CH-Ballkani
Shqipëria përgatitet për martesën historike
Nipi i Mbretit Zog, Princ Leka do të martohet në Tiranë më 8 tetor në dasmën e dytë mbretërore të shtetit, një ceremoni që organizatorët kanë premtuar që do të jetë e mbushur me madhështi mbretërore
Princ Leka, nipi i Mbretit Zog, do të martohet këtë fundjavë në Tiranë në dasmën e dytë mbretërore të Shqipërisë, që monarkistët shpresojnë do të ringjallë trashëgiminë e monarkisë shqiptare, shkruan ‘balkaninsight.com’.
Më 27 prill 1938, Shqipëria organizoi dasmën e parë mbretërore, kur Mbreti Zog u martua me aristokraten hungareze Geraldine Apponyi de Nagy-Appony. Dasma, e mbajtur në Tiranë, ishte ngjarja më glamuroze që kishte parë ndonjëherë vendi, dhjetëra mijëra shqiptarë festuan në rrugë dhe shumë gazetarë të huaj nga çdo kontinent erdhën të raportojnë për dasmën. I dërguari i Musolinit ishte dëshmitar dhe Hitleri i dhuroi çiftit një Mercedes si dhuratë martese, përcjell albinfo.ch.
Një vit më vonë në prill 1939, kur forcat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, Mbreti Zog dhe familja e tij lanë vendin dhe jetuan për dekada në azil. Tani, 78 vite më vonë, nipi i Mbretit Zog, Princ Leka do të martohet në Tiranë më 8 tetor në dasmën e dytë mbretërore të shtetit, një ceremoni që organizatorët kanë premtuar që do të jetë e mbushur me madhështi mbretërore.
Princ Leka erdhi në Shqipëri më 2002 pasi që kaloi fëmijërinë e tij në azil në Afrikën Jugore, dhe më pas punoi në pozita këshilluese në ministrinë e jashtme dhe presidencën shqiptare.
Në dy vitet e fundit, ai ka menaxhuar pronat e familjes së tij dhe fondacionin e Mbretëreshës Geraldine, që mbështet familjet e varfra, jetimët dhe fëmijët në nevojë. Ai do të martohet me të fejuarën e tij, aktoren shqiptare Elia Zaharia, përgatitjet për dasmën filluan muaj më parë dhe një uebfaqe ka ushqyer me detajet më të fundit të ngjarjes ata që janë të interesuar.
Organizatorët kanë premtuar që përfaqësues të rreth 20 familjeve mbretërore nga e gjithë bota do të vizitojnë Shqipërinë për dasmën, por emrat e tyre po mbahen të fshehura për arsye sigurie.
Mbreti Zog lindi si Ahmet Muhtar Zogolli në fshatin Burgajet, afër Burrelit në Shqipërinë veriore më 8 tetor 1895. Ai më vonë ndryshoi mbiemrin e tij në Zogu.
Në moshë të hershme, ai shfaqi veten si një politikan të shkathët, kur në 1922 ai u zgjodh kryeministër. Nga 1924 deri në 1928 ai shërbeu si president i vendit, dhe në 1928 e shpalli veten mbret.
Ai ishte mbret deri në prill 1939, pastaj jetoi në azil deri në vdekjen e tij në Paris më 9 prill, 1961.
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Mannheim synon të rekrutojë profesionistë nga Kosova për çerdhet dhe kopshtet Gjashtë profesionistë të edukimit nga Kosova pritet të rekrutohen për të punuar në qendrat e kujdesit... -
Ambasada e Shqipërisë shpërndan libra për nxënësit shqiptarë në Zvicër -
U promovua në Graz libri i Zef Mazit “Kosova: Lufta e heshtur” -
Lozana kuqezi: Shqiptarët protestojnë me thirrjen « Drejtësi, jo politikë» -
“Bukë, kripë e zemër”: Ambasadori Hiseni merr pjesë në “Javën Shqiptare” në Paris
Jeta në Austri
-
Sonte ndeshja Kosovë – Austri, “Dardanët” synojnë tri pikët në “Fadil Vokrri” Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë sonte Kosova përballet me Austrinë, ndeshje në të cilën synon... -
U promovua në Graz libri i Zef Mazit “Kosova: Lufta e heshtur” -
Kosova synon fitore ndaj Austrisë -
Rangnick kritikon gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”: Është më shumë arë se fushë -
Wiener Linien do të rrisë çmimet përsëri në 2027








