Shqipëria

Aktivistja për mbrojtjen e kafshëve nga Zvicra angazhohet për qentë e rrugës në Shqipëri

"Dua të jap një shembull aktiv dhe pozitiv për dy vendet e mia", thotë Jenny Hasanaj Müller, themeluese e shoqatës “JETA Tier und Mensch”, në Lucern

Një ngjarje, në dukje të parë jospektakulare në Vlorë, Shqipëri, e shtyu zonjën Müller të angazhohej si vullnetare për mirëqenien e kafshëve të braktisura në Shqipëri. Diçka që filloi si një thirrje e brendshme dhe dashuri për kafshët, u shndërrua gradualisht në punë profesionale për një bashkëjetesë më progresive midis kafshëve dhe njerëzve, përkatësisht lindi shoqata për mbrojtjen e kafshëve, e krijuar nga zonja Müller: “JETA Tier und Mensch” (JETA, kafsha dhe njeriu).

Albinfo.ch: Zonja Müller, do të na tregoni më shumë se çfarë ju lidh me Shqipërinë dhe si ka ndikuar ajo në punën tuaj aktuale si aktiviste për mbrojtjen e kafshëve?

Jenny Hasanaj Müller: Emri im i plotë është Jenny Hasanaj Müller dhe kam lindur në Vlorë, në jug të Shqipërisë. Pas rënies së perdes së hekurt në Shqipëri, babai im emigroi me mua në Zvicër në vitin 1991. Sot jetoj me familjen time në Lucern dhe që nga viti 2015 qëndrimet e mia të pushimeve në Vlorë kanë përfshirë gjithnjë e më shumë aktivitete për mirëqenien e kafshëve dhe njerëzve në Shqipëri. Të afërmit e mi mbanin gjithmonë një qen në shtëpi, por një ditë ai u zhduk pa lënë gjurmë. Shkova në kërkim të shokut katërkëmbësh dhe takova strehën e kafshëve “Protect me Albania”, vullnetarët e kishin kapur qenin dhe kështu e shpëtuan nga fati i qenve tjerë të rrugës, në Vlorë.

Si një person që është i familjarizuar në gjuhën dhe kulturën zvicerane dhe në atë shqiptare, unë nuk kam i shikoj njëanshëm kushtet e vështira të strehimoreve të kafshëve në Shqipëri. E megjithatë bie në një lloj shoku kulturor kur krahasoj mjetet dhe mundësitë e strehimoreve të kafshëve në Shqipëri me ato në Zvicër. Megjithatë, ajo që më ka magjepsur në të njëjtën kohë te “Protect me Albania” ishte angazhimi vullnetar i stafit vendas. Me mjete minimale, pak ose aspak vlerësim nga shoqëria dhe politika, punonjësit angazhohen me gjithë zemër për çdo kafshë të braktisur.

Albinfo.ch: Si e keni balancuar pasionin tuaj të ri si aktiviste për të drejtat e kafshëve me jetën tuaj private?

Jenny Hasanaj Müller: Në fillim unë dhe bashkëshorti im mblidhnim donacione private për strehën “Protect me Albania” dhe në vitin 2016 themeluam JTM. Që atëherë kam ndërmjetësuar mes organizatave zvicerane për mbrojtjen e kafshëve si “StrayCoCo” dhe atyre në Shqipëri dhe Kosovë. Me kalimin e kohës, kam reduktuar ngarkesën time për tu fokusuar më shumë në çështjet e mirëqenies së kafshëve në Shqipëri. Ndërkohë kam hequr dorë plotësisht nga puna dhe këtë vit do të jem në udhëtimin tim të parë të projektit katërmujor me kohë të plotë në Shqipëri.

Albinfoch: A keni arritur të fitoni shumë anëtarë shqiptarë për shoqatën tuaj për mbrojtjen e kafshëve?

Jenny Hasanaj Müller: (Zonja Müller buzëqesh dhe tund kokën). Përveç meje, shoqata me qendër në Lucern ka vetëm anëtarë që flasin gjuhë të tjera. Skuadra përfshin pesë zviceranë, një gjermane dhe një italiane. Do të ishte shumë e dëshirueshme nëse mund të frymëzojmë edhe më shumë zvicerano-shqiptarë për vizionin dhe punën tonë. Në fakt ne krijojmë edhe vende pune, aktualisht punësojmë tre persona me kohë të plotë përmes shoqatës sonë JTM në Shqipëri. Nga përvoja më duhej të kuptoja se është një gjë të mbështesësh strehimoret e kafshëve në Shqipëri me një donacion të vetëm, por shpejt bëhet një çështje krejtësisht tjetër nëse merresh aktivisht dhe rregullisht me nevojat e kafshëve dhe përballesh institucionalisht apo në vendin e ngjarjes.

 

Albinfo.ch: Për cilën arritje të shoqatës tuaj jeni veçanërisht krenare?

Jenny Hasanaj Müller: Suksesi ynë më i madh ishte zbatimi i mbi 3000 kastrimeve mbi qentë e rrugës. Së bashku me veterinerë shkuam në 7 qytete të ndryshme rreth Vlorës. Nëse mund të kryhen 1000 kastrime në vit, në të ardhmen do të lindin mesatarisht 4000 këlyshë më pak dhe kështu do të shpëtohen nga fati i qenve të rrugës. Pavarësisht shumë telefonatave dhe emaileve pa përgjigje, ne jemi rregullisht në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare, të cilat ligjërisht janë të detyruara të kujdesen për uljen e numrit të endacakëve në rrugë. Përveç kësaj, gjithnjë e më shumë po kontaktohemi nga turistë të huaj që po pushojnë në Ballkan. Gjetja e këlyshëve në rrugë është shpesh një situatë që shkakton siklet ose shqetësim midis turistëve. Njerëzit ndodhen në dilema se si duhet të sillen me kafshët në rolin e turistit dhe nuk është aq e lehtë të gjesh një strehë për kafshët që mund t’i marrë kafshët. Qëllimi ynë i radhës është të vëmë në dukje gjithnjë e më shumë këtë pikë të dhimbshme në shoqërinë shqiptare dhe të zhvillojmë zgjidhje konstruktive dhe të sensibilizojmë të gjithë të përfshirët (shoqëri, politikë, etj.) ndaj këtij fenomeni.

 

Do të doja të shihja më shumë aktivitete për mbrojtjen e kafshëve në rajonin shqiptar, sepse kjo është e nevojshme për të gjithë, si për ministrinë, shërbimin shëndetësor, turizmin dhe madje është e rëndësishme për përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në BE. Jo vetëm që ndihmojmë kafshët dhe natyrën, por edhe e bëjmë më të sigurt për fëmijët rrugën për në shkollë.

Vizioni im në fakt është mjaft i thjeshtë, dua të jap një shembull aktiv dhe pozitiv për dy vendet e mia.

(Autor: Driter Gjukaj)


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI