Kosova

Serbia paralajmëron ngritjen e çështjes së Asociacionit sërish në Bruksel

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, në një takim me ambasadorin norvegjez në Serbi, Jern Eugen Jelstad ka thënë se gjatë bisedimeve të ardhshme në Bruksel, Beogradi përsëri do ta ngrisë çështjen e marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Zbatimi i detyrimeve të ndërmarra është një parakusht që bisedimet të zhvillohen me mirëbesim dhe refuzimi i Prishtinës për të mundësuar formimin e Asociacionit e ndal dialogun dhe zvogëlon shanset për përparim në vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai, raporton Tanjug.

Të enjten në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në nivel ekspertësh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Tema të takimit pritet të jenë çështja financiare dhe ajo e pronës.