Kosova

Sa shpenzojnë komunat në Kosovë për zbukurimet e fundvitit?

Peja pa asnjë cent, shpresat i mban te kompanitë private. Në prag të festave të fundvitit, përveç shtëpive dhe ambienteve private, po zbukurohen edhe qytetet e Kosovës.

Por, sa është buxheti që kanë ndarë shtatë komunat më të mëdha të Kosovës për sheshe e rrugë festive, me drita e zbukurime.

Cilat janë kompanitë kontraktuese dhe si arsyetohen këto mjete buxhetore të dedikuara vetëm për hijeshinë e qyteteve?!

Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Ferizaj, Gjilani dhe Gjakova janë komunat të cilat sivjet do të investojnë mijëra euro për pritjen e festave me drita shumëngjyrshe e zbukurime të tjera, përveç Pejës, e cila nuk do të shpenzojë asnjë cent!

Portali rtv21.tv ka siguruar shifra se sa është ndarja e buxhetit për zbukurimet e fundvitit për secilën komunë. Komuna e Prishtinës sivjet do të shpenzojë rreth 63 mijë euro për zbukurimin e qytetit.

Kjo shumë vjen nga kontrata kornizë në vlerë prej 190 mijë eurosh për 36 muaj (3 vjet). Në kontratën kornizë të Komunës së Prishtinës bëhet e ditur se ky buxhet është +/-30% me devijim të lejuar.

Kryeqyteti për kontratën kornizë sivjet ka nënshkruar kontratë me ndërmarrjen private “Anea”. Në kontratë përfshihen edhe detajet e zbukurimeve duke i arsyetuar mjetet e dedikuara.

Atu përcaktohet edhe gjatësia e bredhit që duhet të jetë deri në 10 metra, ngjyrat e dritave dekoruese janë përcaktuar të kuqe dhe të bardha, si dhe është përcaktuar edhe mirëmbajtja e këtyre dekorimeve, përcjellë albinfo.ch.

Mitrovica ndriçohet me 2 mijë euro

Komuna e Mitrovicës deri më tani nuk ka kontraktuar asnjë kompani për stolisjen e qytetit. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka theksuar se dekorimi i sheshit për festat e fundvitit do të bëhet në bashkëpunim me bizneset dhe OJQ-të. Për dekorimin e qytetit maksimalisht mund të ndahet jo më shumë se 2 mijë euro.

“Nëse vendosin t’i mbështesin, shuma maksimale mund të arrijë deri në 2000 euro”, ka konfirmuar Peci.

Prizreni si vjet, edhe sivjet

Komuna e Prizrenit sivjet, sikur viteve të kaluara ka ndarë shumën e njëjtë për projektin e dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari  ka thënë se Komuna e Prizrenit sivjet ka ndarë buxhet prej 30 mijë euro.

Sipas Dorambarit ende nuk janë zhvilluar procedurat tenderuese. Komuna e Prizrenit deri më tani nuk ka kotraktuar asnjë kompani për zbukurimin e qytetit. “Sipas praktikave të viteve të kaluara, koha e ndarë për realizimin e projektit ka qenë 15 ditë.

Mirëpo këtë kohë e përcakton Njësia Kërkuese dhe Menaxheri i Kontratës para publikimit të thirrjes, pas analizimit të punimeve që do të realizohen”, ka thënë ai.

Megjithatë, Komuna e Prizrenit edhe pse me 30 mijë euro buxhet për drita e zbukurime ende nuk kanë një plan konkret. Sipas zëdhënësit të komunës projekti nuk është dorëzuar akoma nga kompania projektuese. Buxheti i ndarë nga Komuna e Prizrenit edhe në vitin 2018 ka qenë po ashtu 30 mijë euro.

Ferizaj me më pak para

Sikur Prishtina edhe Komuna e Ferizajt për stolisjen e qytetit ka hartuar një Kontratë Publike Kornizë për 36 muaj. Sipas kontratës shuma e kontraktuar është 34 mijë e 224 euro.

Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun nga Komuna e Ferizajt, Albion Sherifi për portalin rtv21.tv ka thënë se kosto e shpenzim për projektin e dekorimit të qytetit të Ferizajt për sivjet është afro 12 mijë euro, sipas tij kosto kjo jashtëzakonisht e ulët krahasuar me vitet pararendëse. Fituesi i tenderit për zbukurimin e Ferizajt është OE “N.Sh. Besa”. Sherifi ka njoftuar se periudha kur do të finalizohet dekorimi i qytetit për festat e fundvitit është 5-10 dhjetor.

Gjakova, 5 mijë euro më pak

Për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit, Komuna e Gjakovës ka paraparë të ndajë buxhet në vlerë prej 14 mijë eurosh, pesë mijë euro më pak se në vitin 2018.

Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se me këto mjete është planifikuar të zbukurohet “ Tregu i Vitit të Ri” si dhe zbukurime të ndryshme në qytet. Sipas Halilajt operatorët ekonomikë kishin të drejtë të ofertojnë deri më 14.11.2019.

Pas kësaj date, pasojnë procedurat e tjera deri në përzgjedhjen e operatorit për stolisjen e qyteti. Gjakova vitin e kaluar ka shpenzuar 19 mijë euro.

Peja nuk ndanë buxhet

Për dallim nga komunat e tjera, Peja as sivjet nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit. Drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, ka arsyetuar mosndarjen e buxhetit për dekorimin e qytetit.

“Komuna e Pejës nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit, po ashtu nuk ka ndarë as vitin e kaluar edhe qyteti ka qenë i dekoruar prej kompanive private të qytetit të Pejës, arsyeja pse s’kemi nda buxhet është se në sheshin kryesor janë duke u zhvillur punime në infrastrukturë”, ka thënë Abazaj. Ai theksoi se edhe sivjet ka gjasa që kompanitë private do ta stolisin pjesën e Parkut “Ibrahim Rugova” që është afër qendrës.

Gjilani në “terr”

Se sa është buxheti i Komunës së Gjilanit për projektin e dekorimeve për festat e fundvitit dhe si do të dekorohet ky qytet nuk dihet, pasi që asnjë nga zyrtarët e Komunës që janë kontaktuar nga portali rtv21.tv nuk janë përgjigjur.