E-Diaspora

Itali: Shqiptarët, më punëtorët nga të huajt

Shqiptarët janë grupimi më i madh i të punësuarve të huaj në Itali dhe këtë e thonë të dhënat

Shqiptarët në Itali përbëjnë komunitetin e dytë më të madh të emigrantëve jashtë vendit, pas atyre në Greqi.

Që pas dyndjes së parë, të vitit 1991, shifrat kanë ndryshuar. Shumë mite dhe imazhe të gabuara të krijuara gjatë atyre viteve, apo edhe më vonë, tashmë kanë rënë. Ndërkohë që janë krijuar imazhe, por edhe mite të reja. Pjesa dërrmuese ia kanë dalë që t`i thyejnë mitet e vjetra me punë, ndërsa pjesa tjetër, duke mos punuar kanë vulosur tabutë e mentalitetet e së shkuarës.

Ndër të tjera, shifrat tregojnë se shqiptarët në Itali, janë nga ata emigrantë që nuk e kthejnë kokën pas drejt vendlindjes së tyre. Ata po investohen maksimalisht në ndërtimin e një të ardhme tjetër, në një vend tjetër, me një mentalitet tjetër. Për të faktuar një pamje të re, apo edhe për të përligjur disa klishe, do të na hyjnë në punë shifrat e mëposhtme, të cilat janë pjesë e një raporti për të huajt në tregun e punës në Itali, të publikuar pak kohë më parë.

Rekordi numër një: punëtorët më të mëdhenj në Itali

Shqiptarët janë grupimi më i madh i të punësuarve të huaj në Itali dhe këtë e thonë të dhënat. Shqiptarët që punojnë në Itali janë 167.478, ose 15.2% të totalit të të huajve që punojnë në vend. Më pas ndjekin kinezët dhe marokenët. Pra, shqiptarët janë të parët në klasifikimin e ekstra komunitarëve. Kjo, pavarësisht faktit se shqiptarët nuk janë grupimi më i madh i emigrantëve në vend. Këtë pozicion e mbajnë qytetarët nga Maroku me 12.2%, ndërkohë që shqiptarët i ndjekin direkt më pas me 11.9%, transmeton ‘Scan’.

Pas shqiptarëve sa i përket numrit absolut të të punësuarve në vend e mbajnë emigrantët nga Maroku me 141 mijë të punësuar dhe më pas ata nga Kina me 106 mijë të punësuar, përcjell albinfo.ch.

Në këtë studim të zgjeruar nuk përfshihen rumunët, duke qenë se janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe përfitojnë nga një treg i unifikuar pune, si dhe lëvizja e lirë. Në Itali numërohen 441 mijë shqiptarë, sipas të dhënave që i referohen 1 Janarit të vitit 2018. Kjo do të thotë se, 53.8% e shqiptarëve që jetojnë në Itali, të moshës 15 deri 64 vjeç janë në marrëdhënie pune. Duke pasur parasysh këtu edhe normën e lartë të informalitetit, sidomos për të huajt e sidomos në sektorët ku shqiptarët janë të punësuar masivisht, shkalla e punësimit mund të jetë edhe më e lartë.

Papunësi rekord, dy herë sa mesatarja kombëtare

Por, nga ana tjetër, norma e papunësisë ndër shqiptarët e Italisë fiksohet në 17.5%, relativisht e lartë në krahasim me mesataren kombëtare, që është 9.7%. Pra thuajse dy herë më e lartë. Shqiptarët kanë normën e katër më të lartë të papunësisë mes të huajve në Itali. Pra, ndërkohë që shqiptarët janë ata që punojnë më shumë mes të huajve në Itali, janë edhe ata që vuajnë ndër normat më të larta të papunësisë. Kjo do të thotë se, shqiptarët janë pa diskutim më aktivët në tregun e punës.

Pra, shqiptarët nuk janë vetëm punëtorët më të dalluar, në drejtim të vëllimit të punës, por edhe punëkërkuesit më të mëdhenj. Te femrat shqiptare që jetojnë në Itali, norma e papunësisë ngjitet në 24%, çka i jep edhe më shumë ngjyrime problemit. Gjithsesi, kjo është edhe rrjedhojë e një mentaliteti ende “shqiptar”, pra me femrat që janë të mësuara të rrinë në shtëpi duke u marrë me rritjen e fëmijëve. Kjo faktohet shumë mirë nga normat e lartë e inaktivitetit në tregun e punës.

Më shumë se gjysma e tyre nuk janë fare aktive në këtë treg, çka do të thotë se as punojnë e as nuk kërkojnë punë. Kjo normë fiksohet në 54% për shqiptaret që jetojnë në Itali. Te meshkujt, ndërkohë, kjo normë fiksohet në 20%. Por, nga ana tjetër, papunësia e lartë te femrat shqiptare në Itali, ku thuajse 1/4 e punëkërkueseve nuk e gjen atë, është rrjedhojë edhe e mungesës së edukimit dhe trajnimeve. Një pjesë e madhe e tyre kanë kryer tradicionalisht punë që lidhen me mirëmbajtjen e shtëpisë apo personit. Por, me krizën ekonomike që ka kaluar Italia, nga e cila ende nuk e ka marrë veten, oferta për këto lloj punësh ka rënë ndjeshëm. Kjo është reflektuar drejtpërdrejt në punësimin e shqiptareve.

Ku punojnë shqiptarët në Itali?

Të dhënat i takojnë fundit të vitit 2017 dhe tregojnë fakte mjaft interesante edhe për sektorë të caktuar. Rreth 41 mijë shqiptarë janë sipërmarrës të kategorive të ndryshme në Itali. Ndërsa në total nga 167 mijë të punësuarit shqiptarë në Itali ndahen kështu: 30% e tyre ose 48 mijë në sektorin bujqësor, 16% ose 26 mijë në sektorin e ndërtimit, 11 mijë ose 7% në industri, 4.5% ose 7000 në sektorin e tregtisë dhe riparimeve, ndërsa 43.4% ose 72 mijë në sektorin e shërbimeve, që në pjesën dërrmuese përfshijnë bare dhe restorante.

Gjithsesi, në drejtim të shpërndarjes, shqiptarët kanë më shumë barazi, çka do të thotë se, ndryshe nga popujt e tjerë që jetojnë në Itali, janë më pak të përfaqësuar nga një sektor apo zanat i caktuar, siç mund të ndodhë me popullsitë e tjera. Të paktën në tregun e punës, shqiptarët duket se nuk vuajnë nga steriotipet, aq sa mund të vuajnë emigrantët e tjerë. Por, duhet nënvizuar fakti se, në disa prej sektorëve, shqiptarët janë të parët. Për shembull, 25% e të gjithë artizanëve të huaj në Itali janë shqiptarë.

Në bujqësi janë të tretët në listë dhe në ndërtim të dytët. Sa i përket komunave, ndërkohë, të dhënat e raportit të publikuar për të huajt në tregun e punës në Itali tregojnë se, në vend të parë qëndron Komuna e Milanos me rreth 9000 shqiptarë të punësuar, më pas ndjekin komuna e Romës, Firenzes, Riminit dhe Genovas. Shqiptarët janë ndër popujt që njohin një shpërndaje disi homogjene në territorin e Italisë, ku ndryshe nga popullsi të tjera, nuk kanë pasur tendencën të përqendrohen në rajone apo qytete të caktuara.