Maqedonia

Maqedoni: 250 mijë euro grante nga Zvicra për prodhimet bujqësore

Grante në vlerë të 250 mijë eurove, të cilat do të ndahen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, do të marrin 50 fermerë nga rajoni i Strumicës dhe Radovishit, për prodhime të frutave e perimeve.

Ambasada Zvicerane në Maqedoni ka njoftuar se këto grante ndahen në kuadër të projektit për menaxhimin e pellgut të lumit Strumica, projekt ky i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

“Këtu në basenin e lumit të Strumicës ne kemi hedhur themelet për një transformim afatgjatë të mënyrës së përdorimit të burimeve ujore dhe masat moderne të prodhimit bujqësor që përdoren në Bashkimin Evropian dhe në Zvicër e që tani po shndërrohen në realitet”, tha ambasadorja e Zvicrës në Maqedoni, Suter Tejada, shkruan albinfo.ch.

Sipas UNDP-së, pellgu i lumit të Strumicës është një nga rajonet më të rëndësishme bujqësore në Maqedoni, ndërsa trajtimi i problemeve mjedisore është çështje kryesore.