Shkurt.ch

Zviceranët frikësohen më së shumti nga lufta!

Ajo që habit me këtë rast është se problemi i migracionit ka zbritur në vendin e pestë të listës së brengave që kanë zviceranët

Një sondazh reprezentativ i bërë me qytetarët e Zvicrës rreth asaj se nga çfarë kanë frikë ata më shumë, tregon se 43% e zviceranëve i frikësohen në radhë të parë luftës. Por, ky rezultat është arritur kryesisht falë epërsisë që kjo temë ka në mesin e zviceranëve gjermanishtfolës, te të cilët frika nga lufta ishte numër një në 50% të rasteve.
E kundërta ka ndodhur me zviceranët frankofonë, vetëm 30% të të cilëve e kanë këtë frikë në radhë të parë.
Sondazhi është realizuar nga LINK Institut në bashkëpunim me portalin e swisscom-it “bluesin.ch”. Janë pyetur 1311 persona të moshave nga 15 deri 74 vjeçare. Kusht për pjesëmarrje ka qenë fakti nëse ata e përdorin internetin të paktën një herë në javë.
Në vendin e dytë të brengave të zviceranëve vjen problemi i ambientit dhe i klimës, pastaj problemi i stresit dhe i kriminalitetit. Ajo që habit me këtë rast është se problemi i migracionit ka zbritur në vendin e pestë të listës së brengave që kanë zviceranët. Madje, te frankofonët, ky problem vjen i dhjeti në listë. Në të kundërt, atyre më së shumti frikë u shkakton papunësia, pas të cilës vjen shëndeti dhe stresi.
Ndërsa te zviceranët italishtfolës stresi është në vend të parë e pas tij vijnë kriminaliteti dhe papunësia.
Është interesante se jo me larg se në fund të vitit 2014 në një sondazh të bërë nga Credit Suisse (barometri i brangave), tema e luftës nuk hynte as në listën prej 15 brengave që aktualisht kanë zviceranët.