Lajme

Reforma e shtetësisë në Gjermani, nuk jepet pasaportë pas tre vitesh

Rruga drejt shtetësisë gjermane zgjatet, çfarë ndryshon për të huajt e integruar?

Pas Bundestagut, edhe Këshilli Federal gjerman (Bundesrati) ka miratuar vendimin për të hequr procedurën e natyralizimit të thjeshtuar për të huajt që konsideroheshin “veçanërisht të integruar mirë”, përcjell albinfo.de.

Kjo do të thotë se, pas tre vitesh, askush më nuk do të mund të fitojë shtetësinë gjermane në mënyrë të përshpejtuar.

Fundi i “turbo-natyralizimit”

Modeli i njohur si “turbo-natyralizim”, që lejonte marrjen e shtetësisë pas tre vitesh për ata që kishin dëshmuar integrim të lartë në shoqëri, do të hiqet përfundimisht.

Sipas ndryshimeve të reja, periudha minimale për aplikim për shtetësi do të jetë pesë vjet, në përputhje me kriteret standarde të përcaktuara nga ligji gjerman.

Kushtet për marrjen e shtetësisë

Edhe pse procedura është zgjatur, kriteret themelore mbeten të njëjta.

Për të aplikuar për shtetësi gjermane, kandidati duhet të plotësojë disa kushte kryesore:

• Njohje e mirë e gjuhës gjermane;

• Kalimi i testit të integrimit;

• Posedimi i një lejeje të qëndrimit të rregullt;

Punësim i qëndrueshëm dhe të ardhura të mjaftueshme;

• Mosdënim për vepra penale.

Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se edhe pas përmbushjes së kushteve, pritjet për përpunimin e aplikimeve mbeten të gjata, për shkak të numrit të lartë të kërkesave.

Mbetet çështja e shtetësive të shumëfishta

Ndërkohë, mbetet ende në fuqi dispozita që lejon dy ose shumë shtetësi, për ata që plotësojnë kriteret dhe nuk janë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e origjinës.

Kjo mbetet një ndër pikat më të rëndësishme të reformës së re të ligjit për shtetësinë në Gjermani, e cila synon të balancojë integrimin me kontrollin e qëndrimit afatgjatë./Albinfo.de