Vetëm 17 vjeçe, por me zë mjaft të veçantë, Enrika Derza ka udhëtuar rrugë të gjatë nga Shqipëria në Zvicër për të marrë pjesë në edicionin e dytë të spektaklit “The Voice of Switzerland”. 17-vjeçarja nga Shkodra me prezantimin e saj në “Blind Auditions” ka thyer zemrat e jurisë zvicerane: Marc Sway dhe Philipp Fankhauser. Enrika Derza ka siguruar tashmë vend në këtë garë në ekipin e Marc Sway.
Për 17-vjeçaren Enrikën “The Voice of Switzerland” nuk është eksperiencë e re, ngase edhe në “The Voice of Albania” ajo kishte depërtuar deri në finale. Kushërinjtë e Enrikas jetojnë në Zvicër. Prandaj ata kishin bërë përpjekje që t’ia mundësojnë këtë ëndërr ta ketë më afër.
Enrika Derza vjen nga Shkodra. Talenti i saj në muzikë ishte zbuluar në moshën 15-vjeçare në një format botëror, siç ishte “The voise”, që erdhi si risi në Shqipëri. Enrika kishte mbërritur në finalen e madhe “The Voice of Albania”. Ajo kishte prezantuar edhe në festivalin e të rinjve në Shqipëri, Top Fest. Derza kishte fituar edhe dy çmime në festivale ndërkombëtare.