjeçari kishte kërkuar leje për veprimtari të pavarur në kantonin Vaud. Pas më shumë se një dekade procedurash, Gjykata Federale e shpalli të papranueshme ankesën e tij.
Gjykata Federale e Zvicrës ka marrë një vendim të ri lidhur me rastin e një shtetasi të Kosovës, të lindur në vitin 1994, i cili prej vitesh po përpiqet të sigurojë të drejtën e qëndrimit dhe të punës në kantonin Vaud, transmeton albinfo.ch.
Vendimi, i marrë më 17 gusht 2026 dhe i publikuar më 6 tetor, lidhet me përpjekjen e fundit të tij për të marrë leje për ushtrimin e një veprimtarie të pavarur fitimprurëse në Zvicër.
Gjykata Federale nuk e ka shqyrtuar në themel nëse ai i plotësonte kushtet për këtë veprimtari. Ajo e ka konsideruar ankesën në të drejtën publike të papranueshme, duke theksuar se dispozitat për pranimin e shtetasve të huaj për veprimtari të pavarur nuk krijojnë automatikisht një të drejtë për qëndrim në Zvicër.
Rasti nisi me bashkimin familjar
Historia e tij me autoritetet zvicerane daton që nga viti 2015. Në gusht të atij viti, para martesës, ai ishte ndaluar në Zvicër duke qëndruar pa leje dhe, sipas dosjes gjyqësore, kishte pasur me vete një pasaportë të rreme sllovene.
Në atë kohë, ai kishte deklaruar se ishte student në Kosovë dhe se kishte ardhur në Zvicër për të qëndruar pranë babait të tij, i cili kishte një biznes në vend.
Më 9 shkurt 2016, kosovari u martua në Marseille me një shtetase franceze, e lindur në vitin 1995, e cila kishte leje qëndrimi UE/EFTA dhe punonte në Zvicër. Çifti u vendos në Chavannes-près-Renens, në kantonin Vaud.
Pak javë më vonë, më 7 prill 2016, shtetasi i Kosovës mori leje qëndrimi në bazë të bashkimit familjar.
Megjithatë, vetëm disa muaj pas marrjes së lejes, autoritetet e Vaudit nisën verifikimet për të përcaktuar nëse martesa ishte reale dhe nëse bashkëshortja kishte vërtet vendbanimin e saj kryesor në Zvicër.
Policia e Lozanës intervistoi çiftin dhe përgatiti raport hetimor, ndërsa autoritetet vazhduan të shqyrtonin rrethanat e martesës.
Autoritetet dyshuan për martesën
Në vitet pasuese, rasti u komplikua më tej. Në janar 2018, bashkëshortja franceze lindi një fëmijë, i cili më vonë rezultoi se ishte nga një marrëdhënie me një person tjetër.
Në nëntor 2019, ajo u largua zyrtarisht nga Zvicra dhe u vendos jashtë vendit.
Në korrik 2020, shtetasi kosovar kërkoi vazhdimin e lejes së qëndrimit, duke iu referuar ndër të tjera punësimit të tij dhe ndarjes nga bashkëshortja.
Kërkesa u refuzua më 9 korrik 2021 nga Shërbimi i Popullsisë i kantonit Vaud. Autoritetet vlerësuan se kishte elemente që ngrinin dyshime për një martesë të lidhur me qëllimin e sigurimit të lejes së qëndrimit. Në mënyrë alternative, autoritetet konstatuan se bashkësia reale martesore nuk ekzistonte më së paku që nga viti 2017.
Vendimi u kundërshtua nga shtetasi kosovar, por ankesat e tij u refuzuan edhe në procedurat e mëvonshme gjyqësore. Më 2 gusht 2023, edhe Gjykata Federale e konfirmoi këtë përfundim.
Përpjekje të tjera për të qëndruar në Zvicër
Pas humbjes së së drejtës së qëndrimit përmes bashkimit familjar, kosovari bëri edhe një përpjekje tjetër.
Në shtator 2023, ai kërkoi leje qëndrimi duke pretenduar se rasti i tij përbënte një situatë individuale me vështirësi të veçanta. Edhe kjo kërkesë u refuzua dhe vendimi u konfirmua nga Gjykata Federale më 21 janar 2025.
Më pas, kërkesa e tij mori një tjetër drejtim.
Kërkoi leje për aktivitet të pavarur
Në shkurt 2025, dy kompani në kantonin Vaud iu drejtuan autoriteteve për të kërkuar që shtetasi kosovar të lejohej të ushtronte veprimtari të pavarur fitimprurëse në kuadër të tyre, transmeton tutje albinfo.ch.
Njëra prej kompanive operonte në sektorin e ndërtimit dhe merrej me punime si lyerja, izolimi, renovimet dhe shtrimi i dyshemeve. Sipas dosjes, kosovari kishte funksion administrativ ose bashkëmenaxhues në këto shoqëri.
Megjithatë, Drejtoria e Përgjithshme për Punësim dhe Treg të Punës e kantonit Vaud e refuzoi kërkesën më 6 maj 2025.
Vendimi u kundërshtua nga kompanitë dhe nga vetë shtetasi kosovar, i cili kërkoi edhe që të lejohej të qëndronte dhe të punonte në Zvicër gjatë zhvillimit të procedurës.
Gjykata Kantonale e Vaudit e refuzoi ankesën më 15 prill 2026, pas së cilës çështja u dërgua sërish në Gjykatën Federale.
Gjykata Federale nuk e shqyrtoi kërkesën në themel
Në vendimin e saj të fundit, Gjykata Federale konstatoi se dispozitat për pranimin e shtetasve të huaj për veprimtari të pavarur i japin autoriteteve një hapësirë vendimmarrjeje, por nuk krijojnë një të drejtë automatike të shtetasit të huaj për të marrë leje qëndrimi.
Për këtë arsye, ankesa në të drejtën publike u shpall e papranueshme.
Edhe ankesa kushtetuese subsidiare nuk u pranua për shqyrtim. Ankuesit kishin pretenduar, ndër të tjera, shkelje të së drejtës për t’u dëgjuar dhe paragjykim nga një gjyqtare kantonale, por Gjykata Federale vlerësoi se argumentet e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të hapur një shqyrtim kushtetues.
Në fund, dy kompanitë dhe shtetasi kosovar u ngarkuan bashkërisht me shpenzimet gjyqësore prej 2 mijë frangash.
Me këtë vendim, përpjekja e fundit për të siguruar qëndrimin në Zvicër përmes veprimtarisë së pavarur nuk ka marrë miratimin e Gjykatës Federale. Rasti, megjithatë, ka një histori shumë më të gjatë, e cila lidhet me humbjen e lejes së qëndrimit të fituar fillimisht përmes bashkimit familjar dhe me dyshimet e autoriteteve zvicerane rreth martesës mbi të cilën ishte bazuar ajo leje./Albinfo.ch
“Iliria” e Mynihut prezanton kulturën shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar të Rosenheimit
Valltarët shqiptarë sollën në skenë traditat kombëtare në edicionin e dytë të festivalit, ku u prezantuan kultura nga vende të ndryshme.
Shoqata kulturore shqiptare “Iliria” nga Mynihu ka marrë pjesë në Festivalin e 2-të Ndërkombëtar të Kulturës, të mbajtur në Rosenheim të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.
Pjesë e programit festiv ishin edhe valltarët e shoqatës, të cilët përmes valleve tradicionale shqiptare prezantuan kulturën dhe trashëgiminë kombëtare para të pranishmëve.
Pjesëmarrja e “Ilirisë” në këtë aktivitet ndërkombëtar vjen si pjesë e angazhimit të shoqatës për ruajtjen dhe promovimin e traditave shqiptare te brezat e rinj dhe në komunitetin shqiptar në Gjermani.
Në festival morën pjesë përfaqësues dhe grupe kulturore nga komunitete të ndryshme, duke krijuar një hapësirë ku traditat, muzika dhe vallet e vendeve të ndryshme u prezantuan para publikut.
Në mesin e të pranishmëve dhe mbështetësve të aktivitetit ishte edhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih.
Festivali në Rosenheim shërbeu kështu si një mundësi për shkëmbim kulturor dhe për prezantimin e traditave të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Gjermani./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Zvicër
Lucernë: Tre shqiptarë dënohen për trafik droge dhe pastrim të mbi 300 mijë frangave Gjykata Penale e Lucernës i dënoi me nga tre vjet burgim, ndërsa një 31-vjeçare nga Kosova... -
Elbenita Kajtazi: Nga auditorët e Universitetit të Prishtinës në skenat e mëdha të operës botërore -
Gjermani
Ndalohet në aeroportin gjerman pas mbërritjes nga Prishtina, kosovari shmang 120 ditë burg -
Dea Fetiu diplomohet me Distinction në Universitetin e Cambridge -
Thëllënza Krasniqi emërohet Sekretare e Shoqatës së Kombeve të Bashkuara në Westchester
Jeta në Austri
-
Tre shqiptarë në mesin e gjashtë të arrestuarve në Austri, kapen 11 kilogramë kokainë Policia austriake ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për trafikim të drogës gjatë një operacioni pranë... -
Vjenë
Rinesa Dinaj me karrierën shkencore në Vjenë, specializohet në mikrobiologji molekulare -
Si të kontrolloni rrezikun e përmbytjeve para se të merrni me qira ose të blini një shtëpi në Austri? -
Austria planifikon pushim të paguar për gratë pas abortit spontan -
Sonte ndeshja Kosovë – Austri, “Dardanët” synojnë tri pikët në “Fadil Vokrri”













