Lajme

Neurokirurgu shqiptar Valon Baraliu në Gjermani: “Në neurokirurgji, puna bëhet emër”

Nga Kosova drejt një karriere profesionale në Gjermani dhe në sisteme të ndryshme evropiane, Dr. med. Valon Baraliu, MD, MSc, specialist i neurokirurgjisë dhe kirurgjisë spinale, rrëfen për albinfo.ch rrugëtimin e tij profesional, sfidat e integrimit në sistemin gjerman të shëndetësisë dhe përgjegjësinë që mbart profesioni i neurokirurgut.

Në këtë intervistë për albinfo.ch, Dr. Baraliu flet për vitet e gjata të formimit, momentin kur një kirurg merr mbi vete përgjegjësinë e plotë për pacientin, konkurrencën në Gjermani, mentorët që kanë ndikuar në karrierën e tij dhe dallimet mes sistemeve të formimit të mjekëve në Kosovë dhe Gjermani.

Ai flet gjithashtu për raportin me Kosovën dhe identitetin në mërgim, ndërsa mesazhi i tij për të rinjtë është i qartë: suksesi jashtë vendit nuk vjen brenda natës, por ndërtohet përmes punës, profesionalizmit dhe rezultateve.

albinfo.ch: Sa e gjatë ishte rruga nga bankat e fakultetit deri te operacioni i parë që mbajtët mbi supe?

Dr. Valon Baraliu: Rruga ka qenë shumë e gjatë ,me shumë sfida e sakrifica, me shumë Durim e Vetmohim. Fakulteti i Mjekësisë të jep bazën dhe themelet shkencore, por Neurokirurgjia e mirfilltë në fakt fillon të mësohet në vitet e gjata të specializimit, në sallën e operacionit, në urgjenca dhe në përballjen e përditshme me raste komplekse ku jeta dhe shëndeti ose gjymtimi edhe vdekja janë shpesh shumë afër njëra tjetrës, dhe ku një vëndim profesional i neurokirurgut përcakton ose jo mirqenjen e pacientit.

Operacioni i pare, ku ke përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të vetme është një moment jashtëzakonisht i veçantë për cdo Kirurg dhe nuk harrohet kurrë. Deri atëherë ke mësuar anatominë, patologjinë dhe teknikën kirurgjike, por në momentin kur e ke përgjegjësinë e plotë mbi Operacionin , e kupton se të gjitha këto nuk janë më vetëm dije të thata akademike.

Përballë teje është një një Pacient, një Familje dhe një Përgjegjësi reale.Një vendim I yti I drejtë ose i gabuar mund të bëjë dallimin mes një njeriu të shëndoshë e plot jetë , ose një njeriu me kufizime shëndetësore gjatë tërë jetës. Është një përgjegjësi që të ndryshon përgjithmonë mënyrën se si e sheh profesionin.

Me kalimin e viteve kupton edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme: në Neurokirurgji nuk bëhesh kurrë “i përfunduar e as përfundimisht i përsosun”. Përvoja të rrit, të kalitë e të bën më të pjekun por njëkohësisht të bën edhe të vetëdijshëm për kufijtë e profesionit.

albinfo.ch: Kur shkuat në Gjermani, cili ishte realiteti që ju priti?

Dr. Valon Baraliu: Më priti një sistem shumë i strukturuar, skajshmërisht rigjid e burokratik dhe me kërkesa shumë të larta profesionale. Gjermania nuk të jep asgjë vetëm pse e ke një diplomë. Duhet të dëshmosh vazhdimisht se je i aftë , se aftësohesh vazhdimisht profesionalisht, përditësohesh e je në rrjedhat më aktuale të neurokirurgjisë botnore dhe se mund të funksionosh sipas standardeve shumë të rrepta të sistemit ekzistues shëndetësor.

Në fillim përballesh jo vetëm me një gjuhë të re, por edhe me një kulturë tjetër pune, një mënyrë tjetër komunikimi dhe me një sistem ku përpos aftësive sublime të kërkuara kirurgjike, edhe dokumentimi, protokollet, përgjegjësia vetanake dhe cilësia kanë një peshë shumë të madhe. Në fillim duhet të jesh i gatshëm të fillosh nga poshtë, të dëgjosh, të mësosh dhe të pranosh kritikën. Për mua kjo ishte një periudhë formimi jo vetëm si Neurokirurg, por edhe si Personalitet.

albinfo.ch: A ju është dashur ta fitoni besimin nga e para në një sistem kaq konkurrues?

Dr. Valon Baraliu: Gjithsesi. Në mjekësi, sidomos në neurokirurgji, besimi nuk mund të kërkohet si privilegj; ai fitohet me kohë. Është dashur edhe duhet vazhdimisht të dëshmohesh se je në nivel profesional mbimesatar ,dhe se je i gatshëm ti përballosh në vazhdimësi gjitha sfidat profsionale dhe rregullat që janë shumë dinamike dhe ndryshojnë e përditësohen shumë shpesh. Dhe mendoj se kjo është mënyra e drejtë për ta ndërtuar një karrierë.

Në Mjekësi në përgithësi,e sidomos në Neurokirurgji, Besimi si ai profesional, kolegial e njerëzor nuk mund të merret si e mirëqenë. Ai fitohet gradualisht me njohuri, me shumë punë, me korrektësi, me rezultate dhe me mënyrën se si sillesh në situate të vështira.

Këtu nuk ka favorizim as në bazë të prejardhjes gjeografikë,as të lidhjes familjare, shoqnore e as politike e klanore. Përkundrazi, vlerësohesh për atë që di, për mënyrën si punon dhe për rezultatet që arrinë. Neurokirurgu duhet të jetë në gjendje të flasë, prezentohet e identifikohet përmes punës së tij.

albinfo.ch: Cili ka qenë mentori që ju ka lënë gjurmën më të madhe?

Dr. Valon Baraliu: Kam pasur disa njerëz të rëndësishëm në formimin tim dhe nuk do të ishte e drejtë ta reduktoja këtë proces në një emër të vetëm. Disa mentorë më kanë ndikuar në aspektin kirurgjik, të tjerët në mënyrën e të menduarit klinik, në marrjen e vendimeve dhe në përgjegjësinë ndaj pacientit, e disa më kanë inspiruar me shembullin e punës dhe kontributin e tyre të përgjithshëm mjekësor e njerzor.

Me kalimin e viteve e kam kuptuar është se Mentori i vërtetë nuk të mëson vetëm se si të operosh. Ai të mëson të kuptosh pse po operon, kur duhet të operosh dhe, ndoshta më e rëndësishmja, kur nuk duhet të operosh. Kjo është një pjesë thelbësore e pjekurisë së një neurokirurgu.

Sido që të jetë unë,pasi po më pyesni me emra, po e shfytëzoj rastin ti përmend e të shprehë mirnjohen time të pafundme për disa nga ata mentorë e mësimdhënës që më kanë edukuar dhe inspiruar gjatë udhëtimit tim professional kirurgjik dhe mjekësor në përgjithësi (kronologjikisht) : Prof.Samedin Haxhijaha, Prof. Arsim Morina, Prof.Isuf Dedushaj, Prof. Afrim Blyta nga Kosova, Prof. Storm nga Danimarka, Prof. Fogerty nga Irlanda, Prof. Matthews dhe Prof. Groves nga Britania e Madhe, sidhe Prof.Samii, Prof.Afshar, Prof. Schlaak, Prof. Verheggen, dhe Prof. Pfeiffer nga Gjermania. Këshillat, inspirimi, motivimi dhe përkrahja profesionale e njerëzore e tyre më kanë orientuar e ndihmuar të formësohem profesionalisht e shkencërisht.

albinfo.ch: Nëse do ta përshkruanit jetën tuaj si film, cili do të ishte titulli?

Dr. Valon Baraliu: Titulli I duhur mendoj se do të ishte “ Bota më mësoi, Kosova më formoi”.

Ky titull do të shpjegonte më së miri faktin që karriera ime është zhvilluar e avansuar nëpër disa vende, sisteme dhe kultura e të ndryshme të botës, por rrënjët nuk kanë ndryshuar. Për mua, të largohesh për të ndërtuar një të karierë e të ardhme profesionale nuk do të thotë të shkëputesh tërësisht nga Vendlindja. Përkundrazi, sa më larg të shkosh, aq më shumë e kupton se sa e rëndësishme është të dish kush je dhe nga vjen.

Njeriu mund të largohet fizikisht nga vendi i tij, por nuk ka arsye dhe nuk mundet të largohet plötësisht nga vendi që e ka formuar si njeri.

albinfo.ch: Çfarë nuk dinë njerëzit për Valon Baraliun?

Dr. Valon Baraliu: Ndoshta fakti që profesioni im I Neurokirurgut nuk është i vetmi që më përkufizon si personalitet. Neurokirurgjia kërkon një përqendrim të jashtëzakonshëm dhe zë një pjesë të madhe të jetës sime profesionale, por jashtë spitalit jam thjesht një njeri që ka nevojë për qetësinë, familjen, miqtë dhe jetën normale.

albinfo.ch: Thuhet se neurokirurgët janë njerëzit me duart më të qeta. Po ju, jashtë sallës së operacionit, jeni i qetë?

Dr. Valon Baraliu: Mendoj se qetësia nuk është domosdoshmërisht tipar i karakterit të njeriut. Në shumë raste është aftësi që mësohet me kohë.Është rezultat i përgatitjeve të mundimshe profesionale ndër vite, përvojës dhe disiplinës. Në sallën e operacionit, sidomos në situata kritike, paniku nuk të ndihmon. Duhet të kuptosh menjëherë ku është problem, të jesh në gjendje të analizosh, të marrësh vendim dhe të veprosh me saktësi.