Privilegj apo sfidë? Një brez mes rrënjëve dhe horizonteve të reja

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

 

 

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

 

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Keystone SDA
Keystone

 

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

Petrit Halilaj me “Panelin e qiellit” në kështjellën Moyland

Artisti i ri nga Kosova me qëndrim në Gjermani, Petrit Halilaj po merr pjesë në një ekspozitë në kështjellën Moyland të Gjermanisë, ku krahas tij ekspozojnë edhe pesë artistë gjermanë. Ekspozita, përpiqet të thyejë stereotipat e artit me të cilat jemi mësuar, si varja e pikturave në mur e të ngjashme. Këtu kemi një shpërndarje më kreative të veprave të artit nëpër ambientin e galerisë.

Kështu, Halilaj ka sjellë këtu një pjesë nga punimi i tij kompleks i mëhershëm “Cikli-Ditë-Natë” dhe e ka vendosur me titullin “Paneli i qiellit” në një radhitje tjetër. Në vend të vështrimit romantik të reve  mbi kokat e vizitorëve, Halilaj ka shpërndarë pjesët e punimit të tij në mënyrë të egër në gjithë hapësirën. Në këtë mënyrë “ato të japin përshtypjen e velave të një shprese të humbur”.

Fundja, edhe hapësira shpirtërore e gjithësisë mund të përjetohet vetëm si e grimcuar, së paku në Kosovë është kështu. Artisti nomad Petrit Halilaj do të prezantojë në Bienalen e Venedikut nderin dhe Kosovën. Mbetet të presime kërshëri se çfarë do t`i bjerë ne mend këtij mjeshtri të gjesteve ”, shkruan gazeta gjermane “Handelsblatt”.

Rrezeart Galica

“Nuk ka gënjeshtër më të paturpshme se ajo që mbështet mendimin se rebelimi është i padobishëm. Rebelimi mbart në vetvete justifikimin e saj, pavarësisht nga shanset për të ndryshuar apo jo situatën që përcakton atë. Ai është shkëndijë në erë, por shkëndijë që kërkon barutin” (André Beton)

Përtej mendimit të përgjithshëm, në hije të një stine tranzitore, ekspozita e Rrezeart Galicës vë në kallëp të ri realitetin sociopolitik të një rajoni që po ndërmerr hapat e tij të parë demokratik. Përfaqësimi i ngjarjeve politike në Kosovë vë në dukje në mënyrë të kthjelltë qëndrimin protestues të artistit kosovar. Nëpërmes fotografive dhe veprave të ashtuquajtura grafike, Rrezeart Galica shpie në qendër të vëmendjes dështimin e misionit ndërkombëtar si dhe devijimet e qeverisë së tij.

Një koleksion me art-veprim për të brumosur debatin dhe lëvizjet kolektive do të paraqitet gjerë më 27 mars në Galerinë e Qendrës Espérance në Gjenevë. Në zemër të veprës të tridhjetëvjeçarit arti shndërrohet në armë lufte për liri, pa kursyer asnjë tipar të saj.

Ky projekt u bë i mundur në sajë të UPSH-së, ku më 4 mars 2013 qytetarët e Gjenevës u pritën për përurimin e hapjes së ekspozitës për tri javë.

Rrezeart Galica- Giqi mishëron vullnetin e atyre artistëve që punojnë për të fituar lirinë e tyre të shprehjes dhe për të luajtur rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtës së patjetërsueshme të popujve për vetëvendosje. Nëpërmes punës së tij, duke angazhuar krijimtarinë artistike, ai bëhet njëkohësisht aktor dhe dëshmitar i asaj që zgjat gërvimën e idesë të pavarësisë politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës, por edhe i asaj që lëkund marrëdhëniet e barabarta në mes të Evropës Perëndimore, misioneve ndërkombëtare dhe shtetit kosovar të sapolindur. Raporti paternalist ose kolonialist i Kombeve të Bashkuara dhe i Bashkimit Evropian me Kosovën theksohet në një seri të tablove: një prelud pa mëdyshje në favor të largimit të këtyre të fundit.

Veprat e Rrezeartit ngrenë pikëpyetje sfiduese dhe kanë qenë kohët e fundit objekt i vëmendjes së veçantë nga ana e popullsisë vendëse, rajonale, por edhe nga studentët e Akademisë së Arteve të Bukura në Itali (Perugino), ku janë bërë pikë referimi i idesë së artit të angazhuar.

Aktualisht krijimet e tij paraqitën në Gjenevë dhe shtrojnë çështjen e rëndësisë së idesë politike në punën artistike, pyesin për aftësinë e saj për të pajtuar mesazhin politik me krijimin estetik të veprës artisitke. Sipas të gjitha gjasave, Rrezeart Galica menaxhon këtë ekuilibër shumë lehtë, duke arritur një përputhje mjaft efektive.

Duke pirë një kafe, Rrezearti pranoi me plot mirësi të pezullojë kohën për t’iu përgjigjur kureshtjes  të Albinfo.ch. A mundet një artist t’i japë njëkohësisht veprës së tij cilësi estetike dhe politike? A ka arti kapacitet, në fakt, të ndikojë në realitetet socio-politik? Çfarë është marrëdhënia mes aktivizmit dhe dëshirës për të provokuar mendimin nëpërmjet krijimit artistik? Një turmë pyetjesh me skaje të paqarta që ngrehin veprat e Rrezertit Galicës.

Kur e pyesim në lidhje me situatën në Kosovë: A janë artistët të anashkaluar apo anashkalimi është arsyetim, Rrezearti mendon se është arsyetim, sepse në Kosovë ka hapësira për promovimin personal. “Unë nuk mendoj se arti duhet absolutisht të shfaqet në një galeri. Krijimet mund të paraqiten kudo që njerëzit janë të pranishëm. Por ajo që më shqetëson mua është një gjë tjetër. Nga kontaktet me artistët dhe nga ato që i lexoj e shoh, mendoj se ambiciet e artistëve kosovarë janë qiellore, kurse puna në praktikë është e paktë”.

Pikërisht, cila është situata e artistëve në Kosovë sipas Rrezartit? A ka klane dhe monopole në fushën e artit pamor në Kosovë? Për fat të keq, ankohet ai, sot nuk vuan vetëm arti pamor, por e gjithë shoqëria kosovare. Kjo frymë klanike vërehet edhe në mesin e artistëve. Ata që ndërmarrin iniciativa janë gjithherë të rrethuar nga miqtë e njëjtë dhe grupet e njëjta. Të njëjtit, duke e ekspozuar gjithherë, shkaktojnë neveri dhe bezdisje pranë vizitorëve artdashës, sepse zbulojnë vepra me një stil të njëtrajtshëm, gjë që shkakton edhe largimin e tyre nga galeritë apo hapësirat e tjera ekspozuese”.

Në fushën e dizajnit grafik dhe shtypit, monopolizimi lulëzon në sferën e tenderëve të ministrive, vazhdon ai.  “Kjo tregon qartë se si ish-dizajnerët, tanimë biznesmenë, kanë regjistruar nga dy firma private për të na hedhur hi syve se kinse nuk është i njëjti ai që po e merr tenderin. Këta ish-dizajnerë të transformuar në biznesmenë të suksesshëm, të cilëve u ka dalë boja për nga nuhatja në art të mirëfilltë, janë vrima më e zezë e artit pamor kosovar. Të njëjtit kanë arritur të futen edhe në borde galerish për të vlerësuar vepra e projekte artistësh. Tani, po e përjetojmë kohën më të “artë” të artit pamor, kur antivlera na bëhet vlerë, e na bëhet orientues e imponues i artit të së ardhmes…”

Po le t’i rikthehemi krijimtarisë së tij. Për Rrezeartin, arti është më e mira formë për protestë dhe nëpërmes tij ai ekspozon revoltën e tij. Ndjenja e inferioritetit të popullsisë së Kosovës ballë misioneve ndërkombëtare, të cilat shfaqin ndjenjën e tyre të superioritetit pa rezervë, është një dukuri e padurueshme për të. Liria  e qytetarëve kosovarë është virtuale, sepse në realitet, na rikujton artisti, “ne jetojmë krejtësisht të izoluar pa të drejtë për lëvizje të lirë”.

Puna e tij mund të përshkruhet si “art konceptual”, ndërsa disa kritikë arti cilësojnë Rrezeart Galicën si “një nga artistët më të guximshëm të Kosovës”. Në një botë të dominuar nga imazhi dhe virtualiteti, qasja e tij (dizajn grafik) ofron një marrëdhënie dinamike dhe të prekshme me fenomenet sociale si në nivel lokal, ashtu edhe në atë global.

Në mënyrë të tejdukshme ekspozita hap një kapitull ku shqyrtohen marrëdhëniet me botën reale, pyetjet për autonominë e artit, si dhe ku shqyrtohet funksioni protestues/ angazhues/ aktivist dhe utopik i artit.

Analiza e kompleksitetit (jo pa kontradikta) të marrëdhënieve mes artit dhe politikës ishte subjekt i një bisede të gjatë. Rrezearti me ekspozitën e tij personale kundërshton të gjithë ata që kanë pretenduar gjithmonë (në emër të pastërtisë së artit) që një lidhje e tillë është e pavend, kundër atyre që besojnë se arti nuk ka fuqi ose aftësi për të sfiduar rendin e rrënjosur dhe për të hapur horizonte të reja. Ekspozita e Rrezeart Galicës tregon se krijimi artistik, me origjinalitetin gërryes të formave si dhe me përvojën përçarëse që shkakton, ende mund të kumbojë zërin e dëshirës për përparimin e çështjeve sociopolitke. Rrezearti tregon se vepra artistike, ashtu si rebelimi i shkrimtarit Andre Breton, mbart gjithënjë shtytjen e një “shkëndije që kërkon barutin”.

Adem Dërmaku, ekpozitë në Mannedorf

Adem Dërmaku, një artist i ri shqiptar me qëndrim në Cyrih, merr pjesë me punimet e tij në një ekspozitë të përbashkët të punimeve grafike që hapet më 23 gusht (e premte) në Männedorf të Cyrihut.

Dërmaku, i cili ka mbaruar Fakultetin e Arteve në Prishtinë, drejtimin e grafikës, ku edhe ka magjstruar, jeton prej jo shumë vitesh në Zvicër. Këtu po dhe jashtë Zvicrës ai ka hapur një numër të konsiderueshëm ekspozitash, duke dëshmuar një talent dhe dhe përkushtim serioz në zbulimin e hapësirave të reja artistike.

Ekspozita e radhës, e përbashkët, hapet në “Kupferdruckwerkstatt” në kuadrin e Kulturschüür Leibegg, Männedorf.

Përveç Dërmakut, në ekspozitë marrin pjesë edhe artistët Mathias Gentinetta, Stephan Klöti dhe Emre Baykal.

Punimet me të cilat paraqitet grafisti Adem Dërmaku janë: “Auto”, “Koka” dhe “Gishti”.

Vernisazhi i ekspozitës bëhet të premten, më 23 gusht 2013 me fillim në orën 18.00

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 23 gushti deri më 8 shtator 2013. Ajo mund të vizitohet të mërkurave dhe të premteve nga ora 18.00-20.00, të shtunave nga 11.00-17.00 dhe të dielave nga 13.00-17.00.

 

21.08.2013

Projekti “Besa”, kontribut për imazhin e shqiptarëve

Një grup iniciues i mbështetur nga Ambasada e Izraelit në Bernë ka iniciuar një projekt  për organizimin e një serie ekspozitash në qytetet e Zvicrës mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Ambasada eKosovës, sikurse edhe ajo e Shipërisë kanë qenë nga fillimi të përfshira në këtë projekt. Tash, disa muaj pas bërjes publike të nismës, nga grupi iniciator dëgjohen shqetësime për përgjigje jo të kënaqshme të komunitetit të këtushëm shqiptar.
Krahas ambasadave të përmendura edhe albinfo.ch është e përfshirë në mënyrë aktive në këtë projekt. Pas një interviste që ditë më parë ka bërë me atashenë për kulturë dhe medie në Ambasadën e Izraelit në Bernë, zonjën Esther Hörnlimann, portali ynë ka kontaktuar edhe ambasadën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë si partnerë në këtë projekt.
Si ambasadori i Kosovës, Naim Malaj ashtu dhe i ngarkuari me detyrë pranë Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli shprehen se një eveniment i tillë është në radhë të parë në interes të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe shqiptarëve në përgjithësi prandaj mbështetja për të është diçka e nënkuptueshme. Por ata pajtohen se ka një ngërç në këtë mes. Përkrahja financiare nuk i plotëson ende pritjet dhe zotimet e bëra nga komuniteti ynë. Fjalët e Ambasadori Malaj mbase e përshkruajnë më mirë këtë gjendje: “Ndoshta, si komunitet jemi pak të ngadaltë, por duke e njohur atë, jam plotësisht  i bindur se ky projekt do të mbështetet plotësisht nga komuniteti ynë”.

– Por, cilat kanë qenë zotimet që kanë marrë Ambasada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në Bernë lidhur me projektin?

“Ka një dokument të nënshkruar nga tre ambasadorët: i Izraelit, i Shqipërisë dhe ai i Kosovës për ta mbështetur dhe përkrahur realizimin e projektit “Besa” duke marrë edhe angazhime logjistike dhe financiare. Ka pasur takime te rregullta mes ekipeve të tri ambasadave, të cilët kanë krijuar edhe konceptin e këtij projekti: ekspozitë fotografish, shfaqje filmash (si p.sh. ai i Dardan Islamit `Shpëtimi i Hebrenjve në Shqipëri`etj.”, thotë ambasadori Malaj, i cili nënvizon po ashtu se tri ambasadat kanë marrë edhe angazhime financiare.
“Duke e pasur parasysh rëndësinë e një veprimtarie të tillë ambasada jonë ka marrë një angazhim financiar më të lartë. Janë 10 mijë euro që Ambasada e Kosovës, i ka ndarë  për këtë projekt. Kjo tanimë është zyrtare”.
Përveç mbështetjes financiare, organizimit të një takimi me bashkatdhetarët tanë në ambasadën tonë ku ishte i pranishëm vetë Ambasadori  izraelit, ne angazhohemi që  të mobilizojmë komunitetin tonë, si në rezervimin e sallave, informimin e bashkatdhetarëve tanë, vënien në përdorim të mjeteve transportuese dhe në kërkimin e personaliteteve shqiptare si mbështetës të projektit. Vlen të përmenden në këtë kontekst futbollisti i njohur Valon Behrami, këngëtarja Elina Duni, Miss Suisse Romande (Sindi Arifi) etj. që kanë dhënë pëlqimin për të mbështetur projektin.

Më tutje ambasadori Malaj vë në pah rëndësinë e madhe që një projekt i tillë ka për shqiptarët dhe për Kosovën. “Pak njerëz, bile edhe nga ne, e dinë se shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë mbrojtur dhe shpëtuar mijëra hebrenj që kërkoheshin nga nazistët. Kjo ishte diçka e mahnitshme, një popull i varfër, i pushtuar nga nazizmi, kishte ndarë bukën e gojës me miqtë e tyre hebrenj, kishte vënë në rrezik jetën e tij duke mos denoncuar as edhe një hebre tek nazistët gjermanë. Kjo, me përjashtim të Danimarkës, nuk ka ndodhur në vendet tjera. Ky gjest, ky veprim duhet të na bëjë të gjithëve krenarë”, ka shtuar Malaj.

– Nga projekti më së shumti përfiton imazhi i shqiptarëve në Zvicër

Ndërkaq ai nuk ka lënë pa përmendur edhe efektin që suksesi i këtij projekti do të kishte në imazhin e shqiptarëve në Zvicër. “Së fundi kjo ekspozitë po bëhet në Zvicër, ku shqiptarët ende vuajnë nga paragjykime jo të mira nga një pjesë e opinionit të këtij vendi. Është ky rasti më i mirë për ta kuptuar anën tjetër të medaljes se shqiptarët janë një popull i fjalës dhe i Besës. Pastaj, kur një ekspozitë e tillë, bëhet dhe mbështetet nga ambasada izraelite, nga shoqata tjera hebraike, i jepet kredibilitet edhe më i madh kësaj të vërtete për shqiptarët. “Jam i bindur se një projekt i i tillë do t’i bëjë, një pjesë të skeptikëve këtu në Zvicër,  që të mendojnë më ndryshe për shqiptarët e Zvicrës”, thotë ai. Në këtë kuptim, ambasadori i Kosovës në Bernë u drejton bashkatdhetarëve në Zvicër këtë mesazh: “Një popull, një shtet si Izraeli do t’i tregojë Zvicrës dhe Botës se  kush janë në të vërtetë  shqiptarët. Diaspora hebraike në Zvicër ka mbledhur mbi 30 mijë franga për këtë projekt. Do të ishte e paimagjinueshme që 300 mijë shqiptarët e Zvicrës të mos mobilizoheshin për ta mbështetur këtë projekt. Kur të tjerët angazhohen që të flasin me fakte dhe dëshmi në superlativ për Besën tonë, ne nuk duhet, dhe nuk guxojmë të rrimë indiferent dhe duarkryq.
Ndoshta, si komunitet jemi pak të ngadaltë, por duke e njohur atë, jam plotësisht  i bindur se ky projekt do të mbështetet plotësisht nga komuniteti ynë”, përfundon ambasadori Malaj.

box

Kur të tjerët afirmojnë vlerat tona, ne nuk mund të rrimë duarkryq

“Një popull, një shtet si Izraeli do t’i tregojë Zvicrës dhe Botës se  kush janë në të vërtetë  shqiptarët. Diaspora hebraike në Zvicër ka mbledhur mbi 30 mijë franga për këtë projekt. Do të ishte e paimagjinueshme që 300 mijë shqiptarët e Zvicrës të mos mobilizoheshin për ta mbështetur këtë projekt. Kur të tjerët angazhohen që të flasin me fakte dhe dëshmi në superlativ për Besën tonë, ne nuk duhet, dhe nuk guxojmë të rrimë indiferent dhe duarkryq”.

B.SH.

Daut Gubetini

I njohur me emrin  artistik “Capedano 101”, piktori shqiptar nga Cyrihu, Daut Gubetini bën sot (1 mars) hapjen e galerisë së tij artistike që ban po ashtu emrin “Capedano 101”. Ky numër që është pjesë e emërtimit lodhet me konceptin e galerisë: në të do të jenë vazhdimisht të ekspozuara 101 vepra artistike, të tijat dhe të artistëve të tjerë.

Punimet e Gubetinit përshkohen nga nota surrealizmi dhe arti modern e abstrakt. Shumë prej tyre kanë një sfond që lidhet me jetën e autorit ndërsa të tjerat kanë për subjekt tema tjera nga përditshmëria si mbrojtja e ambientit, tema politike, shoqërore etj.

Teknikat që përdor piktori shqiptar nga Kosova me qëndrim prej vitesh në Zvicër janë të ndryshme dhe variojnë. Krahas ngjyrave të zakonshme të akrilike dhe të vajit në pëlhurë ai përdor edhe materiale nga natyra, si: druri, guri, rëra, kafeja apo edhe pjesë të kompjuterëve dhe metaleve.

Artisti me emrin Capedano 101 krijon po ashtu edhe dizajn mode, mobilesh, automobilash etj.

Galeria&Atelier “CAPEDANO 101” hapet sot, në orën 17.00 në Badenerstrasse 384,
8004 Zürich

Për informata: Telefon: (+41) 043 817 44 33 / Handy: (+41) 079 196 22 03

Gazmend Freitag, ekspozon në Vjenë dhe Biennalen Verona

Piktori ynë z.Gazmend Freitag, çdo ditë me artin e tij përplot shije shkel horizonteve të reja në gjithësinë e artistikes, tani jo vetëm në Austri ku jeton e vepron. Në Biennalen e parë e organizuar në Verona të Italisë mori pjesë me dy piktura të cilat u pranuan si pjesë e botimit të Bineales Verona.

Në mesin e piktorëve nga e gjithë bota është krenari të prezantosh, të  jesh pjesë e katalogut ndërkombëtar, të njihesh me artistë të njohur e veprat e tyre nga shumë vende me traditë në artin e pikturës. Biografia e artistit tonë tani është e botuar në disa gjuhë botërore katalogëve të  piktorëve aktiv me vepra të shpërndara e të kërkuara gjithandej globit.

Në Vjenë ditë më parë hapi ekspozitën personale, qyteti qendër e artit e artistëve ku kritika e mbrehtë nuk bën lëshime në vlerësimin meritor. Nën iniciativën e organizimin e qiftit austriak menaxher  e dashamirës të artit Ursula dhe Franz Pfeffer  qëndron e hapur u hap ekspozita në ‘‘Galerie Studio 38‘ në ambientet  Klubit Osteria Allora në kryeqytetin  austriak prezantuan poetë, shkrimtarë dhe piktorë.

Manifestimin e nderoi edhe  prezenca e z.Wolfgang Bauer përfaqësues nga Kuvendi i Bashkisë së 20-të të Vjenës nga radhët e Partisë Socialdemokrate në Austri.  Të pranishmit i përshëndeti Franz Pfeiffer, menaxher i ‘‘Galerie Studio 38‘‘ me seli në Vjenë, i cili theksoi se shoqata që përfaqëson ka një traditë 10 vjeçare në organizime të projekteve artistike, ndërsa kjo ishte hera e parë që si mysafirë kishte krijues shqiptar.

Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri  “Aleksandër Moisiu” përshëndeti kryetari i saj z.Besim Xhelili, poet.  “Në Vjenë shekuj me radhë janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen shpata dhe helmeta e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Prandaj edhe ne jemi vazhdimësi e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve tanë, kësaj radhe edhe në fushën e artit”.

Hapjen solemne të ekspozitës së tij personale e bëri zj. Ursula Pfeiffer, përfaqësuese e “Galeriestudio 38”. Pikërisht këtu i ka lindur ideja e ekspozitës me temën “Impresione Shqiptare” (mbresa shqiptare), ku ajo citoi statment nga faqja portale www.gazmendfreitag.net: “Ky është Gazmend Freitag, njeriu  i cili imazhin tonë e ngritë përmes brushës së tij, qëndrimit të tij prej artisti e njeriu që krijon madhështinë e të bukurën e cila do jeton gjatë.  Vendlindja nuk të lë të qetë, të thërret kudo që je në përkujtimin e peizazheve nga syri i një kohe që nuk harrohet. Dashuria ndaj vendlindjes e mbjellë në shpirt është navigator në çdo cep të globit. Këtë e dëshmon edhe Gazmend Freitag”.   Rreth veprës së piktorit tonë foli edhe zj.Elisabeth Birngruber, bashkëstudiuese me piktorin dhe pianiste.
Autori i ekspozitës z. Freitag i entuziazmuar nga suksesi mes tjerash shtoi: “Janë të ekspozuara 14 eksponate reprezentative të punuara në vaj dhe grafikë. Për herë të parë prezantoj nga repërtuari im vetëm motive shqiptare. Tash unë jam anëtarësuar në “galeriestudio38” në Vjenë, ku më 12 prill 2014 prezantohem në ekspozite kolektive. Organizatorët dhe menaxherët zj. Ursula dhe Franz Pfeiffer janë shumë të zellshëm,  janë  kompetentë dhe me përvojë shumëvjeçare në Vjenë.”
Imazhi ynë i vërtetë, i një populli të lashtë e me traditë shekullore në artë iu ofrua edhe një herë publikut austriak dhe jo vetëm atij.  Shtypi vendor e ka vlerësuar artin e kultivuar nga Gazmend Freitag në shumë gazeta e revista. Bazuar në hapat e Gazmendit dhe energjitë e tij të pashtershme mund të jemi optimist në ofrimin e veprave të reja. Ato nuk janë vetëm të tij por edhe të imazhit tonë të mirë si komb i vlerave shekullore.

Gazmend Freitag-Baresha

Hazir Mehmeti

Arti që ndihmon integrimin


Agron Bajramin, komuniteti shqiptar në Zvicër dhe më gjerë e njeh shumë mirë si valltar, gjegjësisht si themelues dhe drejtues të Shkollës së Vallëzimit “Shota” në Aarau. Pak muaj më parë kjo shkollë ka kremtuar 20 vjetorin e  themelimit dhe në sallën ku mbahej manifestimi jubilar ishin ekspozuar edhe një numër punimesh të tij në teknikën jo shumë të njohur, në pirografi. Për shumë kënd kjo “faqe” e re e Agronit mund të ishte një zbulim, por ai në fakt ka rreth 15 vjet që e ushtron këtë formë arti.

Një rast për të prezantuar në mënyrë më të kompletuar punën e tij artistike, Bajramit ia ka ofruar Pika e Kontaktit për integrim e kantonit Aargau në qendër të kryeqytetit të këtij kantoni, Aaraut. Në zyrat dhe sallat e objektit të ri ku është vendosur kjo “pikë” janë varur një pjesë e punimeve të Agron Bajramit dhe ditë më parë (më 3 prill) është mbajtur mbrëmja vernisazhit të ekspozitës së tij.

Pamje qytetesh të Zvicrës, Kosovës e Shqipërisë, peizazhe të natyrës zvicerane e shqiptare, figura kafshësh, portrete personalitetesh historike… janë punimet brenda kornizave kryesisht të formatit të vogël, që janë varur në muret e që shërbejnë si galeri artesh.

Autori, Agron Bajrami thotë se këtu i ka të ekspozuara vetëm punimet më të reja, të krijuara në vitet 2012-2013. “Me këtë lloj arti merrem që nga koha e para luftës dhe tashmë kam shumë punime në shtëpi apo edhe të dhuruara nëpër miq e gjetiu. Por këtu sonte i kam ekspozuar vetëm rreth 30 punime dhe të gjitha janë punuar brenda vitit të kaluar”, sqaron Bajrami.

Ai shton se përzgjedhja e temave për këtë ekspozitë ka qenë e rastit, që domethënë nuk bëhet fjalë për ndonjë ekspozitë tematike. “Po ashtu këtu mbizotërojnë punimet me format të vogël, për shkak të specifikave të ambientit ku ato ekspozohen”.

Më tutje A. Bajrami flet për mënyrën e punës që e karakterizon pirografinë, ose “shkrimin me zjarr”. “Punimet i bëj në “shperpllakë” (kompensatë). Është me rëndësi të punohet në këtë material dhe jo në dërrasë natyrale pasi që kjo e dyta ka edhe nyje gjë që e pengon mjetin me të cilin punohet, “letkonin” për të bërë punën e vet dhe dëmton punimin”, sqaron ai procesin delikat të punës.

Udhëheqësja e qendrës për integrim, Lelia Hunziker në cilësinë e nikoqires ka bërë hapjen e ekspozitës të cilën e ka nderuar me praninë e saj edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për gjashtë muaj rresht, gjegjësisht deri më 3 tetor të këtij viti. Ajo, siç bëri të ditur Hunziker, mund të vizitohet nga e hëna deri të premten, gjatë orarit të punës. Vizitat mund të bëhen spontanisht por është  e dëshirueshme edhe të bëhet një paralajmërim, sidomos kur vijnë grupe, shtoi Hunziker.

“Me hyrjen në lokalet e reja para rreth dy vitesh ne u përballëm me muret e bardha e të zbrazëta. Kjo na shtyri të mendonim për një zgjidhje që do t`u jepte jetë këtyre mureve. Ideja për të cilën u pajtuam të gjithë, ishte që këtë hapësirë të bardhë ta mbushim me punime artistike. Vendosëm që të kërkojmë nga artistët e prejardhje të huaj që jetojnë në regjion e më gjerë, t`i ekspozojnë punimet e tyre këtu”, thotë për albinfo.ch Lelia Hunziker.

Deri më tash në këto hapësira janë hapur gjashtë ekspozita të këtilla. Veç kritereve artistike, një kusht  për të ekspozuar këtu është që “punimet të jenë të përshtatshme për t`u varur në mure dhe të mos kenë struktura të ndërlikuara që do të na pengonin në punën tonë këtu, sepse, siç e shihni, këto janë ambientet tona të punës. Me këto punime ne fisnikërojmë ambientin ku punojmë dhe ku frekuentojnë mijëra persona që vijnë këtu të këshillohen”, thotë Hunziker.

“Por njëkohësisht, u japim një shans artistëve që punimet e tyre, të cilat ndoshta do të mbeteshin nëpër bodrume dhe pa kushte ekspozimi, t`i prezantojnë para publikut. Kështu gjen shprehje gjithsesi edhe roli integrues i artit ”, përfundon ajo.

Ekspozita e parë e Destan Gashit në Kosovë

Skulpturat e profesor Destan Gashit flasin në emër të traditës shqiptare dhe tregojnë histori të ndryshme shqiptare. Të tilla janë skulpturat e “Legjendës së Rozafës”, “Doruntina”, “Histori të grave të Malësisë dhe fshatrave buzë Drinit të Bardhë”, etj.

Punimet e tij kanë qenë të ekspozuara në shumë galeri në mbarë Evropën dhe botën, e tani edhe Kosovë.

Gjatë hapjes së ekspozitës, profesori Destan Gashi, nga emocionet që e kapluan, nuk nuk tha më shumë se një fjali të vetme: “Den baba den. Ju faleminderit”.

Ndërsa Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, pasi që tregoi për historinë se si skulptori i njohur Destan Thaçi nga Kosova mërgoi në Austri, përkatësisht në Vjenë, për të vazhduar punën e tij, vlerësoi lartë punimet dhe përkushtimin e një si e quajti, “artisti të madh”.

Zyrtarë përfaqësues nga Ministria e Diasporës të Republikës së Kosovës, ministri kjo e cila ka inciuar dhe ka ndihmuar prurjen e ekspozitës me rreth 15 skulptura dhe piktura nga Austria, po ashtu vlerësuan lartë artin e profesor Destan Gashit.

“Ministria e Diasporës, me iniciativë të Ministrit, z. Ibrahim Makolli, ka dhënë kontributin e saj që Destan Gashi të sjellë artin e tij të bukur në Kosovë. Tani kemi rastin t’i shohim këto vepra monumentale, si Legjenda e Rozafës, të punuara nga dora e një skulptori brilant në ekspozitën e tij të parë në Kosovë, të quajtur po ashtu Legjenda e Rozafës dhe Histori të tjera.”, thuhet në njoftim të MeD-it.

Ekspozita do të mbetet e hapur deri në fund të  muajit prill.

Destan_Gashii1

Agron Saliu

Tematika e ekspozitës ka të bëjë me shtresat sociale në shoqëri, ndërsa portretet janë ekspresive. Në portretet e bëra nga piktori Agron Saliu shihen njerëz të vuajtur, shihet dyfytyrësia, por edhe njerëz shpirtmirë dhe të dashur.

“Atë që e sheh në jetë, atë edhe e pikturon”, do të thotë reflektimin pozitiv, por edhe negativ tek njerëzit, thotë Saliu për DW.

“Nga realiteti nuk mund të ikim. Ndaj as arti nuk mund t’u ikë dhe t’i përjashtojë njerëzit e vuajtur, dyfytyrësinë”, pohon Saliu, i cili përpiqet “që përmes artit, në mënyrë asociative, t’u japë rol portreteve edhe virtyteve dhe mangësive, siç janë sinqeriteti, gënjeshtra, maska e njerëzve dhe dashuria”, thekson më tutje piktori shqiptar..

Ekspozita e pestë e piktorit Saliu me titull “Prelude” mbështetet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë.

Agron Saliu ka lindur në vitin 1984 në Tetovë. Ai ka diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin e Arteve, drejtimi pikturë. Deri tani ka organizuar katër ekspozita personale: në Paris në vitin 2013, Shkup dy herë brenda vitit 2012 dhe një në Tetovë. Ka qenë edhe pjesë e ekspozitave grupore në Sarajevë, Ohër, Gostivar, Tetovë dhe Shkup

 

Ekspozitë që sjell frymën e Kosovës në Zvicër

Të shtunën në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, u hap një ekspozitë kolektive e shumë artistëve shqiptarë nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare. Kurator i kësaj ekspozite ishte artisti i njohur nga Kosova prof. Jetullah Haliti – ETI.

Të pranishmit i përshëndeti profesori ETI i cili tha se në këtë ekspozitë ka artistë nga gjenerata të ndryshme, dhe gjithsej janë 25 krijues, prej të cilëve ka skulptorë, fotografë, poetë dhe piktorë.

„Në mesin e këtyre punimeve, kemi edhe skulpturën “Skënderbeu”, pastaj veprën e Kolë Idromenos „Motra Tone“ që nga kritika shqiptare e arteve konsiderohet si Monaliza shqiptare. Këtu po ashtu kemi edhe pikturën „Pëllumbat e Paqes“ vepër kjo e cila ka marrë shumë çmime ndërkombëtare, pastaj edhe veprat e heroit të Kosovës, Agim Ramadani”, tha Eti. Ai shfrytëzoi nga rasti që të falënderojë edhe Ministrinë e Diasporës e cila ka përkrahur materialisht mes tjerash edhe për transportimin e të gjitha këtyre punimeve.

“Kjo qendër këtu është shumë e rëndësishme për ne, por më vjen keq që në mesin tonë këtu nuk kemi edhe zviceranë. Sigurisht, kjo qendër është hapur tash vonë dhe çdo fillim i ka vështirësitë e veta. Është mirë që edhe të huajt t`i kemi këtu sepse ne duhet t`i tregojmë atyre se edhe ne shqiptarët krijojmë vlera artistike. Në kuadër të „Akademisë së arteve Europiane“ kemi pasur edhe të tjera ekspozita në vende të ndryshme në Evropë dhe ne do të vazhdojmë më tutje me prezantimin e vlerave të artistëve tanë. Veprat e ekspozuara këtu e kanë mesazhin e vet dhe unë besoj se secili mund ta gjejë atë, sepse ne nuk mundemi të shpjegojmë apelin e çdo vepre por vepra komunikon vetë me viizituesit e ekspozitës“ tha profesori Haliti.

Interesimi për të vizituar këtë ekspozitë ishte i kënaqshëm. Përveç artdashësve të tjerë, të pranishëm ishin edhe gazetarë, shkrimtarë e artistë. Prezent ishte edhe kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativ Shqiptarë në Zvicër, Nexhmedin Januzi, i cili i përshëndeti krijuesit për hapjen e kësaj ekspozite në Cyrih.

„Në emër të Shoqatës së Artistëve Figurativ, i falënderoj këta krijues dhe profesorin Haliti, i cili ka marrë këtë iniciativë për sjelljen e këtyre punimeve para artdashësve shqiptarë në Zvicër. Shoqata e artistëve figurativë ekziston prej tetë vitesh, me disa prezantime të saj me ekspozita kolektive dhe personale të piktorëve që veprojnë në Zvicër“ tha Januzi.

„Dua të ju njoftoj se Konsullata dhe Qendra Kulturore e Kosovës janë në dy objekte të ndara, por janë të binjakëzuara. QKK funksionon në kuadër të Ministrisë së Diasporës. E falënderoj drejtoreshën e kësaj qendre znj. Shukrie Ramadani e cila po e bën një punë të mrekullueshme dhe që ka arritur për një kohë të shkurtë të sjellë krejt shqiptarinë brenda këtyre katër mureve. Në të ardhmen do të përpiqemi që në këto ambiente të mos mbetemi vetëm me shqiptarë por edhe me zviceranë dhe komunitete të tjera që jetojnë këtu në Zvicër. Ne shqiptarët duhet të punojmë së bashku dhe në shumë drejtime që të kemi çka t`i tregojmë botës“ tha Konsulli Salih Sefa, duke shtuar se këtë qendër duhet ta shfrytëzojë çdo shqiptar që e do artin dhe kulturën.

Për rëndësinë e kësaj qendre si dhe aktivitetet që do të ndërmarrë ajo foli ushtruesja e detyrës së drejtorit të kësaj qendre, Shukrie Ramadani. Ajo veç tjerash tha se ne duhet t´u tregojmë të tjerëve se nuk jemi të suksesshëm vetëm në sport por edhe në art dhe kulturë, dhe se kemi qenë të suksesshëm edhe në kohët më të vështira. Për këtë arsye është turp që sot në këtë kohë kur i kemi të gjitha, të mos jemi të suksesshëm.

„Kjo ekspozitë është bërë me moton se „poezia është art dhe arti është poezi“ ngaqë mu kujtua Agimi, i cili në çdo pikturë të tij kishte një poezi, ku e pikturonte pikturën me shpirt dhe ia thurrte menjëherë poezinë. Jam shumë e lumtur që jeni ju sot këtu dhe shpresoj se herave të tjera do të ketë edhe më shumë bashkatdhetarë“ tha znj. Ramadani duke përshëndetur të gjithë artistët pjemsarrës në këtë ekspozitë.

Për fund u mbajt edhe një orë letrare ku u recituan poezi nga vetë autorët e pranishëm aty, të cilët kësaj ekspozite i dhanë edhe një kuptim dhe ngjyrim tjetër.

Artistët e prezantuar me veprat e tyre në këtë ekspozitë ishin: Agim Islamaj, Miradije Ramiqi, Musa Sadiku, Skender Lajqi, Rudina Proda, Nuri Jaupulari, Mehmet Baci, Lekë Rrotani, Idriz Balani, Olti Zejnullahu, Olti Haliti, Reshat Ahmeti, Jetullah Haliti, Hajrush Fazliu, Agim Ramadani dhe Shkelzen Gashi.

Kurse poetët që lexuan vargjet e tyre Sabit Gecaj, Ibrahim Avdyli, Bujar Salihu, Nexhat Maloku, Mimoza Erebara, Gani Qarri, Shukrie Ramadani dhe Adem Kicaj.

Dalip Kryeziu vjen me ekspozitën “Ikona të gjalla”


„Pikturimi si obsesion”, ky titull i një katalogu për artin e Dalip Kryeziut (alias Dalip) përshkruan në të njëjtën kohë edhe fondamentin e veprës së tij të gjithëmbarshme. Fokusi i artistit austriak të lindur në Kosovë është i drejtuar në njërën anë në transformimin e kokës së njeriut deri në forma abstrakte të palexueshme.

Nga ana tjetër ai ia nënshtron ekzistencën e tij të dokumentuar në fletët ditore të mbushura me skica një vlerësimi krejtësisht të ri, kur ai reliktet vizatimore të përditshmërisë i përpunon në pëlhurën e pikturës dhe aty krijon pjesë të qenies së tij.

Këtë parim, gjegjësisht ekzistencën e njeriut në kontekstin e dilemave aktuale ai e tematizon edhe në ekspozitën e tij më të re “Living Icons”, shkruan meinbezirk.at. Punime në pikturë dhe në skulpturë nga cikli “Köpfe der Gesellschaft” (Kokat e shoqërisë) na japin një pamje të qëndrimeve kryesore të artistit dhe e lënë të hapur mundësinë e analizës.

Krijimtaria e artistit Dalip, i cili ndërkohë ka kaluar për të jetuar në Gjermani, nga viti 1995 e këndej është ekspozuar në kuadrin e shumë ekspozitave personale dhe kolektive në Evropë dhe jashtë saj. Ajo është prezantuar edhe në panaire ndërkombëtare të artit dhe është e pranishme në koleksione publike të artit, si në Muzeun e Artit Modern në Salzburg, Muzeun në Giesen, Allianz Hamburg, në Deutsche Bank, Credit Suisse etj.

Ekspozita hapet më 19 shtator në orën 19.00 në galerinë Galerie Offenes Atelier D.U.Design, Willach. Në hapje të ekspozitës është i pranishme edhe autori. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor.

Muja dhe Hajredini, në Hamburg me “Udhëtarët e bukur”

valixhet driton h

Për ekspozitën e tetë të organizuar në galerinë e tij të re “Contemporary Art Gallery “Mytoro”, galeristi Toro (Mentor Ejupi) ka sjellë në Harburg të  Hamburgut dy piktorë kosovarë me renome ndërkombëtare Alban Muja dhe Driton Hajredini. Ata prezantojnë para publikut gjerman krijimtarinë e tre nën titullin e përbashkët “Beautiful Travellers”. Kjo ekspozitë është jë shembull i shkëlqyer i artit konceptual, shkruan “Harburg Aktuell”.

Në serinë e tij të njohur të valixheve të cilën Driton Hajredini e kishte filluar para se t`i kushtohej artit konceptual lë anash humorin metanarrativ dhe i kthehet konceptit në të cilin ai paraqitet me pikturim klasik realist. Në shikim të parë, tablotë e tij me valixhe duken sikur të ishin fotografi të thjeshta valixhesh. Por po u shikua më nga afër dhe e ndërlidhur me kontekstin e gjithë serisë zbulohet kondensimi i dy koncepteve krejtësisht të ndryshme.

Tablotë me valixhe mund të ndërlidhen me shumë gjëra por ato në këtë rast janë një homazh për të gjithë njerëzit që janë detyruar të braktisin atdheun e tyre. Punimet e Alban Mujës mbështeten në zhvillimin e temës “Free our Mind” (çliroje mendjen). Një shembull tipik na e ofron punimi i tij me titullin “Tonys” i cili mbështetet në një keqkuptim i cili është i mundur të ndodhë vetëm në një moment të konjunkturës politike (fjala është për fotografinë ku duken të gjithë fëmijët shqiptarë me emrin e Toni Blerit).

Hapja e ekspozitës bëhet të premten, më 12 shtator duke filluar nga ora 19.30. Të dy artistët janë të pranishëm dhe në dispozicion për të kontaktuar me publikun.