Integrimi

Shqiptarët, larg nga kreu i ranglistës së të dënuarve në Zvicër

“Ajo që është dukur si klishe, në të vërtetë është realitet”, Rumunët janë në krye të kësaj liste të palavdishme. Në vitin 2014 në Zvicër ishin regjistruar mbi 1800 shtetas rumunë të dënuar

Shqiptarët nuk janë të parët në ranglistën e të huajve që kanë bërë krime ose që janë dënuar në Zvicër. Lajmi i mirë është ky. Pra, as për nga “kualiteti”, lexo: pesha e delikteve të kryera dhe as për nga “kuantiteti”: numri absolut i tyre, të huajt me etni shqiptare nga Ballkani nuk zënë vendin e parë.

Zyra Federale e Statistikave (BFS) për herë të parë ka përpiluar një ranglistë që pasqyron numrin e të huajve të inkriminuar, radhitjen e tyre dhe krahasimin me shtetasit zviceranë sa i përket numrit të delikteve. Megjithatë, as kësaj here nuk janë përmbledhur shifrat për të gjitha nacionalitetet veç e veç, por sipas rastit, herë me grupe kombesh, me bazë regjionale e herë sipas kombësisë, shkruan albinfo.ch, duke iu referuar BFS-së. Kështu, në një kategori të përbashkët janë futur “Ish Jugosllavia dhe Shqipëria”!

“Ajo që është dukur si klishe, në të vërtetë është realitet”, shhkruajnë mediat zvicerane: rumunët janë në krye të kësaj liste të palavdishme. Në mesin e të huajve që jetojnë këtu prej një kohe të shkurtë ose që në Zvicër kanë ardhur si “turistë kriminalë”, në vitin 2014 ishin mbi 1800 shtetas rumunë të dënuar për delikte të ndryshme dhe me këtë arsye kryesonin listën, transmeton albinfo.ch. Kjo shifër është më e madhe se ajo e të dënuarve nga të gjitha shtetet e Afrikës Veriore të marra së bashku!

Sipas shifrave absolute (jo për kokë banori!) pas rumunëve vijnë francezët. Një pjesë e mirë e tyre mendohet të jenë afrikanoveriorë (arabë) të natyralizuar në francezë. Pas tyre vijnë afrikanët e perëndimit.

BFS ka bërë edhe vlerësimin e të dënuarve të grupeve të mëdha të huaja që janë të pranishme prej një kohe të gjatë në Zvicër, pra të huajt me vizë B ose C, në raport me numrin e tyre.

Numri i të dënuarve nga kjo kategori në krahasim me atë të shtetasve zviceranë është dukshëm më i madh. Kështu, nga 1000 zviceranë, meshkuj – pasi që meshkujt dënohen pakrahasimisht më shpesh se femrat – të moshave më aktive pra 18-29 vjeçare, në vitin 2014 janë dënuar gjithsej afër 10 persona. Te kategoria e njëjtë e shtetasve nga vendet e ish Jugosllavisë ishin 25 të dënuar, që është dukshëm më shumë. Por ata (të rinjtë nga Ballkani) nuk janë as afërisht në krye të listës. Kështu, te brazilianët ky raport është 36 në 1000 ndërsa te afrikanët e veriut (arabët magrebienë) madje 84!

Të huajt nga ish Jugosllavia dhe nga Shqipëria, me 2060 të dënuar përbëjnë grupin më të madh në mesin e delikuentëve të huaj me vizën B ose C. Mirëpo, kur të llogaritet proporcionalisht me numrin e këtij grupimi në popullatën e këtushme, atëherë, me 9 promila, ballkanasit janë rreth mesatares, pra assesi në krye të listës.

Personen aus Ex-Jugoslawien und Albanien stellten 2014 mit 2060 Verurteilten die grösste Gruppe unter den Straftätern mit B- oder C-Ausweis. Bei der Verurteilungsrate lagen sie mit rund 9 Promille aber nur im Mittelfeld.

Nga ana tjetër të rinjtë nga SHBA ose nga Britania e Madhe janë pesë herë më pak të përfaqësuar në listën e dënimeve se sa vetë zviceranët!

Lajmi tjetër i mirë është se të rinjtë me prejardhje të huaj, me vizë B ose C janë në rrugë të mbarë të integrimit. Numri i të dënuarve nga kjo kategori në dhjetë vitet e fundit ka rënë për 40 për qind.