Lajme
Rënia e vaksinimit në SHBA po ndikon negativisht në pjesën tjetër të botës
Administrata Trump është aktive në sektorin e shëndetësisë: me skeptikun e njohur të vaksinave Robert F. Kennedy Jr. në krye të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, kriza e besimit është e thellë dhe ka pasoja globale.
Të gjithë ekspertët e pavarur që këshillonin qeverinë amerikane për politikat e vaksinave janë larguar nga detyra me vendimin e Kennedy Jr. dhe janë zëvendësuar nga persona të lidhur me qarqe kundër vaksinimit, ose pa ndonjë ekspertizë të veçantë në këtë fushë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësimin për përhapjen e dezinformatave rreth vaksinave, ndërkohë që forume të profesionistëve të shëndetit në Francë kanë paralajmëruar se rënia e mbulimit të vaksinimit në SHBA do të ketë pasoja globale. Për më tepër, SHBA ka tërhequr kontributin e saj financiar ndaj Aleancës Globale të Vaksinave, transmeton albinfo.ch.
Paralajmërime nga ekspertët
Dr. Michel Kazatchkine, ish-drejtor i Fondit Global për Luftën kundër HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries, thekson: “Ai ka shtyrë shumë takime të komiteteve këshilluese dhe ka ndërprerë fondet federale për studimet mbi hezitimin ndaj vaksinave. Gjithashtu, ka propozuar rregullore të reja për vaksinat kundër Covid dhe ka sugjeruar një kalendar të ri vaksinimi”.
Ai paralajmëron se ky kontekst i pasigurt përbën kërcënim për shëndetin publik, sidomos ndërkohë që fruthi po përhapet sërish në SHBA. Fruthi, një sëmundje infektive tepër ngjitëse, mund të ketë komplikime serioze, por parandalimi bëhet lehtësisht përmes vaksinës MMR (fruth, shytë, rubeolë) e cila administrohet në fëmijëri. Sipas OBSH-së, shkalla e vaksinimit ndaj fruthit duhet të arrijë 95% për të siguruar imunitet në komunitet.
Fruthi si barometër i mbrojtjes
Rikthimi i fruthit në SHBA ka nisur para presidencës së Trump, por situata po përkeqësohet. Madje ka frikë për rikthimin e poliomielitit, sëmundje që mund të shkaktojë paralizë të përhershme dhe që konsiderohej pothuajse e zhdukur – një fitore historike e mjekësisë moderne.
Në vitin 2000, fruthi u shpall i eliminuar nga SHBA, por sot vendi raporton rreth 1500 raste, shifër rekord që tregon krizën në politikat aktuale të shëndetit publik. Senatori demokrat Chuck Schumer i ka bërë thirrje RFK Jr. që të shpallë emergjencë shëndetësore për këtë situatë, kompetencë që i takon vetëm Sekretarit të Shëndetësisë.
Rënia globale e vaksinimit
Rënia e mbulimit vaksinor nuk kufizohet vetëm në SHBA, por është shfaqur edhe në shumë vende të Europës, veçanërisht në Ukrainë për shkak të luftës dhe vështirësive në programet e shëndetit publik.
Sipas Dr. Kazatchkine, kemi hyrë në një periudhë “përtacie dhe indiference”: njerëzit e konsiderojnë fruthin si një sëmundje të lehtë dhe harrojnë rrezikun real, duke hezituar ose duke mos vaksinuar fëmijët.
Ai thekson se konsensusi shkencor është i qartë dhe i padiskutueshëm: vaksinat janë efektive, të sigurta dhe kanë shpëtuar miliona jetë në të gjithë botën. Një studim i fundit danez mbi një milion fëmijë gjatë dhjetë viteve konfirmoi se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm, sëmundje autoimune apo hepatit.
Si të rikthehet besimi?
Rikthimi i besimit mes skeptikëve ndaj vaksinave kërkon një strategji të re komunikimi dhe lidhje më të fortë mes shkencëtarëve dhe mjekëve të familjes, të cilët kanë kontaktin më të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Mjekët e familjes janë mjeti më i mirë i komunikimit për këtë çështje”, thotë Kazatchkine.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë Filmi i Visar Morinës “Shame and Money” pritet me duartrokitje të pandërprera në Sundance Film Festival... -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025 -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026 -
Toronto
Shqiptarja nga diaspora drejt Olimpiadës Dimërore 2026 me flamurin kuqezi
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin












