Lajme

​Opozita prapë bllokadë në Kuvendin e Kosovës

Në anën tjetër në vazhdim, deputetët e koalicionin e kontrabanduan në shpejtësi një projektligj, nën fishkëllimat e opozitarëve

Deputetët e tri partive opozitare që kanë formuar tashmë frontin “anti qeveritar”, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kanë bllokuar sërish punimet e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve të fundit nga kreu i Qeverisë, Isa Mustafa.

Opozita sërish po kërkon nga kryeministri Mustafa që t’i heq nënshkrimet nga Marrëveshja  për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe e nënshkruar në Bruksel me Qeverinë e Serbisë, dhe nga Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nënshkruar gjatë punimeve të Samitit të Vjenës me Qeverinë malazeze.

Opozita, që ka 31 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, sërish bllokoi foltoren e Kuvendit dhe detyroi kryeparlamentarin Kadri Veseli, që të mbaj një konferencë në platonë e sallës së Kuvendit. Ai tha se bllokimi nuk mund të vazhdojë kështu dhe le të dihet se askush dhe asnjëherë nuk do të mund ta bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk do të lejojmë që në këtë kuvend të promovohet dhuna, nëse kanë guxim le të shkojnë te Qeveri, Pse vijnë këtu”, ka thënë Veseli duke e shtyrë për 30 minuta punimet e Kuvendit.

Gjatë gjithë kohës sa kryeparlamentari Veseli mbajti konferencë për media, deputetët opozitar fishkëllonin me filikaçe, duke ia vështirësuar mbarëvajtjen e konferencës. Madje deputetët opozitar e quajtën demagogji konfetrnecën që mbajti kryeparlamentari Veseli.

“Mendimi jonë është që nuk ka shumicë parlamentare që ka të drejtë me sundu. Askush nuk na e ka dhënë mandatin që me fshi interesat kombëtare të Republikës së Kosovës. Betimi jonë si deputet është se unë do të jem i gatshëm me e mbrojt çdo moment Republikën e Kosovës. Këta e kanë thyer këtë betim dhe nuk janë më deputet. Te qeveria do të shkojmë me protesta”, tha Glauk Konjufca.

Në anën tjetër në vazhdim, deputetët e koalicionin e kontrabanduan në shpejtësi një projektligj, nën fishkëllimat e opozitarëve.

Kjo është java e tretë që Kuvendi i Kosovës po mbahet i bllokuar nga partitë opozitare. Analistët në Prishtinë po shohin thellim të krizës politike, sidomos pa kërcënimit të opozitës për organizimin e protestave gjithëpopullore, në mbrojtje, siç po thonë ata, të interesave të kombit.

Ndryshe, sot pas 10 vjetësh, janë zbuluar nga deputetët opozitarë, dy piktura-morale që ishin vizituar në holin e Kuvendit të Kosovës në kohën kur kryeparlamentar i vendit ishte Nexhat Daci. Muralet ishin mbuluar pas ankesës së deputetëve serbë, të cilët ishin ankuar në ish administratën e UNMIK-ut, se muralet paraqesin vetëm historinë e popullit shqiptarë.

Dy muralet u zbuluan nga deputeti i AAK-së Pal Lekaj dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli.