Portrete të firmave

Si mund të blesh një apartament ose shtëpi, aktualisht, në Zvicër

Planifikoni të blini një apartament në Zvicër? Eksperti Petrit Vllasi jep detaje rreth mundësive të financimit dhe kamatave të hipotekave

Dëshira për të blerë një banesë apo shtëpi dhe për të hequr dorë nga banimi me qira, është pothuajse e pashmangshme për të gjithë. Por, ashtu sikur në çdo vend të botës, blerja e një patundshmërie, si shtëpia apo banesa, nuk është aq lehtë e përballueshme financiarisht, e kësisoj nuk mund të arrihet menjëherë kur ju vjen në mendje. Pra, duhet kohë si dhe informacion se si të arrini deri te realizimi i kësaj kërkese të nevojshme jetësore.

 

Petrit Vllasi – Financa AG

Informacionin për këtë po jua ofrojmë përmes pyetjeve që i bëmë Petrit Vllasit, ekspert i hipotekave. Ai do të përgjigjet se si duhet të blini një shtëpi apo banesë në Zvicër, cilat janë mundësitë e financimit, kamatat e hipotekave, se cili variant është më i mirë për tërheqjen e kapitalit apo shndërrimit të kapitalit në pension etj.

Albinfo.ch: Cilat janë përparësitë që ka financimi nga fondet e pensionit?
Petrit Vllasi: Tërheqja e fondit të pensionit për blerjen e një prone u jep mundësinë atyre që nuk posedojnë të gjithë 20%-shin e nevojshëm, të realizojnë ëndrrën për të blerë shtëpinë e tyre. Edhe për ata me një gjendje financiare më të fortë, ai mund të jetë një mjet tërheqës për të vënë në dispozicion rezerva shtesë likuide.

Albinfo.ch: Kur mund të shfrytëzohet shtylla e dytë pensionale?
Petrit Vllasi: Rregulli kryesor është që të paktën 10% e çmimit të blerjes duhet të jetë kapital likuid (kursimet ose shtylla e tretë), ndërsa pjesa e mbetur mund të vijë tërësisht nga fondi i pensioneve. Si rregull, ju mund të tërhiqni të gjithë shumën e kursyer deri në moshën 50 vjeç dhe gjysmën e shumës së kursyer nga mosha 50 vjeç e në vazhdim.

Albinfo.ch: Hipotekat e patundshmërive lëvizin, por edhe mund të fiksohen nga klienti apo?
Petrit Vllasi: Normat e hipotekave janë vazhdimisht të luhatshme. Aktualisht në rritje. Megjithatë, ekziston mundësia e fiksimit të normës së hipotekës deri në 15 vjet që jep mundësinë që të mos shqetësohet klienti për lëvizjen e normës deri në maturim.

Albinfo.ch: Për ata që tashmë kanë një hipotekë që skadon së shpejti, sa shpejt do të kenë mundësinë të rinovojnë hipoteken e re?

Petrit Vllasi: Mbajtësit e hipotekës zakonisht mund të fiksojnë normën e re në bankën e re deri në 18 muaj para përfundimit. Ky mund të jetë një veprim po aq i mençur, pasi siguron normën e re të interesit shumë përpara.

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Albinfo.ch: Si po sillen aktualisht kamatat hipotekare në Zvicër?
Petrit Vllasi: Normat e interesit janë aktualisht shumë të paqëndrueshme. Nga deklarata ime sot në nesër ajo tashmë mund të ndryshojë ndjeshëm. Për këtë arsye është e rëndësishme të lëvizni shpejt dhe të mos prisni më. Në dhjetor, një hipotekë fikse 10-vjeçare ishte rreth 0.8%. Ndërsa në prill u rrit deri në 2%.

Hipotekat afatshkurtra SARON, nga ana tjetër, kanë mbetur të pandryshuara ndërmjet 0.55% dhe 0.7%. Megjithatë, këto mund të ndryshojnë çdo 3 muaj, ndryshe nga hipoteka fikse e cila mbetet e pandryshuar për të gjithë kohëzgjatjen.

Albinfo.ch: Si funksionon amortizimi i hipotekës?
Petrit Vllasi: Llogaritja për amortizimin e hipotekës bëhet në momentin e blerjes së pronës ose rifinancimit të hipotekës që skadon. Rregulli thotë se 1/3 (33.33%) e çmimit të blerjes (ose vlerës së pronës) duhet të amortizohet brenda 15 viteve. Amortizimi mund të bëhet drejtpërdrejt (direkt), duke zbritur në mënyrë efektive borxhin. Ose indirekt, duke paguar pjesën e detyrueshme të amortizimit në një shtyllë të tretë (3. Säule)

Albinfo.ch: A janë ndikuar normat e interesit si rezultat i luftës në Ukrainë?
Petrit Vllasi: Lufta në Ukrainë ka bërë që çmimet e energjisë dhe mallrave të ndryshme të rriten edhe në Zvicër. Kjo ishte një nga arsyet kryesore të rritjes së inflacionit në territorin tonë, i cili në të njëjtën kohë pati pasoja të drejtpërdrejta në normat e interesit.

Albinfo.ch: Cila janë efektet direkte dhe indirekte të kësaj lufte në sektorin e hipotekave?
Petrit Vllasi: Mund të ndjejmë efektet e drejtpërdrejta në rritjen e ndjeshme të normave të interesit.
Ndërsa efektet indirekte, personalisht mendoj se do të ndikohen në afat të mesëm në çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe mundësisht në kushte të reja financimi që mund të ripërcaktohen nga FINMA (Ligji i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar).

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Albinfo.ch: Cilat janë disa nga rezultatet që do të mund të shihen më vonë në këtë sektor, si pasojë e zhvillimeve të mëdha në ekonomi që pasojnë nga lufta në Ukrainë?
Petrit Vllasi: Aktualisht, efektet anësore janë të vështira për t’u parashikuar. Gjithçka varet nga ajo se sa do të zgjasë kjo luftë dhe sa shpejt do të rikuperohen çmimet e energjisë, përkatësisht indeksi inflacionist. Tregu i hipotekave varet nga politika monetare që SNB vendos të ndërmarrë, e cila deri më sot është ende e pasigurt dhe e pacaktuar. Personalisht, mendoj se do të gjendemi ende në një situatë për disa javë në të cilën normat do të jenë shumë të paqëndrueshme dhe do të gjejmë stabilitet deri në fund të vitit 2022.

Si shfrytëzohet shtylla e dytë pensionale për blerje të shtëpisë

Rregulli kryesor është që të paktën 10% e çmimit të blerjes duhet të jetë kapital likuid (kursimet ose shtylla e tretë), ndërsa pjesa e mbetur mund të vijë tërësisht nga fondi i pensioneve. Si rregull, ju mund të tërhiqni të gjithë shumën e kursyer deri në moshën 50 vjeç dhe gjysmën e shumës së kursyer nga mosha 50 vjeç e në vazhdim.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI