Lajme
Vendkalimet me Serbinë, pa simbole shtetërore

Bashkimi Europian ua ka dërguar delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë tekstin e plotë të konkluzioneve të arritura për menaxhimin e integruar të kufirit, për të cilin dy palët kishin dhënë pëlqimin gjatë bisedimeve intensive treditëshe në Bruksel.
Në tekstin e marrëveshjes, koncepti europian për menaxhimin e integruar të kufirit përmendet vetëm përmes akronimit IBM për t’i ikur në këtë mënyrë përmendjes së fjalës “kufi” për shkak se as Serbia, e as BE-ja si tërësi nuk e njohin shtetin e Kosovës, e rrjedhimisht as kufirin.
Natyrisht aty nuk përmendet asgjë nga ligjërimet e shefes së delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri për kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, BE-ja ka shkruar një marrëveshje që është krejtësisht neutrale ndaj çështjes së statusit, shkruan Express.
Por gjuha që ka përdorur Brukseli po ashtu u mundëson palëve që ta interpretojnë atë sipas dëshirës.
Edhe Robert Cooper, ndërmjetësi i BE-së në bisedime, ka përmendur vetëm shkurtesën “IBM”, kur ka folur për menaxhimin e integruar të kufirit.“Marrëveshja quhet IBM. Është integrimi i menaxhuar i të gjithë gjërave që janë… pikat doganore, pikat policore, pikat kufitare të gjitha këto gjëra janë bërë bashkë”, ka thënë ai.
Britaniku ka shpjeguar se prej nga janë frymëzuar europianët për të arritur këtë marrëveshje.
“Këtu në Bruksel keni versionin e vogël të kësaj, në Gare Du Midi (stacion i trenit në kryeqytetin belg), sepse në një hapësirë të vetme i keni zyrat belge dhe britanike të imigrimit. Ideja e këtyre marrëveshjeve është që në një hapësirë të vetme keni shërbime të ndryshme të Kosovës dhe të Serbisë duke punuar së bashku dhe duke kontrolluar pikëkalimet”, ka sqaruar Cooper.
Dallimet e mëdha mes palëve janë adresuar në tekstin e marrëveshjes, të cilin Qeveria e Kosovës, të shtunën, ua ka shpërndarë mediave të përkthyer në shqip.
Në pikën shtatë të tekstit të marrëveshjes, ku flitet për implementimin e saj, thuhet se marrëveshja merr parasysh dallimet e palës kosovare dhe serbe rreth statusit.
Dallimet statusore janë përmendur edhe në pikën katër të marrëveshjes, ku adresohet çështja e simboleve nëpër pikëkalimet e përbashkëta në mes të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat duhet të vendosen në një zonë të përbashkët.
“Objektet e përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta do të vendosen përbrenda një “zone të përbashkët të vendkalimeve të IBM-it,” të shënjuar bashkërisht, ku zyrtarët e secilës palë kryejnë kontrollet përkatëse. Përjashtimisht dhe kufizuar vetëm në zonat e përbashkëta të vendkalimeve të IBM-it, palët nuk do të shfaqin simbolet e juridiksioneve të tyre përkatëse”
Për ta bërë implementimin e kësaj marrëveshjeje, Kosovës dhe Serbisë teksti i marrëveshjes u kërkon që të harmonizojnë ligjet e tyre me ato të Bashkimit Europian.
“Në përputhje me Traktatin e Lisbonës dhe legjislacionin relevant të BE’së dhe duke pasur parasysh se të dy palët janë pjesë e agjendës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, atyre do t’u kërkohet që gradualisht të harmonizojnë legjislacionin e tyre më atë të BE’së dhe në veçanti ta zbatojnë konceptin e IBM-it”, thuhet në tekstin e marrëveshjes.
Pastaj aty tregohet se marrëveshja iu referohet të gjitha pikëkalimeve në mes të Kosovës dhe të Serbisë, nëpër të cilat do të jenë të pranishëm policë të Kosovës, të Serbisë dhe të EULEX’it.
”Aranzhimet do të përfshijnë një prani të balancuar, në përputhje me nevojat, nga të dy palët e shërbimeve përkatëse siç janë Doganat, Policia etj dhe do të përfshijnë çështje siç janë lokacioni, vendkalimet, natyra e objekteve përcjellëse, orari i punës etj. Në përputhje dhe gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij, në vendkalimet Jarinje/Rudnicë dhe Tabavije/Bërnjakë, kjo prezencë do të përfshijë zyrtarë të EULEX-it. EULEX-i do të jetë i pranishëm po ashtu në vendkalimet Dheu i Bardhë/Konçul, Merdar/Merdare, Mutivodë/Mutivode dhe Depce/Muçibabë”, thuhet në marrëveshje.
Për këtë, Robert Cooper ka dhënë shpjegime shtesë.
“EULEX-i ka një mandat të definuar mirë, ka komponentin doganor dhe policor, EULEX’i është prezent në të gjitha portat në pajtim me mandatin e tij dhe kjo do të vazhdojë edhe me aranzhmanet e reja, përveç asaj që portat që janë në njërën anë të vijës, do të shndërrohet në një lloj të portave të dyfishta, ku do të përfshihen njerëz nga të dyja anët e vijës, pra do të ketë policë serbë, policë kosovarë dhe të EULEX-it”, ka thënë ndërmjetësi europian.
Edhe pse BE-ja u kërkon palëve që të harmonizojnë legjislacionin, në njërën nga pikat e marrëveshjes sqarohet se “në thelb të marrëveshjes do të jenë përgjegjësitë dhe detyrimet e qarta ligjore në fuqi sipas juridiksionit të secilës palë”.
Po ashtu, marrëveshja bën të ditur se për implementimin e marrëveshjes do të krijohet një grup trepalësh që do të udhëhiqet nga BE-ja.
“Një grup trepalësh implementues, kryesuar nga BE-ja, do të formohet për zbatimin e marrëveshjeve të lartpërmendura, sa më parë që praktikisht është e mundur. Për këtë qëllim, një protokoll teknik do të hartohet dhe nënshkruhet, nëse është e nevojshme ndarazi me BE-në, i cili do t’i marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme të palëve lidhur me çështjen e statusit. Implikimet e këtyre konkluzioneve do të merren parasysh në zbatimin e lirisë së lëvizjes”, thuhet në tekst.
Në njërën nga pikat thuhet se “në interes të procesimit më të shpejtë dhe më efektiv, palët, nën drejtimin e përgjithshëm të BE-së, do ta zbatojnë konceptin e IBM-it”. Por në njërën nga pikat e marrëveshjes, thuhet se çështja e grumbullimit të të hyrave doganore mbetet siç ka qenë deri më tani.
“Kjo marrëveshje nuk përfshin asnjë çështje të përgjithshme ose të veçantë që ka të bëjë me çështjet e të hyrave apo ato fiskale”, thuhet në marrëveshje.
Sido që të jetë, marrëveshja nuk përmban ndonjë kornizë kohore sa i përket fillimit të implementimit.
E-Diaspora
-
Kur gjendja dukej e pashpresë, mjekja gjermane shpëton vajzën nga Kosova Për shkak të diagnozës së saj me leukemi, një vajzë 14-vjeçare nga Kosova vjen në Gjermani...
-
Foto
Festa shqiptare në zemër të Cyrihut, sot është dita e dytë e Alba Festivalit
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?