Lajme
Rritet çmimi i vezëve
Virusi vdekjeprurës dhe lufta në Ukrainë janë sfidat më të fundit me të cilat po përballen furnitorët e vezëve, të cilët po ndikohen gjithashtu edhe nga mungesa e fuqisë punëtore
Shpërthimet e rënda të gripit të shpendëve në Shtetet e Bashkuara dhe në Francë po vështirësojnë furnizimet globale me vezë dhe po rrisin çmimet për këtë ushqim bazë, ndërsa lufta në Ukrainë ka bllokuar dërgesat për në Europë dhe në Lindjen e Mesme.
Çmimet e larta të vezëve po dëmtojnë më shumë konsumatorët që mbështeten te vezët si një burim me kosto të ulët për proteinat dhe që i përdorin ato si zëvendësuese për mishin, i cili është më i shtrenjtë.
Kërkesa për vezë është rritur akoma më shumë në prag të festave të Pashkëve në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, pasi familjet i përdorin ato për vezët tradicionale të Pashkëve.
Gripi i shpendëve ka zhdukur më shumë se 19 milionë pula në fermat komerciale të SHBA-së këtë vit, në atë që po duket si shpërthimi më i rëndë i gripit të shpendëve që nga viti 2015. Kështu, rreth 6% e pulave në SHBA janë asgjësuar, sipas llogaritjeve të Reuters, nga të dhënat e qeverisë federale dhe të atyre lokale. Ndërkohë, Franca po përballet me shpërthimin më të keq të këtij gripi në historinë e saj, ku janë asgjësuar rreth 8% e pulave që bëjnë vezë.
Kur shpendët infektohen, tufat e pulave asgjësohen për të frenuar përhapjen e sëmundjes, e cila shpesh përhapet nga zogjtë e egër.
Virusi vdekjeprurës dhe lufta në Ukrainë janë sfidat më të fundit me të cilat po përballen furnitorët e vezëve, të cilët po ndikohen gjithashtu edhe nga mungesa e fuqisë punëtore dhe nga kostot e larta të energjisë dhe të drithit që përdoret si ushqim për kafshët.
Çmimet më të larta të vezëve kanë pakësuar fitimet për furrat e bukës dhe për kompanitë e ushqimeve, të cilat tashmë duhet të përballen me kostot e shtuara të miellit dhe të mallrave të tjera. Sipas agjencisë së ushqimit të OKB-së, ҫmimet e ushqimeve në rang botëror u rritën me gati 13% në muajin mars, duke arritur një rekord të ri, pasi lufta në Ukrainë, një vend i rëndësishëm për eksportet e grurit dhe të misrit, rriti çmimet e grurit.
Çmimet e vezëve do të vazhdojnë të jenë në nivele të larta, thanë prodhuesit, pasi do të duhen disa muaj për të rifilluar operacionet në fermat e infektuara. Infektimet po pengojnë gjithashtu punën në objektet që përpunojnë vezët për të prodhuar produkte të tilla si vezët e thara dhe vezët e lëngshme që përdoren në artikuj të ndryshëm ushqimorë.
“Industria ndodhet në një panik total”, tha Marcus Rust, shefi ekzekutiv i Rose Acre Farms, prodhuesi i dytë më i madh i vezëve në SHBA. Kjo kompani humbi rreth 1.5 milionë pula në një fermë në Iowa, për shkak të infektimeve nga gripi i shpendëve, i cili gjithashtu nxori jashtë përdorimi edhe një fabrikë përpunimi, tha ai.
‘Të gjithë kanë mungesa’
Iowa, shteti më i madh për prodhimin e vezëve në SHBA, është goditur rëndë nga asgjësimi i dy tufave, që përmbanin më shumë se 5 milionë pula secila. Të mërkurën, Nebraska tha se do të asgjësohej një tufë prej më shumë se 1.7 milionë pulash. Përmasat e operacioneve të tilla te shpendët kanë rritur ndikimin në industrinë ushqimore të SHBA-së, krahasuar me atë të Europës, ku fermat janë përgjithësisht më të vogla.
Çmimet me shumicë për vezët e mëdha në Midwest të SHBA arritën në 3 dollarë për duzinë në muajin mars, duke shënuar ҫmimin e dytë më të lartë në histori, gati 200% më shumë se një vit më parë në tregun spot, sipas firmës së të dhënave Urner Barry. Çmimet mbetën nën rekordin prej 3,09 dollarë për duzinë, i cili u vendos në fillim të pandemisë COVID-19.
Në Francë, çmimet me shumicë të vezëve janë rritur me 69% nga viti i kaluar, tha zyra franceze e fermave FranceAgriMer. Si rezultat i kësaj, konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta edhe për produktet ushqimore që përgatiten me vezë.
“Kur prodhon majonezë, ҫmimi i saj do të ndikohet nëse rriten çmimet e vezëve”, tha Jean-Philippe Puig, shefi ekzekutiv i grupit francez agro-ushqimor Avril, i cili zotëron prodhuesin e salcave Lesieur. “Duhet të shkosh te supermarketet dhe t’i bindësh ata që të pranojnë një rritje çmimi.”
Në vitin 2015, pas shpërthimit më të rëndë në histori të gripit të shpendëve, Shtetet e Bashkuara rritën importet e vezëve nga vende të tilla si Franca, Italia dhe Spanja, për të rritur sasinë e furnizimeve, sipas të dhënave të qeverisë amerikane. Tashmë, importet janë një opsion më pak i zbatueshëm, për shkak të shpërthimeve të gripit edhe në Europë, thanë analistët.
“Kjo po kthehet më tepër në një çështje globale për shkak të mungesës së përgjithshme për vezë”, tha Karyn Rispoli, gazetare e tregut të vezëve Urner Barry. “Fatkeqësisht, tani të gjithëve po u mungon furnizimi”./ Reuters
E-Diaspora
-
Rama njofton për programin e veçantë për emigrantët që duan të investojnë në Shqipëri Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi sot për një program të veçantë për të gjithë emigrantët...
-
400 mijë të regjistruar përmes platformës e-diaspora
-
Bizneset ekspozojnë produktet e tyre në “Panairi Lugina” në Zvicër
-
Arbëreshët, kjo rrënjë e fortë e Atdheut!
-
Shqiptari shpallet studenti më i mirë i policisë së Nju-Jorkut për 2024-ën
Jeta në Austri
-
Kandidati për eurodeputet, Lukas Mandl vizitoi meshën shqipe në Vjenë Lukas Mandl falënderoi komunitetin shqiptarë në Austri që po e mbështesin gjatë këtij rrugëtimi në ...
-
Bildungskarenz: Çfarë duhet të dini për marrjen e fondeve shtetërore austriake për arsimim të mëtejshëm?
-
Muttertag: Si e feston Austria Ditën e Nënës?
-
Çfarë duhet të dini për supermarketet në Austri?
-
Çfarë lejohet të bëjnë fëmijët vetëm sipas ligjit austriak?