SHBA-ja e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Kosovë

Është e pamundur të flitet për kontinentin evropian si një njësi e tërë, e lirë, demokratike dhe në paqe, pa zgjidhur sfidat me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet parë edhe politika amerikane ndaj këtij rajoni, ka deklaruar, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker.

Reeker ka theksuar se Shtetet e Bashkuara ndajnë me Bashkimin Evropian një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e rajonit është në radhët e BE-së.

“Ky është angazhimi i Shteteve të Bashkuara, qoftë për Serbinë, Kosovën, Bosnjën apo vende të tjera: synimi është të forcojmë paqen, të forcojmë demokracinë dhe stabilitetin. Këtë po e realizojmë me partnerët tanë evropianë”,a ka thënë ai.

Për arritjen e kësaj perspektive, zyrtari amerikan thekson se rruga e vetme mbeten reformat dhe dialogu.

Ai ka deklaruar se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, paraqesin shqetësim të përbashkët të të gjithë anëtarëve të NATO-s.

“Ritheksoj se përdorimi i dhunës kundër KFOR-it është krejtësisht i papranueshëm. Ne dënojmë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it”, ka theksuar Reeker.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit përshëndeti deklaratën e Presidentit të Serbisë Boris Tadiq, që bëri thirrje për largimin e barrikadave në kufirin e Kosovës me Serbinë, raporton Zëri i Amerikës .

Reeker e ka vlerësuar pozitivisht qëndrimin e deritashëm të Prishtinës, por u bëri thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë të bëjnë më shumë për të integruar pakicën serbe.