Calmy Rey: Zvicra ka vepruar me kohë sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës

"Zvicra ka qenë shteti i 30 ose 31-të që ka njohur Kosovën. Austria e ka bërë këtë para nesh, nëse kjo ju qetëson"

Në një intervistë dhënë gazetës “Tages Anzeiger” presidentja e Zvicrës, njëherësh ministre e jashtme e vendit, ka folur gjerësisht në lidhje me akuzat që asaj i bëhen nga një pjesë e politikës dhe opinionit zviceran lidhur me “njohjen e hershme” të shtetit të pavarur të Kosovës. “Austria ishte para nesh, nëse kjo ju qetëson”, është përgjigja e zonjës Rey, e vënë edhe në titullin e intervistës, për pyetjen e bërë lidhur me njohjen e “parakohshme të Kosovës”.

Pyetjes përse ajo si ministre e jashtme nuk ka informuar komisionin për politikë të jashtme të parlamentit se Zvicra, sipas raportit të Martyt, kishte vendosur një ndalesë për hyrjen e Thaçit në Zvicër, Calmy Rey i përgjigjet se nuk i lejohet të deklarohet për shkak të parimit të ruajtjes së të dhënave. Por, ajo thotë: Thaçi në vitin 2002 ishte tashmë një udhëheqës i njohur i UÇK-së, gjë që i kishte sjellë atij ndjekjen nga një shtet tjetër. Në lidhje me këtë (ndjekje) sigurisht që është parë më e arsyeshme që atij të mos i jepej viza për hyrje në Zvicër në vitin 2002.

Thaçi është kryeministër vetëm nga viti 2008 dhe shpallja, e pastaj edhe njohja e pavarësisë nga shumë shtete, nuk lidhej me të si person, përgjigjet Rey lidhur me pyetjen nëse është dashur që para njohjes së Kosovës shtet, të njoftonte komisionin për politikë të jashtme me rastin e përmendur nga viti 2002.

Pas luftës së Kosovës me gjithë ato tmerre për të cilat ne po dëgjojmë sërish tash, pavarësia e Kosovës gjë ishte e pashmangshme

Pastaj, shton ajo, “ka qenë qeveria që ka bërë njohjen diplomatike të Kosovës dhe jo unë. Dhe, Zvicra ka qenë shteti i 30 ose 31-të që ka njohur Kosovën. Austria e ka bërë këtë para nesh, nëse kjo ju qetëson. Ne nuk kemi vepruar me nguti. Mirëpo, sigurisht, ne ishim të parët, që atëbotë në OKB patëm deklaruar se tash duhet të flitet për pavarësinë e Kosovës. Bëhej fjalë për stabilizimin e regjionit.

Pas luftës së Kosovës me gjithë ato tmerre, për të cilat ne po dëgjojmë sërish tash, kjo gjë ishte e pashmangshme. OKB kishte shpallur një rezolutë ndërsa i ngarkuari special i OKB-së, Marti Ahtisaari në planin e tij ishte shprehur për pavarësinë, gjë që atij i solli çmimin Nobel në vitin 2008.

Kjo udhëheqje është zgjedhur nga populli i Kosovës. Unë nuk jam e sigurt nëse do të ndryshonte ndonjë gjë në rezultatet zgjedhore, në rast se raporti i Martyt do të puublikohej para zgjedhjeve të fundit. Udhëheqja e Kosovës po përpiqet fuqishëm për marrëdhënie paqësore me Serbinë. Bisedimet, pas raportit të Martyt mund të zvarriten.

Intervistuesi ka pyetur zonjën Rey nëse ajo ia ka shprehur vërejtjet e saj udhëheqjes së re të Kosovës lidhur me problemet eventuale me shtetin juridik. “Ne në vitin 2008 kemi thënë: tash ju keni një shtet, por ai duhet të bëhet shtet ligjor. Në rast se në të kaluarën ka fakte tmerri , ato nuk guxojnë të fshihen nën tepih. Ne ua kemi thënë këtë autoriteteve kosovare menjëherë, në mënyrë shumë të qartë dhe njëherësh kemi ofruar ndihmën tonë, sepse Zvicra ka përvojë me përpunimin e të kaluarës”, ka thënë Calmy Rey. Lidhur me këtë, ne kërkojmë nga Eulexi që t`i hetojë akuzat e rënda nga raporti i Martyt. Në Njësitin për hetimin e krimeve të luftës, në kuadrin e Eulexit punojnë 14 ekspertë zviceranë”.

“Raporti i Martyt ende nuk është hetim penal”

Pyetjes se çka do të ndodhë nëse megjithatë dëshmohen faktet nga raporti i Martyt, presidentja Rey i përgjigjet: “tash, autoritetet kompetente, edhe ato ndërkombëtare duhet të marrin hapat e tyre juridikë. Po ashtu edhe shtetet e apostrofuara dhe Kosova duhet të kontribuojnë në sqarimin e këtyre akuzave. Në Kosovë duhet të ndërtohet një shtet juridik dhe kjo nënkupton për Kosovën edhe përpunimin e të kaluarës së vet. Raporti i Martyt përmban akuza të rënda por ai ende nuk është hetim penal. Për këtë arsye ne kërkojmë hapa të drejtësisë”.

Lidhur me çmimi Diaspora, Calmy Rey përgjigjet shkurt: Në kontekst të publikimit të raportit të Martyt, kjo nuk ishte kohë e përshtatshme për pranim festiv të këij çmimi. Për këtë arsye dorëzimi i çmimit është shtyrë”.