Lajme

Zhduket një tjetër akullnajë në Zvicër, pasojat e ndryshimeve klimatike gjithnjë më të dukshme

Akullnaja Bella Tola në kantonin Valis është shkrirë pothuajse tërësisht, pas viteve të ngrohjes globale dhe valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit. Në vend të akullit, sot kanë mbetur kryesisht gurë dhe vetëm disa njolla dëbore.

Ndryshimet klimatike po lënë pasoja gjithnjë e më të dukshme në Alpet zvicerane. Akullnaja Bella Tola, në kantonin Valis, është shkrirë dhe praktikisht është zhdukur si akullnajë, përcjell albinfo.ch.

Ngrohja globale, e shoqëruar veçanërisht me valët e njëpasnjëshme të të nxehtit, ka përshpejtuar ndjeshëm shkrirjen e saj.

Sipas gazetës lokale Le Nouvelliste, tashmë kanë mbetur vetëm disa njolla dëbore, të cilat pritet të zhduken shumë shpejt. Në pjesën ku dikur shtrihej akulli, sot dominojnë gurët.

Bella Tola ishte njëra nga gjashtë akullnajat zvicerane që konsideroheshin me rrezik të lartë për t’u zhdukur.

Zhdukja e saj është një tjetër tregues i ndikimit të ngrohjes globale në Zvicër, ku akullnajat po humbin masë me ritme gjithnjë e më të shpejta. /Albinfo.ch