Integrimi

Refugjatëve kosovarë në Zvicër iu mundësohet udhëtimi për në vendlindje

Të gjithë shtetasit kosovarë që gëzojnë ende statusin e refugjatit në Zvicër, përkatësisht posedojne leje qëndrimi (F), tashmë me ndihmën e përfaqësive konsullore të Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë për në Kosovë dhe të kthehen sërish në Zvicër.

Ambasada e Kosovës në Bernë ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e Entit Federal për Migracion të Zvicrës dhe nga këto takime ka rezultuar një zgjidhje edhe për këta qytetarë të Kosovës.

„Përjashtim do të bëhet për ata të cilët urgjentisht duhet të udhëtojnë për në Kosovë për t`u pajisur me dokumente udhëtimi“, ka thënë për albinfo.ch zëvendëskonsulli i Konsullatës së Kosovës në Bernë, Besnik Myftaraj.

Kërkesa e Ambasadës kosovare në Bernë ka gjetur mbështetjen e zyrtarëve zviceranë dhe  ështe arritur që këtyre personave t’iu mundësohet udhëtimi për në shtëpi, madje pa pasaportë të Republikës së Kosovës.

Udhëtimi i tyre do të realizohet vetëm me një fletudhëtim që do të lëshohet nga Konsullatat e Kosovës.

„Shtetasit kosovarë të cilët dëshirojnë të udhëtojnë për në Kosovë duhet të parashtrojnë kërkesën në adresë të zyrave kantonale për migracion dhe asaj kërkese duhet t’i bashkangjitet një vërtetim nga ana jonë që ende nuk lëshojmë pasaporta pa letërnjoftimin e Kosovës dhe fletudhëtimi. Lënda e tyre përcillet te Enti Federal dhe këta të fundit lëshojnë një vërtetim, me anë të të cilit lejojnë kthimin për në Zvicër. Qytetarë tanë pasi të pajisen me pasaporta, së bashku me vërtetimin në fjalë duhet të drejtohen te Ambasada e Zvicrës në Kosovë për t`u pajisur me vizë kthyese për në Zvicër“, i ka bërë të ditura procedurat e aplikimit zëvendëskonsulli Myftaraj.

Po ashtu Enti Federal për Migracion njofton edhe Ambasadën e Zvicrës në Kosovë për secilin aplikues.

Gjithashtu, bashkatdhetarët me leje qëndrimi F, para se të bëjnë aplikimin për një vërtetim të tillë duhet të konsultohen me zyrtarët në Ambasadën e Kosovës dhe me përfaqësitë konsullore në Zürich dhe në Gjenevë.

Deri më tani janë proceduar 4 raste të tilla.

Shifrat e fundit të Entit për Migracion të Zvicrës flasin për 3500 kosovarë që ende nuk e kanë të rregulluar statusin, duke gëzuar vetëm lejen e qëndrimi (F), si refugjatë.

Me fillimin e lëshimit të letërnjoftimeve nëpër konsullatat e Kosovës do të zgjidhet statusi i tyre.

Qendrat për Migrim në Zvicër po kërkojnë nga qytetarët me leje qëndrimi (F) që të pajisen me pasaportat e Kosovës, në mënyrë që të mund të marrin leje qëndrimi (B), kanë bërë të ditur zyrtarë konsullorë.