Muzikë

Shoqata “Sharri” në St. Gallen, vatër e kultivimit të kulturës kombëtare

Anëtarët e Shoqatës "Sharri" bënë një rrugë triorëshe në një drejtim për të qenë bashkë me bashkatdhetarët e kantonit Ticino në një manifestim shkollor

Anëtarët e shoqatës “Sharri” nga St. Gallen-i i Zvicrës, pas një prezantimi të mrekullueshëm në manifestimin kombëtar në Lugano 

Shqiptarët në Zvicër dallohen për angazhimin e tyre ndër vite në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Të shumtë janë për nga numri mërgimtarët shqiptarë, të cilët në vazhdimësi kanë vepruar dhe veprojnë me të vetmin qëllim të mbrojnë identitetin kombëtar, duke u bërë ndër shembujt më të mirë të organizimeve në mërgatën shqiptare. Veprimtarë, të cilët në bashkëpunim me mërgimtarët e tjerë kanë krijuar shoqata apo klube shqiptare, në gjirin e të cilave janë zhvilluar aktivitete kombëtare, manifestime kushtuar datave historike, takime dhe angazhime të ndryshme, duke përfshirë edhe të rinjtë shqiptarë, të cilët përfaqësojnë gjeneratën e dytë apo të tretë të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Qëllimi i përbashkët ka qenë dhe mbetet si ta ruajnë identitetin kombëtar, i cili në fakt është edhe obligim yni moral dhe kombëtar, pa marrë parasysh vendin ku jetojnë dhe veprojnë.

Gjuha, kënga dhe kultura kombëtare trashëgohen gjeneratë pas gjenerate. Një pikë muzikore në kuadër të programit të shoqatës, kënduar nga Leonita Tahiraj

Në mesin e shumë shoqatave kulturore në Zvicër, dallohet shoqata “Sharri nga St. Galleni, e cila është themeluar më 17 nëntor 2008, në Romanshorn të kantonit të Turgau-t. Përpjekjet e para ishin shumë të vështira, por me kalimin e kohës dhe me angazhimin e dhjetëra veprimtarëve, valltarëve dhe anëtarëve të saj, shoqata filloi të “rritë shtat”. Dhe sot pas gjashtëmbëdhjetë vjet jete dhe pune e përkushtimi të vazhdueshëm në ruajtjen e kulturës kombëtare, shoqata dallohet me programet e saj artistike, me angazhimin e veçantë të më se 80 valltarëve nën përkujdesjen artistike të koreografit Kreshnik Sadikaj, i cili në kuadër të shoqatës ka sjellë jo vetëm përkushtim, por edhe profesionalizëm. Janë të veçuara grupet e valltarëve në bazë të moshave dhe aftësive të tyre për ta zotëruar vallen e bukur shqipe.

Kreshnik Sadikaj, përveç që ka sjellë koreografi të reja, strukturë të re përmbajtjesore të programeve të shoqatës, ai me punën e tij dhe në bashkëpunim me kryesinë  e shoqatës ka sjellë një punë dhe përkushtim të veçantë, rezultat i së cilës janë edhe sukseset e shoqatës.

Përkushtimin e tij profesional e ndihmojnë edhe dy asistentet e shoqatës, Aulona Memedi dhe Rabie Aliu, të cilat japin një kontribut të çmuar në kuadër të organizimeve të shumta të shoqatës.  Vlen të përmendet se e gjithë kjo punë në realizimin e  detyrave të shoqatës nuk do të realizohej pa angazhimin e gjithë kryesisë, veçmas një grupi veprimtarësh, si ish-kryetari Nagip Mehmedi, kryetari i posazgjedhur Fatmir Qazimi, aktivisti dhe përgjegjësi për organizime kulturore, Zekirja Aliu  etj.

Tani më të rinjtë shqiptarë të këtij rajoni kanë një derë të hapur në çdo kohë, në adresën  “Im Lee 1551, në Waldkirch”, të St.Gallen-it, ku edhe është selia e shoqatës, dhe mund të drejtohen në çdo kohë, të bëhen pjesë e shoqatës, të behën pjesë e përpjekjeve të mërgimtarëve shqiptarë, të cilët kanë për qëllim që vetë, por edhe fëmijët e tyre që rriten larg atdheut ta ruajnë identitetin kombëtar. Gjatë vitit shoqata prezanton me dhjetëra programe artistike në mbarë Zvicrën, siç dhe ky rast ku ftesës së “Shkollës Shqipe” në Lugano të Zvicrës iu përgjigjen pozitivisht dhe bënë një rrugë triorëshe në një drejtim për të qenë bashkë me bashkatdhetarët e kantonit Ticino në manifestimin shkollor.

Shkuarja e tyre ishte organizuar me autobus, duke marrë me vete numrin më të madh të valltarëve dhe duke dhënë një program mirë të organizuar.  Ishin tepër emocionuese fjalët e disa veprimtarëve në Lugano, të cilët të entuziazmuar nga programi shkollor dhe kulturor i shoqatës, thanë se “moti kohë Lugano nuk ka kënduar me kaq zemër shqip”.

Dhe, pas manifestimit, të rinj dhe të reja, anëtarë të shoqatës “Sharri”, nisen në rrugën e kthimit (më se triorëshe) për në banesat e tyre, pas një dite të lodhshme, por të lumtur dhe të gëzuar, sepse në këtë mënyrë i shërbejnë identitetit kombëtar.