Luanda Krasniqi, nënkampione në disiplinën e shitjes

Rreth dy javë më parë në Salzburg, Austri, janë mbajtur garat e njëmbëdhjeta me radhë për shitësin-en më të mirë të ri, ku kanë marrë pjesë kandidatë nga Austria, Zvicra, Gjermania dhe Tiroli i Jugut (Itali).

Në garën e ngushtë për titullin “Junior Sales Champion” ka hyrë edhe shqiptarja 18 vjeçare nga Walliseleni i Cyrihut, Luanda Krasniqi, e cila në fund ka dalë e dyta. Vendin e parë e ka zënë shitësja nga Tiroli i Jugut, Isabella Auer ndërsa të tretin Tamara Ali, nga Austria. E katërta në renditje ka qenë zvicerania Romy Heierli.

Luanda, një vajzë simpatike dhe e zgjuar, ka bërë përvojat e saj të para edhe si modele. Ndërsa si punë të rregullt ajo ka shitjen e pajisjeve elektronike në Melectronik, që është sektor i koncernit të madh tregtar të Zvicrës, Migros. Ajo, siç shkruajnë mediet austriake dhe zvicerane ka qenë veçanërisht bindëse në bashkëbisedimin me klientët testues, me kërkesa të mëdha dhe me njohje të thellë të produkteve.

Luanda, sipas jurisë, ka treguar me këtë rast njohuri të shkëlqyera profesionale, ndjeshmëri të lartë, fleksibilitet dhe fuqi bindëse. Ajo ka bërë këshillimin e klientëve testues edhe në gjuhën angleze, duke “e shitur” një kamerë digjitale.

Juria po ashtu ka vlerësuar edhe prezantimin e produktit, teknikën e argumentimit dhe paraqitjen e kandidateve.

Përveç certifikatave, fitueset do të shpërblehen edhe me çmime në të holla dhe në sende.

Eno Peçi, balerini i suksesshëm i Operas së Vjenës

Peçi ka mbi 15 vjet që punon në Operën e Vjenës dhe është zgjedhur të interpretojë edhe në koncertin e shumëpritur në gjithë botën me rastin e  vitit të ri.

Një profil të balerinit të famshëm ka sjell VoA.

Dihet mes artistëve, por edhe nga publiku artdashës se është tejet e vështirë të pranohesh nga Opera e Vjenës, dhe ndoshta edhe më e vështirë të zgjidhesh për të interpretuar në koncertin e Vitit të Ri të Orkestrës Fizarmonike të Vjenës, qoftë si muzikant, qoftë si balerin. Kjo arritje nuk ka qenë e lehtë për të riun nga Shqipëria, Eno Peçi. që tashmë është bërë sensasion ndërkombëtar.

Duke ndjekur Enon në skenë nuk mund të mos vihet re një interpretim tepër kompleks. Është vetë roli, ajo çfarë duhet transmetuar tek shikuesi, sinkronizimi i lëvizjeve personale me muzikën, sinkronizimi i lëvizjeve me balerinën ose me grup balerinësh, është vetë linja e saktë e lëvizjes, është figura që krijon vetëm, si çift, ose si grup. Dhe për realizimin e gjithë kësaj koreografie duhen orë të gjata pune dhe një përgatitje fizike intensive.

Në kërcimin e Enos vihet re një fenomen i rrallë. Ngrirja në kohë e figurës së krijuar, qoftë edhe për një sekondë,  në momentet e shkëputjes nga  dyshemeja e skenës. Sa më shumë që i sheh këto fotografi, as më e kapshme bëhet vështirësia e realizimit të figurës dhe perfeksionimi i saj.

“Shpagat” është e vështirë në tokë, jo më në ajër. Arrihet me këmbëngulje dhe me përgatitje fizike të vazhdueshme, thotë Eno, pa lënë aspak në harresë edhe rolin e fotografit që kap momentin.

Eno luan në çdo rol, nga tragjiket tek komiket, këta të fundit tejet të sofistikuar dhe aspak më të lehtë për t’u interpretuar. Ai thotë se nuk ka ndonjë preferencë të veçantë për rolet.

“Më pëlqen të bëj çdo rol, çdo karakter, si të keq si princ. Çdo rol është i mirë për një balerin, sepse vlen për eksperiencë, mbledh më shumë eksperienca. Është mirë të ndryshosh role, të mos bësh vetëm princin, ose vetëm komike, ose vetëm të këqija. Është më interesante për një balerin”.

Gjatë katër viteve të fundit Eno është marrë me koreografi dhe është pritur shumë mirë si nga kolegët e tij balerinë, ashtu edhe nga kritika dhe publiku.

/VoA/

Tre kosovarë në “Miss & Mister Zvicra frankofone”

Duket se nuk ka spektakël në Zvicër që nuk figuron ndonjë emër shqiptar. Bashkatdhetarët tanë në fushën e artit, e sidomos atë të modës dhe bukurisë, kanë bërë hapa shumë të mëdhenj përpara. Edhe në spektaklin “Miss & Mister Zvicra frankofone” gjenden tre shqiptarë. Luara Baxhaku, Ismet Halimi dhe Granit Jahmurataj janë tre emrat që kanë kaluar në finalen e këtij konkursi të bukurisë në Zvicër.

Laura Baxhaku, 18-vjeçare, e cila jeton në kanton Vaud dhe është me prejardhje nga Fushë-Kosova, thotë për “albinfo” se ishte motra e saj, e cila ka insistuar që ajo të marrë pjesë në këtë spektakël. “Përpara nuk mendoja të merrja pjesë në konkurse bukurie, por ishte motra ajo që më shtyri të konkurroj. Tani jam zgjedhur për të qenë në finale dhe po më pëlqen shumë kjo fushë. Jam pak tip e mbyllur dhe ky konkurs po më ndihmon të jemë më e afërt me njerëzit. Pjesëmarrja në këtë spektakël më ka hapur dyer të shumta për të sfiluar edhe për stilistë të shumtë”, ka thënë Laura.

Ndërkohë njëri nga konkurrentët për mister, 19-vjeçari Ismet Halimi, ka thënë se ka marrë pjesë edhe më herët si model, por jo në një konkurs për mister. Djaloshi që jeton në Gland të Zvicrës me prejardhje është nga Prishtina, një kohë ishte edhe futbollist i Lozanës: “Hobi im është futbolli, të cilin deri në moshën 18-vjeçar kam luajtur për Lozanën, por për shkak të angazhimeve me punë të përditshme nuk kam mundur t’i arrij të gjitha”, ka thënë Ismeti.

E, në anën tjetër, konkurrenti Granit Jahmurataj, me prejardhje nga Peja, por që jeton në Valis të Zvicrës, shprehet i lumtur që janë tre kandidatë kosovarë që marrin pjesë në një spektakël të bukurisë në Zvicër. “Unë jam shumë i lumtur që jemi tre shqiptarë në këtë show. Ne kalojmë shumë mirë me njëri- tjetrin dhe nuk kemi aspak xhelozi”, ka thënë 21-vjeçari që jeton në Valis, me prejardhje nga Peja.

“Miss & Mister Zvicra frankofone” mbahet më 24 maj, ndërsa synimi i tre kandidatëve është që të kurorëzohen me titullin fitues, por pavarësisht kësaj, ata ëndrrojnë që të kenë suksese të mëdha jo vetëm në Zvicër, por edhe jashtë saj.

Zana Iseni konkurron për “Miss Berna 2014”

Bukuroshja Zana Iseni, me një gjatësi prej  1.70 centimetrash vjen nga Bieli. 18-vjeçarja punon si nëpunëse komerciale dhe thotë se nëse zgjidhet mis Berna, atëherë do të përfaqësojë më miri vendin prej nga vjen.

“Nëse marr kurorën “Miss Berna 2014” do të tregojmë se nuk jemi vetëm të bukura, por edhe inteligjente. Miss Berna do të jenë vajzat dhe djemtë e rinj”, ka thënë Zana.
Për ndryshe, më 24 maj të këtij viti do të mbahet nata finale dhe në këtë mbrëmje do të marrin pjesë 12 vajza, ndërsa pritet që njëra nga shqiptaret të shkëlqejë dhe të fitojë kurorën e “Miss Berna 2014”.

Në portalin “Miss Bern” mund të mësoni më shumë për 12 kandidatet finaliste që pretendojnë kurorën e më të bukurës në Bernë. Miss Bern 2014

 

albinfo.ch

Kushtrim Gashi, kompozitori në mes të vlerësimit dhe mbijetesës

Një vend i mirë për tone të reja është qyteti Darmstadt, thotë kompozitori dhe dirigjenti me prejardhje nga Kosova, Kushtrim Gashi. Para tri vitesh ai pati ardhur për të studiuar në Hesenin jugor. Jeta që bën këtu nuk është e thjeshtë por produktive. Dhe, nganjëherë ndodh edhe të shpaguhet: Gashi e ka fituar së fundi një bursë studimi.

Një burrë plak me vështrim serioz e me mjekër të madhe që të ngjallë frikë i qëndron mbi kokë dhe e vëzhgon gjithnjë Kushtrimin teksa ai është duke kompozuar. Është kompozitori klasik Johannes Brahms, i futur në një kornizë të bukur ari dhe i varur në murin e bibliotekës së akademisë së arteve muzikore. Drejtpërdrejt mbi tavolinën në të cilën Kushtrim Gashi i shkruan notat me lapsin e tij të mprehtë.

“Ndoshta”, thotë Kushtrimi me një nënqeshje fine, “një ditë edhe unë do të dukem kështu”. Por, tash për tash ai bart një mjekër treditore të modës, ka shikim gazmor dhe në përgjithësi kompozitori i ri është larg nga pamja sentimentale e kolegut gjerman.

Gashi, 30 vjeçar, vjen nga Prishtina, Kosova, studion prej tri vitesh në Darmstadt dhe është i pasionuar pas kërkimit të ngjyrave krejt të reja të toneve dhe kombinimit të tyre. Për këtë ai ka fituar tash bursën e Darmstadti për muzikë, me vlerë prej 2000 eurosh. Një ndihmesë që i vjen në kohën e duhur Gashit dhe familjes së tij të vogël.

Ai dhe gruaja e tij Delina kanë ardhur para tri vitesh këtu. Të dy janë studentë të muzikës, të cilët në qytetin gjerman i solli nami i mirë i Darmstadit dhe i akademisë së këtushme te muzikës. Atyre dhe prindërve u është dashur të kursenin një kohë të gjatë për ta mbushur konton e kërkuar si kusht për të fituar të drejtën e ardhjes këtu për studime. Me mjaft mund ata gjetën banesën e tyre, një dhomë në një lagje kompozitorësh, ku tash jetojnë tre veta.

Tepër ngushtë në banesën njëdhomëshe

Më 10 nëntor do të jepet çmimi i Darmstadit për muzikë, me ç`rast Kushtrimi do ta marrë bursën që shkon me këtë çmim. Ndarja e çmimit shoqërohet nga një koncert që fillon në orën 19, hyrja gratis.

Para katër muajsh çifti i ri solli në jetë fëmijën e parë, një djalë që solli gëzim të madh te ta. Por, për të kompozuar në qetësi është “shumë, shume ngushtë”, thotë kompozitori i ri. Kështu, ai i kalon ditët e veta – gjashtë orë, tetë orë në këndin e tij në bibliotekë, nën vështrimin kritik të Brahmsit plak. Dhe duket se kjo i bën mirë.

“Unë jam një kompozitor i ngadalshëm”, thotë ai. Por gjatë kohës së tij të Darmstadt-it, nuk është se ka shkruar pak. Shumë muzikë dhome, pjesë korale por edhe poema simfonike. “Është fantastike se këtu në akademi ka mundësi të dëgjohet muzika e krijuar menjëherë”, thotë Gashi, i cili shprehet me entuziazëm tek flet për kolegët e tij instrumentistë.

Së fundi ai ka shkruar një kompozim tetë minutash “Bagatelli con Interludi” për instrumentet me tela, klarinetë, flaut, instrumente me të rëna dhe piano.  “Më shumë se gjysmë viti kam punuar në të”. Në këtë rast ai ka lidhur muzikën e re me tingujt tradicionalë ballkanikë të vendlindjes së tij.

Në Kosovë drejton një orkestër të rinjsh

Përkundër skenës së avancuar muzikore të Darmstadit, përshtatja në këtë vend nuk është e thjeshtë për Gashët. Përditshmëria i kalon Kushtrimit në mes të kozmosit të vogël të akademisë, dhomës ku jeton me familjen dhe Kosovës, ku ai kthen shpesh dhe ku dirigjon një orkestër të rinjsh që e ka themeluar vetë.

Banorët e Hesenit jugor janë mikpritës, sidomos drejtori i akademisë, i cili i ka hapur shume dyer. Por toni i qasjes  së tyre është i ndryshëm nga ai që mbretëron në mes të kosovarëve, më i ftohtë. Gjë që sipas Gashit nuk është keq. “Atje (në Kosovë) njerëzit mendojnë se evropianët perëndimorë janë të ftohtë, por kjo nuk qëndron, Ata janë thjesht `shumë të zënë` thotë ai dhe shton se kjo i pëlqen.

Me paratë e çmimit që ka fituar ai do ta mbajë familjen mbi ujë për një kohë. Nganjëherë, si mbajtës i vetëm i familjes, Kushtrimi detyrohet të muzikojë nëpër festa private. Si kompozitor nuk mund të bëhesh i pasur, kështu është në gjithë botën”, thotë ai. Por ai është i vendosur që megjithatë të këmbëngulë në objektivin e tij profesional.

Një vend fiks pune si dirigjent, është synim afatgjatë i tij. Në Gjermani? Në Kosovë? Gjithçka është e hapur. Por nuk përjashtohet që ai të bëhet njëri nga ata mësimdhënësit që me bazament të fortë të përvojës nga jashtë dikur te kthehet në Prishtinë që të entuziazmojë atje brezin e ri me tonet e reja.

Adelina Kuqi, Mis Zvicra Veriperëndimore

Adelina  jeton në Kaiseraugst të kantonit Aargau dhe më 17 korrik mbush 22 vjet.

Ditë më parë Adelina, në një spektakël të madh të mbajtur në Bazel është zgjedhur më e bukura në regjionin e madh të Zvicrës Veriperëndimore, që përfshin kantonet: Baselstadt, Basellandschaft, Aargau dhe Solothurn.

Adelina, e cila deri më tash modelimin, e ka pasur si hobi, me trofeun e fituar konsideron se atë mund ta shndërrojë edhe në profesion. Ajo ka ambicie dhe vullnet që ta bëjë këtë. Siç thotë për mediet zvicerane, ëndrra e saj është që të defilojë në pistat e njohura të modës si në Milano, Nju Jork etj.

Nga shkurti i këtij viti ajo ka një vend pune në një byro për ndërmjetësim të punësimit, shkruan aargauerzeitung.ch. Ka qenë në garat për Miss Zvicra dhe në disa organizime nga fusha e modës në Zvicër dhe në Gjermani.

Këtë verë Adelina së bashku me të dashurin e saj pushimet do t`i kalojë në SHBA. Atje shpreson se do të lidhë kontakte të nevojshme me botën e modës dhe të bukurisë.

Në Kaiseraugst, qytezën ku jeton Adelina, është ritur edhe ylli i futbollit zviceran dhe botëror, Xherdan Shaqiri.

Reperi shqiptar që këndon për integrimin dhe lirinë e mendimit

Në Austri ku jeton prej vitesh, reperi shqiptar Liridon Mulaj njihet me emrin artistik “Lyrix Banditi”. Artisti tashmë 30 vjeçar, i lindur në Mitrovicë, ka ardhur me prindërit e tij në Austri në vitin 1995, si refugjat.
“Ne jemi integruar por megjithatë kemi mbetur imigrantë. Në sytë e disa njerëzve si i huaj nuk do të pranohesh kurrë”, thuhet në vargjet e artistit të repit, të këngës së publikuar rishtas “Wieder Auf”. Kënga së bashku me klipin bën fjalë për integrimin, ashtu siç e ka përjetuar vetë në Austri i riu me prejardhje të huaj, Liridoni.
“Sot jam unë këtu, shumë vite kanë kaluar. E zotëroj gjermanishten aq mirë sa mund të vallëzoj me fjalë. Kjo na ka shpëtuar jetën dhe për këtë dua ta falënderoj”, thuhet më tutje në këngën me ton optimist. “Megjithatë unë e di se prej nga vi, mendoj shpesh për të afërmit. Ata kanë përjetuar shumë dhe gjithnjë kanë qëndruar vertikalisht. Kur e sheh dhembjen me sytë tu, mëson ta duash më shumë këtë jetë”.
Më 12 shtator del albumi i ri i “Banditit” me tituillin “Meinungsfreiheit” (Liria e mendimit).
Liridoni më parë ka qenë pjesë e grupit hip-hop “Gravity Killaz” ndëresa prej dy vitesh si reper punon i vetëm, shkruan meinbezirk.at. Në këngët e tij kryesisht në gjuhën gjermane ai trajton tema mbi tretjen e resurseve, lirinë e mendimit, mbingarkesën me informacione ose lakminë njerëzore.

Mal Myrtaj, artisti që bashkon

Me ekspozitën e tij të hapur në Emmendingen për nder të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Myrtaj dëshiron të kontribuojë në mirëkuptimin në mes të njerëzve

“Shoqata `Yjet e Kosovës` është një shembull i mrekullueshëm i integrimit. Ndërkohë, dihet se integrim nuk do të thotë të heqësh dorë nga kultura dhe besimi yt”, tha Klaus Sauer, në emër të bankës Sparkasse të Freiburgut, në hapjen e ekspozitës së skulptorit shqiptar me qëndrim në Gjermani, Mal Myrtaj. Gjatë dy javëve të ardhshme në ambientet e kësaj banke do të ekspozohen skulpturat dhe relievet e artistit me prejardhje nga Peja, Kosovë.

Asnjëherë deri më tash nuk ka ndodhur që në një hapje ekspozite në Sparkasse të vijnë kaq shumë përfaqësues nivelesh të larta nga politika, administrata dhe ekonomia siç ndodhi jë ekspozitën e hapur për nder të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

Ndonëse ambasadori i Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, Skender Xhakaliu pak më parë e kishte njoftuar mosardhjen, në vend të tij kishin ardhur konsujt Faket Kajtazi dhe Kadri Dakaj nga Shtutgarti. Edhe Televizioni i Kosovës, RTK e ka filmuar këtë vernisazh jo të zakonshëm.

Deputeti federal Peter Weis solli në kujtesë se si pasojë e luftës, pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë shumë njerëz qenë detyruar të braktisnin vendin e tyre dhe të vinin në Gjermani si refugjatë lufte. Në këtë kohë, eksperti i shtypshkronjave Tahir Shabani themeloi në Emmendingen shoqatën “Die Sterne Kosovas” (Yjet e Kosovës). Në këtë qark jetojnë rreth 1000 njerëz nga Kosova.

Në gjithë këto ceremoni festive, me himne kombëtare dhe me shfaqje të larmishme vallesh folklorike, protagonisti i mbrëmjes, Mal Myrtaj në fillim sikur kishte mbetur në prapavijë.

Kuratori i ekspozitës Fritz Kendel me Tahir Shabanin dhe Thomas Zeller kishin ekspozuar me shije të jashtëzakonshme dhe me harmoni 15 skulpturat dhe 15 relievet e kornizuara në foajeun e bankës.

“Me rastin e dizajnimit të kësaj ekspozite ne kemi synuar formën e një unaze, duke i vendosur skulpturat në një gjysmërreth të hapur”, sqaron Kendel. Ai e cilëson skulptorin që prej 14 vitesh jeton në Singen të Gjermanisë si artist botëror, i cili me mesazhin e tij nuk i drejtohet vetëm një grupi por tërë njerëzimit. Një artist i bashkimit në mes të njerëzve. Snim i tij është që përmes formave shprehëse të artit të tij të kontribuojë në mirëkuptimin në mes të njerëzve.

Janë simetrike raportet e madhësisë së figurave, siç janë të bashkuara në një edhe pjesët e metalit nga bronzi, i prerë, i lakuar dhe i formësuar. Në raste, skulpturat të përkujtojnë tmerret e luftës në fund të shekullit të kaluar”. Skulpturat janë të vendosura në bazamente dhe formojnë një njësi e cila pret që e të merremi me të”, plotëson Kendel. Në Emmendingen, falë “Yjeve të Kosovës” kjo ide tashmë pjesërisht është jetësuar.

Vizita në këtë ekspozitë gjithsesi ia vlen. Ajo do të mbetet e hapur deri më 17 tetor dhe mund të vizitohet gjatë kohës së punës në bankën Sparkasse në Emmendingen, Marktplatz 13.

Shqiptari 16 vjeçar, regjisori më i ri në Festivalin e Filmit në Cyrih

Në Festivalin e Filmit në Cyrih (Zürich Film Festival), i cili njihet per rregullat e forta të kualifikimit, merr pjesë shqiptari 16 vjeçar, Adrian Asllani

 

Filmi me titull “Tyche:16komma6”  që do ta shihni në linkun e mëposhtëm me një votë tuajen do t‘i ndihmoni regjisorin 16 vjeçar, Adrian Asllani, që të jetë më afër çmimit të publikut.

Fjala është për një garë në Festivalin e Filmit në Cyrih ku rregullat kanë qenë jashtëzakonisht të ashpra.

72 orë kishte kohë për të realizuar një film duke filluar nga skenari vendi i xhirimeve aktorët etj. Filmi nuk duhej të zgjaste më shumë se 72 sekonda.

Për një vikend, që nga e premtja (26.09.2014) në ora 12:00 kur është bërë e njohur tema („Rastësia“) dhe deri në mëngjesin e së hënës i gjithë stafi realizues ka qenë në punë intensive për të përgatitur filmin 4 minutësh.

Përmbajtja e shkurtër e filmit:
„Saherë që Ulf (35) hedh zarin i bie dyshi. Jeta e tij ka marrë teposhtëzën. Gruaja e ka braktisur dhe tani të vetmen gjë që ka është qeni i tij Rex. Por kur një ditë në kafenenë ku ai takohet me shokët, vjen Horst, dyshat e tij bëhen vendimtar. Horst ka fituar 50’000 franga në një lojë fati dhe dëshiron që dyshat e Ulf ti vë në provë. Ai vë bast për 25’000 franga nëse Ulf do ti bie përsëri dyshit, në të kundërtën“…

Përndryshe ky është filmi i dytë I regjisorit Adrian Asllani. “Filmi i parë është akoma në montazhë dhe edhe skenarin e kam bërë vetë. Do të jetë i gatshëm diku në fund të muajit”, tha për albinfo.ch Adrian Asllani.

Regjisori I ri  ka marr nje ftesë sot në një festival tjetër për të rinj (jugendfilmtage.ch) , pasi ata të festivalit e kanë zbuluar rastësisht taletin e Adrianit.

Adriani po ndjek gjimnazin në Kantonsschule Stadelhofen.Ai është shumë i dhënë pas filmit. I ka idol regjisorët Stanley Kubrik dhe Alfred Hitchcock

Festivali i dhjetë ndërkombëtar i Filmit i Cyrihut ka filluar më 25 shtator dhe përfundon me 5 tetor. Për dhjetë ditë, sa do të zgjasë festivali, në Cyrih do të shfaqen me dhjetëra filma, të cilët do të konkurrojnë për shtatë çmime.

Filmi me regji të Adrian Asllanit: “Tyche:16komma6

Mirash Hajdaraj

Vendlindja : Gjakovë (Palabardh), Kosovë

Qyteti ku jeton në Zvicër: Mellingen, Argau

Profili

Firmë private, Hajdaraj Import-Export, përfaqëson një firmë zvicrane në Kosovë. Pos kësaj është ndërmjetësues kulturor në kantonin e Argaut.
Prej vitit 2008 kam firmë private. 2000-2008 kam punuar në firmën Canon (Schweiz) AG.

1996 deri 2000 mësimdhënës dhe organizator i mësimit plotësues në Gjuhën Shqipe në kuadër të LAPSH-it dhe departamentit për mësim dhe edukim të kantonit Argau. Gjatë tërë kohës kam qënë aktiv si ndërmjetësues kulturor (në mes institucioneve të ndryshme zvicërane dhe shqipëtarëve të Kosovës në Argau dhe më gjërë.

Mirash Hajdaraj ka qenë aktivist i FR të LDK dega në Gjakovë, prej vitit 1992 deri 1995 nënkryetar i këtij subjekti politik. (Prej vitin 1995 jeton dhe vepron në Zvicër). Mëimdhënës dhe organizator i LAPSH-it në nivel të Argaut dhe Zvicrës. 1997 -1999 kyetar i LAPSH-it për kantonin e Argaur dhe administrator në nivel të Zvicrës. Prej vitit 1998 anëtar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës ( PSHDK), momentalisht sekretar i këtij subjekti në Zvicër. 2003-2009 anëtar i kryesisë së KISIF-it, shoqatë e inicuar nga qyteti i Badenit lidhur me integrimin e të huajve në Zvicër sa më lehtë.

 

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Ka përvojë të shumanshme në arsim, ekonomi, biznes, politikë etj. Momentalisht aktiv në politikë (PSHDK), KMU SWISS( organizatë ekonomike zvicërane), anëtar i SHHB” Nëna Tereze” në Zvicër.

Integrimi/zhvillimi : cilat janë prioritetet ?
Prioritet i domosdoshëm për shqiptarët dhe popujt tjerë të Ballkanit është demokratizimi i jetës në tërësi: në jetën shoqërore dhe institucionale. Ballkani duhet t’i bashkohet BE-es sa më shpejt që është e mundur me çdo gjë të mundur…!

 

Kontakt

076 760 68 05

Arsim Berisha

ARSIM BERISHA
Piktor
Arsim Berisha lindi më 10.02.1974 në Kosovë, ku atje mbaron shkollimin fillor dhe të mesëm. Që nga viti 1991 migron në Zvicër, ku jeton dhe vepron në Zürich.
Më art është marrur që nga fëmijëria, ku fatkeqsisht e tërë krijimtaria e tij rinore djegët nga lufta e viteve 1998-99. Në Zvicër pos disa kurseve të shkurtëra, për përfitimin e disa teknikave të ndryshme për artin figurativ, në vitin 2005 mbaron me sukses edhe shkollimin e lartë 3 vjeçar të pikturës në Zürich. Jo vetëm në Zvicër por edhe në qendra tjera të Europës, Ekspozitat personale dhe kolektive vizitohen shumë nga adhuruesit e artit.
Pasion tjetër është edhe piktura Murale, Fresko, Portrait si dhe Piktura. Skenografi dhe dekorime në disa qendra, e programe kulturo-artistike ndër vite të organizuara nga organizatat kulturore si: Ansambli ,,Vatra,, Bylah, Klubi,,Shqiponja,, Rorbas, Ansambli ,,Arberesha,, Sirnach, Klubi ,,Kosova,, Singen Gjermani, Ansambli ,,Drita,, Kreuzlingen, Teatri ,,Aleksander Moisiu,, Zyrih, Filmi Kinematografik Zviceran ,,Një Dimër i tërë pa Zjarr,,Neoshatel.

http://www.kunst-berisha.ch/html/index.php

Shem Asllani

Vendlindja : Mitrovicë-Kosovë

Qyteti ku jeton në Zvicër: Lausanne

Profesioni

Punëtorë Administrativ, Poliklinika medikale universitare (PMU), Lozanë 2002-2010.
Videast , Kameraman, Produktor, Rexhisor, nga 1999
Punëtor administrativ
PMU, Lozanë – 2002
Fareas, Lozanë, 1997 – 2002
Restorant, Lozanë 1995 – 1996 

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Ko – organizator i manifestimit “Les Albanais nation Européenne”, Lozanë: BLI, Qyteti i Lozanës.
Ko-Produktor i emisionit “In&Out”.
Prej vitesh jeton në Zvicër, Lozanë, ku merret me punën e kameramanit, regjisorit etj. Ai ka mbrapa vetes një bagazh të pasur në fushë të kamerës, videos e regjisë.

Opinion: cilat janë prioritetet?

  • Integrimi harmonioz dhe Shkollimi.
  • Organizim me i mirë.
  • Me marrë pjes ne jetën politike lokale duke iu bashkangjitur partive politike zvicrane.
  • Inkuadrim në shoqata te ndryshme zvicrane. 

Besa Myftiu

Myftiu Bessa ka lindur në Tiranë ku ndoqi studimet në literaturë.

Jeton në Gjenevë  që nga viti 1992 dhe jep mësim në  Universitetin e Gjenevës, ndërsa  vazhdon krijimtarinë e saj duke i përkushtuar shkrimit si dhe kinemasë.

Është e njohur  sikur shkrimtare, poete, esseiste dhe përkthyese.

Liri Lushi

Në vitin 2000, Liri Lushi largohet nga vendi i saj dhe vendoset me familjen në Zürich të Zvicrës. Nuk shkëputet në asnjë moment nga profesioni i saj si aktore.

Pasioni dhe puna e përkushtuar i sjell role të reja në filma të produksionit zviceran; “Strähl” nga Dschoint Ventschr AG, Zürich, “Dilemma” nga Silvia Film Production AG, Zürich, “Ditë e natë” nga Chris Niemeyer, Schweizer Fernsehen.

Prej marsit 2004, Liri Lushi është drejtor artistik i Studios për Teatër dhe Film të krijuar nga ajo vetë me emrin e aktorit të madh shqiptar “Aleksandër Moisiu”.

Edlira Dedja

Pianiste dhe profesoreshë e pianos

Master në psikologji e pedagogji

Presidente e shoqatës “Opera pa kufij

Anëtare e Kiwanis (Zvicër)

Bashkëpunëtore active e ASED-it zviceran (Action de Soutien à l’Enfance Démunie)

ProInfirmis-it dhe Zyrës së të deleguarit për të huaj, që prej vitit 1997.

Adem Dërmaku, grafist

Adem Dërmaku është lindur më 31.07.1978 në Gjilan. Ka diplomuar në vitin 2001 në degën e grafikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, te profesori Fatmir Krypa dhe ka magjistruar në vitin 2005, po te i njëjti profesor.

Dërmaku është i specializuar në litografi, aktualisht është i punësuar si asistent në studion e Grafikës në teknikën e Litografisë, Grafische Anstalt J.E Wolfensberg A.G, në Cyrih.

Grafistit Dermaku ka prezantuar veprat e tij në katër ekspozita personale, në Prishtinë, Shkup dhe Cyrih të Zvicrës.

Po ashtu ai ka marrë pjesë në mbi 70 ekspozita  kolektive nëpër vende të ndryshme të botës, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Spanjë dhe Japoni.