Sport

Shaqiri: Jam i preokupuar me kombëtaren kosovare

"Është e qartë se jam i preokupuar me këtë temë. Por, unë luaj për Zvicrën dhe ndjehem shumë mirë në kombëtaren zvicerane"

Në një intervistë të zgjeruar që ka dhënë për gazetën “Berner Zeitung”, Xherdan Shaqiri, veç tjerash është shprehur edhe rreth mundësisë së angazhimit të tij në një të ardhme, në skuadrën nacionale të Kosovës.

“Kosova ka një rrugë të gjatë para saj deri sa të ketë kombëtaren e futbollit. Unë shpresoj që kjo të ndodhë, për këtë arsye edhe kam nënshkruar që Kosova së shpejti të mund të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore. Është e qartë se unë jam i preokupuar me këtë temë. Por, unë luaj për Zvicrën dhe ndjehem shumë mirë në kombëtaren zvicerane.

Ndërkaq, rrënjët e mia janë në Kosovë dhe ato nuk do t`i harroj kurrë”, i është përgjigjur Shaqiri shqete¨simit të zviceranëve për mundësinë e kalimit të tij, në një të ardhme, në kombëtaren kosovare.

Ai thotë se, kur gjendet në Kosovë, atje shkaktohet një eksitim i madh.

“Njerëzit më duan. Ata janë jashtëzakonisht krenarë se njëri nga ata luan për Bajernin e Munihut. Kur isha herën e undit, verën e kaluar, më është dashur të fshihem. Me syze dielli, me kapele etj. vetëm në aeroplan më njohën”, thotë, veç tjerash, xhuxhi magjik për “Berner Zeitung”.